Don Roberto Regoli: Papa Ratzinger njeri i epokave

Jun 29 • INTERVISTË

Në 70-vjetorin e shugurimit meshtarak të Benediktit XVI, në një intervistë dhënë gazetës italianë “Famiglia Cristiana”, flet njëri ndër ekspertët dhe biografët më të njohur të Papës emeritus, autori i librit “Oltre la crisi della chiesa. Il pontificato di Benedetto XVI” (Përtej krizës së Kishës. Papnia e Benediktit XVI). Ai e quan Ratzingerin njeri që lidh epokat, përkatësisht fundin e asaj të vjetrës e fillimin e të resë.

 

Nga Wlodzimierz Redzioch

 

Në mesin e biografëve më kompetent të Benediktit XVI është një meshtar romak dhe historian, Don Roberto Regoli, drejtor i Departamentit të Historisë së Kishës në Universitetin Papnor Gregoriana dhe Drejtor i revistës Archivum Historiae Pontificiae. Libri i tij “Oltre la crisi della Chiesa. Il pontificato di Benedetto XVI  është një tregim i papanisë së Papa Ratzinger i vendosur në një kontekst të gjerë të historisë së Kishës. Regoli e paraqet figurën e madhe të këtij Pape-teolog, i cili ju deshtë të përballej me kriza të shumëfishta në Kishë, por edhe në botë. Po ashtu ky libër është edhe një tentativë për të bërë një bilanc të këtij pontifikati të veçantë në Historinë e Kishës.

 

Më 18 prill 2005, pas një konklave ndër më të shkurtat në histori, është zgjedhur si ipeshkëv i Romës, kardinali Joseph Ratzinger. Papa i ri e zgjodhi emrin Benedikti për të kujtuar Benediktin XV, papën e Luftës së Parë Botërore, dhe Shën Benediktin e Norçes, atin e murgjërisë perëndimore dhe pajtorin e Europës. Pse pikërisht këto personalitete?    

«Në emrin e zgjedhur gjendet një vizion i qartë i politikës së katolicizmit dhe papatit në botë. Europa zë një vend qendror në vizionin e Ratzinger, porse këtu vizioni papnor tejkalon kufijtë kontinental. Referenca te paqja duket të jetë e pashmangshme pas 11 shtatorit 2001 dhe prania  e luftës në disa zona në vitin 2005. Në çdo rast, siç tha vetë Razinger pak ditë pas zgjedhjes së tij, se referimi te Papa Benedikti XV, një njeri i paqes gjatë Luftës së Parë Botërore, shihet dëshira e vetë Ratzingerit për të qenë «në shërbim të pajtimit dhe të harmonisë mes njerëzve dhe popujve», kurse referimi në Shën Benediktin, i cili fal Rregullit të tij «kishte një ndikim të madh në përhapjen e krishterimit në të gjithë kontinentin ». E shohim këtu «një pikë themeltare të referimit për unitetin e Europës dhe një grishje të fuqishme për rrënjët e patjetërsueshme të krishtera të kulturës dhe të qytetërimit të saj».

 

Në vitin 2005 filloi pontifikati i ish perfektit të Kongregatës për Dokrinën e Fesë, njëri prej njerëzve më të afërt dhe bashkëpunëtori i Gjon Palit II. Për shumëkënd, sipas programt të tij u pa si vazhdimësi e pontifikatit të Gjon Palit II. Sipas jush, çfarë ka shënuar vazhdimësi në pontifikatin e Benediktit XVI dhe çfarë dossiers kanë qenë të reja?    

«Ratzingeri ka qenë shpirti teologjik i papnisë së Shën Gjon Palit II dhe në fakt me zgjedhjen e tij kardinalët kanë dashur ta kenë një vazhdimësi në linjat e papnisë së mëparshëm. Kjo qasje mund të indetifikohet lehtësisht në temat antropologjike, në çështjet e etikës seksuale, bioetikë, në mbrojtjen e jetës, në angazhimin ekumenik, në aktualizimin e Koncilit II të Vatikanit dhe në kërkimin e unitetit të Kishës. Natyrisht ka edhe dallime. Dallimet si për shembull në mënyrën e qasjes së dialogut me religjionet (me Benediktin ka pasur më shumë dialog kulturor e aspak teologjik), pastaj ka pasur një vëmendje me të reduktuar të raporteve politike, kurse në anën tjetër mënyra konkrete për të aktualizuar unitetin (me tentativën konkrete të rikuperimit të raporteve me lefebrianët dhe me kushtetutën e ordinareve për katolikët të ardhur nga anglikanizmi – anglokatolikët).»

 

Joseph Ratzinger ka qenë i përgatitur mirë për të ulur në Katedrën e Pjetrit: një teolog i madh (ndoshta më i madhi), njohës i mirë i Kuries (më tepër se 25 vjet ka drejtuar njërën ndër Kongregatat më të rëndësishme të Kuries) dhe i Kishave lokale (ka takuar ipeshkvijtë e të gjithë botës gjatë vizitave “ad limina”). Porse nga ana tjetër, nuk ishte një politikan as një administrator (Selia e Shenjtë bën politikë ndërkombëtare, Qyteti i Vatikanit duhet të administrohet). Si ka ndikuar e gjithë kjo në zhvillimin e papnisë?     

«Pa mëdyshje kjo ka qenë njëra ndër dobësitë e papnisë së tij. Benedikti XVI nuk ka qenë një politikan. Gjatë papnisë së tij për sa i përket vendimeve, nuk u mundua të gjente konsensuse dhe t’i zbatonte, por vetëm shtronte pyetje mbi të drejtën, të vërtetën dhe të mirën, duke dhënë edhe përgjigjen e tij. Për fat të keq, kjo e ka bërë të ekspozuar jashtëzakonisht shumë ndaj sulmeve, pa gjetur mbështetës të përshtatshëm për veprën e tij. Ai i mbulonte të tjerët, por kush e mbulonte atë?»

 

Benedikti XVI ka pasur shumë armiq, edhe brenda Kishës. Para së gjithash zgjedhja e tij ishte e vështirësuar nga i ashtuquajturi “grupi” i San Gallen. Kishtarët e nivelit të lartë të ftuar nga ipeshkvi i San Gallen në Zvicër (në mesin e tyre kardinal Martini, Silvestrini, Murphy-O’Connor e Danneels) të cilët e donin Kishën “të hapur” dhe e kritikonin Kishën në periudhën e fundit të pontifikatit të Gjon Palit II. Shënjestra e tyre ishte para së gjithash perfekti i Kongregatës së Doktrinës së Fesë, pra Ratzinger, sepse, sipas tyre ai ushtronte një ndikim centralizues dhe konservator. Sikur kjo të mos mjaftonte, në atdheun e tij shumë katolikë dhe ipeshkvij gjerman e kritikonin haptazi Papën (“Në Gjermani disa persona kërkojnë që një kohë të gjatë të më shkatërrojnë”, kishte deklaruar papa emeritus në një libër-intervistë.) Si reagonte Benedikti XVI ndaj këtyre sulmeve dhe kritikave?

«Qëndronte në vendin e tij. Nuk u shqetësonte. Politika e tij kishtare vazhdonte. Siç e kemi kuptuar nga fjalët e vet kardinalit Danneels dhe nga biografia e tij e autorizuar, ekzistonte një rrejt i kardinajve dhe i ipeshkvijve që bashkoheshin për të promovuar agjendën e tij kishtare. Ratzinger kurrë nuk e ka pasur një rrejt/strukturë të tijën, e as që e ka lodhur mendjen për ta krijuar. Si teolog që ishte e ka pasur një vetëdijesim të qartë të veprës së Hyjit në Kishë dhe në botë, për këtë arsye këto dinamika shumë njerëzore nuk zgjonin te ai interesim të veçantë. I njihte kritikat, ishte i vetëdijshëm për sulmet, kurse përgjigja  e tij ishte në nivel të argumenteve e jo të një politike të represionit. Ai donte t’i bindte e jo të impononte. Këtu del në dritë një karakteristikë e Ratzingerit, që në të njëjtën kohë është fuqia dhe dobësia e papnisë së tij».

 

Papa që shpesh prezantohej si “konservator” e ka bërë një gjest revolucionar: kur hoqi dorë nga papnia e tij. Mons. Georg Gänswein duke e komentuar dorëheqjen e tij tha: “Nga zgjedhja e Françeskut më 13 mars 2013 nuk janë dy papë, por de facto një minister i zgjeruar – me një gjymtyrë aktive dhe me një gjymtyrë kontemplative”. Si i interpretoni Ju këto fjalë të sekretarit të Papës emeritus?    

«Argjipeshkvi Gänswein ka dashur të ripohon që është vetëm një papë, e në të njëjtën kohë ka dashur të shpjegojë të renë e kësaj ngjarje. Nuk qe i kuptuar si duhet dhe fjalët e tija u nxorën nga konteksti dhe u keqinterpretuan. Gjithnjë ka të atillë që kërkojnë të krijojnë konfuzion. Në realitet, Gänswein duke ripohuar unitetin e qeverisjes papnore, pati tentuar të jap një reflektim teologjik të dorëheqjes, duke përdorur një gjuhë analogjike për shërbesën pjetërore “të zgjeruar”, që përfshinte – sipas vetë Gänswein – dy biografët e Benediktit XVI, Peter Seewald dhe unë, e disa të tjerë po ashtu. Pra, ky minister “i zgjeruar” nuk dukej aq i rrezikshëm derisa nuk merren edhe studiues të thjeshtë. Jo të gjithë i kushtojnë vëmendje tërësisë së ligjërimit. Nuk pati vullnet për të kuptuar».

 

Papa teolog ka lënë një trashëgimi të jashtëzakonshme të Ministerit të tij: 16 volume të Mësimeve dhe 3 libra mbi Jezusin e Nazaretit. Sot hetohet një interesim i ri për shkrimet e Benediktit XV. Pse? 

«Sepse shkrimet e tija mbesin aktuale. Ato lexohen prej shumë të rinjve, jo vetëm studentë të teologjisë por edhe të disiplinave tjera. Interesimi mbetet i gjallë sepse Ratzinger-Benedikti XVI ka ditur të prek tema qendrore të jetës së besimtarëve dhe të njerëzve në përgjithësi, duke përdorur një gjuhë të thjeshtë e të qasshme, që dinte të shkonte në zemër të çështjes, pa banalizuar pyetjen e aq më tepër përgjigjen. Për shkak të kapacitetit të tij për të depërtuar në qendër të Krishterimit dhe për të shpjeguar atë në mënyrë të qartë, tash sa kohë ka prej atyre që e konsiderojnë si një “Mësues të ri të Kishës”».

 

Në biografinë tënde mbi Benediktin XVI keni tentuar të bëni një bilanc të papnisë së tij (edhe pse Papa Ratzinger jeton ende dhe e zhvillon “ministerin kontemplativ”). Cilat janë përfundimet e tua?  

«Nëse në fillim (2005) mund të konsiderohej një Papni transitore, para së gjithash për shkak të moshës së të zgjedhurit dhe për mundësinë e vazhdimësisë magjisteriale me Papa Gjon Palin II, në fund (2013) gjykimi, vlerësimi nuk përputhet me pritshmëritë e fillimit. Mund të flitet për një papni të rëndësishme për disa “çështjeve kryesore” në historinë e krishterimit, jo vetëm për shkak të dorëheqjes më 11 mars 2013. Ekziston periudha e parë e papnisë me reforma të fuqishme. Kulmi mbërrin në 2009 (reforma ekumenike, liturgjike dhe kanonike). Pastaj nuk ndodhin më. Sigurisht që pas 2010 janë të dukshme ngadalësimet e makinës kuriale, sipas të gjitha gjasash për shak se duhej t’ju përgjigjeshin sulmeve mediatike, pa përjashtuar edhe njëfarë lodhje të aktorëve të Kuries. Nuk kemi të bëjmë me një papni “restauruese” siç e pritnin disa, por me një papni konsoliduese, që ishte në gjendje të bënte edhe një ecje të re, duke marrë edhe rreziqet. Me një origjinalitet dhe vendosmëri është përballur me dossier-in e abuzimeve mbi të miturit nga kleri, pa lejuar të vërshohet nga kritikat e medieve dhe papërgjegjësitë episkopale. Ka ditur të t’i jap orientim qëndrimit kishtar për këtë çështje. Papninë e Benediktit XVI mund ta kuptojmë vetëm në optikën e reformimit kishtar e para së gjithash të reformimit papnor. Jo pa qëllim Papa ka vë në jetë, në të njëjtën kohë, reformën liturgjike, teologjike në frymën ekumenike (më së tepërmi përsa i përket raporteve me lefebrianët e me anglikanët) dhe kanonike (reforma e pjesshme e Kodeksit të viti 1983 dhe krijimi i  «ordinariateve personale»)».

    

Përfundimisht si të vlerësohet papnia e Bendediktit XV?

«Duket zbuluese përgjigja e Benediktit XV në pyetjen e Peter Seewald. Intervistuesi e pyet:  «Ju jeni fundi i të vjetrës apo fillimi i të resë?». Papa përgjigjet: «dyjat». Pyetje dhe përgjigje e duhur. Papnianë e tij nuk mund ta fusim në definicione të ngurta. A më lejohet një shtesë?»

 

Patjetër, urdhëroni…

«Ekziston një vlerësim i papnisë nga vetë Benedikti XV, i dhënë besimtarëve më 27 shkurt 2013, përkatësisht një ditë para se të kemi sede vacante – selinë e lirë. Leximi i tij është qartësisht teologjik, por është mahnitëse për të kuptuar mendjen e papës. Është një citim i gjatë, por ia vlen ta sjellim të plotë: «Ishte një pjesë e udhëtimi të Kishës që ka pasur çaste të gëzimit e të dritës, por edhe çaste jo të lehta: jam ndier si Shën Pjetri me apostujt tjerë në lundër në liqenin e Galilesë: Zoti na ka dhanë shumë ditë me diell e me puhiza të lehta, gjatë së cilave peshkimi ka qenë i bollshëm; por kanë qenë edhe çaste kur ujërat ishin plotë valë të forta e fryma ishte në kahen e kundërt, si në të gjithë historinë e Kishës, kurse Zoti dukej se po flinte. Porse, gjithmonë e kam ditur se në atë lundër është Zoti dhe gjithmonë e kam ditur se lundra e Kishës nuk është e imja, nuk është e jona, por e Tija. Dhe Zoti nuk e le të fundoset, të mbytet; është Ai që e udhëheq, natyrisht edhe përmes njerëzve që i ka zgjedhur, sepse ashtu ka dashur ai. Kjo ka qenë dhe është një qartësi që askush nuk mund ta errësojë»./drita.info

 

Marrë nga www.famigliacristiana.it

Përktheu: F.K.

Comments are closed.

« »