Mëshirë, jo fli

Jul 16 • Meditimi i ditës

16 korrik 2021 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Dal 11,10 – 12,14; Ps 116,12-13.15.16b-18; Mt 12,1-8)

 

Prania e Hyjit

“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Ndërgjegjësimi

E di që Zoti më do pa kushte.

Për këtë arsye me sinqeritet e vështroj ditën që po kalon, ngjarjet dhe përjetimet.

A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të falënderoj.

Diçka që ndihem fajtor? Atëherë do të lutem për falje.

 

Fjala

E dëgjoj Fjalën e Hyjit me mend e zemër.

Lejoj të gjejë jehonë brenda meje.

 

Mt 12, 1-8

 

1 Në atë kohë ‑ një të shtunë ‑ Jezusi kaloi nëpër të mbjella. Nxënësit e tij të uritur, filluan të këpusin kallinj e të hanë. 2 Kur i panë farisenjtë, i thanë:

“Ja, nxënësit e tu po bëjnë çka s’është e lejueshme të bëhet të shtunën!”

3 Jezusi u përgjigj:

“Vallë a nuk keni lexuar ç’bëri Davidi kur u urit ai dhe shoqëruesit e tij? 4 Si hyri në Shtëpinë e Hyjit dhe i hëngrën bukët e kushtuara, që nuk ishte e lejueshme t’i hante as ai as shoqëruesit e tij, por vetëm priftërinjtë? 5 Apo nuk keni lexuar në Ligj se priftërinjtë e prishin të shtunën në Tempull në ditë të shtuna e nuk bëjnë mëkat? 6 E unë po ju them: është këtu diç më e madhe se Tempulli! 7 Ta kishit kuptuar se ç’do të thotë fjala: ‘Dua mëshirën e jo flinë’, nuk i kishit dënuar këta njerëz që s’po bëjnë faj. 8 Biri i njeriut është me të vërtetë i zoti i të shtunës!”

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Këtu Jezusi përsëri përballet me Farisenjtë që i mbajnë rregullat e jashtme të ligjit, pa iu bindur kuptimit të brendshëm. Si mendon, cili është kuptimi i brendshëm i ligjit?
  • Jezusi erdhi për të përmbushur ligjin, jo për ta shfuqizuar atë. Ashtu si priftërinjtë ishin në gjendje të shërbenin në tempull të Shtunën pa e shkelur ligjin e Zotit, ashtu edhe dishepujt janë në gjendje t`i thyejnë rregullat dhe konventat e zakonshme të së Shtunës sepse Jezusi është këtu, dhe ai është Zot i Shabatit (të Shtunës). Për çfarë po përpiqet Jezusi t’i ndërgjegjësojë njerëzit?
  • Ndërsa e dëgjon përsëri leximin, pyete veten se si lidhet saktësisht e gjitha kjo me jetën tënde.

 

Bashkëbisedim

Në këto momentet përmbyllëse të lutjes, kërkoji Zotit hirin që të jesh në gjendje të kuptosh më mirë frazën: “Dua mëshirën e jo flinë’.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Farisenjtë përshpejtonin duke treguar me gisht respektimin tradicional të së shtunës siç kërkohej nga ligji. Ata nuk e kuptonin se çfarë donte të thoshte mësimi i Jezusit se “Biri i njeriut është i zoti edhe i të shtunës”. Ata ishin shumë të zënë me rregullat, rregulloret dhe kushtime boshe flish dhe e humbnin kuptimin e mesazhit të Jezusit – mëshirën dhe dashurinë e Hyjit.

Hyji dëshiron që të më lirojë nga shqetësimet, ndjenjat e frikës dhe ngarkesat nëpërmjet dhuratës së dashurisë dhe mëshirës së tij të pakusht. A mund ta zgjeroj edhe te të tjerët dhuratën e mëshirës dhe të dashurisë që ai e ka ndarë me mua aq bujarisht?

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »