Papa Klementi XI në tekste kushtimi të bashkëkohësve të vet

Jul 18 • Histori, Kulturë, Letërsi

Nga Evalda PACI

 

Pontifikati i Klementit XI me të drejtë mund të cilësohet si periudhë e papnisë së një personaliteti erudit, të dhanë mbas bibliofilisë, kulturës së librit e të artit, kultivimit të dijeve sublime që orientojnë individin ndaj njohjeve më të thella të mundshme, por dhe ndaj trajtimit ezegjetik të çështjeve të doktrinës e të teologjisë së krishterë në nivele të larta brendësimi. Të dhëna të shumta biografike dhe enciklopedike rezultojnë mbi personalitetin e Papës Klementi XI, vëmendja ndaj të cilit reflektohet në një dokumentacion të pasur të kohës së vet, por më tej, dhe në forma kujtese që koha i ka përforcuar ndjeshëm dhe bindshëm.

Që në  fillesat e këtij pontifikati, Klementi XI,  i cilësuar jo rrallë prej bashkëkohësve edhe si papë shqiptar, dha shenja konkrete të interesimit (me gjasë, paraekzistues) për ripërtëritjen e jetës kishtare e ringritjen e objekteve të kultit në dheun tonë.

Vitet 1702-1703 do të jenë veçanërisht frytdhënëse në pikëpamje iniciativash, konstituimesh dhe aktesh të shkruara nga ana e tij, që gjinden të cituara e të shtjelluara gjerësisht në vëllime madhore dokumentare të kohës.

Në të vërtetë, një nevojë e mirëfilltë e rimëkëmbjes së një sërë institucionesh e bënte të domosdoshme thirrjen e një koncili kishtar kombëtar, i cili do të mbetet i ndërmendur në trajtesat historike të asaj periudhe për vetë krucialitetin me të cilin lidhej mbajtja e tij, por dhe për ndërlidhjen e natyrshme që vetë protagonistët kryesorë që qenë pjesëmarrës në të bënin me rolin e papës së zgjedhur prej pak vitesh, Klementit XI. Kritika e kohës, recensimet në një vështrim të thelluar mbi dekretet e këtij koncili bëjnë të mundur të receptohet një artikulim i qartë mbi gjithë këtë ngjarje dhe objektivat e realizimit të saj. Do të rezultojnë analiza të hollësishme mbi organizimin dhe bashkërendimin e një eventi të tillë, që nuk është i vetmi për atë periudhë për arealin evropian dhe vendet e Lindjes, ndërkohë që dhe dekretet e nenet përkatëse gjejnë të njëjtën vëmendje, dhe pse kritike në pikënisje.

Vetë ndërmendjet nga ana e Zmaievich-it të ndarjeve administrative kishtare të kohës dhe nënvizimi i nevojës për t’i bashkuar me përfaqësi në një koncil mbarëkombëtar si ai i vitit 1703 do të përbëjnë një mesazh të qartë të rëndësisë së mbajtjes së këtij të fundit në atë moment dhe në atë seli që nuk mungon të citohet në relacionet e përgatitura prej këtij të fundit në të njëjtën periudhë kohore. Parapërgatitja e një ngjarjeje të tillë, pas gjase e shumëpritur për një sërë arsyesh e rrethanash që vijonin të ishin eminente, të konceptuar në një vështrim gjithëpërfshirës nga ana e Zmaievich-it receptohet qartë nëse ndjekim njëfarë itinerari që nuk mungon në parashtresat që u prijnë akteve e dekreteve të një koncili të tillë.

Në vështrime konsultuese të një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me veprimtarinë baritore e papnore të Klementit XI bie në sy një reverencialitet i theksuar ndaj tij që arsyetohet në vështrimin tonë dhe me një sërë procedesh e mënyra të shprehuri që në tekstet kishtare, por dhe zyrtare të asaj kohe përdoreshin në lidhje me figura të një rangu të caktuar hierarkik. I kemi ndeshur në shfaqje më modeste dhe në tekstet introduktive të veprave të letërsisë së vjetër shqipe, në të cilat kemi analizuar qoftë toposet që na kanë orientuar ndaj modelesh të ngjashme në botime të së njëjtës kohë, qoftë dhe tiparet origjinale që kanë të bëjnë me vetë prirjen e autorëve për të nënvizuar aspekte të veçanta të përpilimit të veprës së tyre.

Edhe aktet e Koncilit të Arbënit, pikërisht atij të vitit 1703 mbartin tipare të një botimi autorial, dhe pse në sythe e krerë të caktuar mund t’u gjurmohen përkime e elemente të përbashkëta me të tjera përpilime, të ndërtuara mbi shpjegime e shtjellime aktesh e dekretesh.

Cilësimet dhe përveçimet që i dedikohen Klementit XI gjinden të dëshmuara në një sërë dokumentimesh shkrimore, ndër të cilat do të duhet të ndërmendnim vetë paragrafet në të cilat Zmajevick ka ndërtuar parashtresat e akteve të botimit të një ngjarjeje aq me rëndësi për historinë tonë si ai i Koncilit kombëtar të Arbënit, cilësuar si Concilium Provintiale sive Nationale Albanum. Vetë variantet përkatëse të këtyre kushtimeve do të mund të gjurmohen edhe në ribotime të mëvona, në veçanti në ato të shekullit XIX e që përveç ndryshimeve me elemente të përveçme ndaj botimit të vitit 1706, rimbartin ndjeshëm gjurmë të së njëjtës frymë celebrative ndaj figurës pontifikale të Klementit XI.[1]

Ribotimet në fjalë në të vërtetë mund të konsiderohen si një rimarrje në një kohë të mëvonë të aktualizimit të koncilit të vitit 1703, ndërkohë që vetë interesimi i përpiluesit dhe i porositësve të kësaj ndërmarrjeje kishte të bënte me rinënvizimin e rëndësisë që duhet të kishte akoma në ato vite mbajtja e tij.

Përposë këtyre elementeve të domosdoshme krahasimi, duhet nënvizuar që janë pikërisht tekstet introduktive të akteve që përbëjnë dëshmi të qarta të njohjes së rolit të Klementit XI në lidhje me aktualizimin e Koncilit, fakt ky i përsëritur ndjeshëm në përpilimet që mbajnë autorësinë e Zmaievich-it. Variantet në të cilat mbërrijmë t’i gjurmojmë konsideratat e Vizitatorit në proces të ligjërimit në Sinod janë gjithashtu dhe mundësi për të vënë në dukje  zgjedhje të ndryshme nga ana e shqipëruesit, që janë për më tepër veçori konstitutive në brendësimin e teksteve në fjalë.

Qëmtimet filologjike në këtë rasë nuk mund të jenë vërejtje të thjeshta ndaj trajtash e ndërtimesh që mund të argumentohen dhe me diferencime të kohës që ndan botimet në fjalë, por ndërkohë duhet dhe të vënë në dukje sa me rëndësi shfaqen sintagma të caktuara që kanë të bëjnë me siglime territoriale, apo ndonjë emërtesë tjetër që duhet të sjellë më së miri referimin ndaj origjinalit në gjuhën latine.

Në veçanti, në Prefationën ndaj lexuesit të përpiluar prej D. Egnell Radojës e që mban datën 10 maj të vitit 1867, lexohet qartë nënvizimi i rëndësisë që vijonte të kishte koncili, rëndësi që reflektohet në breve dhe enciklika të papëve që e pasuan Klementin, cilësuar pikërisht në këto rreshta (të Radojës) si Papë Shqyptari Clementi i Gnimdhetii.

Prefationa në fjalë i drejtohet në këtë rasë Imzot Carol Pooten-it (1807-1886), aso kohe Arqipeshkëv i Tivarit e i Shkodrës, i cili me sa duket dhe në lidhje me një argument të tillë kishte treguar kujdes dhe për më tepër kishte kërkuar angazhimin e Radojës në ndërmarrjen e shqipërimit në një variant të tij të akteve të këtij koncili. Miratimi i Pooten-it ndaj punës së Radojës me këto tekste dokumentohet qartë krahas atyre të Logorezzit dhe Bruschit (të lëshuara përkatësisht në maj të vitit 1867), të përpiluara në formë zyrtare në gjuhën latine. Tekstet e Radojës sigurisht janë pasqyrë zhvillimesh të mëvona jo vetëm gjuhësore, por dhe të vetë formimit të tij, të dëshmuar dhe në variante doktrinare pak a shumë të së njëjtës kohë me sprovat me vlerë të D. Nnre Logorezzit, fakt që dëshmohet dhe në dokumentime shkrimore në lidhje me ndihmesat e secilit në këtë drejtim.

Kontributet në sjelljen në shqip të dekreteve, por dhe të teksteve hyrëse të akteve të Koncilit të vitit 1703 janë një perspektivë me interes në pikëpamje të gjurmimit tekstor që mund të kryhet në lidhje me pjesë përbërëse të krejt veprës, por dhe një grishje e përsëritur për të riparë dhe variantin origjinal në gjuhën latine, në të cilin mund të rigjejmë prirje të veçanta në hartimin e letrave hyrëse, ligjërimeve të Vizitatorit Apostolik si epror në drejtimin e tij, por dhe një terminologji të tërë që falë vetë objektivave të kësaj ngjarjeje, ngërthen një arsenal të plotë emërtesash e ndërtimesh teknike.

Kushtimi i Zmajevich-it ndaj Papës Klementi XI përbën jo vetëm një ekspoze të një fryme nderimi ndaj figurës së këtij të fundit, por dhe një paraqitje më se të kuptueshme të fakteve që atij i duhet të vërë në dukje duke qenë pikërisht në atë moment në një rol me rëndësi, atë të Vizitatorit Apostolik.

Me gjithë notat dedikatore që janë më se të natyrshme në materiale dokumentare të kësaj natyre, vetëdija e Vizitatorit për gjendjen e mjerueshme të objekteve të kultit, popullsisë së viseve që ka vizituar dhe barinjve të saj bashkëndahet natyrshëm me destinatarin në fjalë, Papën Klementi XI.

Natyra e tekstit, nëse i referohemi variantit të konsultuar në gjuhën latine mbart tipare të një modeli kushtimi, por ndërkohë përmban fakte që domosdoshmërisht do të duhej t’i gjenim në një letër të tillë, që ruan dhe elemente të një brendie relatore.

Letra që Zmaievich i drejton Papës Klementi XI përbën një model referimi në kuptimin e prirjes së autorit për të ndërthurur me nota erudicioni deskriptivitetin që ia kërkon vetë cilësia e funksionit që i është ngarkuar, ndërkohë që aftësive të tij prej relatori do të duhet t’i njohim dhe ndërfutjen e citimeve nga tekste themelore biblike në gjuhën latine, aq më tepër nëse bëhet fjalë për një frazë sintetike që do ta gjejmë më parë dhe në Prefationën e veprës së Pjetër Bogdanit, pikërisht në Të primitë e Cuneus Prophetarum (Patavii, 1685).[2]

E njëjta frymë ndihet në tekstet pasuese  me natyrë dokumentare e zyrtare që Vizitatori Apostolik paraqet në lidhje me Kuvendin e vitit 1703, në veçanti në të quajturat Litterae indictionis, që përbëjnë një udhërrëfyes të qartë të ecurisë dhe bashkërendimit të mbajtjes së tij, përpiluar në Kurbin, pikërisht në ditët e para të dhjetorit 1702. Variantet e këtij teksti, por dhe përpilimeve të tjera që mbajnë autorësinë e Zmaievich-it, të introduktuara në mënyra jo të njëjta shprehjeje në pikëpamje të shqipëruesve a përgatitësve për botim sjellin në vështrimin tonë dhe qasje ndaj konceptesh e termash që duhet të ishin më të unifikuara në kuptimin e referencialitetit që paraqesin.

Në ndonjë tekst tjetër në vijim, pikërisht në atë me titull Ad Synodum cohortatio, në të cilin shtjellohen qartë një sërë ndjesish që vetë mbajtja e një koncili të tillë do të mund të frymëzonte te vetë organizatorët e saj, do të rigjejmë të evidentuar të njëjtën vetëdije nga ana e Zmaievich, i cili ka përshkuar një itinerar të posaçëm në funksion dhe paraprirje të një eventi të tillë.

Tekstet e Zmaievichit mbartin qartësisht idenë e mbështetjes pontifikale të Kuvendit, bashkë me çdo rrethanë tjetër që bashkëshoqëron kuadrin e zhvillimit të këtij të fundit. Një ngjarje si Koncili i vitit 1703 do të përfshijë dioqeza e famulli, hierarkë e barinj të kishës së Arbënit dhe do të reflektojë jehonën e vet në aspektet më të rëndësishme të jetës kishtare në vend.

Çështjet e konsiderimit dhe respektimit të sakramendeve, mirëmbajtjes së monumenteve dhe objekteve të kultit, por dhe elementeve të tjera që bashkëshoqërojnë ritualitetin zakonor pothuaj të humbur në kontekstin kishtar të asaj kohe, ato të përgatitjes gjuhësore e kulturore të meshtarëve si ushtrues të praktikës liturgjike të krishterë, përdorimi i ritualit dhe i breviarit romak, integriteti territorial i dioqezave dhe saktësimi i kufijve të tyre, qartësimi i marrëdhënieve në hierarkinë kishtare të viseve arbërore kanë të gjitha njohjen dhe vëmendjen e një dore e një mendjeje që me vetëdije të plotë i risjell të gjitha këto problematika në një parashtrim në rang koncili a sinodi mbarëkombëtar.[3]

Të mos harrojmë dhe dekretet përkatëse që nuk lënë jashtë vëmendjes reflektimin e direktivave të Koncilit të Trentit në një eveniment të tillë, ndërkohë që vetë koncilet pasuese që do të mbahen në viset tona vite më vonë, do të jenë në disa pikëpamje vijuese të kësaj ngjarjeje.

Me të drejtë, jehona e mbajtjes së Koncilit të vitit 1703 gëzoi dhe vijon të ketë një vëmendje të përqendruar nga ana e studiuesve, për vetë momentin krucial që po kalonte kisha e Arbënit, por dhe për impaktin më se të konfirmuar që i dha interesimi i qartë nga ana e Papës Klementi XI. Sa i përket Koncilit të Trentit, aq herë i ndërmendur në artikujt dhe krerët e akteve përkatëse të Kuvendit të vitit 1703, duhet rithënë që dhe falë orientimeve të Klementit XI dhe ipeshkvinjve të dioqezave të caktuara, një vëmendje e tillë mund të gjindet e dokumentuar dhe në koncile të tjera, të zhvilluara përgjatë pontifikatit të këtij të fundit, siç paraqitet dhe rasti i atij të mbajtur në Poloni (Zamoseium) në vitin 1720, me një ilustrim të qartë të rikonfirmuar qoftë ndaj rolit të Papës sonë, aq dhe nevojës për të ridimensionuar vështrimet mbi aktet e dekretet tridentine.[4]

Roli i papës Klementi XI në konsolidimin e institucioneve kishtare njihet si i tillë dhe në lidhje me lokalitete më të largëta në të cilat vepronte kisha e Romës. Nëse konsultohet dokumentacioni përkatës i asaj kohe që evidenton për më tepër dhe ecurinë e veprimtarisë pontifikale të Klementit papë vit pas viti, do të jetë më se i qartë gjithë bashkërendimi i akteve konkrete të tij në pikëpamje të ungjillëzimit dhe forcimit të rolit të Kishës së Romës në Evropë, por dhe më tej, në vise e juridiksione më të largëta.

Vëmendja ndaj teksteve kishtare që për më tepër janë objekt dhe instrument i një pune të përditshme të meshtarit është një element që duhet marrë në konsideratë dhe në këtë trajtesë tonën në lidhje me kontekstin historik e social që bëri të mundur të nënvizohet rëndësia e rolit të këtij të fundit në zhvillimet e viteve 1702-1703 në viset tona, që përkojnë dhe me fillimet e pontifikatit të tij.

Referimi i vazhdueshëm dhe në pikëpamje termash specifikë ndaj këtyre instrumenteve themelore në praktikën e liturgjisë së përditshme dëshmon interesimin e qartë që përmes libërthave e doracakëve të konkretizohej edukimi ndaj besimit, ndërkohë që një orientim i tillë nënvizohet fort dhe në lidhje me meshtarët dhe barinjtë e popullsive të krishtera.

Akte të tjera mjaft të rëndësishme që janë dhe dëshmi e një vëmendjeje të qartë ndaj çështjeve themelore të teologjisë së krishterë dhe receptimit të saj në tekstet biblike e më në veçanti në ato të shkruara në gjuhët e vendeve të tjera janë një kornizë e domosdoshme që duhet marrë në konsideratë dhe në rasë të trajtimit të rolit që Klementi XI pati në lidhje me mbajtjen, ecurinë dhe konkludimin e Koncilit të vitit 1703.[5]

Aktet e Koncilit të vitit 1703, që panë për herë të parë dritën e botimit pothuaj tre vjet më vonë mbas mbajtjes së këtij të fundit kanë për ne dhe një tjetër vlerë referenciale, pikërisht atë të daljes nga shtypi nga Tipografia e Kongregacionit, fakt ky që pasuron një kuadër përpilimesh që lidhen veçanërisht me historikun e botimeve të kësaj natyre. Një panoramë e tillë gjeti inicim në Dicionarin latinisht-shqip të Frang Bardhit (1635), për të pasur më tej një vijimësi që do të shënohet nga vepërza dhe vepra, ndër të cilat mbizotërojnë variantet doktrinare, të ndërmendura dhe në aktet e sipërcituara të këtij koncili.

Një figurë komplekse si ajo e Klementit XI prej shumë vitesh ka gjetur hapësira të konsiderueshme trajtimi në vështrimin dhe vëmendjen e studiuesve të historisë së kishës e të institucioneve kishtare, por jo më pak të studiuesve të historisë së besimit, të artit kishtar e jo vetëm, të historisë së mendimit filozofik e më tej, vëmendjen e gjurmuesve të varianteve të kësombllave e të ekzemplarëve të librave të vlefshëm që me siguri nuk mungonin as në dispozicionin e familjes Albani, prej së cilës pati lindur dhe ky personalitet i ardhshëm (Giovanni Francesco Albani).

Një trashëgimi e pamatë kulturore, por dhe një arsenal vlerash njerëzore që bëri të mundur të konkretizoheshin prej këtij prelati vepra dhe ngjarje të një rëndësie themelore dhe për viset tona rijetuan falë tij dhe gjithë zhvillimeve të periudhës gjatë së cilës ky i fundit ushtroi veprimtarinë e tij shumëdimensionale, kulturore, fetare dhe shoqërore./drita.info

 

——————–

[1] Shih në veçanti kreun me titull Botime të tjera të tekstit të Koncilit shqiptar në Demiraj B., Concilii provintiaali o Cuvendi J Arbënit, Botime Françeskane, Shkodër, 2012, f.18-22.

[2] Populli emi u bā rob, perse s’pat dijen./Propterea captivus ductus est populus meus, quia non habuit scientiam. Një frazë e tillë nga Isaia profet (5, 13-15) rimerret shpesh dhe në studime të natyrës ezegjetike të kryera gjatë Gjashtëqindës, siç rezulton në disa botime të kësaj periudhe.

[3] Në të vërtetë, një fakt i tillë nënvizohet ndjeshëm në çdo trajtesë që ka objekt të vetin koncilin e sipërcituar, qoftë dhe duke marrë në konsideratë konkretizimin  e rolit që i është deleguar në këtë rasë Vizitatorit Apostolik të Arbënit.

[4] Në korpuse të posaçme dokumentare receptimi në një frymë pozitive i Koncilit të vitit 1703, cilësuar dhe si Concile d’Albanie apo Albanense lidhet qartë dhe me vetë impaktin që ka veprimtaria e Zmaievich-it, e artikuluar qartë në aktet e botuara në vitin 1706. Shih gjithashtu dhe Guérin P., Les Conciles généraux et particuliers, Tome troisième (1327-1868), Paris, 1869, f.679.

[5] Në veçanti në lidhje me Kuvendin e Arbënit (1703) dhe domosdoshmërinë e bashkimit në të të një sërë hierarkësh të kishës arbërore nënvizohet përherë një vëmendje e tillë, e cituar në mënyrë të qartë dhe në letrat hyrëse me të cilat Vizitatori Apostolik i Arbënisë, Visk Zmaievick, aso kohe dhe Arqipeshkëv i Tivarit e i Dioklesë paraprin shtjellimin e akteve të këtij kuvendi.

Comments are closed.

« »