Prezantimi i librit “Peshteri. Vendlindja ime” i Mons. Zef Gashit

Aug 8 • Kulturë, Recension

Nga Prenk Gashi

 

Në fillim duhet të thuhet se, sikur ky fshat me rënie të lirë po zbrazet nga banorët e tij, ashtu  edhe harresa po e mbulonte të kaluarën e këtij fshati, prandaj është fat i madh që sot po promovojmë këtë libër – monografi për Peshterin, i cili edhe pse me një histori jo shumë të gjatë të ekzistencës së tij, ka një të kaluar të bujshme dhe shumë të rëndësishme për t’u njohur, sidomos për pasardhësit e këtij fshati, të cilët sot janë të shpërndarë në shumë vende, në Kosovë, shtete të rajonit,  Evropë dhe deri në Amerikë.

Librin që  po e promovojmë sot, shihet se është fryt i punës së gjatë të Mons. Zefit, i cili si duket ngado që ka shkuar në “strajcën e tij” e ka bartur me vete edhe një pjesë nga thesari i Peshterit.

Në hyrje të librit autori na thotë se “Librin me titull Peshteri. Vendlindja ime, e shkrova për të përmbushur një detyrim ndaj vendlindjes sime ku kalova 16 vjet fëmijërie e rinie, sa të vështira aq edhe të lumtura dhe më vonë 22 vite shërbimi shpirtëror si famullitar i Prishtinës, gjatë së cilës njëkohësisht e kam shërbyer edhe Peshterin

Libri është i ndarë në katër kapituj: Historiku i famullisë dhe prejardhja e banorëve, jeta fetare, arsimi – shkolla e parë dhe famullitarët në Peshter.

Për hartimin e kësaj monografie autori është shërbyer me gojëdhënat e banorëve të moshuar të fshatit, si: Pashk Prenk Gashit, Bozhë Prenk Gashit, Zefin e Hazirit, albumet dhe ditarin e tij personal, arkivin e famullisë së Peshterit, korrespodencat administrative e baritore, hulumtimin në libra të pagëzimit, si dhe shkrime dhe  kronika të kremtimit të festës së Sh’Masjnait, 

Në kapitullin e parë autori na flet për pozitën gjeografike të Famullisë së Peshterit,  prejardhjen e banorëve, gjenealogjinë e banorëve sipas gojëdhënës, ku paraqet trungun familjarë për të gjitha familjet e mëdha  të fshatit  dhe  gjendjen statistikore të  fshatit Peshter-Brus deri në vitin 1985.

Duke shqyrtuar pozitën gjeografike të fshatit, na jep të dhënat për shtrirjen e lagjeve të fshatit, varrezave  si dhe disa emërtime toponomike të vendeve, që do të ndihmojnë për orientimin e popullatës edhe në të ardhmen.

Edhe pse nuk ka studime të mirëfillta për prejardhjen e banorëve të këtij fshati, në bazë të  gojëdhënave që kanë arritur deri në ditët tona, ka ndërtuar një itinerar që paraardhësit tanë kanë kaluar, prej vendit të origjinës fshati Mirakaj afër Pukës, deri te formimi i lagjeve të fshatit Brus. Në këtë pjesë, për herë të parë do të kemi një ndërlidhje të fshatit Peshter me Peshterin e Sanxhakut, do të kuptojmë edhe për lidhjet farefisnore që banorët e këtij fshati kanë me disa fshatra në Drenicë, si me: Llapushnikun, LLazicën, Lladrovcin e tj. Në këtë pjesë autori – ndoshta pa dashje,  sikur krijon huti se cilit fis i takojnë peshterasit, kur thotë se “Pjesa e tretë e atij korpusi kelmendasish kanë marrë drejtimin e Kosovës ku më së shumti kanë ngelur nëpër Drenicë, në këto vende: Llapushnik, Llazicë, Lladrovcë, etj”. Autori nuk ka sqaruar edhe gojëdhënën, se pas shpërnguljes nga fshati Honrovc, një degë e banorëve është vendos në lagjen e Suteskës së fshatit Mramor.

Do të kuptojmë edhe për lidhjet e krushqisë së fshatarëve të Peshterit dhe Brusit me banor të fshatrave, që në atë kohë bënin një jetë fetare të fshehtë të ngjashëm me peshterasit, si me: Llapushnikun, Kravasari, Bresalcin, Selishtën, Kurexhin, Papazin, Stubllën, Dunavin, etj.

Në bazë të të dhënave të gjenealogjisë që ka dhënë për familjet e vjetra, secila familje, në të ardhmen e ka më lehtë që të paraqes edhe trungun familjarë të familjes së vetë

Ka grumbulluar të dhëna edhe për familjet që janë shpërngulur,  numrin e anëtarëve të tyre dhe vendin se ku kanë jetuar deri në vitin 1985, si dhe gjendjen me numrin e banorëve në vitit 2019. Në vitin 1985, në fshat gjendeshin  36 familje me 299 banorë, kurse nga viti 1955 deri 1985, ishin shpërngulur 57 familje me 342 banorë. Ata ishin të shpërngulur  në 13 vendbanime, në Kosovë, Maqedoni, Kroaci, Angli dhe SHBA.  Në bazë të këtyre të dhënave shihet se pas 35 viteve, në fshat është shtuar numri i familjeve – 51, por ka rënie të  numrit të banorëve- 226, por kur përfshijmë edhe banorët e fshatit Slivovë, të cilët gravitojnë në këtë famulli, shohim se kemi numër thuajse të njëjtë të banorëve-  299 me 302.

Ky kapitull përfundon me disa Fotografi, që janë një thesar i veçantë për peshterasit, ku do që gjinden ata, sepse secili me nostalgji  do t’i kujtoj gjyshërit dhe paraardhësit e familjeve të tyre. Shumë prej këtyre fotografive, do të kenë rastin që t’i shohin për herë të parë në jetën e tyre. Shumë prej nesh do të kemi rastin që për herë të parë ta shohim edhe foton  tonë personale si kujtim nga e kaluara e jonë si fëmijë. Kur nuk kishim mundësi të bëjmë një foto për vete, këtë mundësi  është kujdesur që të na i mundësoj Monsiniori ynë. Përmes këtyre fotografive mundemi  të kuptojmë dhe gjendjen sociale të popullatës së atëhershme.

Në kapitullin për jetën fetare të peshterasve do të kuptojmë për gjendjen fetare të popullatës gjatë periudhës së pushtimit osman dhe për zhvillimet pas viti 1912, kur pjesa më e madhe e popullatës deklarohen haptas për përkatësinë fetare të Krishterë.

Përmes emrave të banorëve do të kuptojmë se sa e vështirë ka qenë rruga jetësore e këtyre banorëve, që të ruajnë fenë e Krishterë në këto troje,  për  një kohë të gjatë janë detyruar të jetojnë si Kriptokatolik: një emër e mbanin në familje dhe një tjetër kur dilnin jashtë familjes së tyre.

Do të kuptojmë se dokumentet e para të shkruara i gjejmë  në Amzat e të Pagëzuarëve të Famullisë së Janjevës që rrjedhin nga viti 1856, deri sa peshterasit ishin ende të vendosur në fshatin Honrovc.

Do të kuptojmë për jetën e Shën Sebastianit dhe për kronikat e festimit të festës Sh’Masjanit në Peshter.

Do të kuptojmë se kjo Kishë, kushtuar Sh’Masjanit, ka filluar të ndërtohet me iniciativën e Kapelanit të atëhershëm të Janjevës Don Dedë Ramajt në vitin 1932 dhe ka përfunduar së  ndërtuari në vitin 1935-37, dhe po ashtu krejt fazat nëpër të cilat ka kaluar ndërtimi dhe renovimi i kësaj Kishë.

Do të kuptojmë se Motra Klara dhe Monsinjor Zefi, ishin pagëzuar në të njëjtën ditë dhe se këta dy ishin të vetmit nga ky fshat (shpresojmë që në të ardhmen të mos jenë), që kanë vendos që tërë jetën e tyre të jenë në shërbim të Zotit dhe Vëllait njeri. Do të kuptojmë ecjen fetare dhe festimet që kanë ndodhur në këtë Kishë si bekimin e Kishës më 1965 dhe Shugurimin e Kishës, me rastin e 50 vjetorit të ndërtimit të kësaj kishe më 1985, kur organizohet  një manifestim i nivelit që vështirë se do të shihet më në këtë vend. Autori na njofton me  organizimin, organizatorët, pjesëmarrësit dhe rrjedhën e këtyre festave.

Do të kuptojmë  për përpjekjet e pareshtura të Monsinjor Zefit, për pavarësimin e Famullisë së Peshterit dhe për pengesat që ka hasur në këtë aktivitet.

Do të kuptojmë se Don Zefi i ri, po sa kishte marrë në përkujdesje filialin e atëhershëm, Kishën e Sh’Masjnait, kishte filluar edhe ndërtimet e objekteve përcjellëse të famullisë. Në vitin 1970, kishte filluar ndërtimin e Shtëpisë së famullisë e cila përfundoi në vitin 1973 dhe pandërprerë, deri sa do të largohet nga shërbimi në këtë Kishë, do të punojë në renovimin e Kishës dhe ambientit përreth saj.

Në këtë libër madje do të kuptojmë edhe kur është bërë edhe elektrifikimi i fshatit. Gjejmë edhe shkrime që kanë të bëjnë me traditat që lidhen me praktikimin e fesë në këtë fshat, siç ishte tradita e punimit dhe përcjelljes së djegjesë së qiriut të Shën Kollit, për prerjen e kurbanit, Buzmit për Krishtlindje dhe ritet që përcjellin prerjen e buzmit dhe ceremonitë e përcjelljes së   buzmit deri në zjarre dhe traditat e tjera.

Kapitulli i tretë i kushtohet arsimimit – shkollimit në Fshatin Peshter-Brus. Sipas informatave që marrim në këtë libër, shkolla e parë shqipe në këtë fshat është hapur në vitin shkollor 1948/49, pra shkolla në këtë fashat ka një traditë 73 vjeçare.  Na jep informata për numrin e nxënësve të gjeneratës së parë, për odën  në të cilën  është hapur shkolla e parë dhe për mësuesit e parë të kësaj shkolle.  Na jep informata për objektin e parë shkollor dhe për renovimet që kanë ndodhur në atë objekt dhe për ndërtimin e shkollës së re që  sot gjendet në këtë fshat.

Një hapësirë e kësaj pjese i kushtohet një shkrimi autorial të besimtarit  të kësaj famullie Anton Fran Gashit, të datës 1 Nëntor 1984, me titull “Përse fshihet e vërteta për Brusin?!”  si reagim të një kronike të botuar në të përditshmen Rilindja, të datës 11 Shator të atij viti, i cili kishte si tendencë të mos paraqes gjendjen reale në të cilën  zhvillohej mësimi në shkollën e Brusit.

Kapitulli i katërt i kushtohet të gjithë famullitarëve që prej vitit 1970 kanë shërbyer në këtë famulli. Për të gjithë paraqet edhe nga një autobiografi të shkurt.

Hartimi i monografive është një ndër format e krijimtarisë më të vështirë dhe do përkushtim dhe ekspertizë të veçantë, për çka edhe autori është shumë i vetëdijshëm kur na thotë se; “ Në asnjë mënyrë nuk pretendoj që kjo punë e imja të jetë e përsosur, por vetëm dëshiroj të jetë një kontribut i vogël për vendlindjen dhe një nxitje për brezat e rinj që ta vazhdojnë nga aty ku unë përfundova”. Kur kemi parasysh se shumë gjëra në këtë libër janë të mbështetura në gojëdhëna e jo në burime faktografike, puna bëhet edhe më e vështirë,

Si bashkëvendas i Monsinjorit, gjatë leximit të këtij libri, nuk mundem e të mos e përmend, se Monsiniori shumëçka nga përjetimet e tij gjatë 22 viteve të shërbimit si famullitar i Peshterit, nuk i ka bart në këtë libër. Unë po përmend vetëm një rast që e kam përjetuar dhe që flet shumë.

Një të diel, kur ishim duke shkuar në kishë për meshë, filloi një rrebesh i shiut dhe ne arritëm që të strehohemi në kishë. Pas një kohe, kur filloi të qetësohet shiu, ne dolëm prej kishës dhe pasi që konstatuam se për shkak të motit të ligë, Don Zefi nuk do të vijë, filluam të shpërndahemi për në shtëpi. Kur dolëm te dera e oborrit të kishës, pamë se erdh Don Zefi. E kishte lënë veturën, kishte ardhur në këmbë dhe tërë ai shi kishte ra mbi trupin e tij. I është dashur të shkojë t’i ndërrojë rrobat dhe pastaj të vijë për ta kremtojë meshën. Ky është vetëm një nga përjetimet e shumta, që tregon se me sa përkushtim e kryente detyrën e bariut të grigjës së vet në Peshter.

Dhe për fund një falënderim të veçantë për punën që e keni bërë me sakrifica të mëdha gjatë këtyre viteve në shërbim. Jeni shembull i mirësisë dhe dashurisë./drita.info

 

(Fjala në promovimin e librit “Peshteri. Vendlindja ime” të autorit Zef Gashi, në Peshter, më 8 gusht 2021, me rastin e 85- vjetorit të ndërtimit të Kishës së Sh’Masajnit në Peshter)  

Comments are closed.

« »