Dromca identitare në universin e pafund të kulturës së krishterë

(Fatmir Koliqi, “Kulturë e krishterë. I- Dromca identitare”, Drita, Prishtinë 2021)

 

Nga Ndue Ukaj

 

 “Njeriu e kërkon gjithnjë Zotin, por e kërkon si një që dëshiron të notojë dhe hidhet në ujë i veshur trashë e duke mbartur me vete armatimin e pajisjet e tjera që ka. Për të notuar, njeriu duhet të jetë lakuriq” – shkruan shkrimtari i madh gjerman, Erich Maria Remarque.

Libri i Fatmiri Koliqit “Kulturë e krishterë – dromca identitare” ka për qëllim që lexuesin ta zhveshë nga armatimi i rëndë që mban në trup tek rend turravrap të gjejë Zotin, vetveten, identitetin personal e kombëtar. Për më tepër, e ndihmon atë që të zhvishet nga ngarkesat e mëdha e mbivendosjet ideologjike, paragjykimet dhe trendët e relativizmit të kollajtë të çdo gjëje dhe njëkohësisht e ushqen me kulturën e dashurisë, duke i treguar se liria është themeli i shoqërisë njerëzore dhe kjo liri arrihet vetëm kur personi është i lirë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. E në këtë drejtim, krishterimi është thesar i pazëvendësueshëm. 

Prandaj, ky libër mund të shërbejë si një navigator për ta orientuar lexuesin e kultivuar por dhe atë laikë drejt vlerave të vërteta, ontologjike, kah njohja e qytetërimit të dashurisë dhe simbolikat e rëndësishme të kulturës, si pjesë të rëndësishme të antropologjisë sonë kulturore e identitare, të ekzistencës dhe të lidhjeve të pashmangshme mes të djeshmes për të sotmen dhe të ardhmen.

“Feja vetë është kulturë” – thotë Joseph Ratzinger – Papa Benedikti XVI, e ky formulim i shërben autorit në gjithë librin, kur analizon fenomene trashedentale e shoqërore, universale e autoktone, pra rreth gjitha temave që trajtohen.

Duke pasë për bazë kulturën e krishterë, libri ka substrat dhe esencë traditën e pasur ungjillore, atë të etërve të kishës dhe lidhet pashmangshmërisht me qytetërimin e kryqit – jo si dru  por si fjalë si logos – përmes së cilit ka marrë formë identiteti perëndimor dhe ai shqiptar. Këto raporte, autori i trajton dhe analizon në shumë aspekte dhe përbrenda indeve të forta: histori, kulturë, estetikë dhe besim.

Autori përsiat, analizon dhe studion fenomene politike, kulturore, gjuhësore, dhe me dromca e ndërton një univers të pasur idesh, ku lidhen indet e kulturës shqiptare përbrenda shtratit kristiane, kulturës perëndimore, në themelet e të cilit qytetërim është aksiomatike të thuhet se kombi ynë në të gjitha epokat ka dhënë kontribut tejet të çmueshëm. E këtë kontribut autori e lartëson dhe duke e lartësuar atë, ai e ndihmon edhe lexuesin të lartësohet, të tejkalojë ligështitë morale dhe sfidat e kohës, për të parë veten të rreshtuar dinjitetshëm e me vetëdije në kulturën e lartë të këtij qytetërimi madhështor.  

Libri i Koliqit trajton një varg temash e problemesh trashedentale e shoqërore, duke filluar nga qytetërimi i kryqit, ai përshkohet me një tekst fantastik të titulluar “Feja e vërtetë është kulturë” dhe vazhdon me përsiatje për krishterimin si filozofi jete, për shenjtërit e tij me origjinë ilire, për Shën Palin ungjillëzuesin e shqiptarëve, për Shën Jeronimin dalmat që i dha Europës Biblën, librin më të rëndësishëm të identitetit të saj shpirtëror e kulturor, për mjeshtrin e kulturës europiane, Shën Bendediktin, pajtorin e Europës, pastaj për paradigmën shpirtërore Atme e Fe dhe shtrirjen e saj në thellësi të mendimit perëndimor, që sipas autorit i ka dhanë shpirt dhe e ka formësuar identitetit europian; ndërkaq në kontekstin tonë është bërë busull orientimi kombëtar.  

Autori shkruan me mjaft kujdes e kompetencë edhe për tema kombëtare, ditëlindjen e gjuhës shqipe, Kongresin e Alfabetit, si ngjarje madhore, për Nënë tonë Terezën, shenjtën shembullore të botës, për politikën e gazetarinë, për shkencën dhe fenë, për abortin dhe qëndrimin e kishës katolike rreth kësaj çështje, për kohën dhe raportin tonë me të, për raportin tonë me botën e re digjitale, të cilën duhet ta popullojmë me vlera fisnike e të amshueshme dhe duke e përdorë përherë kompasin moral.

Pra, libri ka shtrirje të gjerë dhe kështu lexuesit i hap horizonte të reja fetare dhe kulturore, duke e lidhë me paradigmën aristoteliane se njeriu prej natyrës përherë aspiron lartësitë. Ky libër i aspiron lartësitë, është në lartësi dhe e orienton lexuesin andej.

Po ashtu, ky libër e provon mjaft bukur e me argumente të forta, të kundërtën e asaj që predikon një pjesë e botës bashkëkohore, se shkenca dhe religjioni s’ korrespondojnë dhe se kultura dhe feja s’janë në harmoni. Me qetësi, qartësi dhe argumente të shtruara, pa ngarkesa emocionale, autori e sfidon këtë mendësi dhe jep argumente të bollshme për të parë anën tjetër të predikimeve, të lidhura me fakte e evidenca të provuara shkencërisht e të njohura universalisht dhe ia paraqet lexuesit kontributin e jashtëzakonshëm të kishës në shkencë dhe kulturë.

Si rrjedhojë e kësaj, autori tregon se shkenca, politika, kultura mund të gjykohen e kuptohen më drejtë nëse analizohen sipas disa standardeve morale, pa të cilat, ne nisemi të notojmë të veshur trashë e plot armatim, prandaj edhe rrezikojmë të fundosemi.

Libri që po përurojmë sot përbën një vazhdimësi të misionit të vjetër të shkrimit shqip – të pagëzuar prej Pal Engjëllit e të formësuar prej Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit, shkrimtarë këta që përfaqësojnë themeluesit e kulturës shqiptare.

Autori e vazhdon këtë traditë të vjetër e të pasur të klerit katolikë shqiptarë dhe hedh dromca të reja në historinë e lavdishme të kësaj traditë dhe në kulturën tonë, duke këshilluar njëherësh lexuesin shqiptar që të shikojë lart, të mos molepset, të lartësohet dhe të ecë krahë për krahë me vendet e përparuara.

Autori me vokacion është teolog dhe njeri i formuar në dije humane. Kjo i ka ndihmuar që shkrimin e idetë t’i pasurojë me elemente të shumta. Dhe ky formim i kanë dhënë mundësi të shkruajë qartë, me kompetencë e të prekë fenomene të nduarndrushme, gjithnjë duke transmetuar ide origjinale e vlera të reja. 

Kështu, ky libër jep informacione, edukon, mëson dhe ndonjëherë qorton. Sidomos kur flet për tema të karakterit kombëtar, kur dalin në pah plasaritjet në identitetin kombëtar dhe shihet si njeriu ynë vërtitet andej e këndej i trullosur në kriza identitare, tek tenton të gjejë  kuptimin e ekzistencës. 

Në këtë aspekt, libri lidh indet shpirtërore me ato fizike dhe bëhet një organizëm kulturor e gjuhësor që transmeton energji pozitive, dije e kompetencë.

Ai hap shtigje për lexuesit laikë e të formuar, që të hapen ndaj trashedencës dhe po ashtu të zbresin në rrafshin konkret, te personi, njeriu e dinjiteti i tij.

Në kontekstin shqiptar, ky libër meriton të lexohet, sepse i shërben një ideali sublim, për të cilin Sami Repishti thotë: “shqiptarët katolikë kanë nji histori dymijëvjeçare të lidhun në mënyrë të pazgjithshme me Europën Perëndimore, me qytetnimin e saj, me përpjekjet e saj që të shpëtojë individin.”  Dhe më tej, ai u drejtohet shqiptarëve e sidomos katolikëve: “Të përftoni nga momenti historik që jetojmë dhe që na ofron bota sot dhe të pranoni sfidën që del para jush për të luajtë rolin udhëheqës drejt integrimit shqiptar, politik dhe kulturor, në Europën Perëndimore, aty ku e ka vendin Shqipnija, aty ku duhet të jetë shtëpia e dhjetë milionë shqiptarëve.”

Po – ky libër, përveç se i shërben këtij ideali, ai bëhet provë se kleri katolikë pa u luhatë e pa u thye e vazhdon misionin e vjetër, në kushte e rrethana tjera.

Dromcat identitare e kultura e krishterë janë shenja identifikuese të historisë kulturore të kombit tonë dhe te ky libër aktualizohen si vlera ushqyese për të orientuar njeriun e sotëm drejt të nesërmes.  

Ky libër duke e vënë lexuesin përpara një mendimi të kultivuar dhe e përballë me tema jetike e ekzistenciale, ndaj paraqet një kontribut të rëndësishëm në literaturën shqiptare.

Autori shkruan për dashuri ndaj kombit e gjuhës dhe zëri i tij është i paqtë e meriton të dëgjohet. Sepse është zë i kohës, flet për të djeshmen e të sotmen, duke i lidhë me amshueshmërinë e shkrimit dhe të besimit.

Dromcat identitare, kombëtare e universale, na ftojnë të hapemi ndaj universit të pafund të kulturës së krishterë, të zbulojmë përditë bukurinë e këtij universi, që të mund të realizojmë sa më racionalisht e më plotësisht lirinë e njeriut dhe aspiratën e tij për t’u lartësuar përherë, me vepra të artit, të mëshirës dhe të solidaritetit njerëzor./drita.info

 

(Fjala në promovimin e librit në Prishtinë, më 26 gusht 2021)

Shpëndaje: