Shenja të jashtme të Hirit të brenshdshëm

Sep 9 • Meditimi i ditës

9 shtator 2021 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Kol 3,12-17; Ps 150,1-6; Lk 6,27-38)

 

Prania e Hyjit
Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Po pushoj një moment në praninë jetëdhënëse të Hyjit në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime që lejoj të robërohem nga frika dhe duke pritur atë se çka do të nevojitej apo duhej të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe rritjes sime.

Lutem për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çka Hyji kërkon prej meje.

 

Ndërgjegjësimi
Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur se ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndjej realisht.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Kol 3,12-17

 

12 Vishuni, pra, pasi jeni të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë. 13 Durojeni njëri‑tjetrin dhe faleni njëri‑tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit. Sikurse Zoti ju fali ju, po ashtu bëni edhe ju! 14 E pastaj, përmbi të gjitha vishuni me dashurinë! Ajo i mban së bashku të gjitha virtytet. 15 Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja ‑ në të cilën edhe jeni të grishur të jeni të gjithë një Trup i vetëm. Dhe jini mirënjohës!

16 Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet! Mësoni çdo dije dhe këshillojeni njëri‑tjetrin me plot urti! Këndojini lavde Hyjit me gjithë zemër me psalme, himne dhe këngë të përshpirtshme! 17 Çkado që të thoni dhe të bëni, le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot, duke falënderuar me anë të Tij Hyjin Atë.

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • ‘Të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër dhe të dashur.’ Këto janë fjalët e Palit për Kishën në Kolosë. A je në gjendje t’i marrësh këto fjalë për veten tënde sot? Se edhe ti je i/e zgjedhur, i/e shenjtë dhe i/e dashur? A po të bie në sy ndonjë fjalë e veçantë?
  • Pali vazhdon, ‘vishuni me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë … Imagjinoje veten të vishesh me secilën prej tyre, sikur të kesh veshur rroba të veçanta, si mund të duken ato? Dhembshuria … mirësia … përvujtëria … butësia … durimi.
  • Si do të ndiheshe po t’i kishe veshur këto rroba si shenja të jashtme të hirit të brendshëm?
  • Veshja e këtyre rrobave do të bënte një ndryshim në jetën tënde të përditshme, ndoshta në takimet e tua me të tjerët?
  • Ndërsa e dëgjon leximin përsëri, vë re se cilat nga udhëzimet e Palit ke më shumë nevojë t`i dëgjosh sot…

 

Bashkëbisedimi

`Çkado që të thoni dhe të bëni, le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot, duke falënderuar me anë të Tij Hyjin Atë.‘ Kaloji disa çaste duke menduar për ditën që e ke përpara me Zotin, duke e ftuar praninë e tij në aktiviteti tënd, takimet dhe pushimi tënd.

 

Përmbyllja
Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

O Zot, unë jam, siç thua ti, “mëkatar”, – kur të tjerët më lëndojnë e mbyll zemrën time para tyre dhe i ndëshkoj siç di më së miri. Tani po kërkon prej meje t`i pranoj armiqtë në zemrën time dhe të kem mëshirë për ta.

O Zot, po të lus, ma ndrysho zemrën ose kurrë nuk do të bëhem “bir i Tejetlartit.” Bëj që ta kaloj kohën duke menduar se sa i mëshirshëm je ndaj meje edhe kur jam “mosmirënjohës dhe i mbrapshtë.” Kjo do të më ndalë para se të filloj t`i gjykoj dhe dënoj “armiqtë” e mi.

Ati ynë …

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »