Papa, shtegtar në Hungari e Sllovaki. “Do të jetë një udhëtim shpirtëror”

Sep 10 • Kisha në botë

Zëdhënësi vatikanas Matteo Bruni paraqiti shtegtimin e 34-t të papnisë së Françeskut, nga 12 deri më 15 shtator: “Në Budapest, shtegtim në nder të të Shenjtnueshmit Sakrament, të shmangen interpretime të tjera, të ndryshme nga ai shpirtëror”. Në Sllovaki, përqafimi i një populli të plagosur nga totalitarizmat, “por me vështrim drejt së ardhmes”. Për shëndetin e Papës, “kujdesi i zakonshëm”

 

Udhëtimi i 34-t ndërkombëtar i Papës Françesku, gjatë të cilit Ati i Shenjtë do të mbushë numrin e 54 vendeve, vizituar në gjithë botën, do të jetë “shtegtim në zemër të Evropës, ku Papa do të trajtojë çështje, që prekin gjithë kontinentin”. Por sidomos, do të jetë “një udhëtim shpirtëror”, i cili fillon me adhurimin e Eukaristisë dhe përfundon me lutjen drejtuar Zojës së Dhimbjeve, e cila, në këtë shekull, nuk ka reshtur asnjëherë së vigjëluari mbi tokat sllave të plagosura nga totalitarizmi. Në këto fraza të shkurtra të zëdhënësit të Vatikanit, Matteo Bruni, katër ditët, që Papa Françesku do të përjetojë nga 12 deri më 15 shtator, së pari në Budapest, për të kremtuar mbylljen e Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar, pastaj në Sllovaki me një etapë në kryeqytetin Bratislava dhe në tri qytete të tjera: Presov, Košice dhe Šaštin.

 

Takimi me kryeministrin Orban

Është udhëtim shpirtëror, nënvizoi Bruni, i cili këshilloi të “shmangen interpretime të tjera, të ndryshme nga ai shpirtëror”. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë sqaroi se para meshës në Sheshin e Heronjve, në Budapest, Papa do të takohet “me autoritetet më të larta të vendit e, pa dyshim, në mesin e tyre do të jetë edhe [kryeministri hungarez] Orban”. Më pas, shtoi se prania e kryeministrit dhe e familjes së tij në meshën papnore për mbylljen e Kongresit Eukaristik “do të konfirmohet nga hungarezët”.

 

Shtegtim në nder të Eukaristisë

“Është shtegtim në nder të të Shenjtnueshmit Sakrament”, vuri në dukje zëdhënësi i Vatikanit, duke kujtuar se zanafilla e këtij udhëtimi mund të shihet në dëshirën e Papës për të qenë pranë qindra burrave dhe grave, të cilët, që nga e diela e kaluar, po marrin pjesë në Kongresin Eukaristik. Në veçanti, në dëshirën për të kryesuar meshën përfundimtare, quajtur Statio Orbis, sepse kremtohet sikur “me imagjinatë dhe në shpirt” të mblidhte në Budapest gjithë Orbe-n e krishterë, pra gjithë Popullin e Zotit.

 

Udhëtimet e Gjon Palit II në Sllovaki

“Hungaria ia hapi dyert edhe Sllovakisë”, kujtoi Bruni. Në avionin e kthimit nga Iraku, në mars, duke folur për procesin me të cilin i zgjedh vendet për të vizituar, vetë Papa tregoi se ishte këshilluar nga njëri prej bashkëpunëtorëve të tij për të shkuar nga Budapesti në Bratislavë, “dy orë me makinë”. Një etapë, që dukej e shkurtër, por që, më pas, u shndërrua në një udhëtim prej 72 orësh në qytetet kryesore të këtij rajoni të Evropës Qendro-Lindore, shumë prej të cilave i pati vizituar edhe Gjon Pali II, gjatë 3 udhëtimeve: më 1991, më 1996 dhe më 2003, dy vjet para vdekjes.

Atëherë, shenjti i ardhshëm polak u pati bërë thirrje Kishës dhe bashkësive të krishtera të jepnin kontributin e tyre në rindërtimin e një shoqërie, që rimëkëmbej ngadalë, pas tmerreve të nazizmit dhe pas “gabimeve e vuajtjeve” të regjimit komunist. Një skenar, sigurisht i ndryshëm nga ai që Jorge Mario Bergoglio do të prekë me dorë duke nisur nga e diela. Megjithatë, siç u tha në konferencën e sotme për shtyp (9 shtator), “popujt dhe tokat janë po ato” e plagët e atyre viteve të errëta janë ende të hapura në shpirtin e shumë burrave dhe grave. “Papa viziton popujt që kanë vuajtur nga një regjim, i cili e shtypte fenë dhe lirinë fetare”, me ipeshkvij, meshtarë, murgesha e laikë të burgosur, të torturuar e të martirizuar, me priftërinj të shuguruar fshehurazi në fabrikat ku punonin, por edhe me “të krishterë krenarë se i rezistuan së keqes e persekutimeve, nganjëherë duke e paguar me gjak”.

 

Histori martirizimi

Në sfondin e këtyre historive martirizimi, në të cilat shkëlqejnë figura si ajo e kardinalit hungarez József Mindszenty, ose ajo e kardinalit sllovak Ján Chryzostom Korec, ndër shtyllat e së ashtuquajturës Kishë Sllovake e katakombeve, Papa dëshiron ta hedhë vështrimin kah “e ardhmja e ungjillëzimit dhe e misionit”. Për ta bërë këtë, dëshiron pranë tij të rinjtë e, edhe përfaqësuesit e emërtimeve të ndryshme të krishtera dhe ata të feve të tjera, të cilët do t’i takojë gjatë një programi intensiv, ku përfshihen shtatë fjalime, tri homeli, një përshëndetje dhe një lutje e Engjëllit të Tënzot, që do të shqiptohen në italisht.

 

Ekumenizmi dhe dialogu ndërfetar

“Vuajtja dhe martirizimi i kanë bashkuar, por edhe i kanë ndarë të krishterët e ndryshëm, prandaj, takimet ekumenike janë të rëndësishme”, vuri në dukje Bruni. Të dyja do të mbahen të dielën, më 12 shtator: i pari, paradite, me përfaqësuesit e Këshillit Ekumenik të Kishave, në Budapest, në Muzeun e Arteve të Bukura; tjetri, pasdite, në nunciaturën e Bratislavës.

Po aq i rëndësishëm në këtë udhëtim papnor – theksoi zëdhënësi – takimi me bashkësitë hebraike, edhe ato trashëgimtare të një historie të gjatë vuajtjesh, të rënduara nga internimet e regjimit nazist, i cili e reduktoi bashkësinë nga 246 mijë në 20 mijë anëtarë pas luftës. Deri në vitin 1940, 15 mijë prej tyre jetonin në Bratislavë, por vetëm 3.500 mbijetuan. Pas Luftës II Botërore, trashëgimia e tyre arkitektonike ishte shkatërruar plotësisht e shumë njerëz i shihnin me indiferencë dhe armiqësi. Vetëm ndryshimet politike pas rënies së komunizmit, në vitin 1989, çuan në rilindjen e jetës hebraike. Më 13 shtator, në sheshin Rybné námestie, ku ka një memorial të Shoah-ut, Papa do të takojë një bashkësi shumë aktive, promovuese veprimtarish fetare, kulturore, edukative dhe shoqërore.

 

Masat shëndetësore pas operacionit

Përveç ngjarjeve dhe temave të udhëtimit, Matteo Bruni iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për masat shëndetësore gjatë udhëtimit, pas operacionit të fundit të Papës: “Nuk ka masa të veçanta, por kujdes të zakonshëm. Si gjithmonë, ka një mjek dhe disa infermierë në avion”, tha ai. Së bashku me Atin e Shenjtë, në bord do të jenë edhe krerët e Sekretarisë së Shtetit e kardinajtë Leonardo Sandri (Kishat Lindore); Miguel Ángel Ayuso Guixot (Dialog ndërfetar); Kurt Koch (Bashkimi i të Krishterëve). Sipas traditës, edhe një punonjës i Vatikanit, këtë herë nga Guvernatorati.

 

Masat kundër Covid-19

Përsa u përket masave kundër Covid-19 gjatë udhëtimit (sipas të dhënave jozyrtare, në Sllovaki ka 200 raste infektimi në ditë) dhe në veçanti, heqjen e detyrimit për të pasur “green pass” gjatë kremtimeve të Papës, Bruni sqaroi: “Janë vendime të autoriteteve lokale, imagjinoj që i kanë marrë të gjitha masat e nevojshme”. (radio vatikani)

Comments are closed.

« »