Të kujdesesh për shpirtin tënd

Sep 14 • Opinion

Nga M.Franciska (Suzana) LEKAJ

 

Në Shkrimin e Shenjtё shkruhet se kur Zoti krijoi gjithësinë, në fund vendosi ta krijojë edhe njeriun, e këtë të fundit e bëri në përngjasimin e tij (khs. Zan 1, 1-27). Zoti e krijoi njeriun, por përveç trupit i dha edhe shpirtin, e ky i fundit është ai që i jep jetë dhe e bën të veçantë nga të gjitha qeniet e tjera tё gjalla (kafshët, bimët), dhe të rëndësishëm nga çdo gjë tjetër që Ai krijoi. I dha emrin njeri-person, dhe e bëri zotëruesin e të gjithëve. “Zoti Hyj e formoi prej pluhurit të tokës njeriun dhe nëpër hundë i shtiu frymën e jetës, e njeriu u bë qenie e gjallë. (Zan 2, 7).

Tё lexuarit e kёtyre rreshtave, lё pёrshtypjen e pashmangshme se ato u drejtohen veç atyre që e besojnë dhe e praktikojnё fenё e krishterё. Por jo, kёto rreshta janё për të gjithë ne, për besimtarët dhe jo besimtarët, për ata që duan apo nuk duan ta pranojnë, pёr profesionistë dhe individё tё spikatur tё shoqёrisё, qё japin kontributin e tyre tё çmuar nё fusha tё ndryshme tё dijes dhe tё shkencёs, e nё rastin konkret edhe për psikologët, të cilët merren sё afërmi nё mёnyrё mё intime me qenien njerëzore, me psiken dhe botën e tyre të brendshme. Pikërisht këtyreve tё fundit, teksa kryejnë profesionin e tyre, mund t’ju ndodhë qё ta anashkalojnë dhe ta neglizhojnë këtë pjesë, si tё parёndёsishme, si tё panevojshme. Ja pse, për kёtё arsye, u duhet kujtuar dhe ngulitur mirë në kokë dhe në zemër, se  nuk mundet as të mendohet aplikimi i një psikologjie qё të mund tё funksionojë, pa konsideruar shpirtin e individit dhe ushqimin e tij, veçanërisht përmes besimit fetar.

Sot, mund të thuhet se askush nuk e mohon ekzistencën e shpirtit, por ndodh që pёr ta cilёsuar të përdorin emërtime të ndryshme. Njeriu është qenie racionale, që përveç trupit ka e dhe shpirtin, mirëpo thjesht ta pranosh njё gjё tё tillё nuk mjafton, por duhet edhe kujdesi ndaj tyre, duke pasur parasysh njё sёrё kёrkesash dhe nevojash qё duhen plotësuar përmes një vetëdije tё lartё e tё domosdoshme.

Për hierarkinë e  këtyre nevojave flet qartë Abraham Maslow, psikolog humanist, i cili thekson se njeriu përveç nevojave fiziologjike, ka nevojë për siguri, përkatësi, dashuri për vlerësim dhe vetaktualizim.[1] Nevoja kёto qё na ndihmojnё të kuptojmë se njeriu nuk është vetëm trup, por ka edhe botën e tij shpirtërore, botёn e tij të brendshme, sa komplekse edhe abstrakte, aq delikate dhe emocionale.

Mirëpo, ende sot është e dukshme dhe e qartë se njeriu për dimensionin fiziologjik angazhohet dhe kontribuon shumë më shumë, sesa për atë emocional. Po të bënim një analizë tё thjeshtë apo hulumtuese, do konstatonim shumë shpejt se çfarë ёshtё nё gjendje tё bëjё njeriu, për kujdesin ndaj trupit dhe për nevojat e tij fiziologjike. Sa energji, sa kohë, dhe sa para harxhon vetëm për të mbajtur trupin në formë. Po përmend kёtu vetëm disa prej tyre; bën shumë ushtrime fizike, praktikon dieta të ndryshme, shkon në qendër estetike, shkon në palestër, kryen masazhe të ndryshme, bën operacione tё ndryshme estetike, etj.

Kujdeset qё veshja e tij tё jetё e shtrenjtë dhe e modës, përdor lloj-lloj kremrash e parfume  të markave të ndryshme, e zbukuron me ar, argjend, bizhuteri, etj. Po ashtu, kujdeset ta tejngopё atë duke e ushqyer sipas njё regjimi ushqimor ose sipas shijes sё tij. Kur ndjen dhimbje fizike, i drejtohet mjekut, mundësisht duke kërkuar mjekun më të mirë. Përdor vitamina për të fituar imunitet. Me një fjalë, mundohet të krijojë të gjitha komoditetet e mundshme pёr mirёqenien e tij fizike, por nga ana tjetёr kujdeset pak ose aspak, pёr mirёqenien e tij shpirtёrore.

Çёshtja kёtu nuk shtrohet kundër kujdesit dhe mirëmbajtjes së trupit, përkundrazi, trupi është dhuratë e Zotit. “A nuk e dini se Trupi juaj është Tempull i Shpirtit Shenjt që banon në ju? (1 Kor 6, 19). Por, njeriu që të funksionojё mirë duhet të angazhohet fort për të tria dimensionet e tij fizike, mendore dhe shpirtërore.

Lind pyetja: Vallё a ndihet i kënaqur, i plotësuar, i realizuar, i lumtur, i qetë, njeriu i cili i plotëson të gjitha nevojat që kërkon  trupi i tij? Nga sa vihet re përgjithësisht, mund të thuhet JO.  Kjo ndodh sepse njeriu ka nevojë edhe për kujdesin e tij shpirtëror, që është pjesa  më e bukur dhe më e ndjeshme nё brendinë e tij. Megjithatë, edhe pse është një pjesë aq e ndjeshme e veçantë e secilit prej nesh, shpesh konstatojmё se kujdesi për shpirtin është aq i vakёt dhe i pamjaftueshëm, aq sa të kaplohet nga një varfëri dhe molisje e theksuar. Por, kush nuk di të vlerësojë bukurinë e shpirtit, nuk di as ta jetojё jetën siç duhet, sepse kush kujdeset për shpirtin, di të kujdeset për tërë qenien e tij. Scott Peck thotё: Ata të cilët sa më tepër ngrihen shpirtërisht, aq më mjeshtër të të jetuarit janë.[2]

Fatkeqësisht, njeriu i sotëm gjen kohën të merret me shumëçka, kontribuon në shumë fusha tё jetёs, shqetësohet për shumë gjëra, p.sh. për krizën ekonomike, politike, financiare, ekologjike, shoqërore, familjare, por  askush nuk shqetësohet apo nuk e ngre zërin, për të thënë një fjalë për krizat shpirtërore, me të cilat njeriu, shoqëria, ndeshet çdo ditë e më shumë.

Çdo ditë takojmë njerëz të vetmuar, ankthioz, depresiv, njerëz të fiksuar pas punës, pasurisë, karrierës, e pas  seksualitetit të shfrenuar. Njerëz që e kanë humbur kuptimin e jetës, njerëz hipokritё, mashtrues, tradhtarё, xhelozё, manipulues, shfrytëzues, thashethemexhinj, njerëz me mungesë vullneti e durimi, etj. I gjithë ky degradim, vjen si pasojë e varfërisë dhe e plogështisë shpirtërore.

Mjerisht, të gjitha këto i hasim në shoqërinë tonë, por, prapë se prapë askush nuk e ngre zërin për të pyetur, pse gjithë ky degradim i individit dhe i shoqërisë njerëzore?! Askush nuk ёshtё ndalur ndopak për të reflektuar, pse gjithë kjo varfëri e boshllëk shpirtëror?! Pse kaq varfëri dhe neglizhencë për të njohur vlerat, bukurinë dhe pasurinë e shpirtit?! Pse ka kaq shumë shpёrfillje dhe nënvlerësim ndaj vlerave tona individuale dhe shoqёrore, ndёrkohё qё nga ana tjetër, kemi një ngritje deri në piedestal  të anti-vlerave?

Pse sot mashtruesi, tradhtari, hipokriti, manipuluesi, viktimizuesi, është më i respektuar, më i vlerësuar, e mundësisht edhe në pozita të larta shoqërore dhe drejtuese? Mirëpo, nga e gjitha kjo çka ёshtё më fort shqetësuese sot, është fakti qё, pse askush nuk flet për nevojat e shpirtit dhe për shërimin e tij?! Pse askush nuk pyet, se ku duhet të drejtohet njeriu kur ndjen dhimbje shpirtërore?!

Ndoshta, njё nga arsyet e njё indiference tё tillё, mund tё jetё se njeriu ka frikё të flasё për shpirtin, për pasurinё dhe nevojat e tij. Mospërfillja dhe heshtja përballë nevojave të shpirtit, buron nga nёnvlerёsimi dhe nga mosdhёnia e duhur e rёndёsisё qё i takon. Sepse fjala shpirt sot, shumëkujt nuk i thotё asgjë, është e panjohur e parëndësishme, mendohet si diçka abstrakte dhe e largët. Sepse njeriu është përqendruar në materializëm, në gjëra që nuk kanë jetë, nuk kanë shpirt, në gjëra që u kalon afati. Ka harruar se shpirti është pjesa kryesore në qenien njerëzore, është ajo që i jep jetë e kuptim çdo gjëje. Është ajo pjesë e qenies dhe e botёs sё tij, të cilën nuk mund ta vjedhë, nuk mund ta dëmtojё dhe nuk mund ta vrasё askush: “Mos i droni ata që vrasin trupin e nuk mund ta vrasin shpirtin.” (Mt 10, 24).

Më e bukura e shpirtit është se ai nuk korruptohet. Pra shpirti, ka një rëndësi të veçantë, por njerëzit nuk kanë kohë, vullnet e as dёshirё t’i kushtohen kësaj pjese. Mendojnë se pasuria, karriera, suksesi, shëndeti fizik, familja, janë të mjaftueshme për jetën e tyre, harrojnë se një rëndësi të veçantë ka edhe jeta shpirtërore. Nuk arrijnë ta kuptojnë, se duke mos u kujdesur për shpirtin, do të thotë tё mos kujdesesh për veten. Pa shëndetin dhe paqen e shpirtit, çdo gjë është e pakuptimtë, pa shije dhe pa ngjyrë: “Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën? E çka mund të jap njeriu si shkëmbim për jetën e vet?” ( Mt 16, 26).

Asgjë nuk ka vlerë, nëse mungon paqja dhe qetësia e shpirtit, sepse shpirti është ai që e gjallëron njeriun. Njeriu mund t’i ketë të gjitha, por po i mungoi paqja e brendshme, do ndjejë një boshllëk të madh brenda vetes, aq sa nuk do dijë as se si ta shpjegojë atë me fjalë. Çdo gjë do i duket e kotë, pa jetë, sepse qetësia shpirtërore nuk varet nga çfarë kemi dhe çfarë bëjmë, por varet nga ajo se kush jemi, dhe çfarë vlerash dhe virtytesh mbartim dhe manifestojmё  ndaj vetes sonё dhe ndaj tjetrit. Natyrisht pastaj, çka ёshtё  më e rёndёsishme, paqja e brendshme e njeriut varet edhe nga fakti sesa ai angazhohet për një shpirt të shëndoshë.

Megjithatë, ka ardhur koha për ta ndalur vrapin dhe mendjen nga rutina e përditshme, dhe nga çdo problematikё tjetёr, për të reflektuar thellё dhe pёr ta pyetur veten tonё se: Çfarë po bëj për jetën time shpirtërore? A angazhohem për t’i përmbushur nevojat që ajo shfaq? Apo bëhem i  shurdhër përballë kësaj nevoje, duke mos i dhёnё rёndёsinё e duhur? Kujt dhe ku drejtohem, nëse nuk ndihem mirë shpirtërisht?

Njeriu nuk është vetëm fizik dhe mendje, por ka edhe elementin më të fortë që është shpirti. Ndaj, nuk duhet harruar se kur nuk kemi paqen e shpirtit, do mundohemi kot dhe do lodhemi shpejt. Prej aty buron aftësia për të parë, për të folur, për të dashur, për të qenë i lirë, për të njohur, për të dëshiruar, për të perceptuar, për të pranuar, për të reflektuar,për t’u rritur, për t’u zhvilluar, për të njohur të mirën dhe të keqen, etj. Kjo është pasuria më e madhe që iu dhurua vetëm njeriut qysh në krijim. Asnjë gjallesë tjetër nuk e posedon atё, sepse Zoti ia dhuroi dhe ia besoi vetëm njeriut.

Pra, shpirti kërkon kujdes të veçantë, ashtu si trupi. Mos të përqendrohemi vetëm në gjërat e jashtme, vetëm në atë që na kap syri, por t’i hapim sytë e shpirtit e të shohim nevojat, dhimbjet  dhe bukurinë e tij. Të angazhohemi për vlerat dhe virtytet që e pasurojnë shpirtin tonё, nё mёnyrё qё askush mos tё mund të na e marrё, apo të na e rrёmbejё. Shpirtin nuk e bren as tenja, e as ndryshku. Vetëm pasuria e shpirtit është pasuri e vërtetë, të tjerat janë të tejmbushura me dhimbje.[3]

Po kёshtu, na porosit edhe ungjilltari Mate që thotë: “Mos grumbulloni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, kur vjedhësit birojnë muret e vjedhin!mblidhni për vete visare në qiell, ku s’brejnë as tenja as ndryshku e ku vjedhësit nuk birojnë mure as nuk vjedhin. Sepse, ku është visari yt, aty do të jetë edhe zemra jote.” (Mt 6.19-21).

Vjen një moment, që me të gjitha ngopesh e kënaqesh, por prapëseprapë ndjen një boshllëk dhe varfëri në shpirt, e nga boshllëku dhe varfëria shpirtërore lind dyshimi, frika, mërzia, lodhja, indiferentizmi, egoizmi, pakënaqësia, konflikti, mungesa e vullnetit, motivimit, mungesa e besimit në vetvete e tek tjetri, kënaqësi momentale, ankth  etj. Por, mbas gjithë kësaj lodhjeje, ku mund të gjejmë pushim dhe ku mund të gjejmë ilaç? Sigurisht qё nuk mund tё gjejmë shpёtim jashtë nesh, as  në farmaci, e as nё ndonjё vend tjetёr. Por vetëm tek besimi në Zot e në lutje, sepse vetëm Ai mund ta mbushë boshllëkun e shpirtit tёnd, vetëm Ai mund ta shërojё atë. “Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndё e unë do t’ju çlodh. Merrni mbi vete zgjedhën time e pranoni t’ju mësoj unë që jam zemër butë e i përvuajtë. Kështu do të gjeni pushim për shpirtin tuaj.” (Mt 11, 28-30).

Ka shumë rëndësi ta kesh paqen e brendshme dhe një shpirt të shëndoshё, sepse kjo reflektohet edhe sё jashtmi. Njerëzit që e kanë arritur atë dhe që kujdesen për shpirtin në të përditshmen e tyre, janë persona që reflektojnë qetësi, modesti, paqe, janë falënderues, mirënjohës, empatikё, të qëndrueshëm dhe me një durim të mirëfilltë e jo fatalist. Janë ata, që dinë ta jetojnë jetën, duke i dhënë kuptim çdo dite e çdo minuti.

Skot Pek thotë: Të jesh shpirtërisht i shëndosh do të thotë t’i përkushtohesh realitetit me çdo çmim.[4] Të kesh një shpirt të qetë, do tё thotё se nuk jeton me iluzione, por pranon çdo gjë që tё ofron jeta duke e vlerësuar dhe çmuar. Kujdesi për shpirtin, duhet të jetë një kujdes i përditshëm ashtu siç kujdesemi për trupin dhe mendjen. Rruga e ngritjes shpirtërore është rruga e mësimit gjatë tërë jetës. [5] Tё kujdesesh për shpirtin, do të thotë të kujdesesh që ta njohësh veten tënde. Të angazhohesh për ngritjen personale dhe për ngritjen e tjetrit

Dimensioni shpirtëror është gjëja e vetme që i jep kuptim çdo gjëje. Është ajo pikё e arritjes që e bënë individin të aftë të pranojё dhe të dhurojё dashuri. Shfaq frytet për të cilat na flet edhe Shën  Pali në letrёn drejtuar Galatasve, e kёto janë “dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, butësia, përkormëria”. (Gal 5, 22-23). Këto virtyte mund t’i ketë dhe mund t’i dhurojё vetëm ai që kujdeset për shpirtin dhe arrin ta vlerësojë rëndësinë e tij, të kuptojë e të pranojë se shpirti është motori i jetës. Pa të, njeriu do ishte një hiç./drita.info

 

———————-

[1]Terry F. Pettijohn, Psikologjia – Një hyrje koncize , LILO, Tiranë, 1996, f. 404.

[2]Scott Peck, Rruga në të cilёn rrallë shkohet, Albas, Tiranë, 2015, f . 281.

[3]A. Schopenhauer, Këshilla për jetën, Ideart, Tiranë, 2003, f. 38.

[4]Scott Peck, Rruga në të cilën rrallë shkohet,  Albas, Tiranë, 2015,  f. 284.

[5] Po aty,  f. 280.

Comments are closed.

« »