Duke sjellë lajmin e mirë

Sep 17 • Meditimi i ditës

17 shtator 2021 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Tim 6,2c-12; Ps 49,6-10.17-20; Lk 8,1-3)

 

Prania e Hyjit

Për ta përgatitur veten për këtë kohë të çmueshme, qetësohu dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për ajrin që po e merr, që është duke lëvizur nëpër ty.

Qetësohu, vetëm për një moment të shkurtë.

 

Liria

Pak janë ata njerëz që e kuptojnë
ç`do të mund të bënte Hyji me ta
po t`i dorëzoheshin në duart e tija
dhe po t`i lejonin t`i formojë hiri i tij. (Shën Injaci)
Lutem për hirin e dorëzimit të plotë në dashurinë e Hyjit.

 

Ndërgjegjësimi

E pyes veten, si po e ndiej veten sot?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?
Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`ia dorëzoj Zotit këto brenga që më shqetësojnë?

 

Fjala

Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lejoj që ngjarja të gjejë jehonë brenda meje.

 

Lk 8, 1-3

 

1 Pastaj Jezusi përshkoi qytete e fshatra duke predikuar e duke kumtuar Ungjillin e Mbretërisë së Hyjit. E përcillnin të Dymbëdhjetët 2 dhe disa gra që kishin qenë shëruar nga shpirtrat e ndytë e sëmundjet: Maria e quajtur Magdalenë, prej të cilës pati dëbuar shtatë djaj, 3 Gjonia, e shoqja e Huzës, kujdestarit të Herodit, Suzana dhe shumë të tjera që me pasuritë e veta e ndihmonin Jezusin e nxënësit.

 

Çka dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Jezusi po “shpallte dhe sillte lajmin e mirë të mbretërisë së Hyjit”.

Çfarë kuptimi kishte kjo për ty kur ishe duke e dëgjuar?

  • Çka vë re tek shokët e Jezusit? Çka të flet historia për miqtë e Jezusit?
  • Çka do të thotë të thuash që gratë “me pasuritë e veta e ndihmonin“? A ka ndonjë mënyrë në të cilën mund ta bësh vetë?
  • Luka ungjilltar gjithmonë flet  favor të grave dhe ndriçon përgjigjen e tyre pozitive ndaj JezusitAi është ungjilltari i vetëm i cili na jep këtë detaj të grave që udhëtojnë me Jezusin.

Tani dëgjoje kur fragmenti të lexohet edhe një herë.

 

Bashkëbisedimi

Skena jep një pamje të kishës së hershme. Ajo është duke u rritur dhe është e bazuar në njerëzit e zakonshëm – burra dhe gra – të cilët mblidhen rreth Jezusit. Ta ndjekësh Jezusin donte të thoshte se ata duhej të hiqnin dorë nga ish mënyra e zakonshme e jetës. Ata mbartnin me vete “Lajmin e mirë të Mbretërisë së Hyjit”, jo vetëm me fjalë, por si një bashkësi ngushtë e lidhur ku ndanin bashkë gjithçka që kishin. Çfarë fillimi i brishtë për Kishën!

Në përmbyllje të këtij meditimi, thjesht shiko se çfarë po ndodh për ty gjatë kësaj kohe dhe shih nëse mund t’i mbledhësh të gjitha në një lutje drejtuar Zotit me fjalët e tua.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Kishën e hershme mund ta përjetoj si të brishtë dhe të pa pajisur për detyrën e saj të madhe të përhapjes së Lajmit të mirë. Lutem që Zoti t`i bekojë përpjekjet e mia për t`ua sjellë Lajmin e mirë të gjithë atyre që i takoj.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

Comments are closed.

« »