Bashkësi qiellore

Sep 29 • Meditimi i ditës

29 shtator 2021 – Shën Mihaeli, Gabrieli, Rafaeli, Kryeengjëj (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës:  Dan 7,9-10.13-14 (ose: Zb 12,7-12a); Ps 138,1-5; Gjn 1,47-51)

 

Prania e Hyjit

Po të lutem, o Mihael, engjëlli i paqes, eja me shpejtësi në këtë moment tek unë. Largoji prej meje të gjitha pritat e armikut. Bëj që këtë kohë t`ia kushtoj shpirtit tënd të mirë.

 

Liria

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha shqetësimet e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë ftohur, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lutem për dhuratën e pranimit dhe faljes.

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Dan 7,9-10.13-14

 

9 Vrojtoja

dhe ja, u shtruan fronet

dhe i Tejetlashti ndenj.

Petku i tij i bardhë porsi bora,

flokët e kokës së tij porsi leshi i pastër;

froni i tij porsi flaka e zjarrit,

rrotat e tij zjarr i ndezur flakë!

10 Lumë i zjarrtë rridhte

e dilte përpara tij,

mijëra mijërash i shërbenin

e miliarda miliardash qëndronin përpara tij:

po bëhej gjyqi,

u hapën librat!

13 Unë po shikoja kështu në vegimin e natës:

dhe ja, në retë e qiellit,

po vinte dikush si Biri i njeriut!

Arriti deri tek i Tejetlashti i motit

dhe qe paraqitur para tij.

14 Ai i dha pushtetin, nderin e mbretërinë.

Të gjithë popujt, fiset e gjuhët

u shtruan nën shërbimin e tij:

pushteti i tij pushtet i amshuar

që kurrë s’do të merret,

mbretëria e tij

kurrë nuk do të prishet.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Sot është festa e Shën Mihaelit, Gabrielit dhe Rafaelit, Kryeengjëj. Këta janë engjëjt e vetëm të emëruar në Shkrimin e Shenjtë, qenie të përjetshme, të cilave u janë besuar detyra specifike për të mbrojtur, shëruar dhe udhëhequr. Engjëjt e vetëm të emëruar nga mijëra e mijëra që Danieli profet i përshkruan kaq fuqishëm këtu. Si i kupton ti engjëjt? A e ke një ndjenjë lidhjeje me këtë bashkësi qiellore?
  • Dita e festës së Kryeengjëjve shënon një nga çerek-ditët e vitit kishtar. Ajo shënon një kthesë stine, një kohë tranzicioni. A e ndjen këtë lëvizje brenda teje?
  • Kur ta dëgjosh përsëri shkrimin, hyr në imazhet e Danielit, në dëshminë e përjetshme të engjëjve.

 

Bashkëbisedimi

“Në prani të lavdisë së Tij kujdesu me vëmendje për zemrën tënde që mendimet e tua mos të të turpërojnë; sepse ai e sheh fajin, mendimet dhe dëshirat aq qartë sikurse qimen e zezë në qumësht të pastër” (Rumi).

Në përmbyllje të kësaj kohe të lutjes, mund të dëshirosh ta shprehësh me fjalë atë që të ka trazuar brenda teje sot … ndoshta ka lindur diçka e re për ty, ose diçka për të cilën do të dëshiroje t’i kërkosh Zotit mençuri. Flit me Zotin tani, si një mik që i flet mikut të vet.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Kur Jezusi flet për engjëjt, ai nuk flet për dekorime të ëmbla, vezulluese apo të bukura, por për të dërguarit e Hyjit. Koha e lutjes për mua është një kohë kur unë pres, njoh, pranoj, shijoj dhe i ruaj porositë e Zotit që më jepen në mënyra të ndryshme. Kjo kohë qetësie më ndihmon të pres me mirëbesim.

Zot i dashur, po ta çeli zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.

Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua, se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime, sidomos përmes engjëjve që luftojnë për mua në rrugën e jetës. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »