“I përsosur është ligji i Zotit, shpirtin përtërin”

Sep 30 • Meditimi i ditës

30 shtator 2021 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

(Leximet e ditës: Neh 8,1-4a.5-6.7b-12; Ps 19,8-11; Lk 10,1-12)

 

Prania e Hyjit

Sot është dita e festës së Shën Jeronimit, një dijetar dhe një mistik, një njeri që shpejt zemërohet dhe po aq shpejt pendohet, një njeri që eci në një rrugë shumë të shtrembër drejt besimit, fesë. Një person shumë njerëzor, një qenie njerëzore. Ndalu një moment për të marrë para sysh të qenurit tënd njeri dhe për të dalë para Zotit me gjithçka që je.

Liria

Nuk ka situatë prej së cilës s`do të mund të dilja më i/e pasur me dashuri dhe jetë.

Mirëpo, dëshirat e mia janë shpesh herë të fiksuara, të robëruara në iluzione se të gjitha ato duhet qenë të plotësuara.

E lus Zotin që nëpërmjet lirisë time

t`i bëjë dëshirat e mia këngë melodie gjallëruese të një dashurie plot harmoni.

Ndërgjegjësimi

Bëj, o Zot, që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e dhe mirënjohës/e

për të gjitha të mirat që m`i ke dhënë.

Këtë bekim ta ndaj gjithmonë me të tjerët.

Fjala

 

E lexoj, e dëgjoj Fjalën e Hyjit me mend e zemër, dhe vërej atë fjalë apo ngjarje që më lë përshtypje.

 

Ps 19,8-11

 

2 Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit,

kupa qiellore kumton veprat e duarve të tij!

3 Dita ditës ia përsërit këtë gjë

e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.

4 E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri,

po as zë që do të mund të dëgjohet,

5 megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona,

diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!

6 Diellit në to ia ngrehu tendën:

del dielli si dhëndër nga dhoma martesore,

thua vigani pash më pash i bie sheshit!

 

7 Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka,

udha e tij kapet në skajin tjetër,

asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.

8 I përsosur është Ligji i Zotit,

shpirtin përtërin;

për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,

të miturve u jep dijen.

 

9 Urdhërimet e Zotit janë të drejta,

kënaqin zemrën;

urdhri i Zotit është i qartë,

dritë u jep syve.

10 E panjollë është frika e Zotit,

nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta,

të gjitha njësoj të drejta.

11 Më të çmueshme se ari,

se më i pastri ar,

më të ëmbla se mjalti,

se hoja që rrjedh mjaltë.

12 Shërbëtori yt me kujdes i mëson:

t’i mbash ato është fitore e madhe.

 

13 Porse kush i heton gabimet?

Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta,

14 ruaje shërbëtorin tënd, o Zot, prej krenarisë

që të mos më zotërojë ajo,

atëherë do të jem i patëmetë,

i pastër krejtësisht prej mëkatit të madh.

15 Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime,

edhe mendimi i zemrës sime para teje,

o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im!

 

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt

 

 

·                 Davidi, autori i këtij Psalmi, ishte gjithashtu shumë njerëzor. Me gjithë mbretërinë dhe fuqinë e tij tokësore, ky psalm ilustron afërsinë dhe natyrën e marrëdhënies së tij me Hyjin. Pavarësisht vështirësisë ose shqetësimit të vet, Davidi besoi se Zoti, siç thotë fraza moderne, “do të ishte atje për të”. Cila ka qenë përvoja jote në kohë të vështira?

·                 “I përsosur është Ligji i Zotit, shpirtin përtërin… gjyqet e Zotit janë të vërteta … më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.” A e përjeton kështu ti ligjin dhe gjyqet e Zotit? Kaloji disa çaste duke reflektuar mbi këtë imazh…

·                 Kur ta dëgjosh përsëri, vë re imazhet e pasura të përdorura në të gjithë Psalmin dhe vë re atë që të lë mbresa…

 

Bashkëbisedimi

 

Mund të dëshirosh ta përsëritësh rreshtin përfundimtar të këtij Psalmi si një lutje mbyllëse drejtuar Hyjit sot: “Të pëlqefshin, o Zot, fjalët e gojës sime, edhe mendimi i zemrës sime para teje, o Zot, Ndihmësi im e Shëlbuesi im!”

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Një nga dhuratat e mëdha që Zoti dëshiron të ndajë me ne është paqja. Ne kemi nevojë për ta ndarë atë me të tjerët.

Ndoshta do të duhej t`i kujtoja ata me të cilët mund ta ndaj paqen. Si ndihem kur dikush e refuzon vullnetin tim të mirë?

Mund t`i kërkoj Zotit që të më forcojë në vendimin për të qenë bartës i paqes dhe për hirin e “luftës së butë” kur përballem me kundërshti.

O Zot i dashur, qëndro pranë meje gjithmonë.

Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.

Faleminderit që më do.

Ati ynë …

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »