Rruga e vogël

Oct 1 • Meditimi i ditës

1 tetor 2021 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Bar 1,15-22; Ps 79,1-5.8-9; Lk 10,13-16)

 

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.

Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të shkoj pas teje.

Mbille në zemrën time dëshirën që çdo ditë gjithnjë e më shumë me të njohtë dhe me të dashtë.

 

Ndërgjegjësimi

Dua të mësoj të dua si Ti, o Zot. A mund të ndalesh tani dhe të reflektosh mbi mënyrat se si na ka dashur Jezusi? Dhe si të tjerët si Shën Tereza Lisieux (Lizjë) kanë dashur si Jezusi gjatë historisë…

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj, ta dëgjoj Fjalën e Zotit me mend e zemër, dhe do ta mbaj në mend atë fjalë a ngjarje që më lë përshtypje.

 

Bar 1,15-22

 

15 E thoni:

Zotit, Hyjit tonë i përket drejtësia, kurse neve faqja e zezë, siç është sot për çdo njeri të Judës, për banorët e Jerusalemit, 16 për mbretërit tanë, për princat tanë, për priftërinjtë tanë, për profetët tanë e për etërit tanë: 17 sepse mëkatuam para Zotit dhe nuk i besuam. 18 Nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, që të ecnim urdhërimeve të Zotit, që na i ka vënë përpara. 19 Që ditën kur Zoti i nxori etërit tanë nga toka e Egjiptit e deri në ditën e sotme ishim kokëtrashë kundër Zotit, Hyjit tonë, kemi vepruar paturpësisht për të mos ia dëgjuar zërin, 20 prandaj edhe na u ngjeshën të këqijat e mallkimi, që Zoti ia tha Moisiut, shërbëtorit të vet, ditën kur i nxori etërit tanë nga toka e Egjiptit me qëllim që të na dhuronte tokën që rrjedh qumësht e mjaltë, siç është edhe sot e kësaj dite. 21 Por ne nuk e dëgjuam zërin e Zotit, Hyjit tonë, sipas të gjitha fjalëve të profetëve që na i ka dërguar; 22 por ne shkuam, duke ndjekur secili prirjen e zemrës së vet të keqe, që t’u shërbejmë zotave të huaj dhe bëmë çka s’është e pëlqyeshme para syve të Hyjit tonë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Sot është festa e Shën Terezës së Jezusit Fëmijës, e njohur edhe si Shën Tereza Lisieux (Lizjë), ose Lulja e Vogël. Ajo është e njohur për ‘Rrugën e Vogël’ të saj, një angazhim për të kryer vepra të vogla bamirësie dhe për t’i bërë sakrifica të vogla të vazhdueshme Zotit. Kjo filozofi dhe shkrimet e saja bënë që Papa Gjon Pali II ta bënte Terezën Mësuese Kishe. A është ajo një shenjtore e njohur për ty? A ka ndikim në jetën tënde përshpirtëria e saj e veprave të vogla të bamirësisë të bëra me dashuri të madhe?
  • Në leximin tonë për sot, e dëgjojmë rrëfimin e njerëzve që jetojnë në Mërgim. Është e vështirë ta dëgjosh, por është rrëfim i sinqertë. Nëse ata kanë vuajtur duke u dërguar në mërgim, kjo nuk do të thotë se kjo është një vepër e Zotit të mirë. Sa gjë e lehtë mund të jetë ta fajësosh një Zot neglizhent apo të largët për një fatkeqësi. A ka pasur raste kur je ndjerë kështu?
  • Fillimi i pajtimit dhe shërimit fillon me ndershmërinë. Duke pranuar se ke gabuar, kjo e thyen pengesën e turpit. Në vend të “Pse unë?” Ne pyesim, me besim, “Çka vjen më pas?”
  • Kur ta dëgjosh përsëri shkrimin, vendose veten në vendin e njerëzve të Hyjit.

 

Bashkëbisedimi

Si ndihesh kur ja hap zemrën Zotit në këtë mënyrë?

Flit tani me Zotin siç do të flisje me një mik; beso në Zotin tonë të mirë që do të përgjigjet me dashuri …

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Duhet ta pranoj Lajmin e gëzueshëm dhe “veprat e fuqishme” që i ka bërë Zoti. Më është dhënë shumë dhe më ka bërë të aftë ta pranoj atë dhe mesazhin e tij. A e çmoj me të vërtetë këtë dhuratë të besimit ose e kuptoj lehtë?

Në këto fjalë të Krishtit ka një ndjenjë të fortë të traditës së gjallë: “Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua.” A besoj se Kisha sot, populli i tij, pa marrë parasysh sa është e papërsosur, e vazhdon misionin dhe shërbesën e Jezu Krishtit siç e mori ai atë nga Ati i tij qiellor? Kjo kërkon besim të madh.

Ati ynë …

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »