Paramendoje skenën

Oct 4 • Meditimi i ditës

4 tetor 2021 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Jon 1,1 – 2,1.11; Ps: Jon 2,2-5.8; Lk 10,25-37)

 

Prania e Hyjit

Mendoj një moment për praninë e Hyjit rreth meje dhe në mua.
Krijuesi i gjithësisë, diellit dhe hënës, tokës,
i çdo molekule dhe atomi, i gjithçkaje që ekziston, gjithçkaje që është: Hyji është në çdo rrahje të zemrës sime. Ai është në mua, tani.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar për me jetu në liri.

Shpesh herë lehtë e pranoj dhe e marrë këtë dhuratë.

Më frymëzo që të jetoj në lirinë që e ke parashikuar për mua, me një zemër të pangarkuar dhe me një besim të plotë në ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

me sinqeritet i vështroj përjetimet e ditës së kaluar, ngritjet në maja e rëniet poshtë si dhe rutinën, atë klimën mesatare të së përditshmes.

A mundem ta shoh ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Fjala e Hyjit na vjen nëpër Shkrimin Shenjt.

Shpirti i Shenjtë e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që të përgjigjem në porosinë e ungjillit: që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.

 

Lk 10, 25-37

 

25 Dhe ja, u ngrit një dijetar Ligji dhe, me qëllim që ta provojë, e pyeti:

“Mësues, çka duhet të bëj për të fituar jetën e pasosur?”

26 “Çka shkruan në Ligj? ‑ iu përgjigj Jezusi ‑ Si lexon atje?”

27 Dijetari iu përgjigj:

“‘Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë fuqinë tënde, dhe me gjithë mendjen tënde edhe ‘të afërmin tënd porsi vetveten!’“

28 Jezusi i tha:

“Mirë u përgjigje! Vepro kështu dhe do të jetosh!”

29 Por ai, duke dëshiruar të përligjej, e pyeti Jezusin:

“Kush është i afërmi im?”

30 Jezusi vazhdoi e tha:

“Një njeri po zbriste prej Jerusalemit në Jeriho e ra ndër cuba. Këta e plaçkitën, e rrahën dhe ikën dhe e lanë veç gjallë.

31 Rastësisht po asaj rruge po zbriste një prift. E pa, iu shmang e vazhdoi rrugën. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, e pa, iu shmang dhe vazhdoi udhën. 33 Kurse një samaritanas, duke udhëtuar, kur erdhi tek ai dhe e pa, pati mëshirë për të, 34 iu afrua, ia lidhi plagët duke ia pasë larë me verë e me vaj. Pastaj e vuri mbi shtazën e vet, e çoi në bujtinë dhe u kujdesua për të. 35 Të nesërmen, nxori dy denarë, ia dha bujtinarit dhe i tha: ‘M’u kujdes për të dhe, çka të shpenzosh më shumë, do t’i jap kur të kthehem.’

36 Cili prej këtyre të treve, të thotë mendja, u dëftua i afërmi i atij njeriu që ra ndër cuba?”

37 Ai iu përgjigj:

“Ai që pati mëshirë për të!”

“Shko ‑ i tha Jezusi ‑ e bëj edhe ti kështu!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Një mënyrë për t’u lutur është të provosh ta përjetosh një pjesë të shkrimit të shenjtë përmes shqisave. Ne e takojmë Zotin në frymën çliruese të imagjinatës sonë. Françesku përqafoi një të gërbulur për t`iu përgjigjur kësaj shëmbëlltyre dhe besoi se ai e kishte takuar në këtë mënyrë Zotin. Kjo shëmbëlltyrë nga Luka ungjilltar është aq e njohur sa që ndoshta nëse e fusim këtë histori në lutje, mund ta përjetojmë mësimin e Jezusit në një mënyrë më të thellë.
  • Ku do ta vendosja veten në këtë skenë? Si vëzhgues, shumë larg për të bërë diçka tjetër, përveç dëshmisë…
  • Apo jam duke hyrë në shëmbëlltyrë si viktima e shtrirë mbi shkurre buzë rrugës, e lënë as gjallë as vdekur? Si janë plagët e tij?
  • Si e imagjinon terrenin? I pluhurosur? Me gurë? A ka erëra të nxehta apo fryn erë e lehtë? Ose ndoshta bën ftohtë përreth teje …
  • Kalimtarët e parë, të njohur nga veshja e tyre si prift dhe levit, ngjallin një shpresë. Çfarë shohin ata? Dikush qenka pranë vdekjes, një situatë që nuk i përfshin ata? Ajo që prifti dhe leviti ‘duhet të bëjnë’ për të përmbushur detyrat e tyre fetare është të qëndrojnë ritualisht të pastër. Ata as nuk e dinë nëse njeriu i përket bashkësisë së tyre. Si i imagjinon ata duke reaguar kur afrohen … shikimet në fytyrat e tyre?
  • Çfarë mendimesh ka samaritani? Cili ndryshim në zemrën e tij e lejon atë të ndalet?
  • Çfarë reagimi mendon se ka viktima kur samaritani i afrohet atij? Merre një moment për t`i paramenduar gjestet, shikimet dhe fjalët e shkëmbyera …
  • Shih se si samaritani ka mjetet për të ndihmuar njeriun, vajrat dhe fashat, kafshën për ta mbajtur atë dhe paratë për hanxhiun, bujtinarin. Por zgjedhja është akoma e tij dhe ai është ekstravagant në kujdesin e tij.
  • Dhe në asnjë moment ai nuk kërkon vlerësim, famë apo shlyerje borxhi. Si flet kjo për marrëdhënien time me ata në nevojë, të afërmin tim, përgjegjësinë time ndaj botës? Si mund ta zëvendësoj ‘duhet’ me ‘mëshirë’? Si mund të veproj `edhe unë kështu`?
  • Ndalu një moment për të reflektuar mbi shëmbëlltyrën dhe ndaji mendimet e tua me Zotin.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Jezusi plotësisht e ndryshon botën e juristëve hebre. Kush është plotësisht i përgatitur ta trashëgojë jetën e përjetshme? Ata të cilët janë ndër më me ndikim në shoqëri refuzuan të ndihmojnë një person i cili ishte në vështirësi të madhe. Përkundër të gjitha pritjeve, doli që fqinji i përçmuar Samaritani të ishte i afërmi i vërtetë. Jeta e amshuar është e tij, sepse ajo reflekton Zotin!

Kjo ngjarje i vë thellë në provë supozimet dhe paragjykimet e mia të amullta. Samaritani veproi si Krishti. E nxiti dhembshuria, prandaj shprehu mëshirën e tij. Sa i përngjaj Krishtit në mendime dhe qëndrime, fjalë dhe vepra?

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »