Ndryshim zemre

Oct 11 • Meditimi i ditës

11 tetor 2021 – E hënë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 1,1-7; Ps 98,1-4; Lk 11,29-32)

 

Prania e Hyjit

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhur ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

Liria

O Zot, ma jep hirin që të jem i/e lirë nga ekseset dhe teprimi.

Mos lejo që të më robërojnë dëshira për posedim dhe pasuri.

Ma ruaj mendjen dhe zemrën të lira që të dua dhe të shërbej ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Hyjit që më njeh në mënyrë intime, dhe më pranon krejtësisht ashtu si jam, mund t`i lejoj vetes të jem i/e sinqertë në lidhje me mënyrën se si jam duke e ndier veten.
Si ishte dita e djeshme?
Si po e ndiej veten në lidhje me atë që kam përjetuar, dhe se si jam përgjigjur?
I ndaj ndjenjat e mia haptazi me Zotin.

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Rom 1,1-7

 

1 Pali,

shërbëtori i Jezu Krishtit,

i thirrur për të qenë apostull,

veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit ‑

2 të cilin Hyji e kishte premtuar që më parë me anë të profetëve të vet

në Shkrimet e Shenjta

3 mbi Birin e vet,

i cili është, për kah trupi,

pasardhës i Davidit,

4 por i dëftuar për Birin e Hyjit

me të gjitha pushtetet

me anë të Shpirtit Shenjt

pas ngjalljes prej të vdekurve,

mbi Jezu Krishtin, Zotin tonë,

5 nëpër të cilin ne morëm hirin të jemi

apostuj,

që, në nder të Emrit të tij,

t’i sjellim në dëgjesë të fesë të gjithë paganët,

6 ndër të cilët jeni edhe ju

të grishur prej Jezu Krishtit:

7 të gjithëve në Romë,

të dashurve të Hyjit,

të grishurve, shenjtërve:

Hir e paqe

prej Hyjit, Atit tonë,

dhe prej Jezu Krishtit Zot.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Këtu Pali, apostulli, dikur Sauli, persekutuesi i Vetë Krishtit, tani i referohet vetes si një shërbëtor i thjeshtë i Jezusit. Çfarë e solli këtë ndryshim të zemrës? Qëndro një moment me këtë imazh të transformimit të Palit. Hiri i Zotit është plotësisht në veprim…
  • Pali parashtron, në vetëm disa fraza, historinë gjithëpërfshirëse dhe gjithë-përqafuese të ungjillit, lajmin e mirë për të gjithë ne. Është e rrënjosur në histori.
  • E gjithë panorama e Besëlidhjes së Vjetër ndërsa çon në të Renë, bën lidhjen e ngushtë të të dyjave: Premtimet e Hyjit për një Shpëtimtar, premtimet e treguara nga profetët dhe të përmbushura nga Jezusi. Dhe ne jemi pjesë e kësaj historie. “Të grishur prej Jezu Krishtit” – i përkasim atij. Si të bën të ndihesh?
  • Kur ta dëgjosh sërish fragmentin biblik, vendose veten aty brenda, zhytu në atë që ofrohet.

 

Bashkëbisedimi

Flit, njësoj si një mik me tjetrin, me Zotin e dashurisë, hirit dhe paqes, për atë që ta thotë zemra.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Po më flet me tekstin e Shkrimit Shenjt.
Bëj që t`i përgjigjem thirrjes sate të sotshme. Më mëso që ta dalloj dorën tënde vepruese në jetën time të përditshme. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »