Papa Françesku: Rruga sinodale e Kishës duhet të ketë protagonist Shpirtin Shenjt

Oct 11 • Kisha në botë

Në orën 9.00 të paradites së të shtunës (9 tetor 2021), në Sallën e Re të Sinodit në Vatikan, Papa Françesku filloi një moment reflektimi mbi fillimin e Rrugëtimit Sinodal “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje dhe mision”.

Ishin të pranishëm përfaqësues të Popullit të Hyjit, delegatë të takimeve Ndërkombëtare të Konferencave Ipeshkvore dhe organizma të ngjashëm, anëtarë të Kuries Romake, delegatë vëllazëror, delegatë nga jeta e kushtuar dhe lëvizje kishtare laike dhe këshilli i të rinjve.

Më poshtë e publikojmë fjalimin e plotë që Papa Françesku ua drejtoi të pranishmëve gjatë momentit të reflektimit:

 

 

Të dashur vëllezër dhe motra,

faleminderit që jeni këtu të pranishëm në hapjen e Sinodit. Ju keni ardhur nga rrugë dhe Kisha të ndryshme, secili duke bartur në zemër të vet pyetje dhe shpresa dhe jam i sigurt se Shpirti do të na udhëheqë dhe do të na japë hirin për të ecur përpara së bashku, për të dëgjuar njëri-tjetrin dhe për të filluar shoshitjen në kohën tonë, duke u solidarizuar me mundimet dhe dëshirat e njerëzimit. E ritheksoj se Sinodi nuk është një parlament, se Sinodi nuk është një hetim mbi opinionet; Sinodi është një moment kishtar dhe protagonisti i Sinodit është Shpirti Shenjt. Nëse Shpirti mungon, nuk do të ketë Sinod.

Ne e jetojmë këtë Sinod në frymën e lutjes që Jezusi ia drejtoi me urti të zemrës Atit për ndjekësit e tij: “Që të gjithë të jenë një” (Gjn 17,21). Ne jemi të thirrur për këtë: për në unitet, për në bashkim, për vëllazërinë që lind prej përjetimit të përqafimit nga e njëjta dashuri e Hyjit. Të gjithë, pa dallim, dhe ne Barinjtë në veçanti, siç shkruante shën Qipriani: “Duhet të mbajmë dhe të kërkojmë me vendosmëri këtë unitet, veçanërisht ne Ipeshkvijtë që kryesojmë në Kishë, për të dëshmuar se edhe vetë episkopati është një dhe i pandarë” (De Ecclesiae Catholicae Unitate, 5). Prandaj, në të vetmin Popull të Hyjit, ne ecim së bashku, për të bërë përvojë me një Kishë që merr dhe jeton dhuratën e unitetit dhe hapet ndaj zërit të Shpirtit.

Fjalët kyçe të Sinodit janë tre: bashkimpjesëmarrjemision. Bashkimi dhe misioni janë shprehje teologjike që shënojnë misterin e Kishës dhe të cilat është mirë t’i përkujtojmë. Koncili II i Vatikanit e ka bërë të qartë se bashkimi shpreh vetë natyrën e Kishës dhe, në të njëjtën kohë, ka pohuar se Kisha ka marrë «misionin për të kumtuar dhe vendosur në të gjithë popujt mbretërinë e Krishtit dhe të Hyjit, dhe për këtë mbretëri përbën në tokë sythin dhe fillimin» (Lumen gentium, 5). Dy fjalë përmes të cilave Kisha sodit dhe përngjashmon jetën e Trinisë së Shenjtë, mister bashkimi ad intra [nga brenda] dhe burim misioni ad extra [nga jashtë]. Pas një kohe reflektimesh doktrinore, teologjike dhe baritore që karakterizojnë përthithjen e Vatikanit II, Shën Pali VI deshi të përmblidhte pikërisht në këto dy fjalë – bashkim dhe mision – «linjat udhërrëfyese, të shpallura nga Koncili». Duke përkujtuar hapjen e tij, ai pohoi se linjat e përgjithshme kishin qenë «bashkimi, domethënë kohezioni dhe plotësia e brendshme, në hir, në të vërtetën, në bashkëpunim […] dhe misioni, domethënë përkushtim apostolik kundrejt botës bashkëkohore” (Angelus, 11 tetor 1970), që nuk është prozelitizëm.

Duke mbyllur Sinodin e vitit 1985, njëzet vjet pas përfundimit të asamblesë konciliare, Shën Gjon Pali II gjithashtu deshi të ripohonte se natyra e Kishës është koinonia: prej saj buron misioni i të qenurit shenjë e bashkimit të thellë të familjes njerëzore me Hyjin. Dhe shtonte: «Është shumë e udhës që në Kishë të kremtohen Sinode të zakonshme dhe, nëse është e nevojshme, të jashtëzakonshme», të cilët, për të dhënë fryte, duhet të përgatiten mirë: «domethënë, është e nevojshme që në Kishat vendore të punohet për përgatitjen e tyre me pjesëmarrjen e të gjithëve» (Fjalim përmbyllës i Asamblesë II të Jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve, 7 Dhjetor 1985). Ja këtu edhe fjala e tretë, pjesëmarrja. Bashkimi dhe misioni rrezikojnë të mbeten terme disi abstrakte nëse nuk kultivohet një praktikë kishtare që shpreh konkretësinë e sinodalitetit në çdo hap të ecjes dhe të punës, duke nxitur përfshirjen e njëmendtë të secilit. Dua të them se të kremtosh një Sinod është gjithmonë bukur dhe e rëndësishme, por është vërtet frytdhënës nëse bëhet shprehje e gjallë e të qenurit Kishë, e një veprimi të karakterizuar nga pjesëmarrja e vërtetë.

Këtë gjë nuk kërkohet për hir të një stili, por hir të fesë. Pjesëmarrja është një kërkesë e fesë pagëzimore. Sikurse pohon Pali Apostull «Vërtet, në të vetmin Shpirt Shenjt të gjithë jemi pagëzuar për të qenë një trup i vetëm» (1 Kor 12,13). Pikënisja, në trupin kishtar, është kjo dhe asnjë tjetër: Pagëzimi. Prej tij, burimi ynë i jetës, rrjedh dinjiteti i barabartë i bijve të Hyjit, pavarësisht shërbesave dhe karizmave të ndryshme. Për këtë, të gjithë janë të thirrur që të marrin pjesë në jetën e Kishës dhe misionin e saj. Nëse mungon një pjesëmarrje e njëmendtë e të gjithë Popullit të Hyjit, fjalimet mbi bashkimin rrezikojnë të mbeten vetëm synime të devotshme. Në këtë aspekt kemi bërë hapa para, por vërehet ende një farë zori dhe jemi të detyruar të konstatojmë vështirësinë dhe mundimin e shumë vepruesve baritorë, të organizmave pjesëmarrëse të dioqezave dhe famullive, të grave që shpesh gjenden ende mënjanë. Të gjithë të marrin pjesë: është një angazhim kishtar i domosdoshëm! Të gjithë të pagëzuar, kjo është karta e identitetit: Pagëzimi.

Sinodi, pikërisht ndërsa na ofron një mundësi të madhe për një kthim baritor nga pikëpamja misionare dhe gjithashtu ekumenike, nuk përjashtohet nga disa rreziqe. Po përmend tre. I pari është ai i formalizmit. Një Sinod mund të reduktohet në një ngjarje të jashtëzakonshme, por si një fasadë, njësoj sikur dikush të shikonte një fasadë të bukur të një kishe pa vënë kurrë këmbë brenda saj. Përkundrazi, Sinodi është një rrugëtim i  një shoshitjeje shpirtërore të efektshme, të cilën nuk e ndërmarrim sa për të ofruar një imazh të bukur të vetes, por për të bashkëpunuar më mirë me veprën e Hyjit në histori. Prandaj, nëse flasim për një Kishë sinodale, ne nuk mund të kënaqemi me formën, por gjithashtu kemi nevojë për substancë, mjete dhe struktura që favorizojnë dialogun dhe ndërveprimin në Popullin e Hyjit, veçanërisht mes priftërinjve dhe laikëve. Përse po e theksoj këtë? Sepse ndonjëherë ekziston një elitizëm në rendin presbiteral që e bën atë të shkëputet nga laikët; si përfundim prifti bëhet «pronari i kasolles» dhe jo bariu i një Kishe të tërë që po ecën përpara. Kjo kërkon transformimin e disa pikëpamjeve nga lart poshtë, të shtrembëruara dhe të pjesshme mbi Kishën, mbi shërbesën priftërore, mbi rolin e laikëve, mbi përgjegjësitë kishtare, mbi rolet e udhëheqjes e kështu me radhë.

Një rrezik i dytë është ai i intelektualizmit – abstraksioni, realiteti është aty dhe ne me reflektimet tona shkojmë diku tjetër -: kthimi i Sinodit në një lloj grupi studimi, me ndërhyrje të përndritura por abstrakte mbi problemet e Kishës dhe të këqijat e botës; një lloj “të flasësh për t’u vetëkënaqur”, ku vijohet në një mënyrë sipërfaqësore dhe mondane, duke rënë sërish në klasifikimet e zakonshme sterile ideologjike dhe partiake dhe duke u shkëputur nga realiteti i Popullit të shenjtë të Hyjit, nga jeta konkrete e bashkësive të shpërndara nëpër botë.

Së fundi, mund të jetë tundimi për të qëndruar vendnumëro: duke thënë «kështu është bërë gjithmonë» (Nxit. Ap. Evangelii gaudium, 33) – kjo fjalë është një helm në jetën e Kishës, “kështu është bërë gjithmonë” -, është më mirë të mos ndryshojmë. Ata që lëvizin brenda këtij horizonti, edhe pa e kuptuar, bien në gabimin e mos marrjes seriozisht të kohës në të cilën jetohet. Rreziku është që në fund të miratohen zgjidhje të vjetra për probleme të reja: një arrnim me një copë pëlhure të ashpër, e cila në fund krijon një grisje më të keqe (khs. Mt 9,16). Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që Sinodi të jetë vërtet i tillë, një proces që sa vjen e bëhet; që përfshin, në faza të ndryshme dhe duke filluar nga poshtë, Kishat vendore, në një punë të zellshme dhe të mishëruar, e cila ngulit një stil bashkimi dhe pjesëmarrjeje që lë shenjë në mision.

Prandaj, vëllezër dhe motra, le ta jetojmë këtë rast takimi, dëgjimi dhe reflektimi si një kohë hiri, një kohë hiri e cila, në gëzimin e Ungjillit, na lejon të shfrytëzojmë të paktën tre mundësi. E para është të përulemi, jo në mënyrë rastësore, por strukturalisht drejt një Kishe sinodale: një vend i hapur ku të gjithë të ndihen si në shtëpinë e tyre dhe të mund të marrin pjesë. Sinodi më pas na ofron mundësinë të bëhemi një Kishë dëgjimi: të marrim një pushim nga ritmet tona, t’i frenojmë shqetësimet tona baritore për të ndaluar dhe dëgjuar. Për të dëgjuar Shpirtin në adhurim dhe lutje. Sa shumë na mungon sot lutja e adhurimit! Shumë e kanë humbur jo vetëm zakonin, por edhe nocionin se çfarë do të thotë të adhurosh. Të dëgjosh vëllezërit dhe motrat rreth shpresave dhe krizave të fesë në anë të ndryshme të botës, rreth nevojave urgjente për ripërtëritjen e jetës baritore, rreth sinjaleve që vijnë nga realitetet vendore. Së fundi, ne kemi mundësinë të bëhemi një Kishë e afërsisë. T’i kthehemi gjithmonë stilit të Hyjit: Stili i Hyjit është afërsia, dhembshuria dhe butësia. Hyji ka vepruar gjithmonë kështu. Nëse nuk e arrijmë këtë Kishë të afërsisë me qëndrime të dhembshurisë dhe butësisë, nuk do të jemi Kisha e Zotit. Dhe kjo të bëhet jo vetëm me fjalë, por me praninë, në mënyrë që të rivendosen lidhje më të mëdha miqësie me shoqërinë dhe botën: një Kishë që nuk shkëputet nga jeta, por merr mbi vete dobësitë dhe varfërinë e kohës sonë, duke u marrë me plagët dhe duke shëruar zemrat e thyera me balsamin e Hyjit. Të mos e harrojmë stilin e Hyjit që duhet të na ndihmojë: afërsia, dhembshuria dhe butësia.

Të dashur vëllezër dhe motra, qoftë ky Sinod i banuar prej Shpirtit! Sepse ne kemi nevojë për Shpirtin, frymën gjithnjë të re të Hyjit, i cili çliron nga çdo mbyllje, ngjall atë që ka vdekur, zgjidh zinxhirët, përhap gëzim. Shpirti Shenjt është Ai që na udhëheq atje ku dëshiron Hyji dhe jo atje ku do të na çonin idetë dhe shijet tona personale. Atë Congar, pastë dritë, thoshte: «Nuk duhet të bëjmë një Kishë tjetër, por duhet të bëjmë një Kishë ndryshe» (Vera e falsa riforma nella Chiesa [Reforma e vërtetë dhe e rreme në Kishë], Milano 1994, fq. 193). Kjo është sfida. Për një “Kishë ndryshe”, të hapur ndaj risive që Hyji dëshiron të sugjerojë; le ta thërrasim Shpirtin me shpesh dhe me më shumë forcë dhe le të vihemi në dëgjim të Tij me përulësi, duke ecur së bashku, d.m.th. me butësi e guxim, sikurse dëshiron Ai, krijuesi i bashkimit dhe misionit.

Eja, Shpirti Shenjt. Ti që ngjall gjuhë të reja dhe vendos fjalët e jetës në buzët tona, na ruaj që të mos bëhemi një Kishë muze, e bukur, por e heshtur, me kaq shumë të kaluar dhe pak të ardhme. Eja mes nesh, në mënyrë që në përvojën sinodale të mos na mbizotërojë zhgënjimi, të mos tretet profecia, të mos e kthejmë gjithçka në diskutime shterpë. Eja, Shpirti Shenjt i dashurisë, hapi zemrat tona për dëgjim. Eja, Shpirti i shenjtërisë, ripërtërije Popullin e shenjtë e besnik të Hyjit. Eja, Shpirt krijues, e ripërtërije fytyrën e dheut. Amen./drita.info

Burimi: www.kish.al; Përkthyer nga Mond Marku

Comments are closed.

« »