Si më zbulohet Zoti?

Oct 12 • Meditimi i ditës

 12 tetor 2021 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 (Leximet e ditës: Rom 1,16-25; Ps 19,2-5; Lk 11,37-41)

 

 Prania e Hyjit

 Ejani, bijtë dhe bijat e mia, më dëgjoni… Ejani tek Zoti dhe ndriçohuni; dhe fytyrat tuaja nuk do të turpërohen.

’Ndërsa po e filloj këtë lutje tani, a mund ta ndiej këtë ftesë të Zotit?

A mund t’i dëgjoj këto fjalë që po më drejtohen? Dhe ta pranoj mirëseardhjen dhe atë siguri që Zoti dëshiron të ma japë?

 

 Liria

 Jezus i dashur, po vij sot tek ti, kam nevojë për afërsinë tënde. Dëshiroj të dua ty sikurse ti më do mua. Kurrë mos më ndaftë asgjë prej teje.

 

Ndërgjegjësimi 

Në praninë e Hyjit që më do i vështroj të gjitha gjërat që më ka ndodhur ditën e kaluar, nga momenti i tashëm në mënyrë retrospektive, hap pas hapi.

E sjell në mend gjithë atë çka ka qenë e mirë dhe e bukur, dhe falënderoj për këtë.

I vërej edhe hijet/anët e dobëta dhe e pyes veten çfarë më flasin; lus për shërim, përforcim, falje.

 

 Fjala

 Në gjendjen e tanishme të shpirtit përqendrohu në tekstin e sotshëm me besim, mbështetje, shpresë.

Beso se Shpirti i Shenjtë është i pranishëm dhe se ai mund të të frymëzojë që ta zbulosh çfarë të flet ky tekst i sotshëm. Dëgjoje me vëmendje dhe me kuptim; vërja veshin ç`po ngjanë në zemrën tënde.

 

Rom 1,16-25

 

16 Për të vërtetë, mua nuk më vjen turp prej Ungjillit, sepse Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson: më së pari për judeun e pastaj për grekun. 17 E njëmend në të zbulohet drejtësia e Hyjit me anë të fesë e për fenë, siç është në Shkrimin e shenjtë: ‘I drejti do të jetojë prej fesë.’

18 Hidhërimi i Hyjit, vërtet, zbulohet nga qielli kundër çdo mbrapshtie e padrejtësie të njerëzve, të cilët me padrejtësi s’e lënë të veprojë e vërteta. 19 E pra, çka mund të dihet për Hyjin, njerëzit e kanë të qartë: vetë Hyji ua ka zbuluar. 20 E në të vërtetë, përkrymeritë e tij të papashme: pushteti i tij i amshuar dhe hyjnia, atje që prej krijimit të botës, mund të shihen me anë të mendjes në saje të veprave të tij: prandaj nuk kanë se si të arsyetohen. 21 Sepse, edhe pse e njohën Hyjin, nuk ia dhanë nderimin e duhur as falënderimin ashtu si i përket Hyjit, por përkundrazi humbën në arsyetimet e veta të zbrazëta e kështu u errësua zemra e tyre e pakuptim. 22 Duke dashur ta tregojnë veten për të mendshëm, u bënë të marrë 23 dhe e ndërruan lavdinë e Hyjit të pashkatërrueshëm me idhuj ‑ piktura që paraqesin njeriun e shkatërrueshëm, shpendët, shtazët katërkëmbshe e zvarranikët.

24 Prandaj edhe Hyji lejoi të bien, sipas prirjeve të zemrës së tyre, në fëlligështi e kështu ata vetë e çnderojnë trupin e vet. 25 Ata e ndërruan Hyjin e vërtetë me idhuj: nderuan dhe u shërbyen krijesave në vend të Krijuesit, i cili është i bekuar në amshim. Amen.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Pali nuk kursehet me fjalë, apo jo? Fjalët e tij tingëllojnë si të rrepta dhe mesazhi i tij i pathyeshëm. Si reagoj ndaj fjalëve të tij?
  • Megjithatë ka një ton urgjent në mesazhin e tij. Pali i referohet ‘arsyetimeve të zbrazëta’. A më lë mbresa kjo? Ku më çojnë arsyetimet e zbrazëta, mendimet e kota?
  • Pali i referohet fuqisë së përjetshme të Hyjit, natyrës së Tij hyjnore, kuptimit të Zotit nëpërmjet gjërave që Ai i ka krijuar. Si më zbulohet Zoti? A mund të filloj me gjërat që Ai i ka krijuar? Ku do të më çonte kjo linjë e të menduarit?
  • Çka po dëshiron Zoti që të ta zbulojë sot përmes lutjes, meditimit?
  • Kur ta dëgjoj përsëri fragmentin biblik, lejoj që shqetësimi dhe urgjenca e shkrimit të Palit të gjejnë vend në mua.

 

Bashkëbisedimi

Për Shën Palin e rëndësishme është feja që vepron përmes dashurisë, e jo vetëm përmes arsyetimeve të zbrazëta. Pali shpesh e vë besimin në Zotin kundër besimit në përpjekjet tona për vetë-shfajësim. Hiri është një dhuratë falas dhe jo diçka që ne e fitojmë. Është mirë të kalosh momente duke e lënë Zotin të të dojë ashtu siç je …

Gjatë kohës që po e përmbyll këtë meditim, mund ta bëj një bisedë të drejtpërdrejtë me Zotin në lidhje me përmbajtjen dhe tonin e fragmentit të sotëm. Mund të them atë që më duhet të them. Dhe mund ta dëgjoj përgjigjen e Zotit. Mund të më befasojë…

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që munda t`i kaloj këto pak minuta me ty. Liria e vërtetë është një dhuratë e mrekullueshme. Shumë lehtë mund të biesh në grackën e të jetuarit vetëm sipas pritjeve të të tjerëve – duke u lidhur për krijesa. Atëherë nuk e zhvillojmë jetën tonë të brendshme që na ndihmon që mos të jetojmë thjesht duke iu përshtatur rrethanave që shihen përjashta.

O Zot, ma jep dhuratën e vërtetë të lirisë së brendshëm, sepse vetëm prej saj dalin vendime të mira. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »