Zoti i mirësisë, durimit dhe bujarise

Oct 13 • Meditimi i ditës

13 tetor 2021 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 2,1-11; Ps 62,2-3.6-7.9; Lk 11,42-46)

 

Prania e Hyjit

Po bëhem i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde, o Zot.

Po mbështetem në zemrën tënde të butë.

Në momentet e dobësisë ti je fuqia ime.

Në momentet e mërzisë ngushëlluesi im.

 

Liria

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat vetjake i vendosi në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Ndërgjegjësimi

Kjo është koha, o Shpirti më i Shenjtë, kur ti, Një me Atin dhe Birin, vjen të hedhësh dritën tënde në zemrat e besimtarëve të tu.

Ndalu një moment dhe bëhu i/e vetëdijshëm/e për Shpirtin e Shenjtë, të pranishëm këtu, për të të dhënë jetë dhe dritë.

Qetësohu një çast dhe mirëprite atë dritë në jetën tënde.

 

Fjala

Tani e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me mend e zemër

dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.

 

Rom 2,1-11

 

1 Prandaj, nuk do të kesh si të arsyetohesh, o njeri ‑ kushdo të jesh ‑ që gjykon tjetrin! Sepse duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, pasi ti që gjykon i bën të njëjtat gjëra.

2 Dhe ne mirë e dimë: gjykimi i Hyjit zbatohet sipas të vërtetës kundër atyre që bëjnë vepra të tilla.

3 A të thotë mendja, o njeri, ti që gjykon ata që bëjnë vepra të tilla, se do t’i shpëtosh gjyqit të Hyjit, ndërsa edhe ti bën të njëjtat veprime? 4 Apo ndoshta e bën në asgjë begatinë e mirësisë, të durimit e të bujarisë së Hyjit, duke mos u kujtuar se mirësia e tij të thërret e të nxit për kthim? 5 Me kryeneçësinë tënde dhe me zemër që nuk mendon të kthehet, ti grumbullon kundër vetes hidhërim për Ditën e zemërimit dhe për Ditën e dëftimit të Gjyqit të drejtë të Hyjit, 6 i cili do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij: 7 me jetën e pasosur ata që, me qëndresë në vepra të mira, kërkojnë lumturinë, nderin dhe pashkatërrueshmërinë; 8 ndërsa do të ketë zemërim e përbuzje për ata që me kryeneçësi i kundërshtojnë të vërtetës e i binden paudhësisë. 9 Çdo njeri që vepron të keqen do ta mbulojnë vuajtje e vështirësi: më parë judeun e pastaj grekun; 10 ndërsa, secili që vepron të mirën: më parë judeu e pastaj greku, do të ketë lumturi, nder e paqe! 11 Sepse Hyji nuk i mban kujt krah.

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

  • Pasuritë e mirësisë, durimit dhe bujarisë të Zotit. A mund të shtrihet kjo mirësi, durim dhe bujari deri te unë? Ulem dhe i marr me mend këto mendime… e paramendoj se si Zoti po më shikon me mirësi, durim dhe bujari. Si më bën kjo të ndihem?
  • Po në lidhje me konceptin e gjykimit të drejtë të Hyjit? Zoti, gjykatësi i drejtë. Si reagoj ndaj kësaj? Ku i shoh padrejtësitë e thella në botën përreth meje? Si mund t’i shikojë Zoti ata?
  • E vërej atë që Zoti ma tërheq në vëmendje ndërsa e dëgjoj përsëri fragmentin…

 

Bashkëbisedimi

Në qetësinë e këtyre momenteve përmbyllëse, e dëgjoj Zotin, Duruesin, gjykatësin e drejtë, Atë që i sheh përpjekjet e mia, paqëndrueshmëritë e mia dhe përpjekjet e mia.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi Shkrimin Shenjt. Në ungjill shohim se si farisenjtë dhe skribët ia bënin vetes qejfin, ishin të vetëkënaqur. Gjatë kohës që i jepnin rëndësi asaj që është e jashtme e linin pas dore jetën e shpirtit.
Jeta nuk sillet vetëm rreth kozmetikës dhe publicitetit/reklamimit, as s`matet me shkallën e përshtatshmërisë apo efikasitetit/dukjes. Në kohën tonë, ka një sërë industrish ekzekutive dhe kompani publicitare qëllimi i vetëm i të cilave është për të tërhequr vëmendjen tonë, për t`i harxhuar forca tona dhe për të na dhënë një identitet ‘më të mirë’.
Zoti na thërret të kthehemi, në jetën e vërtetë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »