Ditë reflektimi dhe hapja solemne e Sinodit të Ipeshkvijve 2021-2023 në Dioqezën Prizren-Prishtinë

Oct 17 • Kisha në Kosovë

Dioqeza Prizren-Prishtinë, ashtu si të gjitha Dioqezat katolike të botës, të shtunën e kaluar (16 tetor) ka zhvilluar një ditë reflektimi me klerin, rregulltarë/e, katekistë e laikë, kurse të dielën (17 tetor) në meshën e shenjtë në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë, ka bërë hapjen solemne të Sinodit në nivel dioqezan. Në këtë mënyrë, në përputhje me udhëzimet sinodale, ajo i bashkëngjitet Sinodit të Ipeshkvijve 2021-2023, e cila ka për temë: Për një Kishë sinodale: bashkim – pjesëmarrje – mision.

 

Një javë pasi Papa Françesku bëri hapjen solemne të Sinodit të Ipeshkvijve 2021-2023, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, gjatë së cilës e ftoi mbarë Kishën që ta bëjë rrugëtimin sinodal, duke e dëgjuar Shpirtin Shenjt dhe zërin e besimtarëve të saj, një javë pas të gjitha dioqezat e botës e kanë bërë të njëjtën gjest, me të cilën janë bashkuar kësaj rruge sinodale.

Fjala “sinod” është fjalë e lashtë e Traditës së Kishës. Përbëhet nga parafjala “syn” (shq. bashkë), dhe emri “ŏdus”  (shq. udhë, ecje), që e krijon fjalën “synŏdus”, e cila tregon bashkë-udhëtimin e Popullit i Zotit. I referohet Jezu Krishtit Zot, që e paraqet veten si “rruga, e vërteta dhe jeta”. Në greqishten kishtare, termi shpreh thirrjen në asamble. Që nga shekujt më të hershëm, quhen “sinode” kuvendet kishtare të niveleve të ndryshme (dioqezane, krahinore ose rajonale, patriarkale, universale).

 

Ditë reflektimi dhe meditimi

Në këtë përvojë mbarëkishtare sinodale, me vullnetin e Atit të Shenjtë Franpeskut, e të thirrur nga ipeshkvi ynë Imzot Dodë Gjergji, kisha jonë dioqezane, këtë të shtunë, më 16.10.2021, në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, ka nisur rrugëtimin e saj sinodal me një ditë apo çast reflektimi, ku u bashkuan i gjithë kleri, rregulltar/e, katekistët, laikë aktivë e bashkëpunëtorë në baritoret famullitare, të udhëhequr nga bariu i saj Dodë Gjergji.

Asambleja filloi me lutjen e Sinodit “Adsumus Sancte Spiritus”, thirrje e Shpirtit Shenjt që të animon e prinë këtë përvojë kishtare në Dioqezën tonë.

Fjalën hyrëse në formë reflektimi, informimi dhe udhëzimi e bëri Imzot Dodë Gjergji, cili fillimisht lexoi Dekretin e emërimeve si përgatitje për Sinod, duke thënë:

“E falënderoj Zotin, për mundësinë që na jep dhe Papa Françeskun për iniciativën e marr, që gjatë këtij viti të bëjmë një ecje të përbashkët sinodale, me qëllim që të shohim dhe njohim veprën e Shpirtit Shenjtë në Kishën tonë. Që kjo ecje dhe puna jonë të jetë sa më e frytshme, kam vendosur të ngre një sekretariat të veçantë, i cili do të merret me administrimin, organizimin dhe përpilimin e dokumenteve të Sinodit.

Sekretariati do të përbëhet nga: Don Albert Demaj, Mons Lush Gjergji, Don PalTunaj. Këtij sekretariati, do t’i bashkohen grupet e veçanta të punës që do të përfshijnë të gjitha grupmoshat në ipeshkvinë tonë.”

“Kisha Katolike – theksojë ipeshkvi – është e përbërë nga vija vertikale, shikimin gjithmonë të drejtuar drejt Krishtit. Por ajo është edhe horizontale, sepse Kisha jemi ne si anëtar të saj. Papa Françesku me këtë sinod dëshiron që ne ta lejojmë Shpirtin e Zotit të na flet, të na udhëheq dhe të na ndihmojë të japim përgjigje për të mirën e Kishës. E këtë duhet ta bëjnë besimtarët tanë, të cilët do t’i dëgjojmë gjatë ecjes sonë sinodale. Ne besojmë dhe e dimë se Shpirti Shenjt e udhëheq Kishën, sa që dyert e ferrit nuk do të ngadhënjejnë kundër saj.”

Pastaj ipeshkvi analizojë lutjen e Sinodit Adsumus, duke kërkuar nga të pranishmit të zbulojmë frymën e Shpirtit Shenjt në ne e pastaj t’ja japim botës.

Në vazhdim fjalën e mori Don Albert Demaj, sekretar i Sinodit me temën: Ecja sinodale e Kishës së përgjithshme dhe asaj vendore.

Duke i cituar fjalët e Papa Françeskut se “Sinodi nuk është parlament, nuk është hetim mbi opinionet e ndryshme. Nuk duhet të jetë mbledhje kishtare as konferencë studimi, ose kongres politik,  por Sinodi është ngjarje hiri, proces shërimi i udhëhequr nga Shpirti Shenjt”, Don Alberti në referatin e tij hodhi pikat themeltare të ecjes që duhet ta bëjmë si kishë dioqezane në Kosovë.

“Ne bashkohemi për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje, mision. Sinodin kuptojeni seriozisht, na porosit Papa, Shpirti Shenjt ka nevojë për ju!

Kisha jonë vendore, nëse analizon ecjen dhe besnikërinë e saj dymijë vjeçare, prej Shën Palit dhe nxënësve të tij, deri në kohën tonë, nën ndikimin e udhëheqjen e mrekullueshme të Shpirtit Shenjt, dhunti dhe trashëgimi e besnikërisë, dashurisë dhe mbijetesës që vetvetiu flet dhe thërret bijtë dhe bijat e saja në gjetjen e fijes që na lidh me Zotin, Kishën dhe njëri – tjetrin.

Aspekti dytë i Kishës sonë është gati martirizimi sistematik dhe shekullor për Fe dhe Atdhe, që na mbushë me shpresë dhe siguri që Zoti ka plane me ne.

Aspekti i tretë është misionariteti, ku të parët tanë ishin bërthama ungjillore, jo vetëm për veti, por edhe për rrethet dhe popujt tjerë.

Këto tri veçori na vetëdijesojnë që edhe ne të jemi drita e botës dhe kripa e tokës, sidomos për vëllezërit dhe motrat tona, që për rrethana tashmë të njohura, janë shkëputur prej Jezu Krishtit dhe prej Kishës së tij.

Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm për Kishën, pra, edhe për Kishën ndër ne, është dëgjimi, bisedimi, dialogu dhe komunikimi me njeriun, familjen dhe shoqërinë këtu dhe tani, si Populli i Zotit, si ecje e përbashkët, parakusht për ungjillëzim dhe riungjillëzim (khs. Documento Preparatorio, nr. 2).

Dëgjimi i njeriut, familjes, popullit, është dëgjim ndaj Shpirtit Shenjt, i cili e frymëzon, udhëheq, përtërin Kishën në çdo vend dhe kohë (khs. Idem, nr. 32).

Tema boshte e Sinodit është: për një Kishë sinodale që ka këto karakteristika: bashkësia (communio), pjesëmarrja (participatio) dhe dërgimi (missio).”4

Referenti i dytë ishte Don Pal Tunaj, i cili bërë shpjegimin e vademekum-it të sinodit, i cili parapërcakton ecjen sinodale në nivel dioqezan me tri fjalë boshte që janë vërë në temën e sinodit: bashkimi, pjesëmarrja dhe misioni. Këto tri përmasa janë thellësisht të ndërlidhura. Janë shtylla jetësore të një Kishe sinodale. Nuk ka asnjë rend hierarkik midis tyre. Përkundrazi, secila pasuron dhe orienton dy të tjerat. Ekziston një marrëdhënie dinamike midis këtyre tri përmasave, e cila duhet të artikulohet duke i marrë parasysh të tria. Procesi sinodal është para së gjithash një proces shpirtëror. Nuk është një ushtrim mekanik i mbledhjes së të dhënave ose një seri takimesh dhe debatesh. Dëgjimi sinodal është i orientuar kah shoshitja. Ajo kërkon që ne të mësojmë dhe të ushtrojmë artin e shoshitjes personale dhe bashkësiore. Dëgjojmë njëri-tjetrin, dëgjojmë traditën tonë të fesë dhe shenjat e kohës për të shoshitur atë që Hyji po na thotë të gjithëve. Papa Françesku përshkruan dy objektivat e ndërlidhur të këtij procesi dëgjimi: “dëgjim i Hyjit, deri në atë pikë sa të arrihet dëgjimi me Të i britmës së Popullit; dëgjim i Popullit, deri në atë pikë sa vullneti në të cilin Hyji na thërret të bëhet frymëmarrje”.

Nëse dëgjimi është metoda e procesit sinodal dhe shoshitja është synimi i tij, atëherë pjesëmarrja është rrugëtimi i tij. Përkrahja e pjesëmarrjes bën që të dalim nga vetja për të përfshirë të tjerët, të cilët kanë mendime të ndryshme nga tonat. Dëgjimi i atyre që kanë të njëjtin mendim si ne nuk jep asnjë fryt. Dialogu nënkupton takimin me opinione të ndryshme.

Pas referateve kryesore ipeshkvi shpalli edhe emërimin e grupeve punuese, pasoj me dëgjimin dhe diskutimin e propozimeve, që në fakt, u bë hapi i parë i sinodalitetit, ku të gjithë u ftuan të flasin, të propozojnë, të sugjerojnë… si një modalitet që do të jetë i pranishëm gjatë rrugëtimit sinodal.

 

Hapja solemne e Sinodit – Mesha e Shenjtë në Katedrale

Kur të dielën, më 17 tetor 2021, në meshën e orës 11:00 në Katedralen Shën Nënë Tereza, të cilës i priu Sh. T. Imzot Dodë Gjergji, u bë hapja solemne dhe zyrtare e Sinodit në nivel dioqezan. Këtij kremtimi u bashkëngjiten të gjithë famullitarët në Kishat famullitare të Dioqezës. Ipeshkvi, pasi bëri një reflektim të ri fjalëve të sinodit: bashkim, pjesëmarrje dhe mision, i ftojë të gjithë besimtarët që t’i bashkohen kësaj ngjarje të Kishës, si pjesë të gjalla e aktive të saja, ta lënë Shpirtin e Zotit të ju flet e të mund të kontribuojnë e ecjen bashkësiore të dioqezës sonë. Mos të kenë frikë ta dëgjojnë çfarë ju flet Zoti; mos të kenë frikë të bëhen ndërtues të frytshëm të bashkësisë së krishterë… 

Ipeshkvi në fund e ftojë gjithë Kishën ta përcjell këtë ngjarje me lutje, që të udhëhequr me Shpirtit Shenjt të bashkë-rrugëtojmë (syn – ŏdus), si bashkësi e Krishtit.

Paçim rrugëtim të përbashkët frytdhënës, me pjesëmarrje të gjallë të të gjithë anëtarëve të Kishës, për t’u bërë misionar të Ungjillit në botën e sotme!/drita.info

Comments are closed.

« »