Duke iu afruar Zotit

Oct 23 • Meditimi i ditës

23 tetor 2021 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 8,1-11; Ps 24,1-6; Lk 13,1-9)

 

Prania e Hyjit

Në heshtjen e qenies sime më intime,

në fragmentet e unitetit tim shumë të dëshiruar,

a mund ta ndiej pëshpëritjen e pranisë së Hyjit?

A mund të më bie ndër mend kur e kam ndjerë praninë e Hyjit;

kur kemi ecur së bashku, duke i lejuar vetes që të jem i/e përqafuar me dashurinë e Hyjit?

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të përzgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur;

ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëheq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

a mund t`i lejoj vetes të jem i sinqertë se çfarë jam.

Si kaloi dita e djeshme? Si po e ndiej veten tani?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

 

Fjala e Zotit

E lexoj, e dëgjoj tekstin e zgjedhur biblik fjalë për fjalë, mendim pas mendimi, siç e lexoj një letër nga një miku im i dashur. Lejoj që fjala e Zotit të gjejë jehonë brenda meje: vështroj, dëgjoj, besoj.

 

Lk 13, 1-9

 

1 Pikërisht atëherë ia behën disa dhe i treguan çka u kishte ndodhur disa galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me gjakun e flive të tyre. 2 Jezusi iu përgjigj:

“A mendoni se këta galileas, që sharruan kështu, qenë mëkatarë më të mëdhenj se të gjithë galileasit e tjerë? 3 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata! 4 A kujtoni se ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra kulla e Siloesë dhe i mbyti, qenë më të mëdhenjtë mëkatarë ndër të gjithë banorët e Jerusalemit? 5 Unë po ju them: jo! Por, nëse ju nuk ktheheni kah Hyji, të gjithë do të sharroni si ata!”

6 Atëherë u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

“Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e vet. Shkoi, kërkoi fryte në të, por nuk gjeti. 7 Atëherë i tha vreshtarit: ‘Ja, tash tri vjet po vij e po kërkoj frytin e këtij fiku e nuk po e gjej. Preje! Pse ta shfrytëzojë kot tokën?’ 8 Ai iu përgjigj: “‘Zotëri, lëre edhe këtë vit që ta mih përreth e t’i qes pleh. 9 Ndoshta në të ardhmen do të japë fryte… Po qe se jo, atëherë do ta presësh!’“

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Hebrenjtë besonin se e keqja që i ndodh njerëzve është një dënim për shkak se kanë mëkatuar. Sa më shumë një person të ketë vuajtur, aq më i madh konsiderohej të ketë qenë mëkati. Jezusi refuzon një mendësi të tillë të thjeshtëzuar. Në vend të kësaj ai thekson pendimin që do të thotë kthimin te Hyji dhe i afërmi.
  • Kultivimi dhe plehërimi i fikut simbolizon mëshirën e Hyjit në veprim. O Zot, ti i di pikat e forta dhe dobësitë e mia më mirë se unë. Ti je i durueshëm dhe i sjellshëm, dhe në zemrën time e ke mbjellë farën e ndryshimit. Tani është koha që ajo farë të japë fryt.
  • Me Zotin mund të jemi apo të mos jemi në aktivitete dhe dëshira të ndryshme të jetës. Mund ta duam në mënyrë të plotë apo mund të gjendemi në tundim që ta shmangim rrugën e tij. Jezusi vazhdimisht na thërret në kthim në mënyrë që të jetojmë më së miri që është e mundur, të ndryshojmë dhe të bëhemi sa më të ngjashëm me të. Gjatë kohës së eukaristisë meshtari lutet: “Uji i bashkuar me verë qoftë shenja e bashkimit tonë me jetën hyjnore të Jezu Krishtit, i cili u denjua të marrë natyrën tonë njerëzore.”

Duke i kujtuar këto fjalë e dëgjoj edhe një herë pjesën e ungjillit.

 

Bashkëbisedimi

Edhe unë mund ta ndiej që jeta ime është e pafrytshme, si fiku për të cilin flet Jezusi. Megjithatë, e lus Zotin për edhe pak kohë në mënyrë që të jap fryt. Çfarë këndellje më nevojitet për t`u bërë pemë e frytshme që jep me zemërgjerësi?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për këto momente që i kalova vetëm me ty.

Jezusi shpesh herë flet për nevojën e kthimit. Kjo do të thotë kthim nga gjithë ajo që nuk është Zot. Do të lutem që të mund të bëhem gjithnjë e më shumë pjesë e botës së mirësisë dhe dashurisë, dritës dhe së vërtetës. Dëshiroj të jem nxënës/e i/e vërtetë.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »