Vendbanimi për Hyjin

Oct 28 • Meditimi i ditës

28 tetor 2021 – Shën Simoni dhe Juda (festë), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Ef 2,19-22; Ps 19,2-5; Lk 6,12-19)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment dhe mundohem të ndërgjegjësohem se Hyji është i pranishëm:

Në afërsinë time, në atë çka bëj, në njerëzit që i takoj, në rrethanat e përditshme në të cilat ndodhem.

Si mund ta bëj këtë realitet edhe më të gjallë?

 

Liria

Vdekja jote në kryq më ka liruar.

Mund të jetoj lirisht dhe gëzueshëm, pa frikë nga vdekja.

Mëshira jote nuk njeh kufij.

 

Ndërgjegjësimi

Të jesh i vetëdijshëm për diçka do të thotë këtë edhe ta vëresh.

O Zot, më ndihmo që gjithmonë të jem i/e vetëdijshëm/e se ma ke dhuruar jetën;

Të falënderoj për këtë dhuratë të jetës.

Më mëso se si të koncentrohem dhe të jem i/e qetë si dhe të kënaqem në sendet që i ke krijuar për mua.

Që ta sodis bukurinë që më rrethon, mrekullitë e majave të maleve, qetësinë e liqenit, thyeshmërinë e gjethes së lules…

Gjithmonë nevojitet të jem i/e vetëdijshëm se të gjitha këto vijnë prej teje.

 

Fjala e Zotit

Hyji i flet çdonjërit prej nesh personalisht.

Duhet të përgjoj në mënyrë që të dëgjoj çfarë dëshiron të më thotë.

E dëgjoj tekstin dhe lejoj të gjej jehonë brenda meje.

 

Ef 2,19-22

 

19 Prandaj, nuk jeni më të huaj e mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit, 20 të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi. 21 Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin. 22 Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.

 

Ç` dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi fragmentin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • “Ju jeni bashkëqytetarë të shenjtërve… anëtarë të familjes së Hyjit”. A do të përshtateshin këto deklarata nëse ia atribuon vetes? Nëse ‘po’, ndalu një moment për të falënderuar Zotin për këtë siguri. Nëse ‘jo’, ndalu një moment për të medituar pse jo…
  • Kjo ‘familje e Hyjit’ është ndërtuar mbi apostujt dhe profetët. Ndalu një moment për të reflektuar mbi apostujt, profetët, shenjtërit dhe pararendësit e Kishës siç i përjetojmë sot… kush të ka frymëzuar?
  • Vetë Krishti është gurthemeli i shtëpisë së Hyjit… A është kjo diçka për çka ndihesh i/e sigurt sot? Apo ndoshta diçka që të ka humbur nga sytë?
  • Kur ta dëgjosh përsëri leximin, vë re imazhet e ‘ndërtimit’; të themeleve të forta dhe strukturave të forta.

 

Bashkëbisedimi 

 Ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin Shenjt banesë e Hyjit.’ Mund të dëshirosh ta përmbyllësh meditimin e sotëm duke u lutur për vëllezërit dhe motrat e tua të krishtera… që Kisha të vazhdojë të ndërtohet në një banesë për Hyjin.

 

Përmbyllja 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

O Zot, si fëmija yt i dashur dua që të më mbash nën krahët e tu! Para teje po i vendosi nevojat e mia dhe prekshmërinë, dobësinë time. Lutem që të mund ta ndiej gjithmonë kujdesin tënd të shenjtë në çdo aspekt të jetës time dhe të jetëve të atyre që i dua.

Ati ynë…
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »