Përgëzime

Nov 1 • Meditimi i ditës

1 nëntor 2021 – TË GJITHË SHENJTËRIT (e kremte), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Zb  7,2-4.9-14; Ps 24,1-6; 1 Gjn 3,1-3; Mt 5,1-12a)

 

Prania e Hyjit

Jezusi pret për të hyrë në zemrën time, në heshtje dhe i papashëm.

Ai vjen me dashuri dhe pushtet të pamasë.

Të më përshkojë gëzimi se jam në afërsinë e tij.

 

Liria

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime që të lejoj të robërohem me frikën dhe pritshmëri se çfarë do të nevojitesha apo do të duhesha të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe pjekurisë sime.

Do të lutem për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme dhe të mund të arrij diçka të re prej asaj çfarë Hyji kërkon nga unë.

 

Ndërgjegjësimi

Në praninë e Krijuesit që më do,

i vështroj me sinqeritet përjetimet e ditës së kaluar,

ngritjet, uljet, si dhe atë mesataren e përditshme.

A mund ta vërej ku ka qenë Hyji i pranishëm në të gjitha këto?

 

Fjala

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Mt 5, 1-12

 

1 Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. 2 Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

3 “Lum skamnorët në shpirt

sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

4 Lum ata që qajnë

sepse do të ngushëllohen!

5 Lum ata që janë të butë

sepse do ta trashëgojnë tokën!

6 Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi

sepse do të ngihen!

7 Lum të mëshirshmit

sepse do të gjejnë mëshirë!

8 Lum ata që janë të pastër në zemër

sepse do ta shohin Hyjin.

9 Lum pajtuesit

sepse do të quhen bijtë e Hyjit.

10 Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon

sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.

11 Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! 12 Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Çka të bëri përshtypje te pjesa e lexuar e këtij ungjilli? Si do të tingëllonte, në vend të “lum skamnorët në shpirt”, po të kishim thënë “përgëzime skamnorë”?
  • Teksa ndjekim kalendarin liturgjik, sot festojmë të kremten e të Gjithë Shenjtërve. Burrat dhe gratë e zakonshme në histori që kanë jetuar jetë të jashtëzakonshme me përvujtëri, shërbim dhe guxim në besimin e tyre fetar. A ka ndonjë shenjt të veçantë që të frymëzon? Falënderoje Zotin për jetën dhe shembullin e tyre…
  • Kur ta dëgjosh përsëri leximin, vë re listën e atyre që përgëzohen… ‘të varfrit në shpirt’; ‘ata që qajnë…. Kush të bie në sy?
  • Ndërsa kjo kohë lutjeje po i afrohet përmbylljes, sille te Zoti grupin që të bie më shumë në sy… ndoshta identifikohesh me ta… flit me Zotin për këtë.

 

Bashkëbisedimi

A mund të ulem pranë Jezusit dhe ta dëgjoj si të mos i kisha dëgjuar kurrë me parë këto lumni?  Çfarë ndikimi kanë ato në zemrën time? Gëzim, lot, huti, mallëngjim?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty. Ku bëj pjesë te lumnitë e Krishtit? Ndoshta pikërisht tani është duke më ndodhur diçka e rëndë në jetën time – sëmundja, humbja e besimit dhe shpresës… Do ta lus Jezusin që vështirësitë e mia t´i shndërrojë në bekim.

Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »