Llogaritja e çmimit

Nov 3 • Meditimi i ditës

3 nëntor 2021 – E mërkurë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 13, 8-10; Ps 111; Lk 14, 25-33)

 

Prania e Hyjit

Jezusin mund ta kërkojmë në cilëndo kohë të ditës a të natës.
Ai gjithmonë pret, duke përgjuar thirrjen tonë.
Çfarë bekimi i mrekullueshëm!
Nuk kam nevojë as për telefon as për e-mail, mjafton një pëshpëritje.

 

Liria

Kur e ndiej veten të robëruar dhe kur gjithçka më tendosë, më ngarkon, madje edhe atëherë kur rrezet e diellit nuk arrijnë në vendin ku ndodhem, edhe atëherë, në heshtjen e heshtjes, shpirti im është i lirë dhe i papenguar.

Në këtë liri të shpirtit po të drejtohem ty.

 

Ndërgjegjësimi

Në lutje jemi vetëm Zoti dhe unë – një moment gjithçka është mënjanë. Nuk kam nevojë për asgjë tjetër përveç vetes për t’u lutur. Kështu kam ardhur në këtë botë dhe kështu do të largohem – i privuar nga gjithçka që kam dhe zotëroj. Kjo mund të jetë një përvojë e çlirimit të madh. Lutja është momenti i kushtimit, ofrimit të vetvetes Zotit – vetvetes së vërtetë dhe real pa “zotërimin” që nganjëherë e pengon thirrjen dhe hirin e Zotit.

 

Fjala

Tani e lexoj, e dëgjoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Dëgjoj me vëmendje dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më lë përshtypje.

 

Lk 14, 25-33

 

25 Një mori e madhe e popullit po bënte rrugë me të. Ai u kthye kah ata dhe u tha:

26 “Nëse ndokush vjen tek unë e do më tepër babain, nënën, gruan, fëmijët, vëllezërit, motrat, madje edhe jetën e vet se sa mua, nuk mund të jetë nxënësi im.

27 Kush nuk e mbart kryqin e vet e nuk më vjen pas, nuk mund të jetë nxënësi im!

28 Cili prej jush, nëse mendon të ndërtojë kullën, nuk ulet më parë të llogarisë shpenzimet se a ka sa i duhen për ta kryer? 29 Që, kur t’i shtjerë themelet e të mos mund ta kryejë ‑ të mos fillojë ta vërë në lojë gjithkush ta shohë 30 duke thënë: ‘Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta kryejë!’ 31 Ose ‑ cili mbret, kur do të niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të pleqërojë a është i zoti me dhjetë mijë ushtarë t’i dalë përballë atij, që i vjen me njëzet mijë? 32 Nëse nuk mundet, çon delegacionin derisa ai është ende larg e kërkon qyshket për paqe.

33 Kështu, pra, secili prej jush që nuk i bie mohit tërë pasurisë së vet, nuk mund të jetë nxënësi im.”

 

Çka dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit të Shenjtë:

 

  • Kjo gjuhë e urrejtjes së anëtarëve të familjes, madje edhe vetë jetës, është diçka e fortë dhe gjatë shekujve njerëzit kanë luftuar duke u përpjekur për të kuptuar se çfarë domethënie mund të kenë. Është e qartë se ajo duhet të kuptohet në dritën e mësimeve të tjera të Jezusit mbi thelbin e dashurisë. Çfarë mendon për të? Është e qartë, këtu, se ndjekja e Jezusit është një punë e kushtueshme, që nuk duhet marrë lehtë. Sa e vërtetë është kjo për përvojën tënde?
  • Jezusi shpreson, megjithatë, që të paktën disa nga ata që e dëgjojnë do të mendojnë se ia vlen të paguhet çmimi, se dishepullimi, të qenurit nxënës të Krishtit, megjithëse sfidues, ia vlen. Çfarë ke fituar nga të qenurit një ndjekës, nxënës/e i/e Jezusit?
  • Lejo ta dëgjosh sfidën në këtë fragment të ungjillit kur të lexohet përsëri.

 

Bashkëbisedimi

Këto fjalë tingëllojnë si të forta të thëna nga Jezusi, dmth. se nëse duam ta ndjekim atë, duhet të urrejmë familjen, miqtë, madje edhe vetë jetën. Si ndihesh kur i dëgjon këto fjalë?

Ndalu një moment për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, në çfarëdo mënyre që të duket e mirë.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Në Ungjillin e sotëm, po na jep zemër për të ndërmarrë hapa që do të na çojnë në rrugën drejt shtëpisë tonë qiellore – jemi të thirrur të heqim dorë nga të gjitha gjërat, ose nga ata që mund të na pengojnë në udhëtimin tonë. Para së gjithash, mendja dhe zemra jonë të përkasin ty, o Zot. Ne duhet të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të kërkuar Ty së pari, dhe çdo gjë tjetër do të bie në vend të vet.

Na mëso të të ndjekim me besnikëri ty, o Zot. Na përgatit dhe na ndihmo që t`i bëjmë hapat tanë në rrugën që çon në liri. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »