Në kërkim të së humburës

Nov 4 • Meditimi i ditës

4 nëntor 2021 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Rom 14 7-12, Ps 26; Lk 15, 1-10)

 

Prania e Hyjit

Ndalem një moment, i/e vetëdijshëm/e se Hyji është këtu.

Mendoj se si gjithçka rreth meje, ajri të cilin e marrë, i tërë trupi im, e rrezaton praninë e Hyjit.

 

Liria

Ejani te unë, të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rëndë e unë do t`ju çlodhë, thotë Zoti.

Ndërsa hyj në lutje tani, a mund ta ndiej këtë ftesë të Zotit?

A mund t’i dëgjoj këto fjalë që më drejtohen?

Dhe a e pranoj mirëseardhjen, dhe sigurinë që Hyji dëshiron të ma japë?

 

Ndërgjegjësimi

Si po e ndjej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur se ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndiej përnjëmend.
sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

I jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Zotit me vëmendje, dhe ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 15, 1-10

 

Të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin Jezusit për ta dëgjuar. 2 Farisenjtë e skribët murmurisnin:

“Ky i pranon mëkatarët ‑ thoshin ‑ dhe po ha me ta.”

3 Atëherë Jezusi u tregoi këtë shëmbëlltyrë:

4 “Cili prej jush, po i pati njëqind dele dhe, nëse një prej tyre i humb, nuk i lë të nëntëdhjetenëntë të tjerat vetëm në kullosë e nuk shkon pas të humburës derisa ta gjejë?

5 Kur e gjen, plot gëzim e vë në krah, 6 dhe, posa arrin në shtëpi, i thërret miqtë e fqinjët e u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta delen time që më humbi.’ 7 Unë po ju them: në qiell do të ketë po kështu më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet se për nëntëdhjetenëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen.”

8 “Ose ‑ cila grua që ka dhjetë drahma e po bëri e i treti njëra, nuk e ndez dritën e nuk e fshin shtëpinë dhe nuk e kërkon me kujdes derisa ta gjejë? 9 Dhe, kur e gjen, i bashkon mikeshat dhe fqinjet dhe u thotë: ‘Gëzohuni me mua se e gjeta drahmën që më pati humbur.’ 10 Po kështu, unë po ju them: bëhet gëzim në mes të engjëjve të Hyjit për një mëkatar që kthehet.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Është shumë e zakonshme të gjykosh njerëzit në bazë të asaj se me kë shoqërohen. “Njerëzit e mirë përzihen me njerëz të tjerë të mirë, mashtruesit përzihen me mashtrues të tjerë”. Pra, çfarë të mendojmë për përzierjen e Jezusit me llumrat e shoqërisë hebraike?
  • A do t’i lije vërtet nëntëdhjetë e nëntë dele në shkretëtirë për të shkuar pas asaj që është larguar dhe ndodhet në rrugë të gabuar? Çfarë të thotë kjo për qëndrimin që ka Zoti ndaj atyre që bëjnë kthesa të gabuara në jetën e tyre?
  • Si është të gëzohesh kur gjen diçka të rëndësishme për ty që e kishe humbur?
  • Pothuajse me siguri, ka fusha të jetës sate ku je më shumë si delja e humbur sesa nëntëdhjetë e nëntë të tjerat. Kur të lexohet përsëri, si tingëllon historia e dëgjuar nga kjo perspektivë?

 

Bashkëbisedimi

Kur e vështroj botën rreth meje, pjesën e botës ku jetoj, kush janë të nëntëdhjetë e nëntët? (ata të sigurtët që nuk janë të humbur – të drejtët që nuk kanë nevojë për pendim) … Dhe kush janë delet e humbura që kanë shmangur rrugë dhe kanë humbur?

Nëse ke ndonjë ide se si është të jesh një dele e humbur dhe e gjetur, një mëkatar i penduar, fol me Jezusin nisur nga ajo përvojë.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Zilia e tregon kokën e saj të shëmtuar gjatë kohës kur farisenjtë i dëgjojnë fjalët e tua, Jezus. Nuk u pëlqen fakti që ti Jezus në mënyrë të pakushtëzuar i pranon të gjithë njerëzit. Nuk ka gjyq, nuk ka dënim. Në Ty gjejmë dashurinë dhe pranimin e pastër.

O Krisht, ti i pranon të gjithë në përqafimin tënd të ngrohtë. Kur jemi të humbur, ti vjen për të na gjetur. Kur jemi të dëshpëruar, ti vjen për të na ngritur. Kur ndihemi të harruar, ti na kujton dashurinë tënde të madhe ndaj nesh. Po të falënderoj që na do të tillë si jemi. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »