Martirët shqiptarë të kohës së komunizmit

Nov 5 • Kisha ndër Shqiptarë

Me rastin e ditëfestës liturgjike, më 5 nëntor

 

Imzot Vinçenc Prennushi, arqipeshkëvi i Durrësit, mbas shumë torturash e poshtërimesh vdiq në burgun e Durrësit më 19 mars 1949 në moshën 64 vjeç. Trupi i tij prehet te Kisha Kon-Katedrale e Shën Luçisë në Durrrës.

​Imzot Frano Gjini, ipeshkvi i Abacisë së Oroshit (Mirditë). U pushkatua më Shkodër më 11 mars 1948, në moshën 62 vjeç. Trupi i tij është zhdukur nga fryrjet e lumit Kir.

-​ Imzot Jul Bonati, famullitar i Vlorës, vdes si pasojë e torturave, disa thojnë e kanë mbytur apo helmuar, në burgun e Durrësit më 5 nëntor 1951 (sot mbushen 70 vjet të hyrjes së tij në lumninë e parrizit), në moshën 77 vjeçare. Është i varrosur te varrezat e qytetit në Durrës.

-​ Dom Alfons Tracki, gjerman, famullitari i Velipojës. U pushkatua në Shkodër në moshën 50 vjeç, më 18 korrik 1946. Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Dom Anton Muzaj, kancelar në Arqipeshkvi në Shkodër, vdiq për pasojë të torturave në Shkodër në moshën 27 vjeç më 4 mars 1948. Është i varrosur te varrezat katolike të Rrmajve në Shkodër.

-​ Dom Anton Zogaj, famullitar i Durrësit. U pushkatua në Porto Romano (Durrës) më 9 mars 1948 në moshën 39 vjeç. Trupi i tij u zhduk edhe pse iu kërkua përpara ekzekutimit nga prokurori që të shprehte dëshirën e fundit e cila për dom Antonin qe: “Ju lutem ta çoni trupin tim në Kishë”.

-​ Dom Dedë Maçaj, famullitar i Sheldisë. U pushkatua në regjimentin 719 në Përmet ku ishte dërguar për shërbimin ushtarak të detyruar, më 28 mars 1947. Ishte pak më shumë se 27 vjeç dhe vetëm prej tri vitesh meshtar. Trupi i tij nuk u gjet.

-​ Dom Dedë Malaj, famullitar i Dajçit të Bregut Bunës. U pushkatua në breg të liqenit të Shkodrës më 12 maj 1959 në moshën 42 vjeç. Eshtrat e tij janë vendosur të Kisha e Shën Kollit në Suka të Dajçit Bregut Bunës.

– ​Dom Dedë Plani, famullitar i Gimajve të Shalës e në momentin e arrestimit në Rrenc të Gurit të Zi. Vdiq gjatë torturave, përpara se të dilte në gjyq, më 30 prill 1948 në moshën 57 vjeç. Është i varrosur te varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër.

-​ Dom Ejëll Deda, famullitar në Rranxa të Bushatit. Si pasojë e torturave Vdiq në infermierinë e burgut të Shkodrës më 12 maj 1948 në moshën 31 vjeç. Është i varrosur te varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër.

-​ Dom Jak Bushati, famullitar në Gëziq (Mirditë) e më pas në Kallmet (Lezhë). Vdiq gjatë torturave në burg të Lezhës më 12 shtator 1949. Është i varrosur te varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër.

-​ Papas Josif Papamihali, meshtar katolik i ritit bizantin. Famullitar në Elbasan, Korçë, Berat. Vdiq më 26 tetor 1948, në moshën 36 vjeç, në kënetën e Maliqit, i varrosur i gjallë në kënetë ku kishte rënë, i siflitur prej lodhjes. Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Dom Jozef Marksen, gjerman. Famullitar në Perlat (Mirditë) e më pas në Jubë (Durrës). E morën nga burgu i Tiranës me justifikimin se do ta dërgonin në Gjermani, dhe, më 16 nëntor 1946, në rrugën për Kukës, 8 km nga Tirana, e vranë. Ishte 40 vjeç. Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Dom Lazër Shantoja, përveçse famullitar e kancelar i arqipeshkvisë, ishte edhe publicist i njohur si dhe pianist. U pushkatua në Tiranë më 5 mars 1945 në moshën 53 vjeç. Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Dom Lekë Sirdani, famullitar i Bogës (Malësi e Madhe). Vdiq gjatë torturave, pa gjyq, i mbytur në gjiriz të seksionit të Sigurimit në Koplik më 31 korrik 1948. Ishte 56 vjeç. Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Dom Luigj Prendushi, famullitar në Naraç. U pushkatua në Shelqet më 24 janar 1947 në moshën 51 vjeç. Është i varrosur te varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër.

​Dom Marin Shkurti, famullitar në Stajka. U pushkatua më 1 prill 1969 në breg të lumit Kir në Shkodër. Ishte 36 vjeç. Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Dom Mark Gjani, famullitar në Kishën e shën Mitrit në Kalivare të Mirditës. Vdiq gjatë torturave, pa gjyq dhe pa dënim, në Shpal (Mirditë), në vitin 1947. Ishte 38 vjeç. Sipas disa dëshmive trupin e tij e lidhën me një litar dhe nga burgu e tërhoqën zvarrë për rreth 100 metra duke e hedhur në një rrëpirë shpati. U la aty që ta shqyenin qentë dhe zhgabat.

-​ Dom Mikel Beltoja, famullitar i Dajçit të Bregut Bunës e më pas i Barbullushit. U pushkatua në Shkodër, në zonën poshtë Kishës së Zojës, më 10 Shkurt 1974 në moshën 39 vjeç. Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Dom Ndoc Suma, në momentin e arrestimit famullitar në Laç Vau Dejës. U dënua me 30 vjet burg. Për shkak të torturave, keqtrajtimeve e mundimeve në burg u sëmur rëndë e vdiq në Pistull me 22 prill 1958 në moshën 71 vjeç. U varros në Kaçë dhe atje prehet ende sot e kësaj dite.

​Dom Ndre Zadeja, u arrestua në Sheldi ku ishte famullitar. U dënua me vdekje pa gjyq dhe u pushkatua të Dielën e Larit më 25 mars 1945 në Shkodër, në moshën 54 vjeç. Është i varrosur te varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër.

– ​Dom Pjetër Çuni, famullitar në Shkrel e Rrjoll. Vdiq gjatë torturave, pa gjyq, I mbytur në gjiriz të seksionit të Sigurimit në Koplik më 31 korrik 1948. Ishte 34 vjeç. Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Dom Shtjefën Kurti, famullitar në Novosellë të Epërme (Gjakovë), e më pas në Gurëz e në Tiranë. Herën e parë u arrestua me 27 tetor 1946 dhe bëri 17 vjet në burgun e Burrelit. Herën e dytë u arrestua me 11 qershor 1970 dhe u pushkatua, sipas disave afër lumit të Tiranës, me 20 tetor 1971 në moshën 73 vjeç (këtë vit janë plot 50 vjet nga hyrja e tij në lumninë e parrizit). Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Atë Bernardin Palaj o.f.m., njëri prej shtatë shkrimtarëve më të mëdhenj të katolicizmit shqiptar. U arrestua në kuvendin françeskan në Rubik dhe vdiq për pasojë të torturave në burgun e Shkodrës më 2 dhjetor 1946 në moshën 52 vjeç. Eshtrat e tij nuk janë gjetur (flitet se njerëzit e sigurimit e kanë zhdukur më vonë, bashkë me trupat e disa meshtarëve të tjerë, në një gropë gëlqereje).

-​ Atë Çiprijan Nikaj o.f.m., guardian (epror) në kuvendin françeskan të Gjuhadolit (Shkodër). U pushkatua më 11 mars 1948 në Shkodër në moshën 48 vjeç. Trupi i tij është zhdukur nga fryrjet e lumit Kir.

-​ Atë Gaspër Suma o.f.m., famullitar në Gomsiqe në momentin e arrestimit. Vdiq në burgun e madh të Shkodrës të dielen Dominica in Albis (sot: e Diela e Mëshirës Hyjnore), më 16 prill 1950. Trupi i tij pushon në kishën e Fretërve Minorë në Gjuhadol (Shkodër).

– ​Atë Gjon Shllaku o.f.m., profesor në Liceun ‘Illyricum’ të Fretërve Minorë në Shkodër. U pushkatua më 4 mars 1946 në Shkodër. Ishte 39 vjeç. Eshtrat e tij nuk janë gjetur (ka shumë mundësi të jenë marrë e humbur nga fryrjet e lumit Kir).

-​ Atë Karl Serreqi o.f.m., famullitar në Curraj Epërm e Rajë (Tropojë). E arrestuan dhe e dënuan se nuk pranoi të zbulonte rrëfimin e një të plagosuri për vdekje. Në moshën 43 vjeç vdiq në burgun e Burrelit, më 4 prill 1954. Nuk ka qenë e mundur të gjindej varri i tij, sepse mbi atë vend, me urdhër të rregjimit, u ndërtuan disa banesa.

-​ Atë Mati Prendushi o.f.m.,në momentin e arrestimit Ministër provincial i fretërve minorë të Shqipërisë. U pushkatua më 11 mars 1948 në Shkodër. Ishte 67 vjeç. Eshtrat e tij nuk janë gjetur (ka shumë mundësi të jenë marrë e humbur nga fryrjet e lumit Kir).

-​ Atë Serafin Koda o.f.m., ekonom i provincës françeskane shqipëtare. Pa gjyq dhe pa dënim, vdiq për shkak të torturave në Lezhë më 11 maj 1947 në moshën 54 vjeç. Trupi i tij pushon në kishën e Fretërve Minorë në Lezhë.

-​ Atë Danjel Dajani, jezuit. Në momentin e arrrestimit është Rektor i Seminarit Panor Shqiptar dhe i Kolegjit Saverian në Shkodër. Pushkatohet në Shkodër më 4 mars 1946 në moshën 40 vjeç. Trupi i tij nuk është gjetur.

– ​Atë Giovanni Fausti, jezuit. Ishte nga Brescia, veriu i Italisë. Mësues formimi dhe censor librash e në periudhën e fundit Zëvendës-Provincial i jezuitëve në Shqipëri. U pushkatua më 4 mars 1946 në Shkodër në moshën 47 vjeç. Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Vëlla Gjon Pantalia, jezuit. Përgjegjës i shtypshkronjës, drejtues artistik e jo vetëm. Vdiq gjatë torturave në Shkodër, në moshën 60 vjeç më 31 tetor 1947. Sigurimi e zhduku trupin e tij.

-​ Mark Çuni. Në momentin e arrestimit ishte seminarist në vitin e tretë të teologjisë. U pushkatua më 4 mars 1946 në moshën 27 vjeç. Lumi Kir në kohë vërshimesh e ka marrë trupin e tij.

– ​Fran Mirakaj, kryefamiljar nga Iballa e Pukës. Për besnikërinë e tij ndaj Ungjillit dhe Papës, më 3 korrik 1946 iu konfirmua dënimi i dhënë ‘me vdekje’. Ekzekutimi u bë në fshehtësi në periudhën gusht-shtator 1946. Ishte 30 vjeç. La gruan e tij të ve me tre vajzat e tyre.

-​ Gjelosh Lulashi, djalosh i ri nga Ndreaj të Shoshit të Dukagjinit. Në momentin e arrestimit ishte sekretar i spitalit ushtarak të Shkodrës. Për parimet e tij të krishtera u pushkatua më 4 mars 1946 në Shkodër, në moshën 21 vjeç. Trupi i tij nuk është gjetur.

-​ Qerim Sadiku nga Gucia. Në momentin e arrestimit, më 3 dhjetor 1945, e shoqja ishte shtatzënë, në pritje të lindjes të djalit të tyre, të cilin Qerimi do ta shohë vetëm nga qielli. U pushkatua më 4 mars 1946, në moshën 27 vjeç, në Shkodër, sepse nuk pranoi në asnjë mënyrë të mohonte fenë e besimin në Krishtin. Eshtrat e tij me shumë mundësi janë përpirë nga lumi Kir në kohë vërshimesh.

-​ Marije Tuci nga Ndërfushaz (Mirditë). Në momentin e arrestimit ishte aspirante murgeshë në Kongregatën e Motrave Stigmatine. Vdiq prej torturave që e kishin shpërfytyruar në repartin për të burgosurit në spitalin e Shkodrës më 24 tetor 1950. Ashtu si Shenjtja Maria Goretti virgjër dhe martire, edhe Marie Tuci e mbrojti deri në fund virtytin e pastërtisë edhe pse kjo i shkaktoi vdekjen barbare. Ishte 22 vjeçe. Eshtrat e saj prehen në Kishën e Motrave Stigmatine në Shkodër./drita.info

Përmbledhje nën kujdesin e Don Giovanni K. Kokona

Comments are closed.

« »