Zoti e drejton rruzullin me mirësi të këndshme

Nov 11 • Meditimi i ditës

11 nëntor 2021 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Urt 7,22 – 8,1; Ps 119,89-91.130.135.175; Lk 17,20-25)

 

Prania e Hyjit

Ndalu një moment dhe paramendoje se si Hyji është duke të vështruar. Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt gëzohen për dëshirën e madhe tënde që këtë kohë po ia kushton lutjes.

 

Liria

O Zot, Hyj, po të falënderoj për dhuratën e lirisë.

Më ndihmo që këtë dhuratë ta përdori në mënyrë të përgjegjshme. Jam i/e lirë të përzgjedh.

Më ndihmo që të zgjedh që të ndjek ty,

që të jetoj një jetë të krishterë duke u kujdesur për të tjerët.

Më ndihmo që t`i kujtoj ata që janë të palumtur, të nëpërkëmbur; ata në burg, ata që nuk janë të lirë ta shprehin publikisht fenë e tyre.

Më udhëhiq që gjithmonë dhe në gjithçka ta kërkoj vullnetin tënd, në të gjitha sendet që ndodhin në jetën time.

 

Ndërgjegjësimi

Duke e ditur që Hyji më do pa kushte,

Mund t`i lejoj vetes që të jem i/e sinqertë se si jam.

Si po kalon dita? Si po e ndiej veten në këtë moment?

Krejt hapur, do t`i ndaj ndjenjat e mia me Hyjin.

Fjala

Teksti biblik mbi të cilin do të meditojmë sot është nga Libri i Urtisë ose edhe urtësia e Solomonit që i përket të ashtuquajturave shkrime të vona të Besëlidhjes së Vjetër. Për autorin e librit të Urtisë, Zoti është krijuesi i botës dhe udhërrëfyesi i historisë; ai mund të quhet edhe Atë.

Do t`i dëgjoj fjalët e këtij libri të frymëzuar me mend e zemër. Do ta mbaj në mend fjalë apo porosi që më lë mbresa.

 

Urt 7,22 – 8,1

 

22 Sepse në të është shpirti kuptues,

i shenjtë, unik, i shumëfishtë, i hollë,

i shkathtë, përshkues, i patëmetë,

i ndritshëm, i pafajshëm,

dashamirës, i mprehtë,

23 i papengueshëm, bamirës, njerëzor,

njeridashës, i qëndrueshëm,

i vërtetë, i sigurt,

që i ka të gjitha virtytet,

që përshkon gjithçka,

depërtues i të gjithë shpirtrave

të dijshëm, të pastër, tejet të hollë.

24 Sepse urtia është më e lëvizshme se çdo lëvizje,

në saje të pastrisë së vet përshkon e depërton gjithçka.

25 Sepse ajo është frymë e fuqisë së Hyjit,

burim i pastër i lavdisë së të

Gjithëpushtetshmit,

prandaj asnjë papastërti në të nuk mund të depërtojë:

26 Është bredhje e dritës së amshueshme,

pasqyrë e panjollë e pushtetit të Hyjit,

përngjasimi i mirësisë së tij.

27 E, pasi është një e vetme, mundet gjithçka,

e, duke qëndruar në vetvete, përtërit çdo gjë.

Gjatë breznive, duke hyrë në shpirtra të shenjtë,

trajton miq të Hyjit e profetë,

28 sepse Hyji nuk do përveç atë që jeton me urti.

29 Ajo në të vërtetë është më e bukur se dielli,

tejkalon në ndriçim çdo hyllësi,

krahasuar me dritë është më e shndritshme,

30 sepse drita ia lëshon vendin territ,

kurse e keqja s’mund të ngadhënjejë mbi urtinë.

1 Ajo e shtrin fuqinë skaj më skaj të botës

dhe e drejton rruzullin me mirësi të këndshme.

 

Ç` dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Kë e njeh në jetën tënde që është vërtet i urtë, i mençur? Ndoshta një mentor, ose ndonjë mik, shok, shoqe. Ndoshta një mësues, udhëheqës kishe ose ndonjë prift. Kaloji disa momente duke reflektuar mbi karakteristikat që i bëjnë ata vërtet të urtë, të mençur për ty.
  • Urtësia e Hyjit ‘e drejton rruzullin me mirësi të këndshme’. A është kjo diçka që e ke përjetuar në jetën tënde? Si ishte?
  • Kur ta dëgjosh përsëri leximin, vë re nëse një fjalë ose frazë e veçantë që e përshkruan urtinë të bie në sy…

 

Bashkëbisedimi

A ka ndonjë situatë në jetën tënde që kërkon urti, mençuri? Duke ditur se urtia e Hyjit e drejton rruzullin me mirësi të këndshme dhe urdhëron gjithçka që është mirë, bisedo me Zotin për këtë… mund të dëshirosh të kërkosh gjithashtu që të të jepet urtia.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

Autori i librit të Urtisë dëshiron t’u tregojë bashkëkohësve të arsimuar se besimi i tij është Sofia (= urtia), nga njëra anë për t`u ballafaquar dhe për të dëshmuar përpara grekëve, nga ana tjetër për t’u thënë bashkë-fetarëve të tij: feja jonë është po aq e vlefshme, madje më e lartë se urtia filozofiko-pagane. Urtia, mençuria u ofrohet të gjithë njerëzve. Nuk flitet për privilegjet e Izraelit, me një përjashtim: Izraeli e ka urtinë e vërtetë, urtinë e Jahveut – Zotit që është me ne.

O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.

Ma jep një mendje e një zemër e cila gjithmonë është e urtë dhe që do të të besojë. Faleminderit që më do. Ati ynë…

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »