Mesazhi i Atit të Shenjtë Françeskut për Ditën Botërore të Rinisë 2021

Nov 20 • Kisha në botë

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT

PËR DITËN E XXXVI-të BOTËRORE TË RINISË

21 nëntor 2021

 

“Çohu! Po të bëj dëshmitar të asaj çka pe!” (khs. Vap 26,16)

 

 

Të dashur të rinj!

Do të doja edhe një herë t’ju merrja për dore për të vazhduar së bashku pelegrinazhin shpirtëror që na çon drejt Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë në vitin 2023.

Vitin e kaluar, pak para përhapjes së pandemisë, po firmosja mesazhin, tema e të cilit ishte “I ri, ty po të them, çohu!” (khs. Lk 7,14). Në provaninë e vet, Zoti tashmë donte të na përgatiste për sfidën shumë të vështirë që do të jetonim.

Mbarë bota u desh të përballej me vuajtjen e humbjes së kaq shumë njerëze të dashur dhe izolimin shoqëror. Urgjenca shëndetësore pengoi edhe ju të rinj – prej natyrës të shtyrë drejt së jashtmes – të dilni për të shkuar në shkollë, në universitet, në punë, për t’u takuar … Jeni gjendur në situata të vështira, të cilat nuk ishit mësuar t’i menaxhonit. Ata që ishin më pak të përgatitur dhe pa mbështetje janë ndier të çorientuar. Kanë dalë në shumë raste problemet familjare, si dhe papunësia, depresioni, vetmia dhe varësitë. E mos të flasim për stresin e grumbulluar, tensionet dhe shpërthimet e zemërimit, rritjen e dhunës.

Por falë Hyjit kjo nuk është ana e vetme e medaljes. Nëse sprova na ka treguar brishtësitë tona, ka nxjerrë në pah edhe virtytet tona, ndër të cilat gatishmërinë për solidaritet. Në çdo pjesë të botës kemi parë shumë njerëz, mes të cilëve shumë të rinj, të luftojnë për jetën, të mbjellin shpresë, të mbrojnë lirinë dhe drejtësinë, të jenë arkitekt të paqes dhe ndërtues urash.

Kur një i ri rrëzohet, në një farë kuptimi bie gjithë njerëzimi. Por, është gjithashtu e vërtetë se kur një i ri çohet, është sikurse të ringrihej bota mbarë. Të dashur të rinj, çfarë potenciali të madh keni në duart tuaja! Çfarë force mbartni në zemrat tuaja!

Prandaj sot, edhe një herë, Hyji i thotë secilit prej jush: “Çohu!” Shpresoj me gjithë zemër se ky mesazh do të na ndihmojë të përgatitemi për kohë të reja, për një faqe të re në historinë e njerëzimit. Por, nuk është e mundur të rifillohet pa ju, të dashur të rinj. Për t’u ringritur, bota ka nevojë për forcën tuaj, për entuziazmin tuaj, për pasionin tuaj. E në këtë kuptim do të doja të meditoja së bashku me ju mbi fragmentin nga Veprat e Apostujve në të cilin Jezusi i thotë Palit: “Çohu! Po të bëj dëshmitar të asaj çka pe” (khs. Vap 26,16).

 

Pali dëshmon para mbretit

Vargu që frymëzoi temën e Ditës Botërore të Rinisë 2021 është marrë nga dëshmia e Palit para mbretit Agripa, ndërsa po mbahej i burgosur. Ai, dikur armik dhe përndjekës i të krishterëve, tani gjykohej pikërisht për besimin e tij në Krishtin. Pas rreth njëzet e pesë vitesh, Apostulli tregon historinë e tij dhe episodin thelbësor të takimit të tij me Krishtin.

Pali rrëfen se në të kaluarën kishte përndjekur të krishterët, derisa një ditë, ndërsa po shkonte drejt Damaskut për të arrestuar disa prej tyre, një dritë “më e shndritshme se dielli” e mbështolli atë dhe shokët e tij të udhëtimit (khs. Vap 26, 13), por vetëm ai dëgjoi “një zë”: Jezusi i drejtoi fjalën dhe e thirri në emër.

 

“Saul, Saul!”

Le të thellohemi së bashku në këtë ndodhi. Duke e thirrur në emër, Zoti i lë Saulit të kuptojë se e njeh personalisht. Është sikurse ai t’i thoshte: “E di kush je, e di se si po i ngatërron gjërat, por megjithkëtë po të drejtohem pikërisht ty”. E thërret dy herë, në shenjë të një thirrjeje të veçantë dhe shumë të rëndësishme, siç kishte bërë me Moisiun (khs. Dal 3,4) dhe me Samuelin (khs. 1 Sam 3,10). Duke u rrëzuar përtokë, Sauli njeh se është dëshmitar i një dëftimi hyjnor, një zbulese të fuqishme, që e trondit, por nuk e asgjëson, përkundrazi, e thërret me emër.

Në të vërtetë, vetëm një takim personal, jo-anonim me Krishtin të ndryshon jetën. Jezusi tregon se e njeh mirë Saulin, se “e njeh së brendshmi”. Edhe pse Sauli është një përndjekës, edhe pse në zemrën e tij ka urrejtje për të krishterët, Jezusi e di se kjo vjen prej padijes dhe dëshiron t’i tregojë mëshirën e tij. Do të jetë pikërisht ky hir, kjo dashuri e pamerituar dhe e pakushtëzuar, drita që do të shndërrojë rrënjësisht jetën e Saulit.

 

“Kush je, o Zot?”

Përballë kësaj pranie të mistershme që e thërret me emër, Sauli pyet: “Kush je, o Zot?” (Vap 26,15). Kjo pyetje është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe të gjithë, në jetë, herët a vonë duhet ta bëjmë. Nuk mjafton të kesh dëgjuar për Krishtin nga të tjerët, është e nevojshme të flasësh me Të personalisht. Kjo, në fund të fundit, është lutja. Është i foluri i drejtpërdrejtë me Jezusin, edhe pse ndoshta zemra ende e turbullut, mendja plot dyshime a madje me përbuzje për Krishtin dhe të krishterët. Shpresoj që çdo i ri, nga thellësia e zemrës së vet, ta bëjë këtë pyetje: “Kush je, o Zot?”

Nuk mund ta marrim për të mirëqenë se të gjithë e njohin Jezusin, edhe në epokën e internetit. Pyetja që shumë njerëz i drejtojnë Jezusit dhe Kishës është pikërisht kjo: “Kush je?”. Në të gjithë tregimin e thirrjes së Shën Palit, është e vetmja herë në të cilën ai flet. E pyetjes së tij, Zoti i përgjigjet menjëherë: “Unë jam Jezusi, që ti e përndjek” (po aty).

 

“Unë jam Jezusi, që ti e salvon!”

Përmes kësaj përgjigjeje, Zoti Jezus i zbulon Saulit një mister të madh: se Ai e identifikon veten me Kishën, me të krishterët. Deri atëherë, Sauli nuk kishte parë asgjë të Krishtit, përveçse besimtarët të cilët i kishte mbyllur në burg (khs. Vap 26,10), për dënimin me vdekje të të cilëve ai vetë kishte votuar (po aty). E kishte parë sesi të krishterët i përgjigjeshin të keqes me të mirë, urrejtjes me dashuri, duke pranuar padrejtësitë, dhunën, shpifjet dhe përndjekjet e pësuara për emrin e Krishtit. Pra, në një shikim më të kujdesshëm, Sauli në një farë mënyre – pa e ditur – ishte takuar me Krishtin: e kishte takuar te të krishterët!  

Sa herë kemi dëgjuar të thuhet: “Jezusi po, Kisha jo”, sikurse njëra të ishte alternativë e tjetrës. Nuk mund të njihet Jezusi nëse nuk njihet Kisha. Nuk mund të njihet Jezusi përveçse nëpërmjet vëllezërve dhe motrave të bashkësisë së tij. Nuk mund të themi se jemi plotësisht të krishterë nëse nuk jetojmë përmasën kishtare të besimit.

 

“Vështirë e ke të hedhësh shqelma kundër hostenit!”

Këto janë fjalët që Zoti i drejton Saulit pasi bie për tokë. Por, është sikurse prej kohësh po i fliste në mënyrë të mistershme, duke u përpjekur ta tërheqë drejt vetes, dhe Sauli po i bënte rezistencë. Po atë “qortim” të ëmbël, Zoti ynë ia drejton çdo të riu që largohet: “Deri kur do të ikësh nga unë? Pse nuk më dëgjon që të thërras? Unë jam duke pritur kthimin tënd”. Ashtu si profeti Jeremia, ne ndonjëherë themi: “Më s’ do të mendoj për të” (Jer 20,9). Por, në zemrën e secilit Ai është porsi një zjarr i ndezur: edhe nëse sforcohemi ta shuajmë, nuk ia dalim dot, sepse është më e fortë se ne.

Zoti zgjedh dikë që madje e përndjek, plotësisht armiqësor ndaj Tij dhe të tijve. Pasi nuk ka asnjë person që për Hyjin të jetë i pakthyeshëm. Përmes takimit personal me Të është gjithmonë e mundur të rifillohet. Asnjë i ri nuk përjashtohet nga veprimi i hirit dhe mëshira e Hyjit. Për asnjë nuk mund të thuhet: është shumë larg … është tepër vonë … Sa të rinj e kanë pasion të kundërvihen e të shkojnë kundër rrymës, por mbartin të fshehur në zemër nevojën për t’u përkushtuar, për të dashur me gjithë forcën e tyre, të identifikohen me një mision! Jezusi, te i riu Saul, sheh pikërisht këtë.

 

Të pranosh verbërinë tënde

Mund të imagjinojmë se, para takimit me Krishtin, Sauli ishte në një farë kuptimi “i mbushur me vetveten”, duke e konsideruar veten “të madh” prej integritetit të tij moral, për zellin, për origjinën, për kulturën e tij. Me siguri ishte i bindur se ishte në drejtimin e duhur.  Por, kur Zoti i zbulohet, “bie përtokë” dhe verbohet. Papritur zbulon se nuk është në gjendje të shohë, jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Siguria e tij lëkundet. Në shpirtin e tij ndien se çka e gjallonte me kaq shumë pasion – zelli për të asgjësuar të krishterët – ishte krejtësisht i gabuar. E kupton se nuk është mbajtësi absolut i së vërtetës, përkundrazi se është shumë larg saj. E, së bashku me siguritë e tij, rrëzohet “madhështia” e tij. Papritur e gjen veten të humbur, të brishtë, “të vogël”.

Kjo përulësi – vetëdije për kufizimet e veta – është thelbësore! Kush mendon se di gjithçka për veten e vet, për të tjerët dhe madje edhe për të vërtetat e besimit, do ta ketë të vështirë të takojë Krishtin. Sauli, duke u verbuar, humb pikat e tij të referimit. I mbetur i vetëm, në errësirë, të vetmet gjëra të qarta për të janë drita që pa dhe zëri që dëgjoi. Çfarë paradoksi: pikërisht kur dikush e kupton se është i verbër, fillon të shohë!

Pas shkëlqimit në rrugën e Damaskut, Sauli do të preferojë të quhej Pal, që do të thotë “i vogël”. Nuk bëhet fjalë për një pseudonim ose një “emër arti” – kaq shumë i përdorur në ditët e sotme edhe mes njerëzve të zakonshëm: takimi me Krishtin e bëri të ndihej me të vërtetë kështu, duke shembur murin që e pengonte të njihte veten në të vërtetë. Ai pohon për veten e tij: “Unë jam më i vogli ndër apostujt; unë nuk jam i denjë as të quhem apostull, sepse e kam përndjekur Kishën e Hyjit (1 Kor 15, 9).

Shën Tereza e Lisieux, si shumë shenjtër të tjerë, i pëlqente të përsëriste se përulësia është e vërteta. Në ditët e sotme shumë “histori” zbukurojnë ditët tona, veçanërisht në rrjetet sociale, shpesh të ndërtuara artistikisht me shumë skena , telekamera, sfonde të ndryshme. Kërkohet gjithnjë e më shumë  të qenit në qendër të vëmendjes, të shumëdijshëm, për t’u treguar “miqve” dhe ndjekësve një imazh të vetes që ndonjëherë nuk pasqyron të vërtetën. Krishti, drita e mesditës, vjen për të na ndriçuar dhe rikthyer autenticitetin tonë, duke na çliruar nga të gjitha maskat. Ai na tregon qartë se kush jemi, sepse na do ashtu siç jemi.

 

Të ndryshosh perspektivë

Kthimi në besim i Palit nuk është kthim mbrapa, por hapje drejt një perspektive krejtësisht të re. Në fakt, ai vazhdon udhëtimin drejt Damaskut, por nuk është më i mëparshmi, është një person ndryshe (khs. Vap 22,10). Mund të kthehesh e të ripërtërihesh në jetën e zakonshme, duke bërë gjërat që bën zakonisht, por me zemrën e shndërruar dhe motivime të ndryshme. Në këtë rast, Jezusi i kërkon shprehimisht Palit të shkojë deri në Damask, ku ishte drejtuar. Pali bindet, por tani qëllimi dhe perspektiva e udhëtimit të tij kanë ndryshuar rrënjësisht. Tani e tutje, do ta shohë realitetin me sy të rinj. Më parë ishte përndjekës ekzekutues, tani e tutje do të jetë dishepull dëshmitar. Në Damask, Anania e pagëzon dhe e prezanton me bashkësinë e krishterë. Në heshtje dhe në lutje, Pali do të thellojë përvojën e tij dhe identitetin e ri të dhënë nga Zoti Jezus.

 

Mos e humb forcën dhe pasionin e të rinjve

Qëndrimi i Palit para takimit me Jezusin e ringjallur nuk është aq i huaj për ne. Sa forcë dhe sa pasion jeton edhe në zemrat tuaja, të dashur të rinj! Por nëse errësira rreth jush dhe brenda jush ju pengon të shihni siç duhet, rrezikoni të humbisni në beteja të pakuptimta, madje të bëheni edhe të dhunshëm. E për fat të keq viktimat e para do të jeni ju vetë dhe ata që janë më pranë jush. Ekziston edhe rreziku i luftimit për kauza që fillimisht mbrojnë vlera të drejta, por që, pasi zhgënjejnë, bëhen ideologji shkatërruese. Sa të rinj sot, ndoshta të shtyrë nga bindjet e veta politike a fetare, përfundojnë të bëhen instrumente dhune dhe shkatërrimi në jetën e shumë njerëzve. Disa, digjitalë vendas, gjejnë në mjedisin virtual dhe në rrjetet sociale fushën e re të betejës, duke përdorur në mënyrë të paskrupull armën e lajmeve të rreme për të përhapur helme dhe për të shkatërruar kundërshtarët e tyre.

Kur Zoti hyn në jetën e Palit, nuk e asgjëson personalitetin e tij, nuk e fshin zellin dhe pasionin e tij, por i përdor këto cilësi të tij për ta bërë ungjillëzuesin e madh deri në skajet e tokës.

 

Apostull i jo-hebrenjve

Pali më pas do të njihet si “apostulli i jo-hebrenjve”: ai, i cili kishte qenë një farise skrupuloz që respektonte Ligjin! Ja një tjetër paradoks: Zoti e e vë besimin e tij pikërisht tek ai që e përndiqte. Ashtu si Pali, secili prej nesh mund të dëgjojë në thellësinë e zemrës këtë zë që i thotë: “Kam besim te ti. E di historinë tënde dhe e marr në duart e mia, së bashku me ty. Edhe pse shpesh ke qenë kundër meje, të zgjedh dhe të bëj dëshmitarin tim”. Logjika hyjnore mund ta bëjë përndjekësin më të keq një dëshmitar të madh.

Dishepulli i Krishtit është thirrur të jetë “drita e botës” (Mt 5,14). Pali duhet të dëshmojë çka pa, por tani është i verbër. Jemi sërish në paradoks! Por pikërisht përmes kësaj përvoje personale Pali do të jetë në gjendje të identifikohet me ata tek të cilët Zoti e dërgon. Në fakt, ai është bërë dëshmitar “për t’ju hapur sytë, e për t’i kthyer prej territ në dritë” (Vap 26,18).

 

“Çohu dhe dëshmo!”

Duke përqafuar jetën e re që na është dhënë përmes pagëzimit, edhe ne marrim një mision nga Zoti: “Ti do të jesh dëshmitari im!”.  Është një mision përkushtimi, që të ndryshon jetën.

Sot, ftesa e Krishtit drejtuar Palit i drejtohet edhe secilit prej jush, të rinj: Çohu! Nuk mund të qëndrosh në tokë e “duke u qarë”, po të pret një mision! Edhe ti mund të jesh dëshmitar i veprave që Jezusi ka filluar të përmbushë në ty. Prandaj, në emër të Krishtit, unë të them:

– Çohu dhe dëshmo përvojën tënde prej të verbëri që ka takuar dritën, ka parë të mirën dhe bukurinë e Hyjit në veten e vet, te të tjerët dhe në bashkësinë e Kishës që fiton mbi çdo vetmi.

– Çohu dhe dëshmo dashurinë dhe respektin që është e mundur të krijohet në marrëdhëniet njerëzore, në jetën familjare, në dialogun midis prindërve dhe fëmijëve, midis të rinjve dhe të moshuarve.

– Çohu dhe dëshmo drejtësinë shoqërore, të vërtetën dhe moralin, të drejtat njerëzore, të përndjekurit, të varfërit dhe të brishtët, ata që nuk kanë zë në shoqëri, emigrantët.

– Çohu dhe dëshmo shikimin e ri që të bën të vëzhgosh krijimin me sy të mrekulluar, të bën të njohësh Tokën si shtëpinë tonë të përbashkët dhe të jep guximin për të mbrojtur ekologjinë integrale.

– Çohu dhe dëshmo se përvojat e dështuara mund të rindërtohen, se njerëzit tashmë të vdekur në shpirt mund të ringjallen, se njerëzit skllevër mund të lirohen, se zemrat e shtypura prej trishtimit mund të gjejnë shpresën.

– Çohu dhe dëshmo me gëzim se Krishti jeton! Përhap mesazhin e tij të dashurisë dhe shpëtimit mes bashkëmoshatarëve të tu, në shkollë, në universitet, në punë, në botën digjitale, kudo.

Zoti, Kisha, Papa kanë besim te ju dhe ju bëjnë dëshmitarë të shumë të rinjve të tjerë që takoni në “rrugët e Damaskut” të kohës sonë. Mos harroni: «Nëse dikush e ka përjetuar vërtet dashurinë e Hyjit që e shpëton, nuk ka nevojë për shumë kohë përgatitjeje për të shkuar dhe shpallur, nuk mund të presë që t’i jepen shumë mësime ose udhëzime të gjata. Çdo i krishterë është një misionar në masën që ka takuar dashurinë e Hyjit në Krishtin Jezus ” (Nxitja Apostolike Evangelii gaudium, 120).  

 

Çohuni dhe kremtoni DBR-në në Kishat lokale!

Ju përsëris të gjithëve juve, të rinj të botës, ftesën për të marrë pjesë në këtë pelegrinazh shpirtëror që do të na çojë në kremtimin e Ditës Botërore të të Rinjve në Lizbonë në vitin 2023. Takimi i ardhshëm, megjithatë, është në Kishat tuaja lokale, në dioqezat e ndryshme dhe eparkitë e botës, ku, në solemnitetin e Krishtit Mbret do të kremtohet – në nivel lokal – Dita Botërore e të Rinjve 2021.

Shpresoj që të gjithë të mund t’i jetojmë këto etapa si pelegrinë të vërtetë dhe jo si “turistë të besimit”! Le të hapemi para surprizave të Hyjit, i cili dëshiron që drita e tij të shkëlqejë në rrugën tonë. Le të hapemi për të dëgjuar zërin e tij, edhe përmes vëllezërve dhe motrave tona. Në këtë mënyrë do të ndihmojmë njëri -tjetrin të ringrihemi së bashku, dhe në këtë moment të vështirë historik do të bëhemi profetë të kohëve të reja, plot shpresë! E Lumja Virgjëra Mari ndërmjetësoftë për ne!

Romë, Shën Gjoni në Lateran, më 14 shtator 2021, Festa e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë

FRANÇESKU

Comments are closed.

« »