Një ditë mbi heshtjen, kundër zhurmës dhe britmës

Nov 22 • Opinion

TV gjithmonë të ndezura, makina gjithmonë në lëvizje: është triumfi i civilizimit të zhurmës. J’accuse[1]e Andreolit.

 

Nga Vittorino Andreoli

 

«Tani dëshiroj të merrem me ata që nuk vrasin, që nuk përbëjnë lajm, që i ndihmojnë të afërmit. Dua të kuptojë: pse e bën?». Një deklaratë që na befason, kjo që psikiatri Vittorino Andreoli e kishte lëshuar në një intervistë me gazetën “Avvenire”, në fillim të muajit qershor. Disa javë më vonë, një tjetër befasi: Andreoli – intelektual i shpallur “laik”, i njohur për vlerësimet e tija të tmerrshme në episode të ndryshme kronikash, në mes të cilave edhe ajo e vrasësit të Pietro Maso – fillonte bashkëpunimin e tij me “Avvenire” me një seri ndërhyrjesh mbi temat e mëdha të përshpirtërisë dhe të kulturës bashkëkohore. Sot, pas dhjetë muajsh, kjo seri ndërhyrjesh të psikiatrit të njohur, përfundon. Çdo javë, takimi i së martës mes lexuesve tanë dhe shkrimtarit-psikiatër, është bërë gjithnjë e më shumë i pritur dhe plot pasion, ashtu siç tregojnë dhe dëshmojnë letrat e panumërta të lëvdatave dhe falënderimeve që kanë ardhur në redaksi. Ja një listë e argumenteve në të cilat Andreoli ka ndërhyrë: e mira, ndjenja e fajit, kulti i trupit, mirëqenia e mendjes, vdekja, religjionet e mëdha, dialogu mes fesë dhe arsyes, tragjedia amerikane, frika pa përse, shpresa, falja, dëgjesa, edukimi dhe respekti, mrekullia e lindjes, gëzimi, dëshira, luksi dhe modat, sinqeriteti, indinjata, dyshimi dhe sot heshtja.

 

Heshtja në kohën e së tashmes ka vdekur, e askush nuk duket se dëshpërohet apo e ndjen humbjen. Heshtja tremb, e zhdukim vetëm kur na vjen mendimi se ajo mund të na rrethojë. Përkundrazi, ndjehet magjepsja e zhurmës, e asaj pranie të vazhdueshme që formon skenarin, habitati[2] i vërtetë i njeriut në mileniumin e tretë. Zgjedhja nuk ekziston mes heshtjes dhe zhurmës, por në mes të mijëra zhurmash të mundshme. Persona të ndryshëm kërkojnë kombinime të shumta: zhurmat e papastërta apo vallëzimi i këtyre në krahasim me të cilat një tërmet apokaliptik duket sikur një tingull i harpës.

Në diskoteka nuk dëgjohet muzikë por zhurmë, dhe është e panevojshme të na vënë në dijeni mbi rrezikun e decibelëve[3], apo nga rreziku i lëndimit të veshit: zhurma pëlqehet. Është një stimulues sikurse një ilaç magjik. Plazhat e Adriatikut, të mbushura gjatë verës sikurse me milingona, nuk shfaqin një gjendje fati, por një zgjedhje të këndshme: afër njëri tjetrit, secili brenda zhurmës së tjetrit: një bashkëndarje zhurmash që i bashkon çadrat dhe bën të dëgjohet një familje e vetme e britmës.

Mali ishte vendi i heshtjes, me hapësirat e tija të pafundme, me shkëmbin që bashkohet me qiellin dhe të amshuarën, e tani është një koncentrim i çmendur makinash dhe trupash përgjatë rrugës që qëndrojnë afër makinave të parkuara me radio të ndezura, gojë që bërtasin. Pak hapa larg rrugës nuk qëndron askush dhe ajo heshtje duket se është humbur. Kërkohet zhurma. Identiteti i këtij civilizimi është zhurma. Televizori në shtëpi është gjithmonë i ndezur. Ekzistojnë persona që nuk e ndalin as gjatë natës. Kanë nevojë për atë sfond që jep siguri dhe videot e kanë zëvendësuar edhe ëndrrën, që tanimë është jashtë nesh dhe flet mbi tjetrin. Nuk është më një pasqyrë e sekreteve tona të brendshme, e misterit që vlon brenda nesh. Është zbuluar, apo më mirë të themi, është zëvendësuar nga një zhurmë.

Studentët lexojnë Aristotelin me muzikë rock, për matematikë preferohet muzika metal. Simfonia është shumë e ëmbël, do të duhej ta rishkruajmë duke i zëvendësuar violinat, flautët, trombonin në veçanti, dhe timpanin.

Në shtëpi ka aq shumë zhurmë, pak fjalë – e sidoqoftë – heshtje asnjëherë. Theksi vlen për heshtjen fizike, e krijuar nga mungesa e zërave dhe zhurmave të cilat mund t’i kap veshi i njeriut, por objektivisht, edhe nga një fonograf. Por, ekziston edhe një heshtje e brendshme që ka të bëjë me zbrazjen e botës së jashtme, që hyn brenda nesh e që na mundëson të kuptojmë më mirë çka ka në ne. Heshtja e meditimit: ka vdekur edhe ajo. Mjafton ta shohim funksionin e një telefoni mobil. Një instrument mbijetese, një objekt i çmendurisë. Në tren dikush është i detyruar të rrijë si i ngrirë, mund të mendoni ju, por nuk mundet e atëherë e thërret dikë, nuk ka rëndësi kush apo pse, rëndësi ka të prishet heshtja e të bëhet pak zhurmë, për të cilën në fund të fundit, të gjithë janë të lumtur.

Ekziston një heshtje jashtë nesh, ajo e shkretëtirës, ku fryma është e palëvizshme, apo në një kanion të humbur. Ekziston një heshtje brenda nesh që lidhet me paqen e brendshme. Njëra është e kushtëzuar nga tjetra, por jo në mënyrë proporcionale: ekziston edhe kush di të ndahet nga bota, t’i ik.

Nga Afrika më kujtohet heshtja dhe errësira që nuk ekzistojnë më në civilizimin teknologjik. Edhe errësira është pjesë e arkeologjisë: tani ekziston gjithmonë një dritë që ndriçon. Yjet e kanë humbur magjepsjen e tyre. Zërat që e ndërpresin heshtjen në Afrikë duken zëra të mistershëm. Edhe një hienë flet mbi perënditë që banojnë në kokën e njeriut. Më kujtohen netët në fshatrat afrikane ku njeriu reduktohej në dy sy që qëndronin të varur mbi tokë.

Jemi mbushur me zhurmë deri në atë pikë sa nuk e ndjejmë më as zhurmën dhe e kemi humbur vetveten, heshtjen tonë. Bota brenda meje mund të jetë e mbuluar nga ajo përreth meje, dhe heshtja ime e privuar, dhe secili njeri është edhe heshtje, ndoshta është mbi të gjitha heshtje.

Më kujtohen ushtrimet shpirtërore të një kohe dhe i kujtoj si heshtje e brendshme për të dëgjuar një zë tjetër apo një pëshpëritje brenda meje. Më kujtohet, më vonë, edhe nevoja e heshtjes për të menduar, për të ndjekur një rrugëtim idesh, për të hyrë në thellësinë e një meditimi të përqendruar. Më kujtohen ecjet në male, më kujtohen manastiret që dhuronin heshtje.

Por – kujdes – ekziston një dallim i madh mes heshtjes dhe mutizmit. Kush është memec nuk i flet tjetrit, kush është i heshtur i flet vetvetes. Pa heshtjen njeriu është një i çmendur që bredh rrugëve pa e ditur se ku shkon dhe pse lëviz. E ka humbur çdo lloj drejtimi dhe i ndjek gjurmët e zhurmës pa e ditur se nga vijnë, një zhurmë që nuk ka përbrenda asgjë, është vetëm zhurmë, shenjë e diçkaje por jo e çfarë gjëje.

Njeriu i kohës së sotme është i humbur brenda zhurmave të cilat mundohet ti përkthejë në fjalë që nuk kanë kuptim. Fjala në civilizimet antike dhe në kulturat animiste[4]është forcë jetësore: jep forcë. Është mister. Fjala në magji vepron: “male-dicere[5]” sjell fatkeqësi, “bene-dicere[6]” jep guxim dhe lumturi. Fjala nuk duhet të shpërdorohet asnjëherë. Njeriu i urtë flet pak dhe jeton nga heshtja.

Në Krishterim, Fjala ndërhyn në histori dhe bëhet liturgji, krijon pra një kontekst të shenjtë, sakral. Ndërsa bota, hedh breshëri fjalësh, të pakuptimta, që lëndojnë dhe vrasin si të ishin predha të artilerisë së rëndë. Besohet se fjalët kanë kuptim ndërsa janë flatus vocit[7] pa ndonjë kombinim, që nuk është ajo e sintaksës por e kuptimit të njeriut, e vetë ekzistencës.

Fjala si kuptim e jo si zhurmë. Sot, një fjalë nuk ka më histori, nuk lidhet me një tjetër, dhe nuk është incipit[8] për një pastaj. Përdoret fjala që për momentin është më e zhurmshmja, dhe ajo mund të jetë e kundërt me atë që është përdorur: mund të thuhet gjithmonë se na kanë keqkuptuar, kështu fjala nuk ka më kuptim ose i ka të gjitha kuptimet e mundshme. Fjala është zhurmë. Fjala e bërtitur ka efikasitet. Oratori është ai që thotë shumë fjalë, deri në atë pikë sa të formojë një tingull pa kuptim, të josh pa përçuar asgjë.

Kuptimi i botës dhe i njeriut është në heshtjen që nuk është e zbrazët, por kushti për një udhëtim të gjatë brenda të qenurit tonë dhe ankthi i të qenurit, duke e pasur një kuptim e një koherencë. Heshtja gjeneron edhe fjalën, e cila është një mendim, është intuitë, jo një spot, është bisedë me vetveten dhe misterin, jo një kuiz.

Ekzistojnë edhe sëmundjet e të folurit. Në njërën anë maniaku që flet gjatë tërë kohës e nuk di se çka thotë. Flet me një shpejtësi që është e artikulimit të fytit por jo e mendjes. Flet pa e pasur parasysh kokën, pa menduar. Në anën tjetër, i dëshpëruari, nuk flet sepse ka frikë që çdo shprehje është një gabim. Ekziston edhe heshtja normale, e atij që e di se sa e vështirë është të shqiptosh fjalë kuptimplote, dhe sa e lehtë është të fyesh me fjalë, të cilat mund të konsiderohen si neutrale, e atëherë mediton dhe merr kohë para se të shprehet.

«Nuk e ka fjalën e gatshme»: konsiderohet një defekt, ndërsa mund të jetë shenjë e kujdesit dhe një virtyt i madh.

«Ka pak fjalë»: dhe mendohet se ka nevojë për psikolog apo një psikiatër, ndërsa ai lëviz brenda kuptimit të unit të tij, brenda “shpirtit” të tij.

Me rëndësi është të flasësh. Politikani duhet të flasë e ndoshta të mos thotë asgjë: bën obstrukcionizëm[9] të fjalës. Prezantuesi duhet të flasë gjithmonë, thjeshtë për të thënë një mirëmbrëma, por askush nuk arrin ta kap. Në fund të fundit, ai që leh tashmë është njeriu. Banesat janë të përshkueshme nga zhurmat, ato të banjos por edhe ato të fjalëve. Rrugët janë një masakër e makinave dhe fjalëve. Veshët janë plot me dëgjuese që bartin zhurmën e tërë botës, nuk mjaftojnë më vetëm ato të vendit apo shtetit të vet: globalizmi i zhurmës dhe çmenduria e fjalëve. Një çmendinë shurdhuese.

Arrij të ju propozoj një ditë të heshtjes. Por, ndoshta specia do të zhdukej. Në një rast në të cilin një qytet i madh ishte pa rrymë për dy ditë, e kështu e kanë humbur fjalën e televizorëve dhe të radiove, njerëzit janë çmendur, kanë hyrë në krizë tërheqjeje nga fjalët dhe zhurma, dhe kishte shprehje e simptoma më të këqija se ato të heroinës.

Këtë javë mora në dorë një revistë femërore: me 623 faqe. Fjalë dhe fjalë. Gazetat rendisin fjalë pa e menduar kuptimin. Orë të tëra televizive, fjalë mbi mijëra kanale. Një çmenduri e zëshme, e fjalëve. Do të vdesim nga fjalët.

Fjalë të pafundme, pa një mendim, pa as një hije të idesë. Urdhri është zhurma, sikurse ata të fuqishmit që mendojnë se janë të fortë vetëm nëse lëshojnë bomba apo predha që shkatërrojnë. Apo si ata kërkues të kënaqësive, të cilët e mbushin barkun me kënaqësi dhe zbulojnë se janë të gjallë vetëm nga fryrja: flatus vocis. Edhe lutjet janë shumë të zhurmshme dhe me zë të lartë: mendoj Shën Françeskun që, në Porciunkola[10], thotë: O Zot, nuk di të them asgjë përveç se ba ba ba. Heshtja ime – dhe kësaj radhe e pranoj – është ende më e hutuar sepse ende nuk e ka gjetur bashkëbiseduesin tim në qiell. Ndoshta është koha ta kërkoj në heshtje e ndoshta në heshtje dëgjohen fjalë të “jetës së pasosur”.

Dhimbja flet vetëm në heshtje, pjesa tjetër është telenovelë. Mundi nuk ka fjalë. Kam nevojë për heshtje, që ta dëgjojë atë zbrazëti që mund të mbushet vetëm me qetësi.

Kështu përfundojnë, së paku për pak kohë, edhe fjalët e mia në «Avvenire[11]». Kam filluar duke thënë se shkruaja për të kërkuar, tani kam dëshirë për heshtje. Duhet të kërkojë ende por pa bërë zhurmë. Dëshiroj t’u jap lexuesve të mi pak heshtje e uroj të jetë heshtje paqeje./drita.info

 

Burimi: Vittorino Andreoli, Una giornata del silenzio contro rumori e parole gridate, in: Avvenire, nr. 77, 2 prill 2002, i botuar nga: https://www.qumran2.net/ritagli/index.php?ritaglio=3407  

Përktheu: Don Alfred Sokoli

 

—————————-

[1]J’accuse – nga frengjishtja. Shprehje që tregon një akuzë publike, një krahëmbajtje të fuqishme kundër një padrejtësie, një shtypjeje. Një aktakuzë e rëndë. Shembull: të nisim një j’accuse kundër korrupsionit!

[2]Habitat – vendbanimi i krijuar sipas kushteve ku jeton njëri.

[3]Decibel – njësi matëse e nivelit të intensitetit të zërit.

[4]Animizmi – vizioni i botës në të cilin ente jo njerëzore (kafshë, bimë, objekte apo fenomene të pa shpirt) posedojnë një esencë shpirtërore.

[5] Nga lat. flas keq, mallkoj.

[6] Nga lat. flas mirë, bekoj.

[7] Nga lat. frymë e fjalës. Fjalë të pa rëndësishme, që nuk sjellin asnjë pasojë. Shprehja i atribuohet filozofit Roscellino, sipas të cilit konceptet universale nuk kanë kurrfarë realiteti objektiv dhe janë thjeshtë emra.

[8] Nga lat. hapja, nisja, fillimi i një teksti.

[9]Nga ang. obstructionism. Tendenca që me vullnet dhe në mënyrë sistematike të pengohet një aktivitet i veçantë.

[10]Porziuncola – kisha ku shën Françesku kuptoj thirrjen e tij dhe ku kaloj një pjesë të rëndësishme të jetës së tij. Sot kisha e vogël gjendet brenda Bazilikës së Shën Maria e Engjëjve, në Asizi të Italisë.

[11]Avvenire – gazetë e përditshme italiane. Me bazë katolike.

Comments are closed.

«