Imzot Arjan Dodaj, emërohet argjipeshkëv i ri i Argjipeshkvisë Tiranë-Durrës

Nov 30 • Kisha ndër Shqiptarë

Buletini i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, sot në orën 12:00, ka lajmëruar se Papa Françesku ka emëruar argjipeshkëv të ri të Argjipeshkvisë Tiranë-Durrës, ipeshkvin ndihmës të kësaj argjipeshkvie, Imzot Arjan Dodaj.

 

Pasi Papa Françesku ka pranuar dorëheqjen e argjipeshkvit të deritanishëm Imzot George Frendo, për shkak të moshës kanonike, – njofton zyra e Selisë së Shenjtë, Ati i shenjtë e ka emëruar Imzot Arjan Dodaj, deri tani ipeshkëv titullar i Lestrona dhe ndihmës ipeshkëv i të njëjtës argjipeshkvi, argjipeshkëv të ri të Argjipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës.

Ipeshkvi ri Imzot Arjan Dodaj, lindi në Laç të Kurbinit, në Kryediqezën e Tiranë-Durrësit, më 21 janar 1977. Në vitin 1993, pasi kishte kryer shkollën e mesme në qytetin e lindjes, emigroi në Itali. U vendos në Cuneo, ku nisi të punojë.

Më 2007 kërkoi të pranohej në ‘Vëllazërinë Meshtarake të Bijve të Kryqit’, pranë Bashkësisë “Shtëpia e Marisë”, në Romë. Në rrugën e përgatitjes për meshtari, nisi studimet e filozofisë e të teologjisë pranë Universitetit Papnor “Mbretëresha e Apostujve” ku mori titullin e Bakalaureatit.

U shugurua meshtar më 11 maj 2003 nga Papa Gjon Pali II, në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe u inkardinua në Dioqezën e Romës, si anëtar i Vëllazërisë meshtarake të Bijve të Kryqit, në bashkësinë ” Shtëpia e Marisë”.

Pas shugurimit meshtarak kreu detyra të ndryshme baritore. Nga 2003 deri më 2004 ishte zëvendës-famullitar në Famullinë “Shën Domenico Guzman”, në Romë; nga 2004 deri më 2005, Zëvendës-Rektor i Rektorisë  së “San Giovanni della Malva” dhe Kapelan i bashkësisë shqiptare në Romë; nga 2005 deri më 2017, zëvendës famullitar i Famullisë “Shën Rafaeli Kryeengjëll”, në Romë.

Më 2017, me miratimin e ipeshkvit të vet, Kardinalit-Mëkëmës të Shenjtërisë së Tij për Dioqezin e Romës, u transferua si meshtar fidei donum në Kryedioqezën e Tiranë-Durrësit, ku kreu këto detyra baritore: Mëkëmës i përgjithshëm, Famullitar i famullisë të “Zemrës së Papërlyer  të Zojës Mbretëreshë” në Gramëz; Drejtues i baritorisë universitare; Sekretar i dytë i Konferencës Ipeshkëvnore Shqiptare dhe sekretar i përgjithshëm i Sinodit dioqezan.

Qe emëruar ipeshkëv ndihmës i Argjipeshkvisë Tiranë-Durrës më 9 prill 2020 dhe u shugurua më 15 shtator të të njëjtit vit.

Argjipeshkvit të ri Imzot Arjan Dodaj i urojmë shërbim të shenjtë në Kishën e Tiranës!/drita.info

Comments are closed.

« »