Featured Video Play Icon

Papa Françesku: katekistët, dëshmitarë krijues e guximtarë të Ungjillit

Dec 1 • Kisha në botë

Ç’do të thotë të jesh katekist për Papa Françeskun? Në videomesazhin me njetin e lutjes së Atit të Shenjtë për muajin dhjetor, vihet në qendër pikërisht shërbimi, misioni dhe thirrja e katekistëve. Ati i Shenjtë i falënderon katekistët për entuziazmin në transmetimin e fesë, duke i nxitur të kumtojnë Ungjillin me një gjuhë të re, në rrugë të reja.

 

U bë i njohur sot edicioni i ri i Videos së Papës, me të cilin Françesku i beson gjithë Kishës Katolike, njetin e lutjes me të cilin përfundon ky vit. Gjatë muajit dhjetor, Ati i Shenjtë u kërkon të gjithëve të luten për katekistët, duke e njohur punën e tyre si mision të mirëfilltë në shërbim të Kishës. Papa thekson se “katekist do të thotë që ai njeri ‘është katekist’, jo se ‘punon si katekist’”.

 

Gjuhë e re, shtigje të reja

Në këtë periudhë ndryshimesh të mëdha për botën, Françesku falënderon për entuziazmin e atyre të pagëzuarve, që transmetojnë fenë me qëndrueshmëri e gëzim dhe i inkurajon të vazhdojnë ta shpallin Ungjillin “me jetën e tyre, me butësi, me një gjuhë të re, duke hapur shtigje të reja”.

Shembull i një gjuhe të re për katekizimin është pikërisht edhe Videoja e Papës e këtij muaji, e cila tregon katekistët dhe të rinjtë, ndërsa realizojnë një pikturë murale. Me bombola e bojëra, dhjetëra fëmijë dhe adoleshentë – të shoqëruar nga katekistët e tyre – ndihmojnë artistin italian Paolo Colasanti (në art, Gojo), ndërsa riprodhon skenën e larjes së këmbëve, në një mur të famullisë romake të Zojës së Koromotos.

 

Katekisti, shërbesë e lashtë

Që në maj të këtij viti, Françesku pati nënvizuar rëndësinë e katekistëve, duke themeluar shërbesën e tyre laike përmes Motu Proprio “Antiquum Ministerium”. Në fund të vitit 2021, Ati i Shenjtë rithekson edhe një herë rëndësinë e kësaj forme shërbimi, e cila është ruajtur gjatë gjithë historisë së Kishës, duke kujtuar se “shërbimi laik i katekistit është thirrje, është mision”. Edhe sot, siç shpjegon Videoja e Papës, shihet qartë se “në shumë dioqeza, në shumë kontinente, ungjillizimi është kryesisht në duart e katekistëve”, prandaj, “kemi nevojë për katekistë të mirë, të cilët janë njëkohësisht shoqërues dhe pedagogë”.

 

Dëshmitarë me jetën e tyre

Të jesh katekist, vëren Ati i Shenjtë, nuk është punë. Përkundrazi, është fjala për t’i mësuar të tjerët me durim, për t’i shoqëruar, për t’ju kumtuar gëzimin e Ungjillit “pa trumbetuar”, por duke e dëshmuar me jetë, me butësi, guxim dhe krijimtari. Pikërisht për këtë arsye, Papa Françesku i fton të gjithë besimtarët katolikë të “luten për katekistët, të thirrur për të kumtuar Fjalën e Zotit: që të jenë dëshmitarë me guxim e krijimtari, me forcën e Shpirtit Shenjt”. (radio vatikani)

Comments are closed.

« »