‘Mbretëria e qiellit është afër!’

Dec 4 • Meditimi i ditës

4 dhjetor 2021, E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: Is 30,19-21.23-26; Ps 147,1-6; Mt 9,35-38; 10,1.6-8)

 

Prania e Hyjit

Fillo duke marrë frymë thellë, duke pranuar dashurinë e Zotit, dritën e Krishtit, urtinë e Shpirtit të Shenjtë. Nxjerri të gjitha shqetësimet e tua, sfidat e tua dhe frikën tënde. Gjatë kësaj kohe të Ardhjes reflektoj se çka mund të bëj për t’u përgatitur për Zotin.

 

Liria

”Jam i/e lirë”.

Kur i shikoj këto fjalë të shkruara, më duket se krijojnë në mua një ndjenjë mrekullie.

Po, ndjenja e çuditshme e lirisë.

Faleminderit, o Zot.

 

Ndërgjegjësimi

Si jam duke u sjellë me Zotin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
Diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal, o Zot.

 

Fjala e Zotit

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta. Lexoje, dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 9,35-10,1.6-8

 

35 Kështu Jezusi qarkullonte nëpër të gjitha qytetet e fshatrat. Mësonte në sinagogat e tyre: predikonte Ungjillin e Mbretërisë dhe shëronte çdo sëmundje e lëngatë.

36 Kur e pa turmën e popullit, ndjeu dhembshuri për të, sepse ishte e nëpërkëmbur dhe e lënë pasdore si delet pa bari. 37 Atëherë u tha nxënësve të vet:

“Të korrat janë të mëdha, kurse punëtorë ka pak. 38 Lutjuni, pra Zotërisë së të korrave, të dërgojë korrtarë në të korrat e veta.”

1 Pastaj Jezusi i mblodhi rreth vetes dymbëdhjetë nxënësit e vet e u dha pushtetin të mund të dëbonin shpirtrat e ndytë dhe të mund të shëronin çdo sëmundje e lëngatë.

6 Por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit. 7 Gjatë udhëtimit predikoni: ‘Mbretëria e qiellit është afër!’ 8 Shëroni të sëmurit, ngjallni të vdekurit, pastroni të gërbulurit, dëboni djajtë! Falas morët, falas edhe jepni!

 

Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në imagjinatë udhëtoj me Jezusin gjatë kohës kur edhe ai është në rrugë. E pyes çka po i jep aq shumë forcë për t`iu shërbyer të sëmurëve, shumëve nga të cilët të tjerët kishin frikë t`i shikonin apo t`i preknin.
  • Ai flet me mua për mëshirën, kurse unë e lus që zemra ime e vogël të mund të rritet dhe që të jetë e mëshirshme si ajo e tija. E ndiej mëshirën e tij për mua dhe kjo më ngushëllon.
  • Jezusi ka një mision për mua. Kush janë “delet e humbura” të kohës sonë të cilëve do të duhej t`u ndihmoja? A jam mjaftueshëm zemërgjerë për të bërë atë çka kërkon Jezusi nga unë?
  • E dëgjoj edhe një herë pjesën e ungjillit dhe shoh çka po më lë përshtypje.

 

Bashkëbisedimi

Qëllimi i mëshirës së Zotit është që të përhapet në të gjithë botën. Prandaj Jezusi i thërret edhe të tjerët në veprim. Sa e fortë është mëshira ime?

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe që luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lusim bekimin e Zotit për të tjerët, kur kanë nevojë më së shumti. Ka shumë gjëra që mund të bëjmë për të tjerët dhe kjo është gjë e mirë. Por të ndash me të tjerët lajmin e mirë se Hyji është “afër” mund të jetë gjëja më e vlefshme që do ta bëjmë për njerëzit në nevojë.

Ati ynë …

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

« »