Ai na e dha zotësinë të bëhemi bijë dhe bija të Hyjit

Jan 1 • LEXIMET E SË DIELËS, Teologji

E Diela II pas Krishtlindjes – Viti C

    

Leximi i parë   Sir 24, 1-4.12-16

Të urtët e Izraelit kishin profetizuar se Urtia hyjnore duhej të vendoste banesën e saj mes njerëzve. Urtia shfaqet këtu e lidhur ngushtë me Hyjin dhe e dallueshme prej Tij duke u bërë shenjë bashkimi mes Atij dhe njerëzve.  Duke lexuar këtë pjesë me sytë e krishterë Urtia është Jezu Krishti, Fjala që ka “vënë rrënjët e saj në mes nesh”.

 

Lexim prej Librit të Siracidit

Urtia lëvdon vetveten, në Hyjin e gjen nderin dhe do të mburret në mes të popullit të vet, në bashkim të Tejetlartit do ta çelë gojën dhe lëvdohet në praninë e tij: lartësohet në mes të popullit të vet, do të çmohet me nderim në mbledhjen e shenjtë, lavdi do të ketë në turmën e të zgjedhurve dhe në mes të bekuarve do të bekohet. Atëherë më urdhëroi Krijuesi i gjithësisë, Ai që më krijoi mua, paqe i dha banesës sime duke më thënë: “Ngule banesën në Jakobin e merre për pronë Izraelin dhe lësho rrënjë në të zgjedhurit e mi”. Qysh në fillim, para çdo kohe, kam qenë krijuar dhe s’do të mbaroj askurrë! Para tij kam shërbyer në Tendën e shenjtë e kështu kam ngulur banesën në Sion. Kështu më dha pushim në qytetin e dashur dhe pushtetin e kam në Jerusalem. Kështu u rrënjosa në një popull të ndershëm, në pjesën e Zotit, në trashëgimin e tij, dhe banimi im është në mesin e shenjtërve. Fjala e Zotit

 

 

Psalmi  147

 

Ref: Fjala e Zotit u bë njeri e banoi ndër ne

———————————–

Lavdëroje, Jerusalem, Zotin,

madhëroje, o Sion, Hyjin tënd!

Sepse i forcoi shulat e dyerve të tua,

i bekoi bijtë e tu në ty!

———————————–

Ai ua siguron kufijve të tu paqen,

ai të ushqen me palcën e grurit.

Ai e dërgon fjalën e vet mbi tokë,

lajmi i tij vrapon me shpejtësi.

———————————–

Ai ia zbulon fjalën e vet Jakobit,

drejtësitë e gjyqet e veta Izraelit.

Nuk bëri kështu me asnjë komb tjetër:

asnjërit nuk ia zbuloi vendimet e veta.

———————————–

 

Leximi i dytë    Ef 1, 3-6.15-18

Shën Pali lëvdon Jezu Krishtin, Urtësinë dhe Bekimin e Hyjit. Nëpërmjet Krishtit Ati na ka bërë bij të tij në shpirt. Nuk jemi jetimë të braktisur në mes të botës, por duhemi nga Hyji ashtu si jemi. Përballë Hyjit duhet vetëm të braktisim krenarinë dhe mosbesimin për të jetuar në dashuri.  

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin. Në të na zgjodhi para krijimit të botës që të jemi të shenjtë e të papërlyer para Tij në dashuri. Ai na parashënoi për vete të jemi bij në shpirt në saje të Jezu Krishtit me pëlqimin e vullnetit të vet për nder të lavdisë së hirit të tij me të cilin na pajisi me anë të Birit të vet të dashur. Prandaj edhe unë, qysh se dëgjova për fenë tuaj në Jezusin Zot dhe për dashurinë kundrejt të gjithë shenjtërve, nuk pushoj të falënderohem për ju e t’ju kujtoj në urata të mia, që Hyji i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i lavdisë, t’ju japë Shpirtin e dijes e të zbulesës për ta njohur Atë; t’ju japë syve të zemrës suaj dritë, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja e tij, begatinë e pakufishme të trashëgimit të tij ndër shenjtër. Fjala e Zotit

 

 

Aleluja.

Lavdi ty, o Krisht, i predikuar ndër paganë; 

lavdi ty, o Krisht, i besuar në botë. 

Aleluja.

 

 

Ungjilli  Gjn 1, 1-18

Hyjin askush nuk e ka parë; Biri i vetëm, Urtia e Hyjit na bëri ta njohim. Në Të Hyji ka marrë një fytyrë njeriu.  Krishti është Fjala, dëftimi dhe zbulimi më i lartë i Hyjit, Ai është Hyji Biri i dalë nga Hyji Atë, Ai u mishërua për të qenë mes nesh dhe për ne dritë dhe jetë, vëllai ynë dhe Shpëtimtari. Kush refuzon Jezusin e Nazaretit, refuzon Hyjin.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte në Hyjin e Fjala ishte Hyj. Kjo ishte në fillim në Hyjin. Prej Saj u bë çdo gjë e pa Të nuk u bë asgjë. E çdo gjë që u bë, e pati në Të jetën e Jeta është drita e njerëzve; e Drita shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi. Qe një njeri i dërguar prej Hyjit. Emri i tij ishte Gjon. Ai erdhi si dëshmitar, për të dëshmuar Dritën, që të gjithë të besojnë nëpër të. Ai nuk ishte Drita, por për të dëshmuar Dritën. Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri, erdhi në botë. Ishte në botë e bota u krijua prej Saj, e bota nuk e njohi. Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan. Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit: atyre që besojnë në Emrin e tij. Këta s’i bëri bijtë të Hyjit as gjaku as prirja e mishit as prirja e njeriut, por Hyji. E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hire të vërtetë. Gjoni e dëshmon Atë. Ai shpall: “Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Ai që vjen pas meje, është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje’!” Vërtet, prej plotësisë së tij të gjithë ne morëm, madje, hir mbi hir. Vërtet, Ligji u dha nëpër Moisiun, porse hiri dhe e vërteta erdhën nëpër Jezu Krishtin. Hyjin kurrë askush nuk e pa: Biri i vetëm, që është Hyj, një natyrë me Atin, Ai bëri të njihet. Fjala e Zotit

 

POROSIA

Madhështia e njeriut (dinjiteti) qëndron në ngjarjen e mishërimit të Birit të Hyjit, që na jep fuqinë të bëhemi bij të Hyjit. Ungjilli na tregon aventurën historike të Krishtit, ‘Fjala’, ‘Biri i Hyjit’, ‘Drita’ e ‘Jeta’. Në çastin ë parë ungjilltari kundron jetën e Fjalës në Hyjin e marrëdhënien e tij me botën.

Në Hyjin “në fillim ishte Fjala”. Kur nuk kishte akoma asgjë, ekzistonte “Fjala”, që prej amshimit, me natyrë të barabartë, por të dallueshme nga Ati, e banonte në Hyjin në një marrëdhënie dashurie. Në çastin e dytë ungjilltari përshkruan ngjarjen thelbësore të historisë së shpëtimit, domethënë ardhjen e Fjalës në botë.

“Vinte në botë Drita e vërtetë”. Jezusi është si një diell që lind për çdo njeri të tokës, duke e shpëtuar, nëse ai e pranon. Por ekziston një fakt tragjik që vazhdon edhe sot: Fjala, që është Dritë dhe Jetë për njerëzit, është e pranishme në botë, mes të tijve, por ata e refuzojnë.

“E Fjala u bë njeri”. Është zemra e mesazhit. Nga njëra anë është Fjala, Ajo që prej amshimit ishte me Hyjin, Hyji vetë, krijues; nga ana tjetër është ‘mishi’, domethënë njeriu i dobët e i vdekshëm. Këto dy ekstreme i ka bashkuar Dashuria e Hyjit. Në çastin e tretë Fjala e mishëruar është soditur në jetën e besimtarëve: “nga plotësia e tij kemi marrë të gjithë”. Jezusi ofron zbulimin e Hyjit-dashuri, që dërgon Birin e vet të dashur, e zbulimin që në Të mund të bëhemi gjithnjë e më shumë bij të Hyjit si Jezusi e me Jezusin.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, në shpirt të Krishtlindjeve të sapo kaluara, t’ia drejtojmë Atit lutjet tona.

L. Të themi së bashku: Na dëgjo, o Atë.

L. O Zot, jepi Kishës sate shtegtare mbi tokë çdo plotësi hiri: që e mbështetur nga fuqia e Shpirtit Shenjt të dijë të shpërndajë në botë fjalën e Jezusit që bën t’i zbulohet njeriut dinjiteti i Birit të Hyjit. Të lutemi.

L. O Zot, udhëhiqi ata që qeverisin kombet: që të bëhen ndërtues të një bote, të themeluar mbi paqen e mbi drejtësinë. Të lutemi.

L. O Zot, mbështeti të krishterët që të besojnë se Hyji është Ati dhe të gjithë njerë-zit janë vëllezër. Të lutemi.

L. O Zot, mbroje këtë bashkësi të mbledhur në emrin tënd: nga pleqtë deri tek fë-mijët, nga të shëndoshët deri tek të sëmurët, nga çdo burrë deri tek çdo grua, që të gjithë të ndjehen bij të Hyjit. Të lutemi.

M. O Atë, që na ke shpëtuar nëpërmjet Birit tënd Jezus, vazhdo të na mbështetësh me diturinë tënde, që të ecim gjithmonë në dritën tënde. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Comments are closed.

« »