MUZA  

Jan 3 • Kulturë, Letërsi

Nga Prend BUZHALA

 

A e kanë krijuesit sekretin e frymëzimit? Cila është ajo muzë që i mban në tension krijues, dhe çka shënon, në heshtjen sublime, muza e tillë? Shkrimtari amerikan Stephen King, muzat i quan metaforikisht fantazma, të cilat vijnë pa i ftuar.

De Rada i drejtohej Pëllumbit të Anakreontit te “Milosau”, Naimi këndonte së bashku me engjëllin e urtësisë te “Historia e Skënderbeut”, i pasuar nga Gjergj Fishta që i drejtohej zanave (“Lahuta e Malcis”), apo nga Lasgushi që artin e sillte nëpërmes Zogut të Qiejve a Frymës së Zotit – që të gjithë ishin të ndërgjegjshëm se po krijojnë një realitet ARTISTIK, një botë arti.

 

1.

Ku t’ia gjejmë “rrënjën katrore” ARTIT, ARTISTIT, FRYMËZIMIT?

Meqenëse nuk ka ndonjë koncept unik për artin, për të bukurën në art, që nga thellësitë e kohëve, që nga autorët antikë e deri te ekspresionistët modernë apo përqafuesve të teorive të intuicionit, mimesisit e deri tek të sotmit, postmodernistët; atëherë qëndron ideja e Umberto Eko-s për VEPRËN E HAPUR, përgjithësisht për konceptin gjithnjë të hapur që e përkufizon edhe nocionin për artistin, krijuesin. Në Bibël Krijuesi i Gjithëpushtetshëm krijon nga asgjëja, ex nihilo sui et subiecti, kurse ARTIFEX (MJESHTRI) përdor diçka që tashmë ekziston, prandaj Hyji, Perëndia, e ngarkon njeriun e të qenit mjeshtër. I Gjithëpushtetshmi, mbasi e kishte krijuar Njeriun (këtë vepër të papërsëritshme), si “përngjasim i Hyjit”, sipas fytyrës a imazhit të vet, e bën dallimin mes Artistit Hyjnor e Artistit Njeri.

Po artisti? Artistik nuk është zejtar. Njeriu është i aftë të krijojë fabrika, karrige, objekte, televizorë, telefona etj etj, por nuk prodhon sipas kërkesave të artit. Krijuesi, artisti, i jep trajtë krijimit të tij, e SHPIRTËZON, aty fut PRIRJET e PERSONALITETIT të tij krijues, komunikon nëpërmes artit me botën përreth . Nëse poeti është krijues, siç janë piktori, kompozitori, arkitekti etj ata krijojnë vepra arti, atëherë mbetet E HAPUR, nëse janë artistë prodhuesit e lashtë antikë të vazove, apo ata të ikonave religjioze mesjetare (që i prodhonin edhe zejtarët). Po aktorët e teatrit e të filmave, producentët e videolfilmave, ata që luajnë në luajnë në bandat muzikore apo në orkestrat e mëdha muzikore? Skenaristët, regjisorët? Ose, bie fjala, shkencëtarët e matematicienët, a janë njerëz kreativë? Gregory Feistid (më 1999) bën përqasjen në mes artistit e joartistit, ashtu sikundër e bën këtë në mes shkencëtarit e joshkencëtarit, duke i karakterizuar artistët si rebelues, emocionalisht labilë dhe impulsivë, më pak të socializuar, domethënë, njerëz që thyejnë tabutë, si “ligjëtarë të lëçitur të botës (Shely).

 

2.

Sigurisht që artisti posedon, në radhë të parë imagjinatën krijuese dhe përfytyrimet, është i hapur ndaj përvojave, është natyrë impulsive, dhe e shqetësuar, emocionalisht i ndjeshëm, ambicioz, i pavarur, dyshues në norma e rregulla, afektiv… Platoni i moçëm thoshte se artistët janë të frymëzuar, janë raca më e çmendur, ata shkruajnë gjëra të bukura, por atë që e shkruajnë, nuk e kuptojnë. Indusët e lashtë thoshin se arti është një DEHJE E KTHJELLËT, e artisti një I DEHUR I KTHJELLËT. Mistifikuesit romantikë e modernë, shpesh artin e tyre ia atribuojnë një frymëzuesi, si Dante Virgjilit, apo Tomas Stern Eliot që ia atribuoi Miltonit. E pra, pikëshikimet janë nga më të ndryshmet, ashtu si janë nga më të ndryshmet (dhe më të mistershmet) edhe udhët e artit e të artistit… Për art ka nevojë secili njeri, ka nevojë secila fushë e jetës. “Besimi ka nevojë për art”, do të thoshte edhe Papa Gjon Pali i Dytë, i cili shkroi një ese studimor të mrekullueshëm, me titullin “Letër dërguar artistëve”.

Porse arti qëndron “përtej gjërave”, një mister që qëndron “në anën tjetër”, mu si Hyji, ku qëndron E Tejetbukura. Një Bukuri e Parrëfyer, si i Tejetlavdishmi. Realiteti i jetës merr formë e përmbajtje në shfaqjet më të thella të artit.

 

3.

Jeta ka shumë ngjyra, por ajo nuk do ngjyrosje të iluzioneve, zbukurim të njerëzve që i adhuron apo për qenien, të cilën i dashuri e dashuron të dashurën e vet me zemër. Jeta nganjëherë shndërrohet në pluhur, dhe, së fundmi, njeriu kthehet me qenien e tij fizike në pluhur, Në baltë, në lëndë fizike, mbasi qenia shpirtërore shkëputet a shuhet nga trupi fizik. Po , që jeta të plotësohet a të realizohet, a i duhet pluhuri i ngjyrosur, balta e bukur? Artisti skulptor e dhuron trajtën e tij nga frymëzimet a nxitjet e brendshme. Piktori i shkëput spektrin e ngjyrave po nga ai vagëllim i brendshëm, mu ashtu sikundër dhe arkitekti, aktori apo kompozitori, pa shtytësen e shpirtërores, nuk bëjnë dot vepër arkitektonike, teatrore/filmike apo muzikore.

Kurse poeti e formëson ndryshe imazhin e jetës; ai nxjerr, nga dhuntia e frymëzimeve të tij krijuese, dashuri dhe paqe, të bukurën, figurën e të madhërishmes dhe zjarrin e drithërimave të brendshme. Secili krijues, pra, mban një marrëdhënie të veçantë me të bukurën, ashtu sikundër, këso përqasjesh, ai i thur në mënyrë të veçantë, edhe me kategoritë tjera, siç janë e mira dhe e vërteta apo ekzistenca dhe mbirealja. Askund, si tek artistët, jeta dhe qenia njerëzore nuk e gëzojnë mishërimin artistik të atributit të shenjtërisë. Para Të Bukurës ne ndalemi dhe mahnitemi, i falemi si hyjnisë, krijimit të përkryer artistik, harmonishëm dhe admirueshëm. Mu ashtu si mahnitemi pafundësisht para Natyrës dhe Gjithësisë, para mistereve të krijimit (hyjnor) -kur i vëmë në veprim SHQISAT tona… Sepse andej na çon Fryma e Adhurimit. Janë ÇASTE kur e ndiejmë atë jehonë të mistershme apo atë fshehtësi krijimi… edhe kur lexojmë, kur kundrojmë a kur dëgjojmë VEPRËN E FRYMËZIMIT TË LARTË…

 

4.

E çka ndodh kur heshtin njerëzit, kur heshtin shtëpitë dhe rrugët? Nga kjo heshtje shkrimtari mëson shumë. Sepse ajo flet përtej secilës situatë. Sa shumë kanë për të rrëfyer shtëpitë e heshtura, rrugët e heshtura…

Njerëzit e heshtur dhe jetët që nuk e nxjerrin asnjë zë! Shkrimtarin atëherë e shikojnë shumë sy, fryma e qenieve të gjalla e ndjek kudo, e shoqëron, i krijon zhurma krijimi në kokë, aty ku ai thur një projekt arkitektonik të ndërliqshëm.

Bie errësira, rrugët bëhen të vetmuara, shtëpitë vetmojnë. Andej vijnë e shkojnë shpirtrat e vetmuar.

Shkrimtari zë pusinë e tij në një qoshe.

Shndërrohet në fantazmë. I vrujojnë ide magjike, i shpërthejnë inspirime për tema mrekullisht të gjetura.

Ai vrapon pas burimit të këtyre frymëzimeve, e burimet e çojnë diku në shkretëtirë, ku ndien etje, ku gjendet i vetëm, duke i dëgjuar rrjedhat e burimeve të nëndheshme…

A e di se në cilat çaste ligjëron frymëzimi, kur ti nuk e pret e kur ti as e qas?

Ky frymëzim të ligjëron edhe kur je i rrëzuar për dhe, krejt i përgjakur a i përbuzur, kur të mbërthejnë në pranga a kur të mbyllin edhe në arkivolin e rëndë të dënimeve… dhe të flet për lumturinë; edhe kur gjendesh në kulmin e lumturisë, të ligjëron për përbuzjen…

Nëse shkrimtari kundron (dhe rend) nëpër botën reale, në çastet e ethshme të frymëzimit të tij ndodh një situatë paradoksale: ai, në fakt, është duke kundruar (dhe rendur) nëpër terratisjet e shtigjeve brenda vetes së tij.

Kur ai kundron njerëzit rrugëve, ai shtron pyetje vetes, se ka ata kanë qenë, ku shkojnë, kurse ato çaste të jetës së tyre, ata i gjejnë tek shkrimtari.

 

5.

Sa herë ta kërkojnë shkrimtarin, ata e gjejnë në secilën kohë dhe në secilin vend. Krijuesi klith brenda vetes: “Udhërrëfyesi im është Kundrimi i Jetës, kurse Mjeshtri im, nga i cili mësoj, janë këto rrugë. Herën tjetër rolin e Mjeshtrit e merr një Histori Rrëfimi. Herë e fundit shfaqet Shenjtëri e Heshtjes, heshtja e hirshme e inspirimit. Heshtja e njerëzve…”

Është thënë që moti: poezinë e mirë e lind pezmi, pezmi/revolta (dhe vuajtja)! E lindin shumë faktorë të ndërliqshëm… e lind MUZA E PEZMIT dhe REVOLTËS (revolta është vlera më e lartë e shpirtit kundruall padrejtësisë e defekteve tjera njerëzore), … deri tek betimi solemn për vlerën më të lartë e të vullnetshme të qenies njerëzore – siç është LIRIA!

Një poezi e revoltës nuk mund të mendohet pa vetëdijen ironike. Vetëdija ironike dhe revoltuese, ndërthuret bukur me vetëdijen artistike… pikërisht pse bëhet zë i zgjuar për situatën në të cilën ndodhet. Është e natyrshme: zemërimi fisnik i poetit shpërthen përmes vargut lirik revoltues… ashtu sikundër që brenda një ritmi poetik që krijon magjishëm botët lirike, mu aty, në këtë vërtitje ritmesh të pasura e harmonike, ziejnë plagët (le t’i quajmë fisnike) dhe një revoltë po aq fisnike që mishëron të bukurën.

Nga tradita jonë, do ta na kujtohen vargjet gjithë revoltë të Çajupit, Fishtës, Migjenit. Poezia e tyre kryesisht është satirike që ngërthen edhe pezëm e revoltë. Çajupi te poezia “Punërat e Perëndisë”, ka një theks të skajshëm revoltues (jo vetëm ndaj religjionit, po ndaj një realiteti të krijuar robërie për aq shumë shekuj):

Si bëre kaqë të mira,

bëre dhe shumë egërsira:

bëre arinë dhe derrë,

bëre… po ç’nukë ke bërë?

Bëre botënë të tërë,

bëre dhe djallë me brirë!

Çdo pun’ e ke bërë mirë,

po një gjë bëre pa mënde

dhe prishe punën tënde:

Kur bëre derr’ dhe arinë,

Ç’deshe që bëre Turqinë?

Se të mos qenkej kjo farë,

bota do të vinte mbarë,

dhe do të lulëzonte,

Shqipëria do t’gëzonte.

Ndërsa Gjergj Fishta karakterizohej me satirën shoqërore të pamëshirshme (vëllimi poetik “Anxat e Parnasit” 1908). Ai po ashtu ishte i lidhur me çështjet sociale të Atdheut. I karakterizuar me guximin për ta thënë të vërtetën, ai e karakterizon shqiptarin pa identitet që shkel mbi gjithçka të shenjtë te poezia satirike “Metamorphosis”. Te poezia ai shpreh revoltën e tij kundër bashkësisë ndërkombëtare:

Shqyptarё, a ndiet? Europa, e mrrutё e ndyt’

Shkёrdhye me Evrej t’Parisit e t’Londonit,

Se ciles dreqi ia plasi tё dy syt’

E marren ma se sheh, njitash n’e s’vonit

E bani gjyq, qi t’nipat e Kastriotit

Shkjevet t’Ballkanit urё t’u rrijn mbas sodit.

Po edhe kundër vetë shqwyipatrëve:

Shka bajn shqyptarёt?….Han fiq e kastraveca

E pijn’mastikё e qesin petlla n’uej;

E ngrehen rrugёs e fryhen si gjeldeca;

E rrin tue kqyrun udhёs ushtarёt e huej

Pale’a kanё ksulen gyp a se kapelё,

A ka uficiali kalin at a pelё.

(…)

Pse per Shqypni qi krajlat po ua shesin,

S’çajn kryet aspak, me sa çaj kryet un’sod

Per shkarpa t’vjetra,qi kam shkye kahmot.

Ah! Turp e marre

Të kësaj natyre janë vargjet e Ali Asllanit që tingëllojnë aktuale edhe sot në revoltën e tij satirike kundër kastës politike të kohës.

Refleksionet lirike (në fluturim), dalin më të hapura, me revoltën e brendshme, universale për fatet e njerëzimit. Dhe ndodhi: nga revolta e shprehur në vetmi, doli revolta e organizuar që përmbysi pushtete dhune e pushtime… deri te mjeshtëria e atyre që dinë të adaptohen në secilën kohë!

Kameleonizëm politik!

I ndershmi e idealisti e kanë të zorshme ta kuptojnë (dhe të pajtohen) me këtë fenomen!

U ka mbetur, kësisoj, të revoltohen!

Diku tjetër, ironizon poezia e Podrimjes për maskat, më tutje ajo e F. Gungës për kameleonët, ajo e Din Mehmetit për identitetin nacional. Lexojmë dhe për figurën e zombit (një mumie që ri-animohet) e hasim shpesh në arte (filma, poezi, pikturë, me shënjimet e situatave të rrezikshme me rrezatime, sëmundje mendore,viruse, aksidente shkencore)… figurë që vjen me semantikën e saj të një situate ankthi, kurse karakterizimet tjera dalin përmes epitetizimeve metaforike.

Folësi lirik (a personazhi lirik) ligjëron gjithë revoltë e pezëm, për shkak të tjetërsimit të skajshëm të kohës me qenie perverse. Për ta përmbysur këtë situatë, personazhi lirik karakterizohet nga skepsa e skajshme:”e pa(për)kryer koha flijimore!!!” (thotë një poete) s’ia vlen as të flijohesh, kur tradhtohesh në ndjesinë e dhurimit të dashurisë…

Revolta ka dhe shpirtin racional.

Dashuria e poetit për Atdheun është e pamatshme, kurse thirrma që buron nga ritmi përsosmërisht dinamik, po ashtu është tejet revoltues. Folësi lirik gjendet në kërkim të një Vetëdije të Zgjuar etnike.

Te tipi i revoltës poetike lexojmë; një zhbërje vlerash, një tjetërsim e ngrysje buzëqeshjesh (metaforikë e anëve të ndritshme të jetës, që po zbehen), kapërdimje, mungesë, ligështim, trilerë që servohen në pjatën e jetës… Poetit nuk i mbetet gjë tjetër, përpos që ta shfaqë revoltën e tij poetike, t’i zhurmojë me heshtjen e tij zërat gjallërorë që mbyten… Poezia triumfon, duke u përbiruar nëpër dramat e brendshme të shpërthimeve të zemërimit që pëlcet nëpërmes heshtjes…

Poeti jokonformist thyen rregullat e çoroditjes e të pengimeve… Figura pezhorative shpërthen në revoltë përtallëse funksionale… për t’i damkosur mu ato dukuri, këto fenomene theqafëse, që kanë humbur vetitë e mira, që janë zvetënuar e prishur keqas, që veprojnë me mendje të prishur. I hutuar nuk është poeti, por me botëkuptime të mjegullta e të paqarta janë pikërisht ky soj nga rrethi ynë shoqëror. Poeti e bart tronditjen e realitetit të çorientuar në vargun poetik, me revoltë karakteristike poetike… me ritmin e protestën e traditës sonë më të mirë poetike, atë të Nolit e të Ali Asllanit… Revolta e personazhit lirik shfaqet e sertë…

Dëgjojmë jehonën e revoltës e të zërit të patundur…

Lexojmë: një revoltë pëlcitëse satirike kundër monstrave shoqërore.

Kjo kohë i ka revoltuar së tepërmi poetët, për ta epitetizuar esencialisht e tematikisht këtë situatë si KOHË E LIGË, KOHË E MOHUAR, KOHË E LIGË PËR LIRIKËN, KOHË E PAKOHË…

Në këso situatash, koha na është kaq absurde, kaq jonjerëzore, kaq qenie-gjymtuar… Poetët, prandaj, shpërthejnë në zemërimin e tyre fisnik artistik.

 

6.

Te poema e Beqir Musliut kushtuar Skënderbeut, hapja bëhet me dy poezi: me Lahutën e me Prologun. Lahuta ka të bëjë me mitin tradicional shqiptar të frymëzimit epik popullor, kurse Prologu realizohet në trajtën e dialogut mitik me muzat, me historinë e me legjendën. Këto figura duan ta shenjojnë temën epike, poentën e këndimit tejet të rëndësishëm e tejet serioz epik. E shkruar në standardin letrar të gegërishtes, e cila përdorej si gjuhë shkrimi e krijimi, në atë kohë (të mos harrohet se gegërishtja është edhe gjuhë e këndimit epik); ky shpalim i historisë, i legjendës, i mitit për frymëzimin epik etj bëhet nëpërmes përdorimit të një leksiku karakteristik artistik. Ai sa e sa herë iu drejtohet muzave, Elikonit (Helikonit), Lahutës, Zanave, Parnasit, Homerit, Pegazit; përdor leksikun e epikës shqiptare, tek iu drejtohet shqipes, figurave nga legjendat shqipare, personaliteteve historike shqiptare dhe vetë historisë. Ligjërimi poetik përdoret në trajtën më të ndërlikuar artistike, siç janë strukturat letrare të sonetit e të kurorës sonetike. Sado që soneti është trajtë klasike e zhanrit poetik, megjithatë poeti Musliu, idealin klasik të artit e të ideve e tujg me strukturat figurative-ritmike e shprehëse të rrymave letrare moderne. Prandaj, edhe në këtë këndim ai dëshiron të mbetet i veçantë, të mbetet vetvetja, krejt i ndryshëm nga poetët tanë të traditës. E megjithatë, lahuta e zanat, a nuk t’i përkujtonin jo vetëm këngët epike shqiptare, po edhe paradigmën letrare që vinte nga Fishta i ndaluar në atë kohë, kur ndodhi për këtë shkak edhe burgosja politike e poetit Beqir Musliu? A nuk është një peng këndimi personal e i lidhur me poetin, për të cilin flijoi diçka nga rinia e tij, edhe poeti?

Te epoezia e librit poetik të Qerim Ujkanit “ËNDËRR E HAPUR”, Muzat ligjërojnë nën zjarrin e tmerrit të luftës, aty dikund ku shkruhej “ditari i vdekjes” për 78 ditë me radhë, sepse te e fundit poezinë e shkruan ai që i beson asaj (poezia “ Të falem, poezi”). E kënga e poetit, ashtu si trajthet në letërsinë botërore, na ligjëron se lufta është signum (shenjë e kryeshenjë) e të gjitha kohëve, vendeve dhe epokave. As poezia e Ujkanit nuk ka se si t’i ikën njatij dimensionit të përjetshëm të kohë-hapësirave: ndryshe, nuk ke si t’i konceptosh ato kohë lufte, pos si pamje mitologjike mbi domosdoshmërinë e mbajtjes në këmbë të ekzistimit. Posi në legjendat, në këngët kreshnike a në predikimet e kallëzimeve të shenjta; edhe në poezinë e Ujkanit lufta është pjesë e Thesarit të Historisë, është imazhi onologjik që e ka përcaktuar thelbësisht gjithnjë qeniesinë tonë. Ky diskurs për luftën i ka dekodimet e veta të prera, poezia i realizon konotacionet semantike mbi luftën në shumësinë e saj metaforike e figurative.

Sabri Hamiti është poet i vlerave të parme estetike, poetike e tematike; poet i sprovave të rënda kohore, shpirtërore e mendore, poet i këndimit të thyerjeve të mëdha që ndodhën në etninë shqiptare. Është poet i tragjikës. Këto vlera të parme të librit poetik “Sympathia/ testamente për Urtakun”, i kapërcejnë shkëlqimet e çastit e të shpërthimeve euforike të jo pak krijuesve tjerë.

 

7.

Pasionet e interesimet e artistit për artet janë të shumëllojshme e të shumëfishta. Aty ku pushonin zërat orfeikë të muzës poetike, do të ligjëronte Pegasi i pikturës, aty ku muza e Melpomenit dilte nga korniza e letërsisë dramatiste të librit, flet aktori e regjisori. Prandaj, kortezhi i muzave do ta ndjekë artistin gjatë tërë jetës. Gjithsesi, krijimtaria e tij në shumë fusha të artit: në letërsi, në artet figurative, në artin e skenës e të filmit dhe në fushën e jetës kulturore, do ta nxisë kureshtjen hulumtuesit e të studiuesit të ardhshëm për të gjurmuar strukturat e veprës artistike, nga njëra anë, si dhe kontekstin shoqëror të kushtëtimeve të ndërsjella të këtyre arteve, nga ana tjetër. Sabriu pikësynon ta ruajë tërësinë e librit. Vijnë vetëshqyrtimet, vetësprovimet. Vijnë ruajtja e subjektivitetit, ruajtja e Unë-it të Jetës dhe e Unë-it poetik. Kënga mbetet Shpresë dhe Ngushëllim, Strehë e vetvetes dhe e Shpirtit. E përsëri poezia është një “këngëtim” i tipit të ferrit dantesk: gjithnjë lindin vuajtje të reja, gjithnjë të kaplojnë dyshime të tjera, të mbërthejnë pyetje që nuk kanë fund.

Vetëm krijuesit e mëdhenj, këta ëndërrimtarë të pandreqshëm, si thotë një poet, kanë arritur t’i realizojnë e t’i ndërtojnë sintezat e suksesshme në mes letërsisë dhe realitetit shoqëror, artit dhe politikës; në mes jetës njerëzore dhe artit, në mes kombit dhe krijimtarisë artistike, në mes të vizioneve për humanizmin e demokracinë dhe të esencave estetike. Nëse problemet e çështjet njerëzore shënjohen nëpërmes Sfinksit antik, që shtron enigma për zgjidhje, zbërthyesi i tyre shënjohet nëpërmes Edipit, kurse privilegji i krijuesit iu jepej perëndive e pajtoreve të arteve, muzave, që ua sjellin frymëzimin.

Te poetët tanë shpesh na bie ta lexojmë poezinë që i këndon Orfeut e Euridikës, që i këndon dashurisë dhe këngës (miti mbi Euridikën dhe Orfeun, drenusha e shtrirë buzë lumit); i këndon përpjekjeve për të çarë përpara në jetë. Zërat orfeikë të muzës poetike identifikojnë plotësisht dashurinë dhe këngën. Orfeu është simbol i luftëtarit, i cili i shkel ndalesat, tabutë, për ta parë të padukshmen. Por ai është edhe simbol i artistit të madh, sepse vetëm artisti mund ta shohë të padukshmen, vetëm ai është i përgatitur ta paguajë haraçin më të madh për këtë guxim./drita.info

(2 janar 2022)

Comments are closed.

« »