Featured Video Play Icon

Papa: liri fetare do të thotë t’u japësh vlerë ndryshimeve ndërmjet vëllezërve

Jan 5 • Kisha në botë

Në videon me njetin e lutjes për muajin janar, kushtuar luftës kundër diskriminimit fetar, Papa Françesku thekson se është çnjerëzore që edhe sot, shumë njerëz persekutohen “sepse e deklarojnë fenë e tyre publikisht”. Ati i Shenjtë kërkon që ata të gjejnë “në shoqëri”, “dinjitetin, i cili lind nga të qenit vëllezër dhe motra”

 Liri fetare nuk do të thotë vetëm të jesh i lirë për të deklaruar publikisht fenë “në ditën e caktuar nga librat e shenjtë”. Liria fetare na jep mundësinë “ta vlerësojmë tjetrin, pavarësisht nga ndryshimet dhe ta shohim si vëlla të vërtetë”. Megjithëse dallimet fetare mund të jenë thelbësore, ato nuk mund ta errësojnë “unitetin e madh” dhe gëzimin e të qenit vëllezër, pasi “ose jemi vëllezër, ose humbasim të gjithë”. Kjo është thirrja për vëllazërimin universal, që Papa Françesku e thekson sërish në videomesazhin, me të cilin, siç bën çdo muaj, paraqet ndjetin e lutjes për janarin, kushtuar luftës kundër diskriminimit dhe persekutimit fetar.

 

Edhe sot, pakicat fetare diskriminohen

Në “Videon e Papës”, që hap vitin e shtatë të nismës së Rrjetit Botëror të Lutjeve të Papës, Françesku thekson se është themelore t’u jepet fund kufizimeve të shumta, që hasin njerëzit kur pohojnë me zë të lartë fenë e tyre. Mesazhi i tij hapet me dy pyetje të drejtpërdrejta, të cilat kërkojnë përgjigje nga të gjitha qeveritë e botës. “Si është e mundur – pyet Ati i Shenjtë – që aktualisht, shumë pakica fetare vuajnë nga diskriminimi apo persekutimi? Si lejojmë që në këtë shoqëri kaq të qytetëruar të ketë njerëz, të cilët persekutohen thjesht pse deklarojnë fenë publikisht?” Kjo, komenton ai, jo vetëm që është e papranueshme, por “është çnjerëzore, është çmenduri”.

“Liria fetare nuk kufizohet në lirinë e kultit, domethënë në faktin se njeriu mund të ketë një kult në ditën e përcaktuar nga librat e tij të shenjtë, por na bën ta vlerësojmë tjetrin me gjithë ndryshimet dhe ta shohim atë si vëlla të vërtetë”.

 

Dallimet ndërmjet feve të mos e turbullojnë vëllazërimin

“Si qenie njerëzore – sqaron Papa Françesku – kemi kaq shumë gjëra të përbashkëta sa mund të jetojmë së bashku, duke i pranuar ndryshimet me gëzimin e të qenit vëllezër”.

“E, një ndryshim i vogël, ose një ndryshim thelbësor, siç është ai fetar, të mos e errësojë unitetin e madh të të qenit vëllezër”.

 

Një e drejtë që të gjitha shoqëritë duhet ta njohin

“Të zgjedhim rrugën e vëllazërimit – është thirrja e tij e fundit – pasi ose jemi vëllezër, ose të gjithë humbasim”.

“Të lutemi që të gjithë njerëzit, të cilët vuajnë diskriminimin dhe persekutimin fetar, të gjejnë në shoqëritë ku jetojnë njohjen dhe dinjitetin, që vjen nga të qenit vëllezër dhe motra”.

 

Pamjet e fuqishme të “Videos së Papës”

Në videon e Papës, përkthyer në 23 gjuhë e përhapur në 114 vende, shihet një kryq i hequr me zemërim nga muri; një person me veshje aziatike, i detyruar të fshehë një libër të shenjtë që e lexon, ndërsa dikush i troket me dhunë në derë dhe; një kishë e shkatërruar dhe e dhunuar, me një shtatore të Virgjërës Mari me kokë të prerë, si ato të Rrafshit të Ninives në Irak, pas pushtimit të ISIS-it. Por edhe një mysliman, që i duhet të fshehë sixhaden mbi të cilën falet, ndërkohë që afrohen britma jo miqësore, si edhe qirinj, që shuhen papritmas. Videoja mbyllet me pamjet e Papës Françesku, që takohet me myslimanët dhe më pas, me të krishterët e Rrafshit të Ninives dhe me meshtarët katolikë në karrige me rrota, gjatë udhëtimit të tij në Irak, në mars 2021. Shihet Ati i Shenjtë edhe duke ngushëlluar refugjatët myslimanë Rohingya nga Mianmari, gjatë vizitës së tij në Bangladesh, në fund të vitit 2017.

 

Mbështetja e Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”

Thirrja e Papës Françesku në videon, me të cilin paraqet ndjetin e lutjes për janarin, mbështetet kësaj radhe nga Fondacioni papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, misioni i të cilit është të ndihmojë besimtarët, aty ku persekutohen, shtypen ose kanë nevojë për informacion, lutje dhe veprim. Sipas Raportit të fundit mbi Lirinë Fetare në botë, publikuar nga Fondacioni në prill 2021, kjo e drejtë themelore shkelet në një të tretën e vendeve të botës, në të cilat jetojnë rreth 5 miliardë e 200 milionë njerëz, pra dy të tretat e popullsisë së planetit. Po ai raport dëshmon se rreth 646 milionë të krishterë jetojnë në vende, ku liria fetare nuk respektohet. E, nga viti 2020, denoncohet se pakica etnike dhe fetare, veçanërisht me origjinë myslimane, nuk gëzojnë të drejta të plota qytetarie në vendet ku jetojnë. Bota, kërkon Papa Françesku, duhet të jetë e vetëdijshme për këtë, përndryshe, nëse nuk respektohet liria fetare si e drejtë themelore, bazuar në dinjitetin njerëzor të secilit, nuk do të arrihet kurrë paqja e vërtetë. (radio vatikani)

Comments are closed.

« »