“DUA! QOFSH PASTRUAR!”

Jan 13 • Meditimi i ditës

13 janar 2020 – E enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Sam 4,1-11; Ps 44 (43); Mk 1,40-45)

 

Prania e Hyjit

Sa më shumë i drejtohemi me përgjërime Zotit, aq më shumë e ndjejmë praninë e tij.

Prej dite në ditë, gjithnjë e më shumë, na tërheq kah Zemra jote e butë, o Zot.

 

Liria

O Zot, ma ke dhënë dhuratën e madhe të lirisë.
Ma jep hirin që të mund të jem i/e lirë nga çdo formë urrejtjeje dhe padurimi.

Ma kujto, o Zot, se në sytë e tu të gjithë jemi të barabartë.

 

Ndërgjegjësimi

Etërit shpirtëror na këshillojnë që te lutja duhet gjithmonë të fillojmë, duke e vënë vetveten plotësisht në dispozicion të Zotit, duke i kërkuar Atij hirin për të qenë plotësisht i/e hapur ndaj tij: ‘Bëj, o Zot, që të gjitha qëllimet, veprimet dhe aktivitetet e mia të drejtohen pastër vetëm për lavdinë dhe shërbimin tënd.”

 

Fjala

Duke i kthyer ndjenjat tona në veprim praktik është një shprehje solidariteti. Jezusi ishte i mirë në gjetjen e mënyrave për të qenë me njerëz dhe për t`i mbështetur ata dhe ishte një shprehje e gjallë solidariteti. Ai tha po, pavarësisht dhimbjeve dhe vështirësive. Ai u bë njeri, jetoi dhe vdiq për ne – nuk mund të ketë shenjë më të madhe solidariteti se kjo.

Tani dëshiroj ta dëgjoj Fjalën e Zotit me mend e zemër. Vërej se si reagon dhe çka thotë Jezusi i dhembshur.

 

Mk 1,40-45

 

40 Atëherë iu paraqit /Jezusit/ një i gërbulur, ra në gjunj dhe iu lut:

“Nëse do, mund të më pastrosh!”

41 Jezusi pati dhembshuri, shtriu dorën, e preku dhe i tha:

“Dua! Qofsh pastruar!”

42 Dhe aty për aty prej tij u zhduk gërbula dhe u shërua. 43 Jezusi menjëherë e nisi të shkojë, por i urdhëroi rreptësisht:

44 “Shih ‑ i tha ‑ mos i trego askujt, por shko, duku te prifti dhe, për shërimin tënd, kushto çka ka urdhëruar Moisiu ‑ atyre për dëshmi.”

45 Por ai, posa doli, filloi të flasë e ta përflasë ngjarjen, kështu që Jezusi s’mund të hynte më haptas në qytet, por qëndronte përjashta në vende të pabanuara. E njerëzit shkonin tek ai nga çdo anë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

  • Në këtë pjesë të ungjillit, jemi dëshmitarë të një takimi që nuk duhej të kishte ndodhur. Ishte e ndaluar që të gërbulurit t’u afroheshin njerëzve të tjerë. Njerëzit e kishin të ndaluar t`i preknin të gërbulurit. Kështu ishte në kohën e Jezusit. Si e ndien veten kur dëgjon për këtë? A mendon se shoqëria e jonë është kështu tani? A ke qenë në ndonjë situatë ku e ke ndjerë këtë?
  • Ekziston një ndjenjë e madhe besimi në kërkesën e të gërbulurit. Besimi se Jezusi mund ta bënte këtë shërim dhe pranimi se çfarëdo që të ndodhte do të ishte vullneti i Hyjit. “Dua! Qofsh pastruar!” Çfarë të thotë ty ky shkëmbim për bindjet dhe ndjenjat e të gërbulurit, si dhe për ato të Jezusit? A e ke parë këtë model në lutjet e tua prej lypësi?
  • Jezusi e drejtoi njeriun. Njeriu besonte te Jezusi dhe e dinte se mund ta shëronte. Ka shumë histori të tilla në Bibël që ne i njohim mirë. Jezusi ishte i mirë në shërimin e njerëzve. Por a do ta shëroje ti këtë njeri? Duke e ditur se të gjithë këta njerëz do të vijnë pas teje dhe nuk do të linin të qetë as një minutë. A do ta shëroje atë me të vërtetë?
  • Shkrimi Shenjt thotë se Jezusi pati dhembshuri për njeriun. Por ai bëri më shumë se sa të bashkë-ndjente – ai e ndjeu dhimbjen e tij. Ai bëri diçka për këtë. Ai veproi. Përkundër problemeve dhe vështirësive që do t`i shkaktonte, ai bëri diçka për këtë.

A mund t`i kërkosh Zotit të të ndihmojë të thuash “po” sot? Po ty, o Zot, po atyre që janë përreth nesh, që të mund të jetojmë më shumë në solidaritet me të tjerët.

  • Kur ta dëgjosh sërish fragmentin biblik, merre parasysh se si dhembshuria e Jezusit shtrihet te të margjinalizuarit, të mënjanuarit në shoqëri. Vë re sesi shërimi e ka rikthyer njeriun, jo vetëm te shëndeti fizik, por në unitet të plotë me komunitetin e tij. Vendose veten në pozitën e Jezusit. Si ndihet njeriu?

 

Bashkëbisedimi

Ku ke nevojë për një lloj të tillë solidariteti, dhembshurie të Jezusit në jetën tënde?

A ka vende apo raste kur mund të tregosh këtë dhembshuri ndaj të tjerëve?

Kërkoji Zotit të shërimit që ta udhëheqë lutjen tënde.

 

Përmbyllja

Po të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve me ty. Jezus, ti e miraton dëshirën e të gërbulurit: “dua” e jote është përgjigje edhe ndaj dëshirës sonë e gjithë asaj çfarë është vërtetë e rëndësishme për rritjen dhe të mirën tonë.

I gërbuluri e ka ditur se cila ishte nevoja e tij dhe ka besuar që ti, o Jezus, mund t`i ndihmosh. Po të lus me të njëjtin qëndrim, duke mos i fshehur nevojat e mia, duke mos ngurruar t`i  vë para teje dhe duke dëgjuar përgjigjen Tënde inkurajuese.

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë Mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell, ashtu në tokë! – Bukën tonë të përditshme na e jep sot; na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë. E mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i keqi. Amen!

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

«