Zoti e sheh potencialin tënd

Jan 15 • Meditimi i ditës

15 janar 2022 – E shtune, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

(Leximet e ditës: 1 Sam 9,1-4. 10.17-19; 10,1; Ps 21 (20); Mk 2,13-17)

 

Prania e Hyjit

Për të hyrë në praninë e dikujt nevojitet që me sinqeritet t`i afrohem i tillë siç jam.
Në këtë moment, Zoti është këtu dhe më pret.
Zoti më afrohet gjithmonë i pari, dëshiron të më njohë më shumë se miku im më i miri.
Ndalem një moment dhe e përshëndes Zotin që më do.

 

Liria

E lus Zotin që të më ndihmojë

që të lirohem nga mërzitë dhe brengat e mia,

që t`i hapem nëpërmjet kësaj kohe të lutjes,

në mënyrë që ta dua dhe t`i shërbej edhe më shumë.

 

Ndërgjegjësimi

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

Hyji na dëfton veten e vet me anë të shkrimeve të shenjta. Dëgjoje tekstin nga Ungjilli i sotëm
dhe lejoji vëmendjes sate të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mk 2, 13-17

 

13 Jezusi përsëri doli në breg të detit. Populli mbarë shkonte tek ai e Jezusi e mësonte. 14 Duke kaluar andej, pa Levin e Alfeut. Ishte në vendin e pagimit të taksave. Jezusi i tha:

“Eja pas meje!”

Ai u çua dhe shkoi pas tij.

15 Kur, më vonë, Jezusi ishte në tryezë, në shtëpinë e Levit, bashkë me të e me nxënësit e tij ishin ulur në tryezë tagrambledhës e mëkatarë. Vërtet ishin shumë. E ndiqnin edhe 16 disa skribë të sektit të farisenjve. Këta, kur e panë se po hante me tagrambledhës e me mëkatarë, u thanë nxënësve të tij:

“Pse ha me tagrambledhës e me mëkatarë?”

17 Jezusi, kur i dëgjoi, tha:

“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve. Nuk erdha të grish të drejtët, por mëkatarët.”

 

Çfarë dëshiron të më thuash, Zotëri?

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjtë:

 

  • Masa e popullit që e dëgjonte Jezusin ishte e përbërë nga lloj-lloj njerëzish. Shumë prej tyre nuk kishin asgjë të përbashkët, disa madje e shpërfillnin njëri-tjetrin. Do të lus që të krishterët të mund të jenë tolerantë njëri ndaj tjetrit në mënyrën me të cilën Jezusi ka qenë ndaj njerëzve të kohës së vet.
  • Të sëmurët edhe ata në nevojë zakonisht i janë afruar Jezusit me guxim dhe drejtpërdrejt – “farisenjtë e mirësjellshëm” u janë afruar nxënësve të tij. Edhe pse varem shumë nga të tjerët kjo për mua është një kujtim që nevojat dhe pyetjet e mia gjithmonë t`i vë para Jezusit që ka kohë për mua.
  • Jezusi fillon t`i mësojë ndjekësit e tij dhe t`u flasë se ata janë nxënës. Koha e tyre e kaluar me Jezusin është kohë e thithjes së urtisë së tij. Nëse e përcjellim ungjillin, do të shohim se shumica e mësimeve vijnë nga fjalët dhe veprat e Jezusit. Këtu u flet diçka të pazakonshme: që ka ardhur për shkak të mëkatarëve. Ishte zakon i asaj kohe që të ishte e ndaluar të hash me mëkatarë, të kalosh kohën në shtëpinë apo shoqërinë e tyre.
  • Kur ta dëgjosh edhe një herë pjesën e ungjillit, vështroje Jezusin: kah po shkon, me kë shoqërohet, dhe prej kësaj mund të mësojmë çfarë ishte si person. Në lutje vështroji në heshtje veprat e Jezusit. Kjo është mënyra se si na mëson sot.

 

Bashkëbisedimi

Bash po më intereson si i ka shqiptuar Jezusi fjalët: “Më ndiq!” apo: “Eja pas meje!”: si urdhërim, thirrje, pëshpëritje, sfidë përfundimtare? Sido që t`i ketë shqiptuar, ka sfiduar përgjigjen. Lejoji Jezusit që të drejtohet në lutje. Si po e dëgjon zërin dhe thirrjen e tij për të shkuar pas tij: si thirrje e butë apo fjalë e shpejtë? Nuk është me rëndësi se si e ka shqiptuar, gjithmonë është shqiptuar në hapësirën e lirisë dhe zemërgjerësisë personale. Lut për zemërgjerësi dhe lejo që fjalët “Eja pas meje!” të jehojnë në mendjen dhe zemrën tënde.

 

Përmbyllja

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtij meditimi mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Jezusi depërton nëpër nënkuptimet farizeike të konstruktuara me kujdes. Çfarë tronditjeje është dashur të jetë kjo! Levi, njeriu që nuk e donin, i refuzuar nga “të drejtët”, është marrës i hirit dhe faljes zemërgjerë të Zotit. Jezusi e shikon potencialin e tij të fshehur dhe e thërret në miqësi.

Zot, dyfytyrësia, paturpësia dhe shpërfillja nuk kanë vend pranë tryezës sate të miqësisë. Shëroje zemrën time të paturp, që di t`i refuzojë dhe t`i gjykojë të tjerët, në mënyrë që të mund të ulem me ty në tryezë.

Ati ynë, që je në qiell, u shenjtëroftë emri yt, ardhtë Mbretëria jote, u bëftë vullnesa jote, si në qiell, ashtu në tokë!

– Bukën tonë të përditshme na e jep sot; na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë. E mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i keqi. Amen!

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt. Si ka qenë në fillim, ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

Comments are closed.

«