Nga Luljeta Dushi
Më 17 korrik 2024, Papa Françesku ndau me të gjithë letrën e tij mbi rolin e letërsisë në jetën njerëzore. Letërsia sipas tij, ka një fuqi shpirtërore e cila vlen edhe për shëlbimin e njerëzve. Por ka një vepër letrare që përgjatë shekujve të ngarkuar me luftërat dhe gëzimet më të epërme, ka ndikuar më së shumti në formimin shpirtëror të kombeve dhe në trajtësimin antropologjik të personazheve thelbësore të historisë. Ajo është përmbledhja e psalmeve, kanonizuar si pjesë e Biblës qysh në koncilet e hershme. Sigurisht, psalmet janë më shumë se letërsi, por letërsia aty gjen pikat e saja më të larta në rrafshin artistik dhe tregon vlerat më të veçanta estetike të një teksti letrar, vlera këto të njohura edhe nga shën Agustini në botën religjioze si dhe në atë letrare nga John Milton, Philip Sidney madje edhe C. S. Lewis, autor i librit “Reflektime për psalmet”.
Sado ka ndryshuar strukturë dhe përmbajtje përgjatë epokave, burimi i poezisë së përbotshme po u kërkua, do të gjendet, qoftë edhe i shtresëzuar nën disa sipërfaqe, në psalmet e shkruara aq shumë kohë më parë. Kjo është fuqia e një teksti të frymëzuar nga hyjnorja dhe frymëzimi është një nga dhuratat më të mëdha që Hyji i ka bërë njerëzimit. Njerëzit frymëzohen për t’i shkruar së bukurës, dhe Dostojevski ka thënë se e bukura do ta ndryshojë botën, por fati më i madh është i atyre që janë frymëzuar për t’i shkruar vetë Bukurisë, asaj eternales falë së cilës jeta, qysh para se të krijohet, vjen si koncept, dëshirë, ëndërr; materializohet në përmasa konkrete dhe kur vjen fundi, nuk mbaron, por transformohet. Psalmisti e ka këtë fat dhe di ta përdorë më së miri duke e kthyer në dhuratë për të tjerët.
Kjo dhuratë ama ka nevojë të zbërthehet. Kuptimi i saj duhet shpjeguar. Njeriut i nevojitet ta njohë thellësisht mesazhin që ka frymëzuar psalmistin dhe ta kuptojë në thelb natyrën e vetë psalmit. Pse zgjidhen ato fjalë? Pse shkruhen në atë rend? Dhe mbi të gjitha, pse e plotësojnë vetveten, ndonjëherë edhe si profeci, në jetën e personit të Krishtit?
Hapi i parë në zbërthimin e një psalmi është përkthimi i tij. Me shumë mundësi, gjatë këtij procesi e kuptoi natyrën poetike të psalmeve edhe iliri shën Jeronim. Historia e gjuhës së shkruar shqipe ka ecur pa ndarë me historinë e përkthimit të teksteve biblike, mes tyre edhe psalmeve, punë e përfunduar nga dom Simon Filipaj. Është varianti i tij i përkthimit ai të cilit i referohet autori edhe në librin që keni në dorë.
Hapi i dytë është shpjegimi i tyre. Pjesën më të madhe të predikimit të një meshtari, kryesisht e merr Ungjilli i asaj dite. Leximet e tjera bashkë me psalmin shërbejnë për ta kontekstualizuar më mirë mesazhin e Lajmit të Gëzuar që atë ditë Shkrimi i paraqet besimtarëve. Don Antoni, nëpërmjet këtyre vëllimeve mbi psalmet, duket sikur dëshiron të plotësojë këtë hapësirë ku mund të krijohen në mos keqkuptime, të paktën moskuptime. Këtu e merr rëndësinë ky vëllim, njëlloj si paraardhësit dhe sigurisht, edhe pasardhësit: Te ofrimi i një mundësie për t’iu qasur më plotësisht Biblës në tërësi, nëpërmjet njohjes dhe kuptimit të Psalmeve.
Punën baritore, Don Antoni e shtrin edhe në një dimension tjetër, më universal, nëpërmjet librave të tij që me patjetër shërbejnë si mjet ungjillizimi, pra në fund të fundit, mjet për afrimin e shpirtrave me Zotin. Libri, thotë Borgesi, është një zgjatim i mendjes. Por për aq kohë sa psalmet nuk janë vetëm burim i mendjes njerëzore, shpjegimi i tyre është zgjatimi i shpirtit tonë, vendit ku rri i strehuar vetë Shpirt i Zotit./drita.info
(Teksti është parathënie e librit. Titulli është i redaksisë)