Festa e Zojës së Letnicës: dogma, përshpirtëria dhe shenjtërorja

Nga Don Fatmir Koliqi

 

E vërteta e fesë – dogma

Festa “Të Ngriturit e Marisë Virgjër në Qiell” është një dogmë mariologjike në Kishën Katolike. Pio XII,  ditën e të gjithë shenjtërve, në vitin 1950, gjatë kremtimit të meshës, në mënyrë solemne “ex cathedra“ ka shpallur: “Me autoritetin e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe apostujve të lumë Shën Pjetrit dhe Shën Palit dhe autoritetin tim: shpallim, kumtojmë dhe urdhërojmë se Hyjlindësja e pamëkat, Maria gjithmonë virgjër, në fund të jetës së saj tokësore ka qenë e ngritur me trup e më shpirt në lumninë qiellore!“. Me këtë akt solemn apostullik, Pio XII ka shpallur dogmën e re, të katërtën, për Zojën e Bekuar. Kjo e vërtetë e fesë sonë ngërthen në vete jo vetëm të vërtetën për Marinë, por edhe të vërtetën për Jezu Krishtin, sepse dëshmon thelbin e fesë, ngjalljen e Jezu Krishtit. Njashtu, kjo festë e Zojës është për ne siguri e gëzueshme dhe shpresëdhënëse, se të bashkuar me Zojën në fe dhe lutje, do të ringjallemi për t’u takuar me Krishin e ringjallur në Qiell. Të ngriturit e Zojës është po ashtu e vërtetë eskatologjike, sepse dëshmon se jeta e njeriut nuk mbaron me vdekje, por ajo rifiton përjetësinë në qiell. Një e vërtetë mariologjike, kristologjike dhe eskatologjike.

Edhe pse kjo dogmë është shpallur në vitin 1950, kisha që nga shekujt e parë ka besuar në ngritjen e Zojës në Qiell me trup e me shpirt. Të krishterët gjithmonë kanë besuar se Nëna e Jezu Krishtit dhe Nëna jonë qiellore, në çastin e vdekjes ka qenë lumturisht e ngritur në qiell te Biri i vet. Kjo Nënë, e cila ia ka dhuruar trupin Birit të Hyjit – Jezu Krishti, u mishërua nëpërmjet Marisë – trupi i saj i shenjtë s’do të kalbet nën dhé, por lumturisht do të ngritët pranë Shenjtnushmes Trini. Kjo e vërtetë nuk është ide e krerëve kishtar të shekujve të vonshëm, por ka themelet në Shkrimin e Shenjtë dhe në traditën e lashtë, shekullore të kishës. Në Zbulesën e Shën Gjonit lexojmë: “Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kezën me dymbdhjetë yje!“ (Zb 12, 1). Maria është e veshur me diell, me lavdi dhe shkëlqim hyjnor. Ajo është Gruaja mbi gjitha gratë; e denjë të bëhet Mbretëresha e qiellit dhe tokës me kezë dymbëdhjetë yjesh.

 

Përshpirtëria ndaj Virgjërës Mari

Përshpirtëria e katolikëve ndaj Nënës së Jezu Krishtit, Zojës së Bekuar, është e lashtë, dhe daton që nga ditët e para të Kishës. Ajo përherë, deri në ditët tona, ka zënë një vend krejt të posaçëm në lutjet e besimtarëve dhe përshpirtërinë e gjithmbarshme kishtare, që nga Papat e Romës (Papa Shën Gjon Pali II, krejt papatin e vet ia besoi Marisë, me fjalët/moton: Totus tuus – krejt i yti), ipeshkvijtë, meshtarët e deri te besimtari më i thjeshtë, sepse devocioni i vërtetë për Nënën e Zotit është, në të vërtetë, devocion kristocentrik, dhe është i rrënjosur thellë në misterin e Trinisë së Shenjtë, si dhe në misterin e Mishërimit.

Nuk është e tepërt të thuhet se, Maria e ka merituar një nderim dhe devocion kaq të madh, për arsye se Ajo është personi kyç në historinë e shëlbimit, që ka vendosur ardhjen e Shëlbuesit. Të kujtojmë “PO”-në e saj të guximshme dhe plotë fe, për ta lindur Fjalën e Hyjit më fuqinë e Shpirtit Shenjt. PO-ja e saj ishte akti vendimtar dhe akt i pranimit për të filluar epoka e re njerëzore. Ajo ka lejuar të jetë Grua, e cila krejtësisht dorëzohet në shërbim të Fjalës. Trinia e Shenjtë ka ngritur përmes Marisë shatorin/tendën e vet për të qenë Emanuel – Zoti me ne. Maria u bë shator/tendë hyjnore, ku banon Hyji i gjallë, që nëpërmjet saj të mund të realizohet plani i amshuar i Atit; përmes Saj të mund ta takojë përsëri njeriun e rënë dhe të humbur në shkretëtirën e botës. Këtë të vërtetë biblike-teologjike besimtarët e krishterë përherë e kanë ushqyer me një nderim të lartë me përshpirtëri të thjeshtë dhe spontane, duke i thurur asaj vargje urate e poezie, që sot luten në gjithë botën më shumë përkushtim dhe dashuri. Mandej, nuk mund të paramendohet përshpirtëria e një katoliku pa lutjen, përshpirtërinë, devocionin dhe përkushtinë ndaj Nënës Qiellore, Zojës së Bekuar. Zoja është bërë nënë e të gjithëve, Nënë për të pleq e plaka, të rinj e të reja, për të martuar, prindër e për të kushtuar. Ajo është bërë shembull ndjekës për të krishterët e të gjitha kohërave, sa i përket besimit, shërbimit, dhurimit etj. Ajo është siguria jonë, sepse në qiell nuk pushon të ndërmjetësojë për ne te Birin i saj Jezu Krishti.

 

Shenjtërorja e Zojës në Letnicë

Për çdo vit kur vjen 15 gushti, në besimtarët e Kosovës në mënyrë krejt natyrore e kujtojmë Zojën e Madhe apo Zojën Cërnagore – Zojën e Letnicës. S’ka besimtar, që nuk ka dëgjuar për shenjtëroren e Zojës Cërnagore në Letnicë, ndërsa shumica e tyre edhe ka shtegtuar te Ajo. Sepse përshpirtërinë dhe lutjet më të mëdha, që besimtarët tanë ja drejtojnë Nënës qiellore i bëjnë në këtë shenjtërore të ipeshkvisë sonë. Ky vend i shenjtë tërheq mijëra besimtarë nga të gjitha viset e Kosovës dhe bëhet vend-takim i lumtur, oazë shpirti.

Na kujtohen në këtë rast shtegtimet tradicionale, besimtarë të shumtë këmbëzbathur më dhjetëra e qindra kilometra që shtegtojnë të palodhshëm për t’u takuar me Nënën. Kjo traditë e kamotshme është e pranishme edhe në ditët tona. Aty është krijuar një përshpirtëri e thjeshtë dhe e sinqert mariane. Për çdo vit organizohen nëntëditsha dhe triditësha me meshë dhe homeli kushtuar Zojës, lutja e Rruzares në bashkësi dhe individuale, organizimi i procesione me truporen e Zojës, si nderim dhe besim publik ndaj Saj, e shumë përshpirtëri tjera, që besimtarët në mënyra të veta i drejtohen Zojës.

Në shenjtërore, përpos katolikëve, hasim edhe njerëz të besimeve tjera, ortodoksë e myslimanë, të ardhur nga vise të ndryshme. Është mrekulli e këndshme se si Zoja i bashkon njerëzit e të gjitha racave dhe konfesioneve rreth Birit të vet, Jezu Krishtit. Prandaj, Zojën Cërnagore mund ta thërrasim me plotë gojë Nëna e Bashkimit, Nëna ekumenike, Nëna e dialogut. Ajo me butësi e dashuri i përkëdhel të gjithë, i mëson me pedagogjinë e saj të mrekullueshme amnore, se të gjithë njerëzit janë vëllezër e motra, janë bijë e bija të një Ati dhe një Nëne.

Sot në mesin tonë të brishtë e të luhatshëm (kosovar) kemi nevojë për një pedagogji të Zojës, të na mësojë të duhemi mes veti, të na mësojë të dimë të krijojmë shpirt të paqes dhe dashurisë ndërnjerëzore dhe ndërfetare, të na mësojë të jemi kultivues të një qytetërimi të dashurisë, sepse ku s’ka dashuri amnore mariane aty shumë lehtë do të zotërojë dhuna, forca, ideologjitë pushtetëmarrëse dhe lufta. Papa i sotshëm Benedikti XVI, në librin intervistë me gazetarin italian Vittorio Messori, ka shprehur qartë se Maria, Nëna Qiellore “duhet të ketë rolin e baraspeshimit në fe. Sot, më tepër se asnjëherë në historinë e Kishës, duhet ta pranojmë rolin e saj“. Dhe vazhdon: “Është e nevojshme kthimi te Maria, nëse dëshirojmë të ktheheni në të vërtetën mbi Jezusin, Kishën dhe njeriun“.

Në këtë vazhdimësi, edhe ipeshkvijtë tanë dikur dhe tani, që kur ekziston kjo Shenjtërore, kanë kërkuar nga besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë, të shtegtojnë te Zoja e Letnicës për ta lutur Nënën Qiellore për nevoja tona shpirtërore dhe trupore, për kishën tonë dhe për paqe në vendin tonë. Nga tradita e lashtë e kësaj shenjtërore dhe trupores së Zojës, kemi dëshmi të shumta se Zoja ka plotësuar dëshira dhe lutje të shumta. Ka dëshmitarë të shumtë që dëshmojnë se me qindra njerëz shtegtar kanë gjetur te kjo Zojë Nënën, që i plotëson lutet e tyre dhe janë kthyer në vendet e veta me qetësi shpirtërore, të penduar, madje edhe me kthim kah Jezu Krishti. Kjo tregon se, Zoja e Bekuar është rruga që të çon te Jezusi, që të tregon dhe të udhëheqë kah Qielli, ku ajo e gëzon lumninë e pasosur bashkë me Birin e vet, me engjëj dhe shenjtër.

Mos ta harrojmë Zojën, të shkojmë edhe ne atje që ta përjetojmë dashurinë e Nënës, butësinë e përqafimit të saj amnor dhe ta dëgjojmë fjalën e saj të ëmbël./drita.info

Shpëndaje: