Nga Fatmir Koliqi
Kujtim
Ditët e 14 – 22 nëntorit në historinë e shkrimit shqip, janë ditë të rëndësishme, që do të mbesim përgjithmonë në kujtesën e popullit shqiptar: janë ditë të Kongresit të Manastirit, ditët e Kuvendit të gjuhës shqipe. Sot, deri sa shkruaj këta rreshta, dëshiroj të kujtoj ata burra të urtë dhe largpamës, që u bashkuan të kuvendojnë për të vendosur për të ardhmen e gjuhës së shkruar, për ato germa që do ta trupëzonin të folurit dhe të menduarit tonë shqiptarë.
Ka shumë për të thënë e për të shkruar, për Kongresin si institucion në vete dhe për delegatët që morën pjesë, por sot dëshiroj ta kujtoj rëndësinë e tij dhe frymën profetike që pati, që shpirtëzojë atë; për të kujtuar, e mos të harruar, gjuhën tonë dhe rëndësinë e kultivimit të saj, si pjesë e pandashme e jetës dhe kulturës sonë.
Kërkim – Qëndrim – Martirizim
Kongresi i Manastirit ishte përgatitur një kohë të gjatë, apo më mirë të themi, kishte pritur një kohë të gjatë. Këtu e kam parasysh një traditë shekullore të kultivimit të gjuhës nga kleri katolik shqiptar. Që prej Imzot Pal Engjëllit, pagëzuesit të gjuhës sonë, e deri te At Gjergj Fishta, homeri shqiptar, kemi një kohë që pamohueshmënisht ishte në kërkim të të folurit e të të shkruarit të përbashkët të shqiptarëve. Është kohë kjo e kërkimit veprues, jo e pasivitetit në pritje. Ishte një ecje në ndërtim e stabilizim të koiné –s arbnore, të përbashkëtës shqiptare, t’u i pas për themel etërit e shqipes, B-të e mëdha – Buzuku-Budi-Bardhi-Bogdani.
Kjo kohë e gjatë e kërkimit, lëvrimit në mundime, e ecjes me plotë gjemba, është një indikacion i veçantë që nuk duhet të harrojmë. Sepse, shkrimi dhe e folmja shqip, ka pasur një histori origjinale dhe specifike. Ndoshta do të njihet si i vetmi rast në botë që, për të arrirë te alfabeti i përbashkët, gjuha dhe shkrimi ynë, i është dashur t’i nënshtrohej martirizimit, të vuaj si është më keq nën pesëshekullorin otoman e pastaj edhe nën komunizmin shqiptar. Është gjuha dhe shkrimi, i cili është martirizuar gjatë, bashkë me subjektin (shqiptarin) e saj që i jep(te) frymë.
Profetizim për të ardhmen
Nga ajo që u tha, mund të nxirret nga ky kuvend edhe një përmasë tjetër; përmasa diplomatike dhe politike. Është një kuvend mbarëshqiptarë. Kur kishte ndodhur për herë të fundit që të mblidhen kokat e kombit, të jenë krejt bashkë për të rrahur çështjet kruciale mbarëshqiptare? Një takim i shqiptarëve pas shekujsh gjenocidi ndaj shkronjës shqipe e alfabetit tonë, ky ishte si një takim shpëtimprurës ndaj komës së madhe osmane që ishte shkaktuar në shpirtin e shqiptarit.
Ky bashkim merr natyrë profetike, duke i paraprirë ngjarjes së madhe – Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Natyra e tij profetike qëndron edhe te zgjedhja e alfabetit latin. Delegatët kishin bërë një përcaktim/vendim përfundimtar, për të ecur drejt djepit të vet natyror, drejt Europës, drejt atij trualli që ishte aq afër gjeografikisht, e që njëkohësisht ishim aq larg shpirtërisht. Ky ishte një akt fatlum, duke e shkëputur kulturalisht e gjuhësisht popullin nga bota orientale, që ishte zhytur për disa shekuj përdhunshëm.
Ky kongres dhe delegatët e tij, në një mënyrë, ishin përgatitësit e aktit të pavarësisë.
A do të mund të mendohej sot, që deklarata e pavarësisë, të ishte e shkruar me një alfabet tjetër, apo me shkronja tjera!? Askush prej shqiptarëve nuk e imagjinon dot një deklaratë me shkronja arabe, greke apo sllave, dhe askush nuk do të mund të parashihte rrjedhën dhe pasojat e saj, që do të mund të dilnin nga një akt i tillë.
Kongresi i Manastirit, fatmirësisht, u bë dhe mbeti simbol i bashkimit të popullit për kulturën dhe mëvetësinë në gjirin e kontinentit europian. Ky kuvend ka shënuar një fillim të ri për shqiptarët, fillim i forcimit të shpirtit, rimarrjes së kulturës, sepse – siç e thoshte At Fishta – “Për hatër të kombit, nuk mund të bëhej ndryshe”./drita.info