Buletini i sotëm zyrtar i Selisë së Shenjë, ka dhënë lajmin e shumëpritur për Kishën Katolike ndër shqiptarë, se shërbëtorët e Zotit At Luigj Palaj dhe Dom Gjon Gazulli, do të shpallen të lumë të Kishës Katolike.
Ky lajm është dhënë gjatë audiencës që Eminenca e Tij, Kardinali Marçelo Semeraro, Prefekt i Dikasterit për Çështjet e Shenjtërve, pati me Papa Françeskun, gjatë së cilës autorizoi Dikasterin të shpallte Dekretet në lidhje me:
Martirizimi i Shërbëtorit të Zotit At Luigj (i lindur Mati) Palaj, meshtar i Urdhrit të Fretërve të Vegjël; i lindur më 20 shkurt 1877 në Janjevë (Kosovë) dhe i vrarë nga urrejtja për besimin më 7 mars 1913 në Pejë.
Martirizimi i Shërbëtorit të Zotit Dom Gjon Gazulli, prift dioqezan; i lindur më 26 mars 1893 në Dajç (Zadrimë) dhe i vrarë nga urrejtja për besimin më 5 mars 1927 në Shkodër.
Kush janë këta dy martirë që dhanë jetën për Atme e fe?
Atë Luigj Palaj (14 prill 1878 – 7 mars 1913)
Atë Luigji lindi në Janjevë, asokohe dioqeza e Shkupit, më 14 prill 1878. Prindërit Toma e Paulina e pagëzuan me emrin Mati. Që i vogël u thirr nga Zoti për rrugën rregulltare në radhët e fretërve të vegjël françeskanë. Studioi në Shkodër, Troshan e Itali, ku më 23 shtator 1896 veshi zhgunin e Shën Françeskut. Kushtet e përkohshme i bëri më 23 shtator 1897, të përjetshmet, më 8 dhjetor 1901. Mbas meshës së parë, më 20 prill 1903, nisi misionin si bari i shpirtrave në Baz, 10 orë larg Lezhës, e njëkohësisht mblodhi lëndën që i nevojitej për ndërtimin e Kishës së re të Gllogjanit.
Nga fundi i shkurtit 1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve katolikë, duke nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Bariu trim u kap e u burgos në burgun e Gjakovës, në sa vizitonte besimtarët e shpërndarë në fshatra të ndryshme, për t’i përforcuar në fenë e të parëve, e cila ishte në rrezik. I kërkuan ta mohojë publikisht këtë fe. E dërmuan me shuplaka e me shkopinj, e pështynë, e fyen, pastaj e nxorën para një gjykate, që e ngarkoi me shpifje. Së fundi, me 52 të burgosur të tjerë, e nisën rishtas për Pejë. Pater Luzi ishte gjysmë i zhveshur, i mbuluar me plagë. Dëshmitarët e kësaj ngjarjeje treguan më pas se ai nuk mund të ecte më. Atëherë nisi të hiqej zvarrë, i ngacmuar, i pështyrë, i shtyrë nga ushtarët.
I mungonte vetëm Kryqi, për t’i përngjarë plotësisht Krishtit. Një pop i bëri thirrjen e fundit të ndërronte fenë, në se nuk donte të humbiste jo vetëm kokën, por dhe shpirtin, i cili do t’i digjej në fund të skëterrës. Ai s’u përkul, nuk u thye as nga mundimet e as nga premtimet. U tregoi atyre njerëzve të armatosur deri në dhëmbë se për të feja e populli i tij vlenin më shumë se vetë jeta. E mbytën më 7 mars 1913, duke e shporuar me bajoneta e kështu e bënë edhe më të ngjashëm me Krishtin e i falën një martir të ri Kishës katolike në Shqipëri.
Gazetat evropiane të kohës, si e përshkruanin këtë ngjarje të shëmtuar, shkruanin: “Nuk mund të mendohet që një punë e tillë të ngjasë në Evropën e shekullit XX”. Gjithsesi askush nuk e luajti gishtin për t’ia prerë rrugën tragjedive të tilla, për t’i dhënë fund martirizimit të të krishterëve në trojet shqiptare. Pas Atë Luzit, mbytur barbarisht nga serbët, do të binin në fushën e betejës për mbrojtjen e Ungjillit të Krishtit disa qindra të tjerë. E Evropa, rishtas me gojë hapur, sikur trojet shqiptare të mos ishin pjesë e saj, do të çuditej duke parë si në Kolosetë moderne bijtë e Krishtit vijonin ta dhuronin pa kursim gjakun për Kishën e tyre, për popullin e tyre, për Atdheun e tyre e, pse jo, edhe për një Evropë më të krishterë, më të mirë! Shumë bujë bëri vdekja e tij. E shumë hetime e bisedime diplomatike shkaktoi.
Më në fund, më 7 tetor 1913, në praninë e Kolonelit austro-hungarez Schueler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze Sposojeviç, Imzot Lazër Mjedës dhe një turme pafund me rregulltarë e besimtarë, u bekua guri i parë i Kishës së re në Gllogjan. Të nesërmën, më 8 tetor 1913, e njëjta turmë u mblodh afër Janoshit, te varri i Atë Lugjit, mbi krye të të cilit ishte vendosur një Kryq hekuri me këtë mbishkrim: “P. Aloysius Paliq, ndërroi jetë në vitin e Hyjit 1913” . Ky vorr, ku Imzot Mjeda kremtoi meshën e parë për shpirt të martirit, është kthyer prej kohe në vend shtegtimi e në të ardhmen urojmë të kthehet në një elter të ri. Martiri fitoi!
Dom Gjon Gazulli (26 mars 1893 – 5 mars 1927)
Dom Gjon Gazulli lindi në Dajç të Zadrimës (Lezhë), më 26 Mars 1893. Pas shkollës fillore në vendin e tij, filloi studimet në Seminarin Papnor të Shkodrës. Në vitin 1912 vazhdoi studimet në Romë, më vonë në Francë, e pastaj edhe në Austri, por jo gjithmonë vetëm për arsye studimi, por edhe për arsye shëndeti. U shugurua meshtar më 4 gusht 1919.
Qe një kundërshtar i vendosur i qeverisë së mbretit Zog, që diskriminonte zonat e Dukagjinit, të Pukës dhe të Mirditës, zona tërësisht katolike. Insistimi i tij për të dënuar një regjim të tillë pati pasoja: më 26 dhjetor 1926 u arrestua. Mjaft shpejt, saktësisht më 2 janar 1927, u dënua me vdekje dhe u var më 5 mars 1927. Fjalët e tij të fundit, të përcjella nga një dëshmitar okular qenë: “Po vdes i pafajshëm. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rroftë Kisha Katolike, Nëna jonë! Rroftë Papa, Ati ynë! Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët e vërtetë!”
Dom Gjon Gazulli (26 Mars 1893 – 5 Mars 1927) u var nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”. Ai që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputeti i opozitës kundër Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër male e madje, edhe se kishte prerë telin e telefonit!? U dënua me varje.
Ekzekutimin e tij e përshkruan në një intervistë me revistën gjermane “Korrespondenz des Priestergebetsve”, oficeri i ngarkuar me varjen e dom Gjonit, Xhemal Dibra: (marrë nga shkrimi i Daniel Gazullit, botuar në “albemigrant”: https://albemigrant2011.wordpress.com/2017/02/15/daniel-gazulli-martiri-i-atdheut-dom-gjon-gazulli/)
“Ishte ora 11 para mesnate. Udhët e Shkodrës ishin endè të rrahuna prej njerëzish, pse ishte Bajram. Dhash urdhën të thirrej famullitari Gàzulli n’oborr, pse donte me folë me të Ipeshkvi. Gazulli zbriti poshtë. E kuptoj çfarë do të ndodhte.
Një françeskan me Sakramend ndej para tij (At Martin Gjoka, shënim i D. G.). … Françeskani kishte mbetë pa gojë. Famullitarit Gàzulli nuk i ndrroi aspak ngjyra e fytyrës… Ai i kapi dorën Atit e i tha: “Pater Martin, tash ke me më Rrëfye”. Ati iu lut ushtarëve të mbledhun për rreth me u largue. Mbasi na nuk u larguem, Ati i tha: – “Dom Gjon, Rrëfeju, pra, latinisht a italisht”. – “Jo, Pater, i përgjegjet Gàzulli, të mbramin Rrëfim due me e ba në gjuhë të Nanës”. E kështu Ai u rrëfye në sy tanë. Na, Muhamedanët, pak marrim vesht kësi sendesh, por mëkat nuk dëgjuem prej gojës së tij. Mandej i dha Ati një bukë të hollë, të bardhë, e rrumbullakët, që e kapërdini me një përshpirtnì të madhe. Ai u dukte se po shndritte krejt fytyret.
Tash u çil dera e burgut, e u nisëm. Ushtarët ishin para, mbrapa e në të dy anët, ma shumë se kurrë. Në mjedis ishte Ai dhe Ati. Gjithë udhën u luten të dy me za të naltë, por unë muejta me vu ore se zani i Atit dridhej, nësa zani i famullitarit tingëllonte i qetë e i qartë. Një trimni kaq të madhe kurrë s’e pash në jetë time.
Kishim arrijtë te vendi i vdekjes, në Fushë të Druve. Aty ishte shtylla e vdekjes.
Magjypi ishte gati me litar në dorë. Një dritë elektrike e shndritte thektas famullitarin në fytyrë. Ai nuk dridhej aspak. Edhe mue më kishte kapë frika. Mue më ishte dashtë me përcjellë edhe të tjerë te ky vend i mjerë, por tash ishte tjetër. Unë kisha gati si nji frikë para qetësisë së këtij Prifti. Ai ishte me të këputme i pafaj. Këte e dijshim të gjithë. Por, urdhni! Unë, sikur asht zakoni, i lash fjalën e lirë. Por ma mirë mos ta kisha ba këte gja! Ai nisi me folë me një za aq të fortë, e me fjalë të drejta e që të këputshin zemrën, sa që mue përnjimend më kapi frika. E ta kisha lanë me shkue gjatë me fjalë, kishte muejtë të gjithëve me na ba me u kthye prej vetit. Mue më duhej me mendue për përgjegjësinë teme. E i thash shkurt: Zotni, s’duem me ndje predke! Foli fjalët e mbrame. Mjaft!
Atëherë Ai çoi zanin edhe ma e tha: Vetë po vdes i pafaj. Rroftë Krishti, Mbreti ynë! Rrënoftë Shqipnia dhe Shqiptarët e vërtetë”.
Na ishim të gjithë të përmalluem fort. Lexova vendimin e dekës. I qe veshë një këmishë e bardhë. Magjypi ia vuni vjekcën e konopit në fyt e i hoq shkambin nën kambë. Ai ishte i vdekun!– Kështu foli kapiteni. Ishte dita e 5 marsit 1927” . (Radio Vatikani)/drita.info