Koncili e Kisha “nënё e dashur e të gjithëve”

Gjashtëdhjetë vjet pas Koncilit Vatikanit II, një rrugëtim që vazhdon

 

Nga Andrea TORNIELLI

 

“Kisha Katolike, duke ngritur përmes këtij koncili ekumenik pishtarin e së vërtetës fetare, dëshiron të tregohet si nënë e dashur e të gjithëve, e përzemërt, e durueshme, plot mëshirë dhe mirësi…”. Kanë kaluar gjashtëdhjetë vjet që kur Papa Gjoni XXIII inauguroi Koncilin e Dytë Ekumenik të Vatikanit. Me një fjalim prej 37 minutash, në latinisht, më 11 tetor 1962, Papa i moshuar, përballë spektaklit të 2449 ipeshkvijve, të ardhur nga mbarё bota, u mblodh së bashku me ta dhe një turmë tё madhe besimtarësh e shtegtarësh që kishte parë duke parakaluar në procesionin e gjatë në Sheshin e Shën Pjetrit, çonte drejt realizimit një ëndërr dhe një frymëzim tё kёrkuar e ndjekur me këmbëngulje.

Papa Roncalli nuk mund ta kishte sjellë në port anijen që atë ditë filloi lundrimin. Vetëm ai, me ritmin e qetë dhe vendimtar të fshatarit e me aftësinë për t’i kapur aspektet pozitive të shenjave të kohës, pati guxuar aq shumë, duke marrë një vendim pёr tё cilin paraardhësit e tij kishin hequr dorë. Vetëm ai pati mundur të hapte koncilin. Dhe vetëm pasardhësi i tij Pali VI e përfundoi veprën e Koncilit II tё Vatikanit, duke pasur sukses në mrekullinë e votimit pothuajse unanimisht të të gjitha dokumenteve konciliare.

Papa Montini do të vuante më pas në dekadën e ardhshme – atë të kontestimeve dhe ndarjeve të brendshme – një “martirizim durimi” për të mbajtur nё mёnyrё të qëndrueshëm timonin e Barkës së Pjetrit, Kishёs, duke shmangur ngecjen në çёshtje tё cekëta për shkak të shtytjeve prapa ose atё tё ndeshjes nё shkëmbinjtë për shkak të ikjeve të pakontrolluara përpara.

Gjashtëdhjetë vjet më vonë, ai rrugëtim konciliar nuk ka përfunduar ende. Papa Françesku, i pari nga pasardhësit e Pjetrit në gjysmën e shekullit të kaluar që nuk e ka përjetuar drejtpërdrejt atë ngjarje kishtare si atë (pjesëmarrës) konciliar apo si teolog, konkretisht ndjek rrugët e asaj ngjarje historike. E bën këtë duke kujtuar se i vetmi qëllim për të cilin ekziston Kisha është shpallja e Ungjillit grave dhe burrave të sotëm.

Magjisteriumi i ipeshkvit aktual të Romës, Papёs, pasqyrohet në fjalët e shqiptuara vetëm gjashtëdhjetë vjet më parë nga Papa Gjoni XXIII: të dëshmosh fytyrën e një Kishe “nënё e dashur e të gjithëve, e mirë, e durueshme, plot mëshirë”, dmth. e aftë për të afërsi dhe butësi, e aftë për t’i shoqëruar ata qё janё në errësirë ​​dhe në nevojë. Një Kishë, pra, që nuk beson në vetvete dhe nuk ndjek fuqinë e kësaj bote apo rëndësinë mediatike, por me përulësi e vendos veten pas Zotit të saj, Jezu Krishtit, duke besuar vetëm nё Tё. (Radio Vatikani)

Fotografia në ballinë: Papa Gjoni XXIII duke e nënshkruar bullën e shpalljes së Koncilit II të Vatikanit.

Shpëndaje: