Papa Françesku:  ta ndërrojmë perspektivën sipas ëndrrës së Zotit

Në audiencën e dytë jubilare të 2025-sës, Papa u ndalua tek “ndryshimi i drejtimit” që lind nga takimi me Krishtitn. Duke i kthyer sytë nga ai, hyhet “në ëndrrat e Zotit” e edhe në shpresë. Shembulli i Marisë Magdalenë, “apostulle e apostujve”

 

Një “ndryshim drejtimi” dhe “perspektive”, për t’i kthyer hapat dhe shikimin drejt Zotit e për të hyrë “në ëndrrat e tij”: këtë shpreson Papa Françesku për çdo burrë e për çdo grua që shtegton mbi tokë në këtë Vit Shenjt shprese. Shpresë, e cila tingëllon fuqishëm në zërat dhe fytyrat e emocionuara të rreth tetë mijë shtegtarëve ardhur nga dioqezat kampane të Casertës dhe të Capues, që sot paradite mbushën Sallën Pali VI. Dy mijë besimtarë të tjerë, të ardhur nga dioqeza e Sulmona-Valvës, në Abruzzo, e ndoqën audiencën jubilare nga Bazilika e Shën Pjetrit. Në fund Papa shkoi për t’i përshëndetur personalisht.

 

Shpresa, që nuk zhgënjen kurrë

“Jubileu – shpjegoi Papa Françesku – është fillim i ri për njerëzit dhe për Tokën; është kohë, në të cilën gjithçka duhet të rimendohet brenda ëndrrës së Zotit”. Kthesa – shtoi – është pikërisht kjo: ndryshimi i drejtimit, vështrimi i gjërave “nga një këndvështrim tjetër”, drejtimi i rrugës “drejt qëllimeve të reja”.

Kështu lind shpresa, që nuk të zhgënjen kurrë (… E edhe për ne përvoja e fesë u nxit nga takimi me njerëz, që  mundën të ndryshojnë në jetë dhe, si të thuash, hynë në ëndrrat e Zotit).

 

Maria Magdalenë, e shëruar nga mëshira e Zotit

Më pas Papa u ndal te figura e Maria Magdalenës, që u shërua nga mëshira e Zotit: “Mëshira e ndryshon zemrën – nënvizoi – e, Marinë Magdalenë, mëshira e ktheu në ëndrrat e Zotit dhe i hapi shtigje të reja në rrugën e saj”. Mbi të gjitha – theksoi më tej Papa – Maria Magdalenë është ajo që kthehet: ajo, që nuk shikon drejt varrit bosh, por drejt të Ngjallurit. E edhe ai kthehet përsëri, kur dëgjon se po ia  thërrasin emrin.

Kështu shtohet shpresa e saj: tani e shikon varrin, por jo si dikur. Mund t’i terë lotët, sepse dëgjon emrin e tij: vetëm Mësuesi e shqipton kështu. Bota e vjetër duket se është ende, por nuk është më.

 

Flakeni poshtë krenarinë, që ju pengon të njihni Jezusin

Pra, nga Maria Magdalenë, “apostulle e apostujve”, mund të mësojmë shpresën, atë që të çon “në një botë të re” nëpërmjet kthesës së vazhdueshme. Prej këndej, pyetja që Papa Françesku ia drejton çdo besimtari:

Ta pyesim veten sot: a di të kthehem dhe t’i shikoj gjërat ndryshe, me një shikim tjetër? A kam dëshirë për kthesë? Një ‘unë’ tepër e sigurt, ego tepër krenare, na pengon ta njohim Jezusin e Ngjallur: e sot pamja e tij është ajo e njerëzve të zakonshëm, që mbeten lehtësisht pas shpinës sonë. Edhe kur qajmë e dëshpërohemi, e lëmë pas. Në vend që të shikojmë në errësirën e së kaluarës, në zbrazëtinë e varrit, nga Maria Magdalena mësojmë të kthehemi drejt jetës. Mjeshtri ynë na pret atje. atje shqiptohet emri ynë!

Në jetën e vërtetë ka gjithmonë një vend për të gjithë, ka gjithmonë një mision për të gjithë, ai që na u caktua nga Zoti. E ky mendim – përfundoi Papa – na ndihmon ta jetojmë jetën me guxim.

 

Përshëndetje për besimtarët e pranishëm

Në përshëndetjet për dy grupet e shtegtarëve të pranishëm, Françesku kujtoi, para së gjithash, vizitën që bëri në Caserta, më 26 korrik 2014:

“Kujtimi i asaj ngjarjeje, përplot me domethënie kishtare dhe shpirtërore,  ringjalltë tek secili dëshirën për ta thelluar jetën e fesë e për të qenë gjithmonë dëshmitarë të shpresës e punëtorë të paqes”.

Besimtarët e Sulmonë-Valvës Papa i inkurajoi për ta kuptuar dhe për ta mirëpritur gjithnjë e më shumë dashurinë e Zotit, “burim dhe arsye e gëzimit tonë të vërtetë”. Më në fund, seminaristët nga Bergamo, gjithashtu të pranishëm, u nxitën që “ta kenë përherë Jezusin në qendër të jetës”. (vaticannews.va/sq)

Shpëndaje: