Papa: shkenca të jetë në shërbim të njeriut, jo për shkatërrimin e tij

Në audiencën me pjesëmarrësit në konferencën “Vrimat e zeza, valët gravitacionale dhe singularitetet e hapësirë-kohës” në kujtim të Át George Lemaître, Françesku nënvizon teorinë e kozmologut jezuit, për të cilin “krijimi dhe Bing Bang janë dy realitete të dallueshme”. Zoti nuk është lehtësisht i kategorizueshëm nga arsyeja njerëzore, ai është “Hyji i fshehur”

 

Udhëtimi i fesë i mons. George Lemaître, jezuit e kozmolog belg, “e çon atë në vetëdijen se krijimi dhe Big Bang janë dy realitete të dallueshme dhe se Zoti, në të cilin ai beson, nuk mund të jetë objekt lehtësisht i kategorizueshëm nga arsyeja njerëzore, por është ‘Zoti i fshehur’, që mbetet gjithmonë në një përmasë misteri, jo plotësisht e kuptueshme”. Papa Françesku vë në dukje kështu thelbin e rrugëtimit shpirtëror dhe të punës kërkimore të shkencëtarit, që ndërroi jetë në vitin 1966, gjatë takimit të paradites së sotme me pjesëmarrësit në konferencën e dytë të Observatorit të Vatikanit në kujtim të Lemaître, me temë “Vrimat e zeza, valët gravitacionale dhe singularitetet e hapësirë-kohës”, e cila vijon deri më 21 qershor në të ashtuquajturën “Specola Vaticana”, në Albano Laziale.

 

Shkenca dhe feja bashkohen për të mirën e njeriut

Në fjalën e tij, Papa inkurajon drejtorin e institucionit shkencor, vëllanë Guy Consolmagno, shkencëtarët e tjerë të bashkësisë dhe pjesëmarrësit e konferencës që të shkojnë “në periferitë e dijes njerëzore” ku “mund të përjetohet Zoti i Dashurisë, i cili e shuan etjen e zemrës”. Ati i Shenjtë nënvizon se “nuk ka konflikt” ndërmjet shkencës dhe fesë, pasi ato “mund të bashkohen në bamirësi”, gjithnjë, nëse “shkenca vihet në shërbim të burrave e të grave të kohës sonë dhe jo kur shpërfytyrohet në dëm të tyre”.

 

Kisha promovon kërkimet mbi fillimin e universit

Françesku kujton se që nga viti 2018, vlera shkencore e meshtarit dhe kozmologut belg “është njohur edhe më tej nga Bashkimi Ndërkombëtar Astronomik”, i cili ka vendosur që ligji i njohur Hubble, që përshkruan shpejtësinë e zgjerimit të universit, të quhet me të drejtë ligji Hubble-Lemaître. Duke iu referuar programit të konferencës, ai kujton diskutimin e vazhdueshëm mbi pyetjet më të fundit të shtruara nga kërkimet shkencore në kozmologji: “rezultatet e ndryshme në matjen e konstantes së Hubble, natyra enigmatike e singulariteteve kozmologjike (nga Big Bang-u te vrimat e zeza) dhe tema shumë aktuale e valëve gravitacionale”.

“Kisha është e vëmendshme ndaj kërkimeve të tilla dhe i promovon ato, sepse prekin ndjeshmërinë dhe inteligjencën e burrave dhe të grave të kohës sonë. Fillimi i universit, evolucioni i tij aktual, struktura më e thellë e hapësirës dhe e kohës i vendosin qeniet njerëzore përballë kërkimit impenjativ për kuptim në jetë, në një skenar tejet të gjerë ku ka rrezik ta humbin rrugën”.

 

Lemaître, prift dhe kozmolog model

Duke kujtuar fjalët e Psalmit 8 për birin e njeriut “bërë diçka më pak se zot e kurorëzuar me lavdi dhe nder”, Papa thekson se këto tema kanë “një rëndësi të veçantë për teologjinë, filozofinë, shkencën dhe për jetën shpirtërore”. Më pas, nënvizon se rrugëtimi njerëzor dhe shpirtëror i Át George Lemaître “përfaqëson një model jete, nga i cili të gjithë mund të mësojnë”. Françesku kujton studimet e tij inxhinierike dhe pjesëmarrjen në Luftën I Botërore, të ndjekura nga thirrja e tij meshtarake e shkencore.

 

Krijimi dhe Big Bang-u janë dy realitete të dallueshme

Jezuiti belg, gradualisht kupton se “shkenca dhe feja ndjekin dy rrugë të ndryshme e paralele, ndërmjet të cilave nuk ka konflikt”. Në të vërtetë, ato mund të harmonizohen, “sepse si shkenca, ashtu edhe feja, për besimtarin, kanë të njëjtën matricë në të Vërtetën absolute të Zotit”.

“Udha e tij e fesë e çon në vetëdijen se krijimi dhe Big Bang-u janë dy realitete, që dallohen nga njëra-tjetra dhe se Zoti në të cilin beson nuk mund të jetë objekt i kategorizuar lehtësisht nga arsyeja njerëzore, por është “Zoti i fshehur”, i cili mbetet gjithmonë në një përmasë të mistershme, jo plotësisht të kuptueshme”.

 

Ecni përpara në kërkimin e së Vërtetës, projektim i Dashurisë

Në përfundim, Papa Françesku i uron të pranishmëve që “liria dhe mungesa e kufizimeve”, përjetuar gjatë punimeve të konferencës, t’i ndihmojë “të përparojnë drejt së Vërtetës, që është pa dyshim projektim i Dashurisë së Zotit”.

“Feja dhe shkenca mund të jenë të bashkuara në dashuri, nëse shkenca vihet në shërbim të burrave e të grave të kohës sonë dhe nuk shtrembërohet në dëm të tyre, ose deri edhe për shkatërrimin e tyre. Ju inkurajoj të shkoni në periferitë e dijes njerëzore: aty mund të përjetohet Zoti Dashuri, i cili shuan etjen e zemrës sonë”. /radio Vatikani/

Shpëndaje: