Fjalimi i Dom Frok Zefi, famullitar i Binçës, me rastin e inaugurimit të bustit dhe sheshit Imzot Mark Sopi në Binçë, më 1 gusht 2024.
Vendosja e përmendores së Imzot Mark Sopit në Binçë është një ngjarje e rëndësishme për besimtarët, për banorët dhe për të gjithë ata që e kanë njohur dhe respektuar jetën dhe veprën e këtij prelati të madh të kishës. Ky moment është shprehje e mirënjohjes dhe e respektit për veprën edhe jetën e tij si bari në shërbim Zotit dhe popullit.
Kjo përmendore na fton të reflektojmë dhe të kujtojmë jetën e tij, dhe vazhdon të na frymëzojë të gjithëve që të jemi udhëheq dhe përgjegjës sipas shembullit të tij. Pranë kësaj përmendoreje mund të zbulojmë mrekullinë e fesë dhe forcën të besimit të pashoq të këtë njeriu që la gjurmë të thella në zemrat e të gjithë atyre që patën fat ta njohin.
Pas shkollimit në Kroati dhe Itali u shugurua meshtar më 29 qershor, të vitit 1968 në Romë, meshën e parë e kremtoi në vendlindje në Binçë.
Dom Dedë Ramaj, që ishte famullitar i Stubllës dhe i Binçës, në fjalën e rastit gjatë drekës së kremtimit të meshës pat thënë: “Mos harro se biri i kujt je! Së pari se je bir i Zotit, pastaj bir i kishës sonë martire. Je pasardhës i tyre, je pjesë e bashkësisë famullitare dhe familjes së madhe, e nga sot je i popullit të Zotit. Ndero të parët tu, ndero të tjerët që të jesh i nderuar nga ata….”
U emërua ipeshkëv i Kosovës, më 23 nëntor të vitit 1995.
Shugurimin ipeshkvnor e mori nga Papa Gjon Pali II, më 6 janar 1996 në Vatikan. Drejtimin e kishës katolike në Kosovë me seli në Prizren e mori më 18 shkurt 1996, për ta udhëhequr deri më 11 janar 2006 kur edhe kaloi ne amshim.
Ndërroi jetë me 06.01.2006 në një takimi me udhëheqjen Komunale në Prishtinë, pak para nënshkrimit të kontratës për ndërtimin e katedralen Shёn Nënë Terezës, projekt i iniciuar me arkitektin e Republikës së Kosovë Dr. Ibrahim Rugova.
Iku në periudhën tepër të veçantë për historinë e Kosovës dhe të kishën katolike në këto troje, pikërisht atëherë kur ishte aq i nevojshëm përkushtimi i tij për zgjidhjen e problemeve aktuale me të cilat përballej shoqëria shqiptare dhe kisha. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij apostolike, Imzot Sopi eci gjurmëve traditës së kishës katolike ndër shqiptarë, duke mos e ndarë asnjëherë çështjen fetare nga ajo atdhetare, sipas motos “Për fe e atdhe!”
Më 18 maj 2005, ishte i ftuar nga kongresi Amerikan për të shpalosur vizionin e tij për të ardhmen e Kosovës. Me këmbëngulje dhe në mënyrë argumentuese mbrojti qëndrimin e shqiptarëve të Kosovës për shtet të pavarur, dhe aspiratat e tyre për liri, demokraci, barazi të cilat duhet t’i gëzojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.
U angazhua gjithashtu edhe në fushën e arsimit, kulturës dhe shëndetësisë duke lënë pas një trashëgimi të pasur, qoftë si udhëheqës fetar, qoftë si një figurë e rëndësishme shpirtërore, morale dhe intelektuale, në historinë e re së Kosovës dhe të kishës katolike.
Imzot Mark Sopi dhe vendi i tij në histori
Imzot Mark Sopi nuk ishte vetëm një udhëheqës i shquar fetar, por edhe një drejtues i suksesshëm dhe vizionar i Kishës katolike në Kosovë. Bashkë me Presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me 26.08.2005 me bekimin e gurthemelit, filloi projektin e ndërtimit të katedrales së Shën Nënë Tereza në Prishtinë, që rezultoi të ishte një projekt monumental, i cili sot shërben si simbol i identitetit dhe lashtësisë sonë. Përpjekjet për ta ndërtuar katedralen dëshmojnë angazhimin e tij për promovimin e kulturës dhe të trashëgimisë fetare të popullit shqiptar në Kosovë. Ai nuk pati fatin të ndërtonte, për shkak të vdekjes së hershme. Ndërtimin e katedrales e realizoi ipeshkvi aktual i dioqezës Prizren-Prishtinë Imzot Dodë Gjergji.
Falenderime dhe mirënjohje në emër të Famullisë së Binçës
Falënderojë bashkëvendësin Marjan Sebaj Sopi, për idenë dhe nismën e këtij projekti. Falënderojë të gjithë kontribuesit që mundësuan realizimin e këtij projekti, inxhinierin Florent Ferizi për projektin dhe mbikëqyrjen e punëve, skulptorin e mirë njohur zotëri Sabri Beharimi, dhe të gjithë punë kryesit.
Një falënderim të veçantë për Kryetarin e Komunës së Vitisë, z. Sokol Halitin, i cili bëri çmos për ta kthyer në mesin tonë Imzot Mark Sopit të skalitur në bronz, për të na kujtuar përmes kësaj vepre gjithmonë këtë shërbëtor të shquar të kishës dhe të kombit tonë shqiptar. Faleminderit i nderuari z. Sokol Haliti, kryetar i Komunes sonë për gjitha përpjekjet e guximshme dhe shpresojmë në bashkëpunimin të mëtejshëm në të gjitha përpjekjet që do të vazhdojnë të bëhen për ta mbajtur gjallë trashëgiminë e imzot Mark Sopit, si mënyra më e mirë për t’i ndihmuar brezat e ardhshëm të reflektojnë dhe të gjejnë frymëzimin e duhur.
Me këtë rast, shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj të gjithë Ju që morën pjesë në këtë ceremoni, duke përfshi udhëheqës fetar të dy konfesioneve, familjet e nderuara Rugova, Haradinaj dhe Jashari, përfaqësuesit politik qendror dhe lokal, të gjithë miqtë e Imzot Markut dhe të familjes Sopi.
Faleminderit drejtorive përkatëse të ministrisë dhe të komunës së Vitisë. Faleminderit kuadrit të komunës për organizimin e kësaj ngjarjeje. Faleminderit të gjithë ju miq të nderuar dhe bashkë vendas të çmuar.
Zoti e ju bekoftë të gjithëve, Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin shqiptar. Shpirti i Imzot Markut u lut për të gjithë ne.
Binçë, 1 gusht 2024
Dom Frok Zefi