O Dardan! A je ka’shpia?

Nga: DODË GJERGJI – Ipeshkv i Ipeshkvisë së Kosovës

Letër baritore

HYRJE
I dashur Dardan,
Unë si bari i grigjës në Kosovë dhe si trashëgimtar i barinjve të Kishës në popullin tonë, po vij për t’u çmall me ty, e për të të thënë disa fjalë që lidhen me kthimin tënd, për të shprehur gëzimin tim dhe për të të inkurajuar që të jesh një nxënës i denjë i Krishtit Jezus, dhe një bir i dobishëm për popullin tonë. Nuk vij vetëm në emrin tim, por edhe të të gjithë paraardhësve të mi, që në të kaluarën sakrifikuan shumë për të dëshmuar fenë, e për të ruajtur dashurinë ndërvëllazërore mes nesh. Edhe në emër të imzot Nikë Prelës e Mark Sopit, që i ke njohur dhe akoma e mban mend dëshminë dhe dashurinë e tyre.
Fillimisht, dua të të përgëzoj për guximin që ke për të jetuar, dëshmuar dhe shpallur të vërtetën së cilës ke zgjedhur t’i bindesh. E mbështes me gjithë zemër KTHIMIN tënd, kur i ktheve fytyrën e vërtetë besimit, që dikur e braktisën gjyshërit e tu. Me këtë kthim, ti ke përqafuar sërish besimin e të parëve të tu dhe ke rimarrë dhuratën e fesë duke u pagëzuar, “Në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjt.”
Që kur dëgjova për besimin tënd në Zotin Jezus dhe për dashurinë tënde ndaj të gjithë shenjtërve, martirëve të popullit tonë dhe dëshmisë së të parëve tanë, nuk resht së falënderuari Zotin për ty, e për të gjithë të tjerët që bënë të njëjtin hap kthimi.

I
NGA RRËPIRA E MOHIMIT NË BREGU I KTHIMIT Duke u pagëzuar, ti ke bërë një kapërcim historik disa shekullor, “nga rrëpira e mohimit në bregun e kthimit.” Pra, ke kaluar nga periudha kur u këput lidhja shpirtërore me Krishtin, te ky moment, kur në ty u rilidh nyja e trashëgimisë së krishterë, nëpërmjet këtij “operacioni zhbllokues” të shpirtit tënd.
Shpresoj shumë që përfundimisht të jesh rehatuar në djepin e shpirtit tënd; të ndjehesh mirë në shtratin tënd kulturor dhe të mos kesh frikë që të jesh, ashtu sikur dëshiron të jesh, kur mban në dorë shqiponjën, kur përqafon Gjergj Kastriotin, ose kur përkulesh pranë figurës së shën Nënë Terezës. Në fund të fundit, ti e ke kuptuar se nuk është gjë e vogël, të kesh mundësinë të shfaqesh para syve të të gjithëve me dinjitetin tënd shpirtëror, me identitetin tënd etnik, me pasuritë e tua kulturore dhe me vlerat që në ty përfaqësojnë të gjitha këto.
Por, nuk duhet të harrosh që kur je pagëzuar, je bërë gjymtyrë e trupit mistik të Krishtit, pjesë e Kishës Tij, e cila është e shenjtë, katolike dhe apostolike në kuptimin e plotë të këtyre tri fjalëve. Është vendi ku është ngjizur shpirti ynë shekullor (ilir-dardanor-shqiptar), ku janë frymëzuar të parët tanë, ku asnjëherë nuk është shterur burimi i dashurisë për atdhe dhe fe, ku është bashkuar sakrifica shumëshekullore e popullit tonë për t’i mbetur besnik besës së dhënë, dhe ku të shpresuarit për liri, besim në Zot, e shpresë për amshim nuk u shua kurrë.

1.1. Ku ishim deri tani?
Ke të drejtë të më gjykosh, që deri tani nuk erdha asnjëherë për të të parë sesi je, për të të pyetur si ndihesh e për tu çmallur me shpirtin tënd. Ti ndoshta nuk beson, por unë dëshmoj që isha i shtyrë nga dashuria që të mos vija, më shumë nga frika që kisha se mos të humbisja përgjithmonë sesa nga mungesa e dashurisë për ty. Përveq kësaj e pata të vështirë të ti thoja gjërat ashtu siç i besoj; e pata të vështirë të ta thoja të vërtetën ashtu siç e kuptoj; e pata të vështirë të ta prekja plagën e shpirtit si edhe dhimbjen e shpirtit tim të cilën e shkaktoi braktisja e paraardhësve të tu. Për hir të së vërtetës, nuk dëshiroja që ti trazoja bindjet e tua, nuk dëshiroja as zemrën të ta rëndoja me të vërtetën e dhimbshme të mohimit; nuk e pata për qëllim as shpirtin të ta zemëroja kundër atyre që dikur na braktisën. Dhe, Zot na ruaj, nuk synova kurrë që të nxisja urrejtjen tënde ndaj atyre me të cilët ke bashkudhëtuar nëpër gjenerata, qysh nga mohimi i stërgjyshërve të tu e deri te kthimi yt. E gjitha kjo, sepse kthimin nuk e shohim si një angazhim për të konvertuar të tjerët, por si mision ungjillor për ti ftuar të gjithë njerëzit që të kthehen e të besojnë në Ungjill, pikërisht ashtu sikur na kërkon Krishti, kur thotë: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëjini nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësojini të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë deri në të sosur të botës!”.
Në realitetin dhe kontekstin tonë shqiptar, kthimin e shohim vetëm si një proces të natyrshëm vetëdijesimi, që na e dhuron arsyeja e shëndoshë, mundësia që na jep ligji, liria dhe paqja; vullneti individual i personit që buron nga bindja, gëzimi dhe e vërteta. Pra, kthimi yt dhe vepra shenjtëruse e Kishës mbi ty, s’është gjë tjetër veçse e drejtë e jotja dhe detyrim ungjillor për ne, që të bashkëvepronim në procesin e kthimit tënd dhe të të ndihmonim që ta ripërqafosh fenë dhe ta përjetosh sërish ngrohtësinë e përqafimin të Kishës Nënë, e cila të ka dashur kur s’të kishte e me të njëjtën dashuri vazhdon të të dojë edhe tani që të ka.

1.2. Kthimi i vërtetë dhe i shenjtë
Kthimi në atë që është braktisur, nuk duhet të jetë si angazhim për të vënë në vend një padrejtësi historike, as një veprim për të fituar diçka që është humbur që moti, por duhet të ndodh vetëm nëse njeriu bindet, që ajo çka është braktisur është gjë e mirë, e vërtetë, e drejtë dhe e shenjtë. Mbi të gjitha, nëse ndjen që e braktisura ia mbush boshllëkun e shpirtit, njëlloj si një takim personal me Zotin. Ti pra, kur je pagëzuar, je kthye tek dashuria dhe vetvetja, duke i dhënë mundësi së vërtetës që të zotëroj shpirtin tënd dhe që të të mbush ty me shpresë për jetën e pasosur.1 Prandaj, kthimi nuk e duron urrejtjen ndaj përvojave të mëparshme, ndaj askujt dhe ndaj asgjëje. I kthyeri nuk duhet të shkaktoj konflikt me ata që duan ta vazhdojnë ecjen në bindjet e tyre të “konsoliduara” në kohë, e Zot na ruaj, nuk duhet të cenoj as dashurinë ndërvëllazërore apo të prish harmoninë ndërfetare mes nesh, pasi “kush nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Hyjin, sepse Hyji është dashuri.”2 Nuk duhet harruar që kur gjyshërit tuaj e braktisën besimin, nuk hoqën dorë nga dashuria ndërvëllazërore me ata që vazhduan t’i mbeteshin besnik fesë së tyre. E njëjta gjë vlen edhe për ty, edhe pse ti po i rikthehesh fesë tënde, sërish nuk duhet të heqësh dorë nga dashuria vëllazërore për ata që vazhdojnë të qëndrojnë në bindjet e tyre.
Vetëm kështu, dashuria tek e cila ti je kthyer, nuk do të ketë kufij e as përmasa, e gjithashtu nuk do të shteroj kurrë. Pra, as feja, as braktisja e dikurshme dhe as kthimi i sotëm nuk duhet të cenojnë dashurinë tonë ndërvëllazërore, e nuk duhet të vënë në diskutim identitetin tonë të përbashkët, gjuhësor, kulturor, etnik e kombëtar; aq më pak nuk duhet ta ndryshoj as fatin tonë të përbashkët si në tokë ashtu edhe në qiell.
Tani, që je kthyer në fenë e paraardhësve të ty, në gjirin e të pagëzuarve në Kishën e Krishtit Zot, dhe je ulur në cungun e shpirtit tàn e shpirtit tem, po vij pa droje te ti për të marrë ngrykë, për t’u çmall me ty, e për të të shprehur dashurinë e përhershme që Kisha ka pasur për ty.
Qysh atëherë kur ja grabitën grigjën, kur u mohua nga t’bijtë e bijat e saja, ose kur u braktis për ndonjë interes, sikur bëjnë sot të rinjtë e të rejat që braktisin prindërit e tyre, Kisha me zemrën e nënës e me kujdes atëror vazhdimisht e ka shprehur dashurinë dhe kujdesin ndaj gjithë grigjës së vet, pa dallim, si ndaj atyre që i mbetën besnik ashtu edhe ndaj atyre që e mohuan.
Bashkë me ata që i mbetën besnik, Kisha me heroizmin e saj të qëndresës në besën e dhënë Krishtit Zot, vazhdoi të mbetet besnike edhe ndaj popullit shqiptar, duke ndihmuar bijtë e mbetur që i qëndruan besnik premtimeve të pagëzimit, pasi beson se ata i takojnë së vërtetës e cila as mohohet, as zhbëhet e as tjetërsohet. Edhe pse, për të folur me dorën në zemër, ishin vuajtje që nuk duroheshin, ishin përbuzje që rrallë mund t’i gjeje diku tjetër në histori, dhe ishin “tortura ferri” nga ku ose do të dilje martir e hero, ose do të mbesje përgjithmonë qyqar.

1.3. Kisha dashuri amnore dhe kujdes atëror
Po, ke të drejtë! Është vërtetë vështirë të dallosh dashurinë që Kisha ka pasur për ty, dhe për ata që e kanë braktisur fenë e krishterë, në rrethana të ndryshme gjatë të kaluarës dhe në kohë të ndryshme historike. Kisha, si nënë e dhembshur dhe e dashur, nuk është afruar shumë, pasi ka respektuar lirinë e bijve të saj që e kanë braktisur; nuk ka dashur që ti lëndoj bijtë e vet të dikurshëm duke ua vënë në pah dhimbjen e saj, as ka tentuar që të imponohet. Por, gjithsesi është kujdesur për ta së largu ashtu si e ka parë të nevojshme, dhe këtë e ka bërë vetëm për të mos penguar bijtë e vet në lirinë e tyre. Por, me dashurinë amnore, gjithmonë është kujdesur që të bëj gjithçka që ata të mos e harrojnë. Me dorën n’zemër, më duhet ta pranoj se mohimi nga të parët e tu dhe braktisja e Kishës nga ana e tyre, ua ka thyer zemrën barinjve të atëhershëm.
Po, tani do të të tregoj vetëm disa nga veprat më të mëdha të dashurisë që Kisha që ka bërë për ty e për gjithë bijtë e saj të dikurshëm: në asnjë rrethanë historike nuk hoqi dorë nga bijtë e bijat e veta; në asnjë situatë persekutimi, vuajtjeje, apo martirizimi nuk i mohoi ata që e braktisën, por vazhdimisht e ka shprehur dashurinë e saj për pjesën e grigjës së dikurshme.
Pra, edhe pse e braktisur, e shtypur dhe e persekutuar, Kisha, duke kaluar nëpër hirin e vetvetes, në tmerrin e shpirtit të bijve të vet dhe nëpër prushin e dashurisë për ta, është përpjekur që ta ruaj qenien tonë, nderin e besën e dhënë Zotit, duke u shndërrua në një thesar shpirtëror, kulturor dhe gjuhësor për gjithë shqiptarët. Për rrjedhojë, ajo mbetet një “pasqyrë” e cila pasqyron të vërtetën, të virtytshmen dhe të shenjtën brenda nesh, e, ku çdonjëri prej nesh, mund ta shoh e ta njoh vetveten. Më e pakta që mund të bëj ajo, pavarësisht copëzimit në besime, është që të mbetet dëshmitare e përhershme e pashkëputshmërisë së qenies sonë nga vlerat e përbashkëta njerëzore, qytetëruese e kombëtare, bashkë me familjen e popujve ku ne synojmë të jemi pjesë.
Ndoshta dashuria më e madhe e Kishës, e shprehur ndaj popullit të vet është dhurata e shkrimit shqip e shprehur me Formulën e Pagëzimit, me Mesharin e Gjon Buzukut, e me Çetën e Profetëve nëpërmjet doktrinës së Bogdanit. E gjithë kjo u formësua në përmbledhjet e vendimeve të Kuvendit të Arbrit.
Dashuria e përkryer e Kishës ndaj atyre që nuk morën pjesë në vuajtjet e saj historike dhe gjatë dëshmisë së përgjakshme në martirizim, është shprehur gjatë kohës së rilindjes, kur klerikët dhe prelatët e saj u bënë më këmbëngulës dhe më të zëshmit për pajtim dhe bashkim. Lirisht mund të themi se, ishim vendimtar në unifikimin e kombit, po edhe më të zellshmit në përpjekjet tona për liri. Askush nuk mban mend, që ndonjëri prej tyre ose kushdo tjetër të ketë përmendur mohimin e dikurshëm, tjetërsimin e kulturës ose shkeljen e traditave, sidomos gjatë pushtimit otoman, si pengesë për bashkim, vëllazërim dhe bashkëjetesë.
E së fundmi, dëshmia fantastike e imzot Nikë Prelës, se: “gjithë shqiptarët janë vëllezër, pavarësisht çfarë feje kanë,” ose ajo e Mark Sopit, në Kongresin Amerikan se: “ne nuk kemi frikë nga vëllezërit tanë të islamizuar,”e në vazhdimësi të kësaj edhe dëshmia ime në Parlamentin Evropian, një ditë para shpalljes së pavarësisë se: “Qëndrimi ynë lidhur me të ardhmen e Kosovës nuk ka ndryshuar asnjëherë…! Këndej, ne këmbëngulim se falja dhe pajtimi janë rruga e vetme që duhet ndjekur nga të gjithë që jetojnë në këtë vend,” janë që të gjitha dëshmi të sinqerta të faktit se ne nuk ju kemi braktisur kurrë, e as Kisha nuk ju ka harruar e nënvlerësuar asnjëherë.
Nëse i beson gjithë këto që sapo t’i thashë, atëherë është e qartë se Kisha Katolike, njëlloj si dikur ashtu edhe sot, ka po të njëjtën masë dashurie për ty që je kthye, ashtu siç e kishte edhe për stërgjyshërit e tu sa kohë ata qëndruan në gjirin e saj. Tani që u ktheve, ajo dëshiron që të transmetoj në zemrën tënde gjithë dashurinë e saj, e bashkë me këtë ajo dëshiron që të sjell në kujtesën tënde edhe gjithë mbamendjen e saj historike, mësimin Ungjillor, si dhe besën e dhënë Zotit e kombit.

1.4. Kthimi s’është marrëzi
E di, janë të shumtë ata që kthimin tënd e shohin si një marrëzi, ka të tjerë që janë të bindur se ke bërë tradhti ndaj besimit të shumicës, e nuk mungojnë as ata të cilët kthimin tënd e shohin si tendencë përçarjeje mes shqiptarëve. Ti mos u shqetëso! Vazhdo t’iu mbetesh besnik bindjeve të tua! Pasi, të jesh i vërtetë nuk bie ndesh me askënd, ta ushtrosh lirinë nuk mohon asgjë, e t’u mbetesh besnik bindjeve të tua nuk është tradhti. E, kushdo që e njeh të vërtetën gjen edhe lirinë,3 dhe e kupton se Krishti na liroi nga çdo lloj skllavërie që e mohon lirinë.

Harmonizimi i vetëdijes, vullnetit dhe ndjenjës së brendshme me realitetet e jashtme që na rrethojnë është arritja më e madhe e të kuptuarit të asaj që jemi. Kjo harmoni na pajton me veten tonë, na bën të ndershëm, të sinqertë dhe të vërtetë, sepse na mundëson që të unifikojmë bindjen, fjalën dhe veprën me të vërtetën që na zotëron. Pra, kthimi është sublim, kur i pagëzuari i nënshtrohet dashurisë dhe e kupton me mendje e me zemër se i takon së vërtetës. Pikërisht për këtë arsye, nuk e fsheh veten mbrapa realiteteve të jashtme dhe nuk e mbulon fytyrën për të respektuar vullnetin e të tjerëve. Por, kudo e kurdo, ka guximin që të manifestoj mënyrën e të jetuarit sipas bindjeve të veta, i shpreh pa frikë mendimet që ka dhe e shpall me bindje atë që beson. Kuptohet, me dinjitet, dashuri dhe respekt. Të tillët janë të vërtetë dhe kërkojnë që të ngrihen në një nivel më të lartë të sinqeritetit, ndershmërisë dhe besnikërisë ndaj vetes, ndaj të parëve dhe ndaj kombit; prandaj edhe nëse të quajnë përçarës, të marrë, apo tradhtar ti mos e trazo shiprti dhe ruaje lumturinë, gëzimin e shpresës që e ke.
Dardan, tani le të nisemi nga përvoja jote e shtegtimit e të vijmë deri te kthimi dhe pagëzimi yt! Ti e di sesa e gjatë ka qenë ecja nëpër ditët e jetës sate, duke shoshitur të kaluarën e të parëve të tu, të vërtetën historike si dhe vullnetin tënd. Ti e di sesi je përballur me realitetet laramane të të afërmve tu, me qëndrimet hipokrite në shoqëri, apo me indiferentizmin e shokëve të tu. Po, vetëm ti e di sa e ke ndjerë etjen e shpirtit tënd për sublimen, për të shenjtën dhe për të amshueshmen, prandaj askush më mirë se ti nuk mund ta di sesa i mundimshëm ka qenë udhëtimi yt drejt dinjitetit njerëzor, drejt identitetit tënd, e drejt kthimit tek vetvetja.
Më kujtohet sesi më dëshmoje që kjo ecje ka zgjatur me dekada të tëra, dhe përpjekja jote për të dalë nga ky labirint i dilemave të tua dhe hipokrizive të kohës, kanë qenë një makth i vërtetë; por ja që kjo përpjekje të ka ndihmuar që gradualisht të zbulosh të vërtetën e mohimit, t’i afrohesh hap pas hapi vetes sate dhe dalëngadalë të vish pranë gurrës së pagëzimit, ku edhe e ke gjetur gëzimin tënd.
Vërtetë, kthimi asnjëherë nuk mund të jetë një akt i shpejtë, i pashoshitur mirë e i pamenduar shumë, pasi është i përhershëm, kërkon bindje të plotë, vetëdije të thellë dhe një vullnet të çeliktë. E pikërisht për të gjitha këto, pagëzimi nuk është vetëm një ndryshim mendimi, një sjellje e re, apo një formë e jashtme e të jetuarit; përkundrazi është një çast kur ti zbulon Krijuesin që ka qenë gjithmonë brenda teje, e njeh fytyrën e tij në personin e Jezu Krishtit dhe e merr Shpirtin e Shenjtë i cili të bashkon me Atin Hyj, prandaj, nuk ka më asnjë vijë ndarëse mes asaj që je për veten tënde dhe asaj që bashkëndan me të tjerët në publik. E tani që ke arritur që të jesh i vërtetë, i drejtë dhe i sinqertë, nuk ke pse shqetësohesh për botën që të rrethon, përkundrazi gëzoju së vërtetës së cilës tashmë i përket.

1.5. Të falënderoj me mirënjohje
Ti me siguri do të thuash, që s’kam pse të të falënderoj, pasi ti mendon se stërgjyshërit e tu ishin frikacakë e lakmitarë, dhe u rreshtuan në anën e pushtuesit; ata si qyqar, mohues, përfitues lufte, bashkëpunëtor me pushtuesin ose si besëshkalë e tradhtarë e lanë pas besimin e tyre. Ata hoqën dorë nga vetja e tyre, nga kishat që kishin pasur, nga traditat e kanunit, e nga zakonet e tyre, ose edhe më keq akoma, që i humbën varrezat me kryqe të të parëve të tyre e si të tillë sot nuk meritojnë as respekt, as mëshirë e as falje. Ndoshta ti je i bindur se gjyshërit e tu, atëherë kur duhej të kishin qëndruar heroikisht me ne, na braktisën dhe iu nënshtruan sunduesit, i cili nuk kënaqej vetëm me pushtimin e tokave dhe hapësirave tona, por donte që të na gllabëronte edhe shpirtin, e të na e tjetërsonte krejt qenien tonë. Ti do të doje që ata të kishin qëndruar besnik, e të kishin marrë pjesë në vuajtjet dhe qëndresën tonë; por ja që ata zgjodhën udhën më të lehtë për të shpëtuar veten, duke u bashkuar me persekutuesit tanë.
Ndoshta, kur e mendoj sipas natyrës njerëzore, e sidomos kur dëgjoj disa nga tanët që përpiqen ta arsyetojnë konvertimin e tyre në fenë e pushtuesit, që përpiqen ta justifikojnë mohimin e vuajtjeve dhe të qëndresës sonë, ose që glorifikojnë tjetërsuesin e qenies sonë, them se ti ke të drejtë; madje edhe mua më vjen të shpërthej në mllef e të reagoj; por, feja, shpresa dhe dashuria na ndihmojnë që të mos shohim të kaluarën, mëkatin e vëllezërve, apo gabimet e të afërmve tanë me syrin njerëzor, duke na ngritur kështu në lartësinë e bijve të Hyjit, me qëllim që të gjitha këto të mundemi që ti trajtojmë shenjtërisht, me dashuri, falje dhe pajtim.
Madje edhe kisha katolike ndër ne, së cilës sot i prij unë, asnjëherë nuk ka menduar në këtë mënyrë. Ajo mban mend mirë sa të vështira ishin kohët e pushtimit, sa e mundimshme ishte qëndresa e besimtarëve pa priftërinj, apo sa e rëndë ishte thundra pushtuese që na shkelte me këmbë, sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriotit e pas çdo kryengritjeje të mëvonshme; kisha katolike nuk e harron as mjerimin ku u zhyt kombi ynë gjatë gjithë periudhës së pushtimit otoman; kisha katolike e kujton sesa pa pashpresë kishin mbetur bijat e bijtë e saj, e sesa e pafuqishme kishte qenë edhe ajo vet, për t’i ndihmuar ata që kërkonin ndihmë për të qëndruar, për t’i ndaluar pushtetet që të tjetërsonin kishat, apo për të ruajtur atë që gjyshi yt e braktisi. Pra, ne persekutoheshim aq shumë, saqë aty-këtu dukej sikur po vdiste edhe shpresa, duke qenë se shpresa ishte zhdukur mes nesh, na ishte krijuar madje edhe bindja se ajo kishte vdekur tashmë. Pra, mos e harro kurrë se jo të gjithë ishin të aftë që ta duronin aq gjatë varfërinë, persekutimin, poshtërimin, mohimin, torturën sistematike apo vdekjen e ngadaltë. Gjithkund e në çdo rrethanë të ngjashme, janë të paktë ata që vdesin për idealet e tyre, për vlerat që përfaqësojnë, apo për të vërtetën në të cilën besojnë.
Nuk duhet përjashtuar mundësia se edhe stërgjyshi yt do të ketë qenë mes atyre njerëzve, që aso kohe mendonin se pushtimi nuk do të zgjaste shumë, e se ai do t’ia hidhte kohës, prandaj e pranoi nënshtrimin publik ndaj pushtuesit, me bindjen se do të arrinte që të ruante identitetin kombëtar nëpërmjet kanunit, fesë e rezistencës brenda gjirit familjar, derisa të kalonte “furtuna”, por ja që u gabua edhe ai si shumë të tjerë. Edhe pse në llojin e tyre mbetën të pacenuara ato vlera, tek ata që rezistuan dhe nuk u dorëzuan, sërish na duhet që të falënderojmë Zotin që shpirti ynë vërtetë u shqye, po zemra nuk na u ça.
Jam i bindur se edhe ti e di sesi në familjen tënde, në familjet e dajave të tu, apo në familjen e ndonjë miku që ti e njeh, ende edhe sot gjenden gjurmët e krishterimit, kryqi në tavanin e shtëpisë së vjetër, gjyshja që akoma mban mend lutjet e dikurshme, gjyshi që tregon breznitë deri kur të dal emri katolik i të parëve. E më tej ti e ke dëgjuar se edhe nëpër fshatra apo qendra të ndryshme urbane dëshmohet se janë gjetur gjurmë të kishave, apo se arkeologët kanë gjetur rrënojat e një kishe të lashtë, që e ruajtëm, na e morën, apo edhe e braktisëm.
I dashur Dardan, pavarësisht se në shumë gjëra mund të kesh të drejtë, sërish duhet të bësh kujdes që të mos e shohësh të shkuarën me sy kritik, me urrejtje apo me ndjenja dëshpërimi, sepse ka shumë e shumë arsye të tjera për të arsyetuar me mendje të shëndoshë e me dashuri të pastër e të përkryer njëlloj si ajo e Krishtit Zot, që e kemi mësuar nga Ungjilli.

1.6. E di që ke shumë për të më thënë
Unë do të dëshiroja shumë që të mësoja për problemet e tua, por edhe për përvojën e jetës sate pa ne. Dëshiroj shumë që ti mësoj vështirësitë që ke kaluar, nevojën që ke pasur për ta pasur kishën pranë kur ishe pa të; dëshiroj shumë që të mësoj për zjarrin e dëshirës për ta pasur kishën pranë, por edhe për dëshirën e zjarrtë për të përjetuar afërsinë e barinjve të saj, në çdo periudhë të kohës, qoftë në kohën e brezave laraman të të parëve të tu, e qoftë në kohën kur kujtesa u zbeh, apo edhe për kohën kur zemra jote përjetoi rizgjimin dhe ti u nise në kërkim të besimit tënd të vërtetë, unë dëshiroj të di kaq shumë për ty.
Unë e ndjej, se ti ke nevojë të mi tregosh gjërat ashtu siç i mendon,; unë e di se ti ke dëshirë të më tregosh gjithçka ashtu siç e përjeton, madje e kuptoj se ke nevojë që të mi rrëfesh me detaje të gjitha përjetimet e tua para pagëzimit, gjatë përgatitjeve për pagëzim dhe pas pagëzimit, mirëpo e mirëkuptoj se këtë herë është e pamundur.

Por ti mos u shqetëso, pasi ti tani je pjesë e bashkësisë, e, gjatë ecjes tënde bashkë me ne në të ardhmen, do të kemi mjaft kohë për ti biseduar të gjitha këto. Ne jemi këtu për të të ndihmuar që ti të mësosh shumë gjëra të cilat nuk i ke ditur, e që të njohësh akoma më shumë dëshmi të cilat nuk i ke ditur më parë.
Ne jemi këtu që të të ndihmojmë që të mësosh akoma më shumë gjithçka që lidhet me fenë, me besimin tonë në Krisht, por edhe mbi marrëdhënien tonë me Hyjin, jetën tonë në Kishë, qasjen ndaj të afërmit, perceptimin për identitetit tonë etnik, kombëtar e gjuhësor dhe shumëçka tjetër që lidhet me të kaluarën tonë të përbashkët. Ne jemi këtu, ne rezistuam që të të tregojmë ty gjithë pasuritë që Kisha i ka ruajtur për ty, përgjatë gjithë kohëve kur ti nuk ishe me ne n’ fe.
Të lutem më mirëkupto, pasi këtë herë unë dua të të them vetëm gjërat më të rëndësishme të cilat ti duhet t’i dish; do të flas me ty shumë shkurt por në mënyrë të qartë, me qëllim që ti të mos biesh në tundim; do të të ndihmoj që të ecësh i sigurt përgjatë udhës nëpër të cilën je duke ecur, i shoqëruar nga e vërteta që sapo e ke zbuluar, dhe me dashurinë që ta ka përfshirë zemrën për kishën tënde të natyrshme me të cilën së fundi je bashkuar.

II
JETA SI DHURATË E ZOTIT DHE GJËRAT E PËRKOHSHME ETADHURATË E ZOTIT DHE GJËRAT E PËRKOHSHME

Ndoshta termi ‘parapagëzim’ është pak i panjohur, por në kontekstin tonë ka kuptim, pasi vetë termi shpjegon se çdo njeri ka një histori, një identitet dhe një gjuhë, para besimit të tij. Megjithatë, pavarësisht besimit që njerëzit e kanë, ose nuk e kanë, të gjithë së bashku gëzojnë të mirat e krijimit, përballojnë vështirësitë e jetës dhe bashkësynojnë një të ardhme më të mirë për veten dhe për pasardhësit e tyre, sepse njeriu si krijesë e Hyjit është i thirrur që të mos jetë i vetëm, por të jetë pjesë e një bashkësie familjare, fisnore apo etnike, e cila ka një histori, një gjuhë si dhe traditat e veta, të cilat shprehin misterin e jetës së përbashkët.4 Le t’i marrim me radhë disa nga gjërat më të rëndësishme, me të cilat përballemi gjatë jetës sonë të përkohshme mbi këtë tokë!

2.1. Realiteti në të cilin jeton Ti i dashur Dardan, njëlloj si të gjithë ne të tjerët që u pagëzuam dikur kur ishim fëmijë, apo edhe sot si të rritur, nuk duhet ta harrosh se po jeton në një kohë dhe në një mjedis të ngarkuar nga relativizmi, ku hipokrizia njihet si virtyt e shpërfillja e vlerave si zotësi, ku harresa është bërë metodologji për ta qetësuar ndërgjegjen, e gënjeshtra një mjet shpëtimi për mohuesit e sotëm, të cilët e ligjërojnë legjitimimin e gabimit si një shpëtim. E nisur nga të gjitha këto, unë të kuptoj kur ti shqetësohesh, kur sheh sesi e vërteta dhe gënjeshtra ndryshojnë pozicionet e tyre sipas interesit të çastit, apo kur gjërat marrin kuptim ose e humbin vlerën në varësi të lakmisë së individit, leverdisë personale, apo ndërhyrjeve nga të tjerët. Shtojmë këtu edhe faktin se diktatura e sotme e relativizmit, nuk e njeh asgjë si përfundimtare dhe të sigurt, duke paraqitur veten dhe dëshirat e saj personale, si kriterin e vetëm dhe përfundimtar për të gjykuar dhe vendosur mbi çështjet e jetës dhe të së vërtetës.5 Duke i marrë parasysh të gjitha këto dhe shumë të tjera, e kuptoj se që të jesh sot besimtar, është vërtetë një përpjekje me mundime prej kaluari, e cila ka nevojë për bindje e durim, sakrificë dhe dashuri, përgjegjësi feje e dëshmi me angazhim personal. Pra, të ndjekësh sot Krishtin, përgjatë shtegtimit tënd, rrugës së shpresës në të ardhmen e drejtë amshimit, do të thotë që, “të mos i nënshtrohesh lakmisë e frikës, të shpresosh edhe atëherë kur dëshpërimi duket i natyrshëm, të besosh kur dyshimi është i pashmangshëm, e sidomos të rezistosh edhe kur bindjet e tua u shkojnë kundër bindjeve të të tjerëve në përditshmërinë e jetës.” 6 Mbaje mend se, feja dhe kombi, qytetërimi dhe kultura, madje dhe shumëçka tjetër, nuk kanë të njëjtin kuptim për të gjithë, e as të njëjtën vlerë për çdokënd, kështu që, kur të të sfidojnë në debat apo kur të të ftojnë në dialog, kurrë nuk duhet ta harrosh realitetin në të cilin jeton, frymën e përgjithshme ku duhet t’i dëshmosh bindjet e tua, si dhe faktin që duhet të përballesh me të pavërteta të shumta, të cilat nën velin e shumicës, i bëjnë dritëhije të vërtetave që ti përfaqëson. Kështu, të duhet të jesh i urtë, i durueshëm dhe i vërtetë, pa u munduar që t’i bindësh të tjerët, por gjithmonë duke u kujdesur që të tjerët të binden që ti vërtetë i beson, dhe beson në atë që thua, që ti je besnik ndaj Krishtit dhe që e do kombin tënd njëlloj siç e ka dashur gjithmonë edhe Kisha. Pra, çdo fjalë e jotja e pavend, çdo veprim i yti i pahijshëm, ose çdo përpjekje e jotja e panevojshme nuk të dëmton vetëm ty, por na dëmton dhe na prek të gjithëve. Edhe pse ndonjëherë arroganca e tepruar na e sos durimin, gënjeshtra na e prish qetësinë, dhe urrejtja na e sprovon dashurinë, për ne nuk ka rrugë tjetër, përveç asaj të bindjes ndaj Zotit tonë që është dashuri dhe që na ka thirrur të dhurojmë dashuri në çdo rrethanë dhe gjendje.

2.2. Epërbashkëta na bashkon
Pra, pa marrë parasysh nëse je i pagëzuar, beson në një fe të caktuar, apo nuk beson fare, duhet ta pranosh tjetrin si vëlla në natyrën njerëzore, pasi, të gjithë kemi lirinë e Shpirtit që na është dhënë prej Zotit, qysh në krijim. Duke e kujtuar këtë, duhet ta kuptojmë së të gjithë ne njerëzit e krijuar thithim të njëjtin ajër, shijojmë rrezet e të njëjtit diell dhe përdorim të mirat e së njëjtës tokë që na e ka dhuruar Krijuesi.
Të gjithë ne gëzojmë të njëjtën ndjesi rehatie, kur qëndrojmë pranë oxhakut në ditët e ftohta të dimrit, kur na freskon flladi i pranverës apo kur na njom i vjeshtës. Siç mund ta kuptosh në natyrën e secilit prej nesh gjendet dëshira për ta jetuar jetën, aftësia për të menduar, dhe prirja për të kërkuar atë për të cilën kemi nevojë.
Kështu pra, ne të gjithë gëzojmë të drejtën për të përzgjedhur atë që duam, ose për ta refuzuar qoftë edhe të mirën e të dobishmen. Pra, Krijuesi ynë, Hyji i gjithëpushtetshëm, na i njeh të drejtën e shfrytëzimit të të mirave e tija të krijimit edhe kur dikush e mohon. Pasi, ai e respekton lirinë tonë të gjithanshme së bashku me aftësinë e përzgjedhjes, përgjatë gjithë jetës sonë në përkohshmëri.
Por, ashtu siç e di edhe ti, ne jemi edhe të ndryshëm njëri nga tjetri; nuk i gjen kurrë dy njerëz me sy të njëllojtë, nuk i gjen kurrë dy njerëz më gjurmë identike gishtash, nuk i gjen kurrë dy njerëz më predispozitë identike ndaj së njëjtës sëmundje, e lerë më pastaj të gjesh dikë tjetër që të jetë tërësisht identik me ty. Pra, dallimet mes njerëzve nuk kanë kufij, e ne mund ti numërojmë ato pafundësisht, por ti duhet ta kuptosh së në shumëllojshmërinë e kësaj bote, “çdo krijesë është një pasqyrë e bukurisë së Krijuesit.”
Pra, edhe pse na bashkon përbashkësia e faktit se jemi njerëz, ne kemi ngjyra të ndryshme, raca të ndryshme, gjuhë, kultura, etni, kombe e shtete të ndryshme; nuk e duam të gjithë njëkohësisht të njëjtën gjë, nuk e kërkojmë të gjithë njëkohësisht të njëjtën mundësi, e madje nuk e refuzojmë të gjithë në të njëjtën kohë diçka që mund të na duhet të gjithëve, sepse “çdo krijesë, në shumëllojshmërinë e natyrës vet, në marrëdhëniet e saj të ndërsjella, manifeston mirësinë e pafundme të Zotit.”8
Qysh prej kohëve të lashta, kur, “Zoti Hyj e dëboi njeriun prej kopshtit të Edenit që ta punojë tokën prej së cilës qe krijuar,9” Hyji sërish i ka gjetur mënyrat për ta shoqëruar njerëzimin përgjatë udhëtimit të tij në histori, dhe përgjatë gjithë përpjekjeve të tij për të gjetur kuptimin e jetës, arsyen e vuajtjes dhe peshën e vdekjes, sepse njeriu gjithmonë ka dashur ta kuptoj se kush është, pse ekziston dhe kujt i takon; sepse njeriu vazhdimisht ka synuar që të ngrihet mbi vetveten, që ta mësoj atë që nuk e di, që të kap të paarritshmen, dhe ta gjej të përjetshmen. Pra, siç mund ta kuptosh edhe ti, identiteti i qenies dhe dinjiteti i tij njerëzor, burojnë nga ndërgjegjja e fshehur brenda tij, sepse Hyji, edhe pse e ka dëbuar njeriun nga “prania e vet,”10 nuk e ka braktisur në harresën e tij “gacën” e dashurisë.
Kjo energji dashurie ka kultivua dhuntinë e urtisë në mendjen e secilit prej nesh, dhe e ka ndihmuar njeriun që të bëhet i vetëdijshëm për realitetin e jetës së vet, që ta kuptoj se është një krijesë unike e universit me kapacitet për të menduar, me aftësinë për të arsyetuar, dhe me mundësinë për të ndërvepruar; përherë i vetëdijshëm se duhet ta pastroj shpirtin dhe zemrën nga mëkati.
Të gjitha këto e kanë ndihmuar njeriun që të dalloj se ç’është e mirë, e dobishme dhe e arsyeshme, si dhe të shmanget nga e keqja, duke e mbushur boshllëkun e shpirtit e duke u bërë i dobishëm si për veten ashtu edhe për të tjerët me të cilët ka bashkudhëtuar nëpër të kaluarën.
Pra, njeriu si një krijesë e përsosur e krijimit, përgjatë ecjes së tij në kohë dhe pasi ka grumbulluar njohuri dhe përvoja me krijimin ka arritur që të kuptoj se: nuk buron nga vetvetja; nuk është i vetëmjaftueshëm për nevojat që ka, e nuk mundet që të ndryshoj rrjedhën e gjërave në natyrën rrotull tij. Për më tepër, njeriu nuk është në gjendje as ta mbush zbrazëtinë e shpirtit të tij, hapësirë të cilën mund ta mbush vetëm Zoti,11 sepse shpirti i njeriut nuk arrin të qetësohet, deri kur vullnetarisht ia del që të rikthehet në prehrin e krijuesit të vet.
Njeriu i shtyrë nga etja për dashuri, por edhe nga nevoja për ta mbushur zbrazëtinë e shpirtit, është gjithmonë në kërkim të krijuesit të vet, e gjatë këtij kërkimi, njeriu pasurohet me përvoja jete dhe adhurimi, pasurohet me kultura të ndryshme por edhe me jetë sociale jo vetëm në familje e brenda fisit, por edhe brenda grupeve shoqërore e sistemeve politike ku bën pjesë.

2.3. Feja dhe kombi apo kombi dhe feja?
Më vonë, qytetërimet, filozofia dhe fetë abrahmike e kanë ndihmuar shoqërinë njerëzore që të ketë mendim, të organizoj struktura shoqërore, të përcaktoj rregulla morale, të zhvilloj aftësinë arsimore dhe të përparoj në dije, çka ka ndikuar në formimin e kulturave, traditave, popujve dhe identiteteve të veçanta, të ngjashme apo edhe krejtësisht të kundërta.
Kur flasim për besimet, duhet thënë që ato në përgjithësi e kanë lartësuar dinjitetin njerëzor dhe e kanë ndihmuar njeriun në avancimin e respektimit të të drejtave universale, kolektive dhe atyre individuale. Mbi gjitha, besimet e kanë frymëzuar njeriun që ta bëj të dukshme bukurinë e brendshme të shpirtit, duke manifestuar rite, urata, art, muzikë, pikturë dhe forma të tjera frymëzimi, që kanë pasuruar identitetet etno-kulturore të popujve.
Kur flasim për përputhshmërinë e fesë me kombin apo për marrëdhënien e kombit me fenë, kujtojmë se kjo përvojë e ka zanafillën tek hebrejtë me Abrahamin, duke u formësuar më tej me Moisiun i cili e ngriti identitetin familjar të Abrahamit në nivel populli, dhe ky i fundit nga ana e vet përmes ndërveprimit mes Hyjit dhe Moisiut13 formësoi edhe identitetin e vet etnik e fetar. Më vonë, e në plotësimin e kohës, Hyji e shpalli shpëtimin për të gjithë njerëzit, pikërisht brenda popullit vet: “E Fjala u bë njeri e banoi ndër ne. Ne e pamë lavdinë e tij, atë lavdi që prej Atit i përket Birit të vetëm plot hir e të vërtetë.”
Edhe pse projekti i shpëtimit filloi me një popull, nuk mund të themi se ishte një proces i mbyllur brenda atij populli, pasi vullneti i Hyjit është, shpëtimi i të gjithë popujve dhe i të gjithë njerëzimit, mbështetur në “tharmin e dashurisë që Krijuesi ka vënë në zemrën e çdo njeriu.”15 Pikërisht, për këtë fakt, askush nuk mund të përjashtohet nga dashuria e Tij. Pasi edhe pse ne e mohojmë, Zoti Zot s’pushon kurrë duke e kërkuar frytin e Tij në çdo njeri, derisa njeriu ta gjej paqen në Të. “Me të vërtetë, Hyji nuk bën dallime mes njerëzve, por pranon atë që i druhet dhe vepron drejtësisht, në çdo komb.” Dhe fton bijtë e gjithë kombeve që t’i bashkohen Atij, i cili është rruga e vërteta dhe jeta.

Kështu pra, të gjithë njerëzit janë të barabartë në dinjitet dhe në të drejtat e tyre, pasi janë krijuar sipas shmëbëllesës së Hyjit dhe janë thirrur që të marrin pjesë në të njëjtën lumturi hyjnore, pa marrë parasysh dallimet që ekzistojnë.
Kisha, i njeh kulturat dhe traditat e grupeve etnike dhe të kombeve, pasi ato pasqyrojnë shumëllojshmërinë e talenteve njerëzore që janë dhuratë e Krijuesit, duke i pranuar këto kultura e kombe si kontribues në planin hyjnor për shpëtimin e njerëzimit.17
Kështu nëse e kemi kuptuar që Zoti është para kombit, atëherë lirisht mund të themi që kombi është para fesë. Edhe pse, dhurata më e madhe për njeriun është feja, përgjigjja përfundimtare është dashuria, e shpërblimi final mbetet përjetësia, apo amshimi.
Sa na përket ne shqiptarëve, historia nuk na ka mundësuar që të kemi mbret, të formojmë shtet-komb ose të kemi komb-shtet, por, përvoja jonë ka dëshmuar se jemi të aftë që ta njohim të përbashkëtën, t’i respektojmë dallimet dhe të bashkohemi në një popull komb, i cili e do tokën e vet, i pranon dallimet në besim, dhe bashkërisht, si një popull komb synojmë lirinë dhe paqen për veten tonë, duke u angazhuar që të krijojmë parakushtet për të pasur një të ardhme të përbashkët.
Kështu që, edhe ti Dardan, kur të trajtosh marrëdhënien tënde mes fesë dhe kombit, mos harro që në këtë pyetje ngërthehet një rrugëtim i gjatë historik dhe shpirtëror i të parëve tu, dhe se, “feja nuk është vetëm dritë për shpirtin, por edhe forcë për kombin.”
Duke pasur parasysh gjithë atë që u tha më lartë, debati mes shqiptarëve, nëse kombi është para fesë apo feja para kombit, bëhet i
18 Atë Gjergj Fishta, vepra poetike dhe publicistike, përmbledhje e botimeve të viteve 1920 -1930, botuar nga françeskanët shqiptarë. pakuptimtë, sidomos, për ne të krishterët, që këto të dyja nuk i kemi ndarë kurrë, pasi, që kur ishim popull, e deri sa u bëmë komb, si feja ashtu dhe kombi kanë ndërvepruar dhe kanë shkëmbyer dhuratat, duke i ndërthurur vlerat e identitetin etnik-kulturor me dinjitetin fetar-shpirtëror, aq shumë saqë këto dy identitete në ne, janë bërë të pandashme e të padiskutueshme, sepse është e pamundur që të hiqet një vijë ndarëse mes fesë e kombit; dhe e gjitha kjo pasi, gjatë udhëtimit të përbashkët në histori, feja vazhdimisht e ka fisnikëruar kombin me virtytet e shpirtit, kurse kombi e ka pasuruar fenë me dëshminë e vazhdueshme dhe të pamohueshme të bijve dhe bijave të veta, heronjë,martir e shenjtër.
Zakonshëm, kur dikush dëshiron që të diskutoj me ty lidhur me dilemat për fenë, për ata që mohojnë të vërtetat, apo për frikërat e tyre që lidhen me kombin, duhet të kesh kujdes që të mos rrëshqasësh në mendësinë tënde të para pagëzimit, e as të mos udhëhiqesh nga gjendja emocionale, pasi kur të përfshin emocioni, arsyeja humbet. Nuk duhet të përfshihesh nga një patriotizëm konfliktual, pasi ne njerëzit nuk jemi të thirrur që të mbrojmë fenë; atë e mbron vetë Zoti. Ne jemi të thirrur, që ta jetojmë e ta dëshmojmë në emër të Zotit dashuri. As nuk kemi për detyrë që ta mbrojmë kombin, pasi ai tashmë është i mbrojtur nga heroizmi, sakrificat dhe dëshmia e shumë burrave dhe grave që u flijuan për liri. Kështu që, e vërteta e shkruar me penën e kryqit e me gjakun e martirëve, nuk fshihet kurrë. Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të diskutojmë me njeri-tjetrin, ose me vëllezërit tanë të islamizuar, mbi dobinë që kombi ka pasur prej fesë, dhe kontributin që kombi i ka dhënë asaj.
Sipas dhuntive të bijve dhe bijave të veta, me frymëzimin e shpirtit të tyre dhe me anë të fuqisë së shenjtërimit të disave, kombi ynë e ka pasuruar fenë me vepra të mëdha dashurie, me dëshmi të forta besnikërie dhe me sakrifica të shumta martirizimi; dhe kjo e gjitha sepse ata ishin të bindur, që kombi është pasuri e paçmueshme, liria e shpirtit vlerë e pacenueshme, kurse feja një dhuratë që na lartëson dhe përjetëson. Me këtë vetëdije shpirtërore, dhe me këtë dashuri ndaj atdheut, duhet të jetosh edhe sot, por pa harruar, që“…kur të arrij përsosmëria, çka është e kufizuar do të marrë fund,”19 e gjithë çka do të mbetet është vetëm dashuria.

2.4. Kthimi dhe qytetërimi
Ashtu sikurse e thashë edhe më lartë, kthimi është një vendim individual i njeriut të lirë e të përfshirë nga dashuria, i cili kërkon që të hyj në një marrëdhënie të re me Krijuesin e vet; prandaj, vendimi për kthim duhet të jetë i ndërgjegjshëm, me bindje, pa shtrëngim dhe me liri të plotë të njeriut, pasi qysh në zanafillë, “njeriu është i pajisur me arsye dhe është i krijuar krejtësisht i lirë në gjykim, në shpirt, dhe në vendim, e liria është pushteti i tij; dhe kjo e bën njeriun të ngjashëm me Hyjin, sepse Hyji është i vetmi që vepron, pa shtytës, lirisht dhe pa mund. “Të jesh i pajisur me lirinë e vullnetit, është një shenjë e dinjitetit madhor njerëzor, dhe fal këtij dhurimi, njeriu mund të zgjedh të mirën dhe ta orientoj jetën e tij drejt Zotit.”
Në qytetërimet e lashta dhe në religjionet e shumta në botë, liria nuk perceptohet si një dhuratë e Krijuesit, por si një përkufizim moral, si një e drejtë që jepet nga të tjerët, ose si një normë juridike që i njeh të drejtat e individit. Koncepti i njeriut të lirë, në shoqërinë njerëzore, fillon me krishterimin, pasi, “… fal besimit në Krisht, kemi lirinë që t’i afrohemi Hyjit me plot shpresë.”
Sot, jo të gjithë evropianët duan ta besojnë Zotin, por është e sigurt se kultura e krishterë e ka gatuar, e ka formësuar dhe e ka frymëzuar këtë qytetërim. Mbi bindjet e krishtera, Evropa ka ndërtuar vlerat e qytetërimit të saj, e nga këto vlera është frymëzuar arti, muzika, mendimi filozofik, letërsia, dhe në përgjithësi e gjithë kultura saj e të jetuarit. E njëjta gjë vlen, edhe kur flasim për liritë e njeriut, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin njerëzor. Pikërisht, me këmbënguljen e popujve dhe shteteve të këtij qytetërimi, liria e besimit, e drejta e zgjedhjes së besimit dhe e ndryshimit të bindjeve të mëparshme, është bërë një e drejtë universale për të gjithë njerëzimin, (pa marr parasysh se këto liri nuk respektohen në të gjithë botën.)23 Mbi të njëjtin frymëzim është ndërtuar edhe koncepti i paqes, vlera e bashkëpunimit dhe ndërvarësia e kombeve.
Mbështetur në këto parime është përpiluar edhe Kushtetua (e shtetit tonë) jonë, e cila njeh lirinë e ndërgjegjes dhe garanton lirinë e fesë e të besimit.24 Kështu që, çdo individ, pavarësisht bindjeve të tij të mëparshme, (me lirinë e tij të plotë, pa shtrëngim dhe pa joshje me pasuri materiale ose përfitime të natyrave të tjera), ka të drejtë që të kthehet në besimin e krishterë dhe t’i bashkohet Kishës katolike. Kuptohet, i bindur që feja është vepër e Hyjit mbi ne, kurse kthimi është përgjigjja jonë me besim ndaj kësaj dhuntie. Është vërtetë gjë e bukur, punë e denjë dhe vendim i drejtë që ti jesh besnik asaj që ke besuar, t’u dëshmosh të tjerëve atë që beson, e të jetosh në përputhje me bindjet e shpirtit tënd.
Pajtohem me ty, kur thua se kthimi nuk është vetëm një ngjarje feje, por edhe një akt patriotik, nëse nën këtë thënie nënkupton dëshminë e gjeneratave ndër shekuj, si martirët e shumët të cilët dhanë jetën për besimin e tyre; vizionin e udhëheqësve të lashtë si, Konstandini i Madh që ia njohu krishterimit lirinë, Justiniani i Irë, dardani që i përjetësoi gjurmët e krishtera në tokën tonë, dhe shumë burra e gra që gjatë historisë dhanë dëshminë heroike të sakrificës, vuajtjes dhe qëndresës për atdhe e fe; pse jo, edhe nëse nënkupton dëshminë e heshtur të gjyshërve të tu, që nuk lejuan të shuhej gaca e kësaj feje nën hirin e shpirtit të tyre dhe të dashurisë për kombin, për ta vedndosur berena qytetërimin të cilit i takojmë.
Ki kujdes, që të dallosh Evropën si qytetërim, kulturë, fe dhe popuj, ku ne natyrshëm jemi pjesë, me organizimin politik të shumicës së shteteve evropiane ku ne synojmë të bashkohemi. Mosdallimi thelbësor i këtyre dy gjërave krijon huti e keqkuptim në çdo debat dhe vë nën hije më të rëndësishmen e së vërtetës, që ky qytetërim është i rrënjosur në zemrën e shqiptarit. Kështu që askush nuk mund të na përjashtoj e as veten s’mund ta heqim nga kjo pjesëmarrje në qytetërim, kulturë, fe dhe kjo familje popujsh. Ndërsa anëtarësimi në organizata politike, është shprehje ose përputhje e vullneteve sipas protokolleve të caktuara mes palëve.
Kështu që, kur flasim për veten tonë, nuk duhet të sforcohemi për të dëshmuar para njëri-tjetrit, nëse na do apo nuk na do Evropa, nëse jemi apo nuk jemi evropian, por të kujdesemi si të mos e deformojmë këtë shpirt, që me traditat dhe me vlerat e tij të paçmuara i përngjan tërësisht atij qytetrimi. Shpeshherë mendoj, a do ta njihnim ne veten tonë sikur të mos kishte ndodhur kthimi i Gjergj Kastriotit në Krujë, dhe a do të kishim rezistuar pa dëshminë e tij në kultivimin dhe mbrojtjen e tokave, kulturës e besimit nga pushtuesit osmanë? Sigurisht që duhet t’i gëzohemi këtij fakti, dhe nëse s’arrijmë t’i përngjajmë në tërësi, duhet të kuptojmë sesi ka ndikuar ky kthim në forcimin e identitetit tonë shpirtëror e kombëtar.
Çfarë do të ishte e kaluara jonë, pa praninë e kryqeve dhe bazilikave në zbulimet arkeologjike që na lidhin me krishterimin e lashtë e me qytetërimin evropian? Ato bëhen dëshmi të faktit, që krishterimi ka formuar strukturën shpirtërore dhe kulturore të kombit tonë për shekuj me radhë. Po, Kanuni i Lekë Dukagjinit, një nga kodet më të rëndësishme të drejtësisë së popullit tonë, si do të na habiste me kuptimin e tij, nëse i heqim priftin, kishën, besën, dhe shumë çka tjetër që janë pjesë e përputhshmërisë sonë me kulturën dhe qytetërimin evropian të cilit i takojmë.
Si do të shkruanim ne, nëse nuk do e kishim Mesharin e Gjon Buzukut, që u shkrua në vitin 1555, e që është monument i përhershëm i gjuhës shqipe, i kulturës shqiptare, dhe që për nga përmbajtja është një dëshmi e lidhjes së thellë mes krishterimit dhe identitetit kombëtar shqiptar? Po ashtu, shkrimet e Budit dhe Bogdanit përforcojnë ndikimin e traditës së shkruar dhe të menduarit të thellë të asaj periudhe, ku shpeshherë ndihma e Kishës ishte e pazëvendësueshme për mbijetesën e kulturës dhe gjuhës sonë. Pastaj, letërsia shqiptare, as që mund të imagjinohet pa Fishtën, Mjedën, De Radën etj. Çfarë do të ishte përmbajtja e shkrimeve të tyre pa frymëzimin e krishterë, e pa rolin e qytetërimit që i ndihmoi të zhvilloheshin si shkrimtarë?
Trishtohem vetëm kur e mendoj, sesi do të ishte bota, e me çka do të krahasoheshim ne pa shën Nënë Terezën, shembullin më të ndritur të dashurisë dhe dhembshurisë, e cila ka sjellë krenari dhe njohje ndërkombëtare të qenjës sonëm duke u bërë dëshmi e gjallë e ndikimit të krishterë, në formimin e dinjitetit shpirtëror dhe identitetit kombëtar. Në këtë kontekst, sigurisht kemi të drejtë të themi, që shpirti i shqiptarisë është i rrënjosur në krishterim.
Kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk kanë bindje të tjera fetare, bile disa nga to. Por, pavarësisht bindjeve fetare që kanë sot, çdo shqiptar e ushqen shpirtin e tij me kontributin e kulturës, traditës dhe dëshmisë së krishterë të bijve dhe bijave të popullit të vet. Nga gjithë kjo del që, të krishterët janë fytyra e kombit dhe gjithë të tjerët trupi i tij. Dhe nisur nga kjo, ashtu sikur fytyra pa trup do të bëhej e padukshme, ashtu edhe trupi pa fytyrë do të ishte i pavlefshëm, kështu që të gjithë së bashku, ti Dardan, unë dhe kushdo tjetër, duhet të kujdesemi për të dyja, pa i mohua askuj të drejtën që të mendoj, besoj e të jetoj ndryshe.

III
JETA E KRISHTERË
Dardan i dashur, deri tani, të fola për kthimin si akt shpirtëror në marrëdhënie me njerëzoren, tokësoren, të përditshmen dhe të përkohshmen; por, nëse ngelemi vetëm në këto nivele, pagëzimi e humb kuptimin e vet dhe i pagëzuari mbetet përsëri në humnerën e boshllëkut tij, pa arritur kurrë që të dal në dimensionin e dashurisë, të shenjtërisë dhe të shpresës. Pasi, kthimi dhe pagëzimi yt nuk qe vetëm shprehje e vullnetit personal, një ceremoni e moment i kishës, as vetëm një ngjarje e veçantë në jetën tënde, por diçka shumë më e madhe, pasi shprehjes së vullnetit tënd i është bashkuar Kisha me pëlqimin e vet dhe Shpirti i Zotit me dhuntitë e tij. Kjo do të thotë që ti, me shërbesën tresakramentale25 të hyrjes në krishterim, ke vulosur qenien tënde me vulën hyjnore të Shpirtit të Zotit, i cili të bëri gati dhe të përgatiti për jetën e përjetshme, duke të pastruar prej çdo mëkati e duke të bërë pjesëmarrës në natyrën e Tij hyjnore dhe dëshmitar të dashurisë së tij në popullin tonë.”

Pagëzimi me ujë dhe me Shpirtin e Shenjtë, e lartëson të pagëzuarin në një marrëdhënie të re me Hyjin dhe Krijuesin e vet, që nënkupton, besnikërinë, faljen e mëkateve, pajtimin me Hyjin, si dhe thirrjen për t’i përngjarë Krishtit në dashuri, në besnikëri dhe në sakrificë. Kështu që, në veprat e tua të dashurisë, Hyji bëhet i pranishëm mbi tokë, kurse nëpërmjet Shpirtit të Hyjit që ke marrë, ti qysh tani ke filluar të që shijosh të mirat e amshimit.

3.1. Premtimet e pagëzimit si besëlidhje
Në momentin që je pagëzuar ti ke bërë një besëlidhje të madhe me Krijuesin, nëpër Krishtin Shpëtimtar, i cili të ka dhuruar Shpirtin, si frymëmarrjen e Tij dhe të Atit, që shenjtëron jetën tënde. Kuptohet, në bazë të besimit, që e ke dëshmuar në pagëzim, që beson në Hyjin Atin e Gjithëpushtetshëm, Krijuesin e qiellit e të tokës, e gjitha sendeve që shihen e që nuk shihen; që beson në Jezu Krishtin, një të vetmin Birin e Tij, i lindur prej Virgjërës Mari, i cili qe munduar, vdiq e u varros; e se i njëjti, të tretën ditë u ngjall, u ngjit në qiell dhe rri në të djathtën e Atit; që beson në Shpirtin e Shenjtë, Kishën e shenjtë katolike dhe apostolike, në shoqërinë e shenjtërve, në faljen e mëkateve dhe në jetën e pasosur.

Para se të dëshmoje këtë fe, mbarështuesi i sakramenteve (prifti) në pagëzim, në emër të kishës e në praninë e bashkësisë së të pagëzuarve dhe para Zotit, të ka kërkuar të pohosh se e ke mohuar djallin, mëkatin dhe të gjitha besëtytnitë e të këqijat. Gjë që nënkupton, se ti ke hequr dorë nga veprat e errësirës, ke flakur tej armën e së keqes dhe je ngjeshur me fuqinë e dritës dhe të së vërtetës.29 Kështu që mendja, zemra dhe shpirti yt duhet të jenë të hapur vetëm për të mirën, të drejtën, të shenjtën, të bukurën dhe të vërtetën.
“Besoj në një Hyj të vetëm” – “Credo – Besojma” është uratë, dëshmi feje që gjendet në Mesharë dhe në gjitha librat e tjerë të lutjeve, e cila shpreh përmbledhtas fenë e të krishterëve, që nga koha apostolike.

Mbështetur në pohimet e tua, në premtimet e dhëna dhe në fenë që ke dëshmuar, Kisha e ka krye mbi ty shërbesën e pastrimit me ujë, të ka vulos me Shpirt të Shenjtë, dhe të ka ulur në Sofrën Eukaristike. Pra, ti je bërë një gjymtyrë e Trupit të Krishtit, pjesëtar i Kishës Katolike dhe Apostolike, je vulosur për amshim me vulën e Shpirtit të Zotit.
Biri im në fe e vëlla i gjakut tim, të ftoj të që të jesh pjesë e jetës, e dashurisë dhe misionit të Kishës së Krishtit në popullin tonë, që të bëhesh bartës i paqes, burim dashurie dhe vepër mirësie, pasi të gjitha këto përgjegjësi burojnë nga pagëzimi yt.
Prandaj, në emër të dashurisë së Zotit, të bekoj me mëshirën e Hyjit, dhe të them, “kushtoje mishin, gjakun e shpirtin tënd si fli të gjallë, të shenjtë dhe të pëlqyeshëm për Hyjin!”, I cili ta shndërron jetën, ta përtërin zemrën, ta ndriçon mendjen dhe të aftëson që ta njohësh vullnetin e Hyjit, të shohësh nevojat e të afërmit, dhe ta dallosh atë që është e mirë, e dobishme, e përkryer dhe e shenjtë; e mbi të gjitha atë që vërtetë i pëlqen Hyjit.
Pas kësaj, mos të të vij turp që të jetosh sipas ungjillit, sepse Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e të drejtëve. E, i drejti do të jetoj prej fesë.30 Kështu që, për aq kohë sa punon për të mirën e kombit, e nderon kulturën tënde dhe i mbetesh besnik të parëve të tu, mos harro që duhet të angazhohesh gjithashtu me gjithë shpirt në drejtësi, në përshpirtni, në butësi e në fe. Mbi të gjitha, duhet ta mbash urdhrin e dashurisë të dhënë prej Krishtit Shpëtimtar, i cili është i vetmi Sundimtar, Zot i zotëve, Mbret i mbretërve, në dorën e të cilit është jeta dhe vdekja, Atij i qoftë nderi e lavdia për jetë të jetëve. Amen!31
3.2. Hyji si atë dhe Kisha si nënë
Nëse pagëzimi është sakrament shpëtimi për secilin prej nesh, atëherë Kisha është Sakramenti i përgjithshëm i shenjtërimit dhe i shpëtimit për njerëzimin.32 Kisha është populli i Hyjit, trupi i Krishtit dhe banesa e Shpirtit të Shenjtë. Kështu që ti, i cili nëpërmjet pagëzimit je bërë krijesë e re duke lejuar të rilindësh në shpirt, e ke pranuar Hyjin për Atë, e të është dhuruar bijësia hyjnore, duke u bërë trashëgimtar i pasurive qiellore. Si rrjedhojë je edhe bir i Kishës nënë, e cila të ushqen me sakramente, të frymëzon me Fjalën e Zotit, dhe e forcon fenë tënde me mësimin e etërve, me jetën e shenjtërve dhe me dëshminë e martirëve. Ti, si një anëtar i familjes së Zotit në tokë, je pjesë e gjymtyrë e gjallë e trupit të Krishtit që është Kisha. Prandaj, merr pjesë me gëzim në jetën sakramentale, shërbesat hyjnore, në lutjet e përditshme dhe në nevojat e saj. Angazhohu me zell në mision, në shpallje dhe në dëshmi, duke u përpjekur që të jetosh shenjtërisht jetën tënde, ta mbarështosh ndershmërisht atë që të është besuar e të ushtrosh dashurinë me vepra bamirëse, me sakrificë dhe me dëgjesë, pa ia cenuar askujt lirinë, të drejtën dhe vullnetin; si dhe duke u qëndruar besnik bindjeve dhe besimit se Kisha është e Hyjit të gjallë, është një shtyllë mbështetjeje dhe një themel i së vërtetës,
pikërisht ashtu si ia ka premtuar Jezusi nxënësit të Tij: “Ti je Pjetër‑Shkëmb dhe mbi këtë shkëmb unë do ta ndërtoj Kishën time dhe dyert e ferrit s’do të ngadhënjejnë kundër saj”!
Mbështetur në këtë varg të Ungjillit, të gjithë të pagëzuarit dhe të gjitha kishat simotra nëpër botë, së bashku me barinjtë e tyre ia njohin ipeshkvit të Romës (papës) të njëjtin autoritet që Krishti i dha Pjetrit apostull. Me këtë dëshmojmë se i bindemi Krishtit, themeluesit të Kishës dhe Shpirtit të Shenjtë, që me shërbesën e pagëzimit kemi marrë prej Tij. Kjo dëgjesë kërkohet nga çdo i pagëzuar, pasi nëpër dëgjesën shkallë-shkallë, nga ti te meshtari, nga meshtari te ipeshkvi, nga ipeshkvi te papa dhe bindja e të gjithëve dhe e njëkohshme ndaj Shpirtit të Shenjtë, e bën Kishën të bëhet si nuse e dëgjueshme dhe besnike ndaj të fejuarit të saj – Krishtit. Kështu që dëgjesa jote nuk është nënshtrim para personit që ta kërkon, por bindje ndaj Krishtit, të cilit i ke besuar, si dhe besnikëri ndaj premtimit me betim që ke dhënë ditën e pagëzimit tënd.

3.3. Jeta sakramentale
Diku më lart, të thashë se Kisha është sakrament i përgjithshëm, që e bën të prekshëm, të dukshëm Krishtin, dhe praninë e Hyjit ndër ne, prandaj Katekizmi i Kishës Katolike e quan Kishën: Sakrament universal i shëlbimit. Pikërisht për këtë, jeta brenda kishës është sakramentale, e tillë është edhe marrëdhënia e të krishterëve me Kishën. Pasi sakramentet janë të themeluara nga vetë Jezusi dhe janë shtatë në numër: Pagëzimi, Krezmimi, Eukaristia (Kungimi), Rrëfimi, Vajimi i të sëmurëve, Urdhri i Shenjtë dhe Kurora e martesës. Këto janë shenja të dukshme të hirit të padukshëm, dhe mënyra kryesore përmes së cilës besimtarët marrin pjesë në misterin e shëlbimit.
Tri të parat: Pagëzimi, Kungimi dhe Krezmimi janë sakramentet e besëlidhjes, mes teje dhe Hyjit. Me pagëzim të janë falur mëkatet dhe je bashkuar me Hyjin; me kungim merr shpërblimin e Sakrificën Eukaristike –Krishtin. E, me anë të krezmimit, e ke vulën e përjetësisë që është Shpirti i Shenjtë.
Rrëfimi dhe Vajimi janë sakramentet e dhembshurisë – Pasi rrëfimi është momenti kur Hyji e rishfaq mbi ne mëshirën e tij duke na i falur fajet, mëkatet dhe gabimet e bëra pas pagëzimit; kurse në Vajim Hyji na vjen në ndihmë në sëmundje duke na e rikthyer shëndetin ose duke na mundësuar një vdekje të lehtë e të qetë.
Martesa dhe Urdhri i Shenjtë i meshtarisë, janë sakramentet e përgjegjësisë dhe të misionit të secilit në kuadër të veprës shenjtëruese dhe shëlbuese të Kishës në botë. Këto dy sakramente na bëjnë bashkëpunëtorë të Krishtit, në ndërtimin e Kishës dhe shenjtërimin e jetës së përditshme.
Me këtë marrëdhënie bashkëpërgjegjësie, bashkëveprimi, bashkëshenjtërimi, bashkëdëshmimi dhe bashkëpërfitimi, (brenda kishës), e bëjmë të dukshme veprën e padukshme të Shpirtit të Shenjtë, vepër të cilën Hyji e ka filluar në ne në pagëzim. Kjo do të thotë, se feja e vërtetë është çështje shpirtërore, e mistershme dhe e fshehtë brenda zemrës së atyre që besojnë. Por, shërbesa sakramentale dhe ushtrimi i përgjegjësive që burojnë nga ky mister i fshehtë, janë të dukshme, të prekshme dhe bashkësiore; e, si rrjedhojë edhe publike.

3.4. Urata shujtë e shpirtit
Urata është frymëmarrja shpirtërore e të pagëzuarit, ajo është lidhja e gjallë me Hyjin që na thërret në marrëdhënie personale, dhe na udhëheq në jetën e shenjtë. Vërtet, urata ose lutja është shujta e shpirtit, pasi nëpërmjet uratës ne mbajmë të gjallë marrëdhënien e përditshëm me Hyjin. Nëse, pra, nëpërmjet pagëzimit e kemi marrë Shpirtin e Zotit, atëherë ai Shpirt në ne dhe prej nesh dëshiron që ta madhëroj, ta lavdëroj dhe ta falënderoj Hyjin, duke ruajtur një marrëdhënie të gjallë mes të pagëzuarve me Atin, me Birin dhe me Shpirtin e Shenjtë.35 Urata është përgjigjja ndaj dashurisë së Hyjit, e cila na bën të aftë që të hyjmë në bashkësi me Të, dhe të marrim pjesë në misteret e jetës hyjnore.
Urata si lutje personale shprehet në heshtje, duke dëgjuar sesi Shpirti i Shenjtë na flet nga brendia e shpirtit tonë; duke kundruar veprat e Hyjit me ne, në ne dhe rreth nesh, dhe duke shprehur me buzë e me zë ato që i kemi mësuar prej Kishës siç janë uratat e përgjithshme, rruzarja e kështu me radhë. Meditimi është mënyra më e mirë e uratës personale, pasi me meditim arrijmë që të thellohemi më shumë në mister, dhe të përjetojmë shpirtërisht dimensionin (praninë) e hyjnores në jetën tonë. Është një moment kur arrijmë të gërshetojmë atë që kemi dëgjuar në heshtje, që kemi kundruar, dhe atë që kemi shprehur me fjalë, në një iniciativë të brendshme për ta bërë të frytshme jetën tonë, derisa e tëra të shndërrohet në uratë të vazhdueshme që i jep lavdi Hyjit.
Si çdo i pagëzuar, edhe ti i dashur Dardan, je i thirrur të mbash këtë marrëdhënie intime dhe të fshehtë me Hyjin. Duke u lutur individualisht dhe në fshehtësinë e shpirtit tënd. Kështu që kur të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd që është në fshehtësi; e Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë.

Por, mos harro, lutjen që Krishti ua ka mësuar apostujve të vet, që kisha e lut vazhdimisht e që çdo i pagëzuar e thotë disa herë në ditë, duke thënë:
Ati ynë, që je në qiell,
u shenjtëroftë emri yt,
ardhtë Mbretëria jote,
u bëftë vullnesa jote,
si në qiell, ashtu në tokë!
Bukën tonë të përditshme na e jep sot;
na i fal fajet tona, si i falim ne fajtorët tanë.
E mos na lër të biem në tundim, por na liro nga i keqi. Amen!

Lutja “Ati Ynë” është dhurata më e madhe që Jezusi u ka lënë si trashëgimi nxënësve të vet, gjithë Kishës e secilit që beson. Ajo përbën një udhërrëfyes të plotë për jetën shpirtërore, dhe përmban thelbin e gjithë ungjillit. Prandaj, mos hezito që ta lutësh këtë lutje pasi të lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë me Hyjin, të cilin në pagëzim e ke pranuar për “Atë” dhe të mundëson që të vihesh në marrëdhënie birësie me Të. Gjithashtu, me anë të kësaj lutjeje, bëhesh pjesë e përbashkët me të gjithë ata që e lusin, dhe përforcon lidhjen tënde me të gjithë vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Lutja “Ati Ynë’ nuk është vetëm një formulë për t’u përsëritur, por është një shkollë për t’u jetuar. Ajo na mëson që të lavdërojmë Hyjin, të falënderojmë për gjithçka, të kërkojmë ndihmë për nevojat tona dhe të angazhohemi në falje dhe në bashkim me të tjerët. Me anë të kësaj lutjeje feja bëhet e dukshme, si në jetën personale, ashtu edhe në bashkësi.
Urata në bashkësi – në bashkësinë familjare, në shoqërinë e të pagëzuarve ose në bashkësinë famullitare është mënyra e dytë e ushqimit të shpirtit tonë, ose momenti i bukur kur ne e shuajmë urinë dhe etjen tonë për Zotin. Duke recituar uratën bashkë me të tjerët, lutja jonë bëhet më e gëzueshme, më e këndshme dhe më entuziaste, pasi ndjejmë ngrohtësinë e shpirtit të atyre me të cilët lutemi dhe praninë e Krishtit, i cili ka premtuar se do të jetë i pranishëm aty ku dy apo më shumë veta do të luten në emrin e tij. Prandaj, kalimi nga lutja personale në një akt të përbashkët feje, na mundëson që të hyjmë në një përvojë më të ngrohtë besimi, që të thellojmë marrëdhënien me njëri-tjetrin, dhe që të konfirmojmë dashurinë për Zotin dhe për të afërmin.
Lutja liturgjike – forma e tretë e lutjes është ajo liturgjike ose sakramentale, që është zemra e jetës së Kishës, sepse është mënyra më sublime për të lavdëruar Hyjin, dhe për të ushqyer shpirtin e besimtarëve. Ajo është shprehje e përbashkët besimi, mision i gjithë të pagëzuarve për ta madhëruar Hyjin, si dhe një mundësi e shkëlqyer për të marrë hirin e Hyjit. Lutja liturgjike ka një rëndësi të veçantë në Kishë, pasi është një moment i përbashkët adhurimi, ku besimtarët bashkohen për të falënderuar, kërkuar dhe lëvduar Hyjin, si dhe ushqehen shpirtërisht; sidomos në meshë, ku Kisha ia paraqet Atit frytet e krijimit (bukën dhe verën), e Krishti nëpërmjet shërbesës së meshtarit bashkë me kishën e Tij, ia paraqet Atit sakrificën e besnikërisë ndaj Tij, dhe shpreh kujdesin e dashurinë për çdo gjymtyrë të trupit Tij, duke na ushqyer me bukën e jetës së pasosur.
Gjatë meshës, Kisha si tërësi dhe i pagëzuari individualisht, pranojnë publikisht gabimet, fajet e mëkatet; shprehin pendimin e tyre të trefishtë: para Zotit, para bashkësisë dhe para njeri-tjetrit, dhe me anë të fesë bashkëshpresojnë në falje, dhe i besohen gjithëmëshirës së Zotit. Kështu, të bindur që janë të pastruar në shpirt, bashkëndajnë ngushëllimin, gëzimin dhe shpresën, që vjen si dhuratë feje gjatë bashkëshërbimit të riteve, në kuadër të shërbesës së kultit hyjnor të kishës, ku lutja shndërrohet në veprim të Shpirtit të Shenjtë, dhe në falënderim të të gjithëve për dhuratën e Shëlbimit.
Pas kësaj shtrohet tryeza e Fjalës, në të cilën kisha, familja e Zotit, lexon, mediton dhe frymëzohet nga pjesë të përzgjedhura të Shkrimit të Shenjtë dhe Ungjillit. Pasi lexohet Ungjilli, ipeshkvi, meshtari ose një person tjetër i autorizuar prej kishës, shtjellon me hollësi porosinë e Shkrimeve, nxit besimtarët që të jetësojnë porositë e Shkrimeve në jetën e tyre; duke dëshmuar ruajtjen e vërtetësisë së mësimit. Pasi përfundon shtjellimi (predikimi), meshtari e fton asamblenë që ta dëshmoj fenë dhe që të shpreh lutjet e saj ndaj Zotit. Pas çdo lutjeje, asambleja me brohoritje përsërit refrenin përkatës,(zakonisht: Dëgjoje o Zot, lutjen tonë!) me të cilin asambleja mbështet lutjen e popullit të Zotit. Në këtë mënyrë, bashkësia e krishterë, që është kisha, shpall historinë e shpëtimit, zgjon fenë dhe përgatit zemrat e besimtarëve për të hyrë në misterin e fesë – shërbesën Eukaristike.
Nga ky moment, Krishti vetë flet me kishën e Tij, duke e thirrur dhe drejtuar atë në përgjigje të përulësisë dhe të dashurisë; dhe nëpërmjet të shuguruarve të tij (meshtarëve) ia paraqet Hyjit flinë e besnikërisë ndaj Atit të Tij qiellor, dhe e mban premtimin e dhënë ndaj atyre që i kanë besuar se do t’i ushqej me trupin e vet. Kështu që kungimi – buka të cilën ne e ndajmë, është bashkim me Trupin e Krishtit.
Në pjesën përfundimtare, duke e lutur së bashku lutjen Ati Ynë, dhe lutjet e tjera përkatëse, meshtari lartëson bukën dhe e dëfton Krishtin e pranishëm në Eukaristi, i quan të lum ata që kungohen, si dhe i fton të pagëzuarit që të ushqehen me bukën e jetës së pasosur. Kështu që ne bëhemi një trup e një shpirt i vetëm me Krishtin, pikërisht pasi frymëzohemi prej të njëjtës, ushqehemi me të njëjtën bukë eukaristike, në një kishë të vetme katolike dhe apostolike .
Pra, i dashur Dardan, lutja nuk duhet të mungoj asnjëherë, dhe nuk duhet përjashtuar asnjëra nga format e saj, pasi ashtu si lulja pa ujë e humb freskinë dhe thahet, ashtu edhe feja, e shkëputur nga burimi i hireve, nëse nuk ushqehet me uratë, me Fjalën e Hyjit dhe me Trupin e Krishtit e veprën e dashurisë, e humb gjallërinë dhe vdes. Kështu që, pjesëmarrja në meshë, lutja në bashkësi ose urata personale nuk janë ligj, as detyrim që ta kërkon kisha, por një nevojë e secilit dhe një përgjegjësi e premtimeve të pagëzimit të çdonjërit prej nesh.

3.5. Shkrimi i Shenjtë
Shkrimi i Shenjtë, pra Bibla është shtylla e fesë, pasi është tërësisht i frymëzuar prej Hyjit, dhe është tejet i dobishëm për të mësuar të vërtetën e historisë së shëlbimit, si dhe për të njohur projektin hyjnor të shpëtimit. Shkrimi i Shenjtë, e ndihmon besimtarin që të rritet në shenjtëri sipas fesë abrahamike [të patriarkëve (etërve)], frymëzimit profetik dhe gëzimit ungjillor, mbështetur në besnikërinë e Jobit, me dëgjesën e Marisë, me përvujtërinë e Jozefit dhe në dashurinë vetflijuese të Krishtit. Pra, Shkrimi i Shenjtë, si burim i pashtershëm përvoje mes njeriut dhe Hyjit, mbetet trashëgimi e përhershme e mësimit shpirtëror, edukimit moral për mbarë njerëzimin, dhe një dritë e pashuar për zemrat e njerëzve që duan të mos ndihen të trishtuar e të vetmuar, sa kohë që janë gjallë mbi tokë, këtu nën hijen e vdekjes.
Ti që ke besuar në Hyjin, i beson Krishtit dhe i bindesh Shpirtit të Shenjtë, duhet të mos harrosh kurrë, që Fjala e Hyjit është e ëmbël si mjalti dhe e mprehtë si shpata me dy tehe; ajo e prek zemrën tonë dhe e normëzon jetën tonë, për të qenë dëshmitarë të gjallë të Ungjillit.38
Përderisa po të flas për Fjalën e Zotit, më duhet që të ti them disa gjëra krejt të thjeshta për Biblën, por që janë të domosdoshme për të krijuar një marrëdhënie shoqërimi me të, pasi ajo është një burim frymëzimi për të gjithë ne. Para së gjithash duhet kuptuar që autori i Biblës është Shpirti i Zotit, që fillimisht e ka shkruar në zemrat e atyre të zgjedhurve të cilët kanë besuar, i janë bindur vullnetit të Hyjit dhe kanë krijuar një përvojë marrëdhënieje me të – Krijuesin e tyre. Ata shkrimtarë, kur janë bindur që Hyji është besnik ndaj premtimeve të tij, e kanë shkruar, Fjalën e Zotit, në gjuhë njerëzore, me aftësinë e të shprehurit të tyre dhe në forma të ndryshme letrare. Shpeshherë duke përdorur simbolika, figura, shembuj konkret jete dhe shëmbëlltyra, nëpërmjet të cilave është përcjellë porosia e shenjtë. Pra, Fjala e Zotit e frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë dhe e shkruar përmes autorëve të shenjtë, është e vërteta e historisë së Shpëtimit. Kështu që, çdo përvojë biblike bëhet dritë që ndriçon jetën tonë, rrugë nëpër të cilën duhet të shkojmë drejt amshimit, model sesi duhet dashur i afërmi, gjurmët e Krishtit nëpër të cilat duhet të ecim për t’i përngjarë Atij, dhe mësim sesi duhet kapërcyer hendeku nga rrëpira e vdekjes në bregun e jetës së amshueshme. Edhe ne duke e shndërruar Fjalën e Zotit në lajtmotiv të jetës sonë, ashtu si autorët e shenjtë, arrijmë që ta njohim të vërtetën për veten tonë, dhe misionin jetësor ashtu si Hyji e ka paraparë në projektin e shpëtimit tonë.
Gjëja tjetër që është mirë ta dish, konsiston në faktin se Bibla nuk është një libër, por një bibliotekë librash të shkruara në periudha të ndryshme kohore, prej personave të shumtë, dhe në rrethana të ndryshme historike, por që ruan një vazhdimësi të zbulimit dhe të ndërhyrjes së Hyjit në historinë njerëzore.
Prandaj, nuk është e domosdoshme e as e nevojshme që të lexohet si e tërë e njëherësh. Është më e dobishme që t’i lexojmë librat një nga një. Të meditojmë tekstin duke u përpjekur që të kuptojmë rëndësinë, të njohim ngjarjen dhe të nxjerrim porosinë si mësim për jetën
tonë. Sidomos, është gjë e dobishme nëse e dëgjon në heshtje fjalën që ke lexuar; pasi Fjala e Zotit, që mund ta përzgjedhësh vetë, pavarësisht nëse e ke lexuar disa herë më parë, sërish të flet njëlloj sikur të jesh duke e lexuar për herë të parë. Sa herë që e lexon, gjen në të një shkëndijë frymëzimi për jetën tënde, gjen një shtysë drejt besimit, që ta jep mundësinë për të kuptuar tërësinë e porosisë së Fjalës.

IV
NË FUND MBETET DASHURIA
Dardan i dashur, të gjitha ato që t’i thashë deri tani, nuk do të kenë plotësinë në vetvete nëse nuk e kuptojmë urdhrin e dashurisë, që është zemra e porosisë së Krishtit. Dashuria i tejkalon (plotëson) ligjet dhe rregullat; dashuria është një thirrje dhe një mënyrë për të jetuar një jetë të plotë, të përkryer dhe të mbushur me gëzim e lumturi. Ligji dhe urdhri i vetëm i cili i përmbush, i bënë të vërtetë dhe i tejkalon të gjitha urdhërimet është dashuria, pasi vetë Zoti është dashuri. Pikërisht këtë na mëson Krishti, i cili kur u pyet tha: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten! Në këto dy urdhërime varet i tërë këto fjalë përmbledhin të gjithë kuptimin e fesë, pasi të besosh nuk është thjesht një detyrim për të përmbushur rregulla, ose për t’iu nënshtruar ligjeve, por është një marrëdhënie dashurie me Zotin dhe me njëri-tjetrin, pasi dashuria ndaj Zotit dhe ndaj të afërmit i mundëson të pagëzuarit që të jetë njeri zemërhapur, që merr dhe jep dashuri.
Dashuria ndaj Zotit shprehet në mënyra të ndryshme, ashtu siç ta kam shpjeguar edhe më lartë, gjithmonë me anë të lutjes, pendimit, falënderimit, shërbesës liturgjike, dhe duke mbajtur të gjallë dëshirën për të zbatuar vullnetin e Hyjit. Por dashuria për Zotin nuk mund të jetë e plotë, nëse nuk e zbatojmë atë edhe ndaj të afërmit, pasi nuk mund ta duam Zotin që nuk e shohim, nëse nuk e duam të afërmin që është pranë nesh. Dashuria për të afërmin është më shumë sesa një ndjenjë mirënjohjeje, dhembshurie, apo disa fjalë të mira. Dashuria ndaj të afërmit, sipas porosisë së Krishtit, është gatishmëria për ta falur tjetrin pa kufij, që do të thotë që të falim edhe ata që na urrejnë; angazhim i vullnetshëm dhe i vazhdueshëm për sakrificë në të mirë të atyre që kanë nevojë për ne; përpjekje deri në vetëmohim për të bashkëndarë dhimbjen, trishtimin dhe gëzimin me të gjithë. Me pak fjalë, dashuria është gatishmëri njerëzore, aftësi shpirtërore dhe gëzim shenjtërimi për të bashkudhëtuar me të gjithë, përgjatë rrugës së jetës, pikërisht njëlloj si Krishti na deshi ne; e ai na deshi deri në fund, sepse dashuria në thelb është një dhimbje, vetëmohim po edhe dhurim.

Kjo do të thotë që thirrja për dashuri nuk kufizohet vetëm te miqtë apo te familjarët tanë, përkundrazi ajo shtrihet tek të gjithë njerëzit, prandaj ti si i pagëzuar nuk mund të gjesh asnjë shkak, e nuk mund të kesh asnjë arsye që të gjykosh, pasi dashuria nuk gjykon; ti nuk mund të dënosh, pasi dashuria vetëm fal; ti nuk mund të përgojosh, pasi dashuria nuk ka lidhje me fjalët e rrejshme por vetëm me të vërtetën në çdo fjalë; ti nuk mund të fyesh, pasi dashuria njeh vetëm të bukurën, tek çdo njeri dhe pa dallim; ashtu sikundër na thotë shën Gjoni i Kryqit, ‘që në fund të jetës, ne do të gjykohemi në saje të dashurisë.’
Mos harro, që pas pagëzimit, ti je bërë pjesë e kësaj thirrjeje të madhe, kështu që e gjithë jeta jote si i krishterë, duhet të mbështetet mbi këtë urdhër. Çdo lutje që thua, çdo vepër të mirë që bën, dhe çdo akt faljeje që ofron, janë dëshmi që ti po e jeton dashurinë. E, duke e dashur Zotin me gjithë zemrën tënde dhe të afërmin si vetveten, ti bëhesh dritë shprese në botë, ti bëhesh një shenjë e gjallë e pranisë së Hyjit, si dhe një dëshmi për të tjerët. Dhe mos harro se, dashuria që Krishti kërkon, nuk është diçka që e bëjmë vetëm me forcën tonë, pasi kjo dashuri është dhuratë e Zotit, një hir që Ai ta jep përmes Shpirtit të Shenjtë, kështu që, mos pusho së luturi Zotit çdo ditë, me qëllim që ai të ta shtojë hirin e dashurisë, forcën për të falur, por edhe gatishmërinë për të bërë mirë.

Përfundim
I dashur Dardan siç po e sheh,me anë të kësaj letre desha të shpreh dashurinë e pakufishme të Kishës për ty; ta falënderoj Zotin që të ka thirrur në kthim; dhe të përgëzoj për guximin tënd për t’iu përgjigj Atij. Me dëshirën që të ndihmoj ti kuptosh mirë përgjegjësitë e pagëzimit, ta dish mirë fenë që ke pranuar, e të nxis të jetosh atë që beson. Pse jo edhe të qortoj me dashuri, që të mos gabosh, pasi dua që të jesh visar i paçmueshëm i kohës tonë për kishën, kombin e të ardhmen.
Me përvujtëri, të ftoj që të mos e harrosh kurrë, se çdo hap që hedh në këtë udhëtim shpirtëror është një dhuratë dhe një mundësi për të ndjerë praninë e Hyjit në jetën tënde. Ai të do me dashurinë e Tij të pakufishme dhe të fton të jesh pjesë e planit të shëlbimit, dhe pjesëmarrës në projektin e Tij të Shpëtimit. Këndej, qëndro gjithmonë i lidhur me sakramentet, mbështetu në lutjen e përditshme dhe lejoje që Krishti të ndriçojë çdo aspekt të jetës tënde.
Njëkohësisht të ftoj që kjo dashuri e Hyjit e shpalosur në, dhe nëpër jetën tënde, brenda popullit tonë, të jetë sa më e begat. Ashtu që të gjithë ata me të cilët e ke kaluar të mëparshmen. Familja, farefisi, miqtë e kushdo tjetër të shohi që je bërë më i mirë, më i kuptueshëm, më i durueshëm, më i dhimbshëm dhe më i gatshëm për të fal, i shpejt për të ndihmuar të afërmin dhe më i dashur për gjithkënd.
Nëse ke nevojë ta thuash, ta shpalosësh apo ta dëshmosh të vërtetën bëje për hir të dashurisë e jo me qëllim të ngadhënjimit mbi të tjerët. Ose, runa Zot, të shkon nëpër mend urrejtja. Mos u përfshij në debate që nuk e kanë qëllim të mirën, paqen dhe pajtimin. Kur të flasësh për kthimin tënd përqendrohu në atë që ke rifitua, që ke marrë prej Kishës e që të është dhanë me anë të fesë. S’ke pse merresh me atë që tashmë ke heqë dorë.
Pastaj, mos harro, që kur gjyshërit tuaj mohuan krishterimin në të cilën ti je rikthye, nuk hoqën dorë nga dashuria ndër vëllazërore me motrat dhe vëllezërit e tyre që i mbetën besnikë fesë së të parëve. Bile, në shumë raste vazhduan të jetonin në të njëjtën shtëpi e nën të njëjtën çati. Të ndanin dhimbjen e gëzimin, vuajtjen dhe të mirat që kishin.
Tani kur je rikthye në cungun e shpirtit tënd, ti vazhdon të jetosh në të njëjtën familje, brenda të njëjtit rreth shoqëror dhe në të njëjtin vendbanim. Këndej, duhet të jesh më i bindur, më i zellshëm dhe më këmbëngulës në ruajtjen e dashurisë ndërvëllazërore, bashkëjetesën ndërfetare dhe në ruajtjen e paqes, harmonisë dhe vlerave të përbashkëta kombëtare. Duke qenë më i vërtetë në dëshmi, më i zellshëm në bashkëpunim dhe më i gatshëm në sakrificë. Pasi vetëm kështu kemi arritur ta ruajmë të bashkuar të kaluarën tonë dhe vetëm kështu do ta rindërtojmë të ardhmen e fëmijëve tanë. Pra jo, vetëm! Por me gjithë të tjerët.
Dhe mos provo të më thuash që s’po mundesh me durua disa rimohues, shakllaban, lakmitarë, tradhtarë, nostalgjikë të tmerrit të dikurshëm, e ka di unë ka tjetër. Pasi, dashuria i tejkalon gjitha këto dhe për ne bëhet e mundur. Pastaj, nëse ne që i mbetëm besnikë besës, edhe pse të mohuar, arritëm t’i ruanim këto vlera ndër vëllazërore në ato kohë të errëta e tejet të vështira. Atëherë, për ty, në këto rrethana lirie, paqeje dhe drejtësie, kjo gjë nuk duhet të paraqet as një vështirësi. Dhe nëse ndodhë ndryshe s’bën gjë tjetër pos që dëshmon se nuk i takon të vërtetës, nuk je i denjë për Zotin Dashuri dhe si rrjedhojë nuk e ke meritua pagëzimin.
Kjo nuk do të thotë që ti duhet të heqësh dorë nga e vërteta, të pajtohesh me ata që e rrënojnë vlerat që i theksova më lart, ose të pranosh hipokrizinë, apo laramanin e jetës në realitetin tonë. Por, kur të dëshmosh e ta shpallsh fenë, apo kur ta shprehësh dashurinë dhe mendimin tënd për vlerat tona kombëtare, si njërën ashtu edhe tjetrën bëje me përvujtëri, me mirësi, me respekt, e mbi gjitha me dashuri.
Bile, më shumë me dëshmi jete se me fjalë. Këtë e kanë dëshmuar të parët tanë duke sakrifikuar gjithçka për “Atme e Fe”, por pa e cenuar dashurinë ndër vëllazërore mes nesh. E siç të kam thënë edhe më lartë: Nëse duhet të ndajmë kombin në të krishterë e musliman, gjëja e vetme që mund të themi është, se: Ne jemi fytyra e tyre e ata janë trupi i jonë.
Qoftë hiri dhe paqja e Zotit me ty në çdo ditë të jetës tënde e sidomos gjatë këtij viti jubilar të shpresës, që na e dhuroj Papa Françesku. Njëkohësisht të ftoj që gjatë këtij viti dhe gjithë jetës tuaj të jesh shtegtarë i shpresës në kishën dhe popullin tonë.
Unë Doda, ipeshkëv i dioqezës Prizren-Prishtinë dhe bari i grigjës së Jezu Krishtit në Kosovë me dashuri dhe kujdess baritor në emër të gjithë të pagëzuarve të përcjell përshëndetjet më të përzemërta dhe të marrë ngrykë me mall.

Shpëndaje: