Nga Don Frok Zefi
Dom Andre Logoreci ishte prift i dioqezës së Shkodrës; ende nuk e dimë se ku ka lindur dhe se ku u shkollua.
1 Meshtar
Nga testamenti i tij mësojmë se shërbeu si famullitar në famullinë e Jubanit në arqipeshkvinë e Shkodrës. Kur u emërua ipeshkëv titullar, disa nga gjërat e tij i la për ruajtje në shtëpinë e motrës së tij Sileja, e cila ishte e martuar me Gjon Brahimin në famullinë e Jubanit; ajo i shërbeu vëllait të vet, dom Andreas deri në emërimin e tij si ipeshkëv titullar.[1]
2 Ipeshkëv titullar
Më 07 janar, të vitit 1887, u emërua ipeshkëv titullar i Juliopolitanit, ndërsa më 14 qershor, të vitit 1888, u emërua arqipeshkëv i arqipeshkvisë së Shkupit.[2]
Në Shkodër, më 21 korrik, të vitit 1888, arqipeshkvi Logorezzi (Logoreci) i shkroi kardinalit epror të Kongregatës për Përhapjen e Fesë se, të martën e kaluar kishte marrë një brevë papnore për transferimin e tij në Shkup. Edhe pse në atë kohë ishte i hidhëruar dhe i mërzitur nga ky emërim, përsëri iu nënshtrua gjykimit të papës dhe ra dakord, duke e lënë vajtjen e tij në arqipeshkvinë e Shkupit në duart e provanisë hyjnore. Nuk donte të ishte i pabindur e i pandëgjueshëm, prandaj zgjodhi të priste me mirëkuptim dhe durim.
Edhe pse nuk e kishte marrë ende mantelin (palliumin) e arqipeshkvit, kërkoi që t’i jepej juridiksioni i plotë që të mund të kryente punën e tij.
Ndërsa, sa i përket kanonikut Gjivanoviq, dëshironte që t’i jepte një përgjigje të prerë. Për shkak se ishte shtetas austriak, edhe me atë do të bënin njësoj si me imzot Carevin, të cilin e urrenin, ndonëse padrejtësisht, sepse ishte kroat dhe shtetas austriak, duke e konsideruar si emisar të pushtimeve austriake. Nëse kanoniku i nderuar, si vikar i arqipeshkvit, do të ushtronte juridiksionin e vikarit të tij, do të nxiste edhe një herë fanatizmin e autoriteteve osmane si dhe persekutimin ndaj tij dhe ndaj arqipeshkvit Logorezzi (Logoreci), duke e konsideruar edhe atë si një instrument në favor të Austrisë e në dëm të pushtetit osman, sidomos tani që ky pushtet ishte kundër klerit për shkak të raporteve shpifëse që dërgoheshin në Kostandinopojë dhe në të cilat pretendohej se priftërinjtë katolik, me veprime të fshehta, po përshpejtonin aneksimin e Shqipërisë për t’ia bashkuar më pas Austrisë.
Listën e meshëve të dedikuara, arqipeshkëv Logorezzi (Logoreci) ia dërgoi atit prefekt të misionit në Pult, dhe ky i fundit do t’ua shpërndante më pas misionarëve. Në emër të misionarëve, arqipeshkvi i falënderoi për dedikimet e dërguara për meshë. Në fund të kësaj letre arqipeshkvi shkruante se dëshironte që të shkonte për shërim në Romë.
3 Arqipeshkëv i Shkupit
Më 08 korrik, të vitit 1888, frati Fulgencije Carev, paraardhësi i arqipeshkvit Andre Logorezzi (Logoreci), i shkruante nga Shkupi, Kardinalit Epror të Kongregatës për Përhapjen e Fesë se nevojat e arqipeshkvisë së Shkupit e kishin mbajtur në Shkup, dhe për këtë arsye, nuk kishte mundur të shkonte as në Romë ashtu siç kishte dashur. Meqenëse pasardhësi i tij, arqipeshkvi Andre Logorezzi (Logoreci), së shpejti duhej të vinte nga Shqipëria në Shkup, ai priti me durim që t’ia dorëzonte personalisht arqipeshkvinë si dhe ta informonte për gjërat që duhej t’i dine, për të shmangur paqartësitë, keqkuptimet dhe shqetësimet.[3]
Arqipeshkvi Andre Logorezzi (Logoreci) për disa arsye nuk mundej që të vinte menjëherë në Shkup; ndërkohë ish – arqipeshkvi po vazhdonte ta priste me durim dhe këmbëngulje. Ndërsa priste pasardhësin e tij, më 09 gusht, të vitit 1888, i shkroi një letër kardinalit epror në të cilën i thoshte se i nënshtrohej dëshirës së papës për t’u transferuar në dioqezën e Hvarit. Para se të merrte ligjërisht dioqezën, dëshironte që të njihej me kushtet atje, të pushonte pak dhe më pas të shkonte në Romë. E falënderonte kardinalin që ishte interesuar për borxhet e tij, të cilat i kishte marrë për të blerë një vend të përshtatshëm për ndërtimin e rezidencës së arqipeshkvisë në Shkup. Duke qenë se letrat vonoheshin shumë, ende nuk kishte marrë asnjë përgjigje nga nunci i Vjenës mbi ndihmën e qeverisë austriake për shlyerjen e borxheve të tij. Që posta të vinte e sigurt, ishte e nevojshme të shkruhej kjo adresë: Shkup (Turqia Evropiane) ose (Shqipëria Veriore, apo Shqipëria e Epërme), sepse arqipeshkvia e Shkupit politikisht ishte jashtë Serbisë.[4]
Më 24 gusht, të vitit 1888, përfaqësuesit nga Lioni të shoqatës për përhapjen e fesë e falënderonin Kardinalin Epror për njoftimin e transferimit të atë Fulgencija Carev në Hvar si dhe për emërimin e Andre Logorezzi (Logoreci) si arqipeshkëv të Shkupit, dhe njëkohësisht e njoftonin se do të vazhdonin ta ndihmonin arqipeshkvinë e Shkupit, sipas mundësive të tyre (siç edhe kishin vepruar në të shkuarën). [5]
Kur Andre Logorezzi (Logoreci) erdhi në arqipeshkvi, iu përkushtua tërësisht problemeve baritore të dioqezës që tashmë ishte në gjendje të shpërndarë. Ai gjithashtu u angazhua shumë për organizimin e arsimit në arqipeshkvi, duke sjell mësues të kualifikuar në Prizren, në Gjakovë e në vende të tjera.
4 Vdekja dhe testamenti i arqipeshkvit
Arqipeshkvi i Shkupit, Andre Logorezzi (Logoreci) më 08 nëntor, të vitit 1890, shkroi një testament ku thoshte: “Në emër të Atit dhe të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë, amen!
I vetëdijshëm se vdekja është e sigurt për të gjithë, ndërsa ora e saj nuk dihet, tani që jam i shëndetshëm mendërisht dhe fizikisht po vendos se çfarë kam të drejtë të bëj, për të eliminuar të gjitha keqkuptimet pas vdekjes sime, si vijon:
- Vëllezërve të mi (tani të vdekur) ua kam dhuruar trashëgiminë time atërore, e cila përbëhet nga pasuria e tundshme dhe patundshme, (d.m.th., e luajtshme dhe e paluajtshme), dhe me këtë testament e konfirmoj atë si dhuratë.
- Sendet e mia shtëpiake siç janë enët e gatimit, dyshekët etj., që i kisha në famullinë e Jubanit i lashë për ruajtje në shtëpinë e motrës sime Sileja, grua e Gjon Brahimit, kur u bëra ipeshkëv. Silesë, po i lë gjithashtu si kompensim dyshekët e përmendur si dhe të gjitha mbulesat e shtratit që i kam përdorur gjatë gjithë kohës kur kam qenë prift. Nëse ajo vdes para meje, sendet e lartpërmendura ua lë djemve të saj. Të gjitha orenditë e mbetura shtëpiake mund të shiten nga motra, ose nëse ajo nuk do të jetë gjallë, mund të shiten nga djemtë e saj, dhe shuma e përfituar nga shitja e tyre le të shërbej për të mbajtur meshë për prehjen e shpirtit tim, dhe për çdo meshë le të paguajnë 12 piastra, si shpërblim.
- Vreshtin që e kam në Juban ma ka lënë trashëgim një (tashmë) i ndjerë, pra më ka dhënë para për ta blerë me kontratë, për ta shijuar deri në vdekje, dhe në fund për t’ia lënë trashëgim një kishe. Duke parë varfërinë e kishës famullitare në famullinë e Riolit në arqipeshkvinë e Shkodrës, vreshtin po ia lë asaj kishe pa detyrimin për të kremtuar meshë.
- Gjithçka që kam në para, rrobat e prelatit, gjërat e shenjta, gjërat liturgjike, unazat e ipeshkvit, kryqet e kraharorit dhe çdo gjë tjetër që më është dhënë mua si ipeshkëv i misionit dhe i Kongregatës për Përhapjen e Fesë, për shkak se më janë dhënë vetëm për përdorim, nuk mund të trashëgohen as nga laikët e as nga askush tjetër, prandaj po ia lë misionit ose dioqezës, titullin e së cilës do ta mbaj në orën e vdekjes. I takon Kongregatës që t’i përdor sipas dëshirës së saj mallrat (sendet) e lartpërmendura.
- Shumën për 200 meshë e lë për kremtimin e meshëve për prehjen e shpirtit tim, që shpërblimi i meshës të jetë 10 piastra; ndërsa në ditën e vdekjes sime le të kremtohen dhjetë meshë me 25 piastra.
Po e mbyll këtë dokument të testamentit tim të fundit, me nënshkrimin dhe vulën time të zakonshme.
Shkup, më 06 nëntor, 1890
Andre Logorezzi (Logoreci)
Arqipeshkëv i Shkupit.”[6]
Arqipeshkëv Logorezzi (Logoreci) jetoi vetëm pak më shumë se një vit pasi e shkroi këtë testament. Më 29 dhjetor, të vitit 1891, dom Viktor Pavishiq, famullitar i Shkupit, telegrafoi Kongregatën për Përhapjen e Fesë, për ta njoftuar si vijon, “sot në agim, ndërroi jetë imzot Logorezzi (Logoreci). ”[7]
Po atë ditë, dom Viktor Pavishiq i shkroi kardinalit epror të Kongregatës se, sapo kishte mësuar nga telegrami i tij që, imzot Andre Logorezzi (Logoreci) kishte ndërruar jetë nga pneumonia katarale, nga e cila vuajti vetëm dy ditë.
Sapo arqipeshkvi dha shpirt, dom Viktori thirri në Shkup konsullin austro – hungarez si dhe personalitete të tjera, e në prani të tyre vulosi arkivin dhe thesarin. Gjërat e tjera në shtëpi nuk i vulosi, por i ruajti deri në ardhjen e pasardhësit të arqipeshkvit.
Trupi i arqipeshkvit të ndjerë do të ekspozohej deri më 1 janar, dhe po atë ditë, do të varrosej në kapelën lokale me të gjitha nderimet e mundshme.[8]
Me një telegram të dërguar nga Shkupi më 31 dhjetor, të vitit 1891, dom Viktor Pavishiq i kërkoi kardinalit epror të Kongregatës që të caktonte drejtorin e kuries së arqipeshkvisë.[9]
Më 03 janar, të vitit 1892, doktor Hoffman përgatiti çertifikatën e vdekjes së arqipeshkvit, ku mes të tjerash shkruante: “Unë, i nënshkruari doktor në mjekësi, deklaroj se për tri ditë kam trajtuar eminencën e tij, imzot Andre Logorezzi (Logorecin), arqipeshkëv i Shkupit, sepse vuante nga pneumonia bronkiale, prej së cilës imzot Logorezzi (Logoreci) humbi jetën, ditën e martë, më 29 dhjetor, në agim.” [10]
Më 05 janar, të vitit 1892, konsulli austro – hungarez në Shkup dhe përfaqësuesit e italianëve, austriakëve dhe shqiptarëve konfirmuan se Andre Logorezzi (Logoreci), arqipeshkëv i Shkupit, ndërroi jetë më 29 dhjetor, të vitit 1891, në orën katër e gjysmë (4:30) në mëngjes.
Për më tepër, ata dëshmuan se arqipeshkvi u varros më 01 janar, të vitit 1892, në prani të katolikëve të nënshkruar, i veshur me petka meshe dhe xhaketë, me stol dhe manipulë, me beretë e me kryq. E varrosën në një kriptë të hapur në kapelën e qytetit të Shkupit; kripta ishte 3 metra e thellë, 2,5 metra e gjatë dhe 2 metra e gjerë, si dhe e rrethuar me një hark.
Varrimin e udhëhoqi imzot Bartol Fantella, famullitar në Prizren, në prani të konsullit mbretëror perandorak austro – hungarez dhe të kolonisë katolike në Shkup. Arkivoli ishte i zbukuruar me të gjitha shenjat që e kishin zbukuruar të ndjerin edhe gjatë jetës.
Në këtë vërtetim, në emër të italianëve nga Curati ka firmosur konsulli Norbert, emri i përfaqësuesit të austriakëve është i palexueshëm, ndërsa në emër të shqiptarëve ka firmosur Josip Luka.201
Nuk është e qartë nëse trupi i arqipeshkvit u transferua në katedralen e re, apo nëse mbi varrin e tij u ndërtua katedralja, ndërsa dom Gaspër Gjini shkruan, “ai u varros në kishën e mëparshme të Shkupit, e cila u shkatërrua nga tërmeti i 26 korrikut, të vitit 1963. Varri i tij ishte në presbiter. Eshtrat e tij u transferuan, përkohësisht, në varrezat e qytetit ku akoma po presin që të zhvarrosen dhe të transferohen në katedralen e re.” [11]
Kisha e dikurshme për të cilën flet dom Gaspër Gjini i ishte kushtuar Zemrës së Krishtit; ajo u shugurua solemnisht nga arqipeshkvi i Shkupit, Pashk Trokshi, qysh në vitin 1902.
Më 5 janar, të vitit 1892, famullitari i Shkupit, dom Viktor Pavishiq, i shkruante kardinalit epror të Kongregatës se, së bashku me letrën po i dërgonte edhe vërtetimin e lartpërmendur mbi vdekjen dhe varrimin e arqipeshkvit Andre Logorezzi (Logoreci), si dhe vërtetimin (dëshminë) e mjekut i cili e trajtoi gjatë kohës kur ishte i sëmurë.
Siç është shkruar tashmë, trupi i arqipeshkvit të ndjerë u varros më 01 janar, të vitit 1892 në oratorinë lokale (pra, në kapelën e vjetër që ishte pjesë e rezidencës së kryepeshkopit, op.a.). Duke marrë parasysh vendin dhe mjetet, varrimi ishte mjaft solemn. Në varrim mori pjesë konsulli austro – hungarez, konsulli serb, ai grek, si dhe një numër i madh njerëzish të besimeve të ndryshme.
Arkivi dhe thesari, siç është raportuar tashmë, iu dorëzuan për ruajtje konsullit austro – hungarez. Kjo u bë për të ruajtur qetësinë, si dhe për të shmangur çdo lloj shqetësimi të mundshëm.
Sipas urdhërit të kardinalit, 537.50 franga arritën nëpërmjet nuncit të Vjenës si mbështetje personale për arqipeshkvin dhe për mirëmbajtjen e tij. Kjo shumë arriti dy ditë para vdekjes së arqipeshkvit, prandaj ai i la ato para në ruajtje. Kur arqipeshkvi ndërroi jetë, meqë nuk kishte para të tjera, ajo shumë u përdor për të paguar shpenzimet e varrimit, e cila gjithsesi aq sa ishte nuk mjaftonte për t’i mbuluar të gjitha shpenzimet si dhe borxhet e ndryshme të arqipeshkvit. Para se t’i merrte ato para, për korrektësi ai i kishte shkruar një faturë konsullit austro – hungarez.
Meqenëse kishin mbetur pa para dhe duke qenë se duheshin shlyer borxhet e krijuara me rastin e vdekjes dhe të varrimit të arqipeshkvit Andre Logorezzi (Logoreci), e meqë duhej kryer edhe rregullimi i rezidencës (selisë) së arqipeshkvisë, ai iu lut kardinalit që t’i dërgonte ndihmën financiare që vërtet i nevojitej për arsyet e përmendura më sipër.[12] /drita.info
—————————————————–
[1] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 1363r.
[2] Gaspër GJINI, Skopsko – Prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, (1986), f. 192; Gaspër GJINI, Ipeshkvia Shkup – Prizren nëpër shekuj, Drita, Prizren, (2011), f. 201.
[3] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 1167r.
[4] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 1150.
[5] vol. 5, f. 1177rv.
[6] vol. 5, f. 1363rv.
[7] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 1394.
[8] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 1392.
[9] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 1395.
[10] ASCPF, SC SERVIA, vol. 5, f. 1388. 201 vol. 5, f. 1390.
[11] Gaspër GJINI, Skopsko – Prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, (1986), f. 193.
[12] vol. 5, f. 1386rv.