Bogdani dhe Rugova – Dy burime drite për kombin tonë

Nga Imzot Dodë Gjergji

 

Fort të dashur,

Pas takimeve të përvjetshme të Atë Shtjefën Gjeçovit, në Zym dhe Don Mikel Tarbulluzit në Stubëll, po takohemi për të kujtuar Pjetër Bogdanin dhe Ibrahim Rugovën, dy figura të ndritshme në vargun e gjatë të personaliteteve tona kombëtare dhe fetare, që si shkëndija drite na ndihmojnë të shohim vetën tonë. Këndej, që në fillim mund të themi se takimet tona nuk janë vetëm një mundësi për të kujtuar dhe nderuar të kaluarën, por edhe një moment i çmuar për të reflektuar mbi figurat që kanë ndërtuar themelin shpirtëror dhe kulturor të kombit tonë.

Këto dy figura madhore të historisë sonë: Pjetër Bogdanin dhe Ibrahim Rugovën, ndonëse i ndajnë shekuj, lidhen ngushtë me vizionin e tyre për liri, dinjitet, identitet, qytetërim si frymëzues të mëdhenjtë të shpirtit dhe vetëdijes së popullit shqiptar, për t’iu kthye shtratit të natyrshëm kulturorë, shpirtëror dhe qytetërimit të cilit i përkasim.

 

Pjetër Bogdani – Frymëzimi i ndriçimit shpirtëror dhe kulturor

Pjetër Bogdani, ky kolos i mendimit dhe besimit të shekullit XVII, është një nga mendimtarët më të mëdhenj të kombit tonë. Ai nuk ishte vetëm një ipeshkëv dhe shkrimtar, por një strateg kulturor dhe shpirtëror, që kuptoi se në zemrën e çdo kombi të fortë është ruajtja e identitetit dhe përparimi në dije. Në kryeveprën e tij “Çeta e Profetëve”, ai, jo vetëm që ndërtoi një urë ndërmjet kulturës evropiane dhe asaj shqiptare, por gjithashtu i dha popullit të tij një vizion të ndritshëm përballë errësirës së kohës.

Bogdani përfaqëson atë shpirt të palodhur që e kupton se për të triumfuar përballë padrejtësisë dhe pushtimeve, një komb duhet të forcojë shpirtin dhe mendjen e tij. Duke sjellë dritën e arsimit, të kulturës dhe të besimit, ai u përpoq të nxirrte popullin shqiptar nga terri i paditurisë dhe ta kthente atë drejt qytetërimit evropian.

 

Ibrahim Rugova – Trashëgimtari i filozofisë së Bogdanit

Ibrahim Rugova, shekuj më vonë, mishëroi parimet e Bogdanit në rrugëtimin e tij politik dhe shpirtëror. Rugova nuk ishte vetëm një lider politik, por një njeri i kulturës dhe mendimit, i cili e kuptonte se trashëgimia e figurave si Bogdani është thelbësore për të ndërtuar një vizion modern dhe të qëndrueshëm për Kosovën dhe kombin shqiptar.

Në frymën e Bogdanit, Rugova pa kulturën dhe besimin si shtylla të fuqishme të përpjekjes për liri. Ai riktheu vlerat që Bogdani i kishte mbjellë, duke treguar se identiteti ynë kombëtar nuk është vetëm një çështje gjeografike apo politike, por edhe një përkushtim shpirtëror dhe moral. Rugova lidhte me mjeshtëri trashëgiminë e Bogdanit dhe të Gjergj Kastriotit, duke u përpjekur të rilidhte fijet e këputura identitare gjatë të kaluarës, në një nyje të re e të qëndrueshme me identitetin e natyrshëm evropian dhe me popujt perëndimor.

 

Bogdani dhe Rugova – Dy burime drite për kombin tonë

Ashtu si Bogdani, që përmes penës dhe mendjes së tij i dha popullit shqiptar një busull shpirtërore dhe kulturore, Rugova përmes fjalës dhe veprimit të tij e çoi këtë trashëgimi në sferën e politikës moderne. Bogdani shihte besimin dhe arsimin si dy forca që do të zgjonin popullin nga errësira, ndërsa Rugova e përdori kulturën dhe dialogun si mjete për të arritur paqen dhe pavarësinë.

Në një botë ku Bogdani rrezikoi gjithçka për t’i dhënë popullit të tij një identitet të qëndrueshëm, Rugova, shekuj më vonë, ndoqi të njëjtën rrugë duke u bërë simbol i paqes dhe i rezistencës së qetë. Bogdani ishte si një profet që ndriçoi rrugën, ndërsa Rugova ishte si një udhëheqës që e kaloi popullin e tij nëpër këtë rrugë drejt lirisë.

 

Mësime për të ardhmen

Sot, kur kujtojmë këto dy figura madhore, le të marrim mësim nga përkushtimi i tyre ndaj idealeve të larta. Bogdani na mëson rëndësinë e ndriçimit shpirtëror dhe kulturor, ndërsa Rugova na mëson si të jetojmë lirinë me dinjitet dhe të ndërtojmë paqen me respekt. Nëse duam të vazhdojmë rrugën që ata na kanë trasuar, duhet të investojmë në arsimin, kulturën dhe harmoninë tonë si komb.

Në përfundim, Pjetër Bogdani dhe Ibrahim Rugova janë dy yje udhërrëfyes që ndriçojnë rrugën tonë drejt një të ardhmeje më të mirë. Le të kujtojmë dhe të nderojmë trashëgiminë e tyre duke ndërtuar një shoqëri që respekton vlerat e trashëguara dhe i përshtatë ato në kohën moderne. Trashëgimia e tyre duhet të jetë frymëzim për të gjithë ne, që të punojmë për një të ardhme ku shpirti i dëlirë dhe i lirë, kultura e trashëguar, paqja e arritur dhe mundësitë e mëdha që i kemi të na ndihmojmë të vazhdojmë rrugën e trusur prej tyre. /drita.info

 

(Fjala e plotë e mbajtur në Akademinë Solemne për “Ditët e Bogdanit” 2024, në Qendrën “BogdaniPolis” në Prishtinë, më 6 dhjetor 2024).

Shpëndaje: