Frat Fulgencije CAREV,  arqipeshkëv i Shkupit, (1879-1888)

Nga Don Frok Zefi

 

Frati Fulgencije Carev, lindi  më 15 prill, të vitit 1826, në fshatin Kashtel – Gomilici afër Splitit. Ditën e katërt pas lindjes së tij, e pagëzuan dhe e quajtën Petar (Pjetër). Prindërit e tij Petar dhe Vicer Periqin, ishin prindër të mirë dhe të dashur (dashamirës) për Zotin. Përveç Pjetrit, ata kishin edhe dy djem dhe gjashtë vajza. U dhanë fëmijëve të tyre një edukatë të vërtetë të krishterë, me shembull dhe udhëzime nga jeta e tyre.

 

Fëmijëria

Pjetri qe më i vogli nga vëllezërit; dhe që në fëmijëri shquhej për devotshmërinë dhe natyrën e tij të butë. Kur u rrit, mësoi shkrim e këndim dhe për një kohë vijoi, siç ishte zakoni atëherë, në shkollë te prifti i fshatit. Ndodhi që një ditë të shkonte bashkë me nënën e tij, në kuvendin françeskan në Polud afër Splitit, për të parë nëse do ta pranonin në kuvend për t’u bërë françeskan. Dëshira e tij u plotësua, dhe pasi solli gjithçka që iu kërkua, (dëshminë e pagëzimit, lejen e prindërve dhe certifikatën e famullitarit për sjellje të mirë), u pranua në kuvend. Kjo ndodhi në mars  të vitit 1839.

 

Në kuvend

Pjetri i vogël qëndroi në Polud deri në muajin tetor dhe më pas, në nisje të shkollës u dërgua në një kuvend në Hvar, për të filluar shkollën e mesme atje. Është e vërtetë se tashmë e kishte  tejkaluar moshën shkollore, por fal zellit dhe talentit  kreu me sukses tre klasë, ndërsa vitin e katërt e vazhdoi në Split. Nga Poludi shkoi më pas në seminarin e ipeshkvisë, për mësime të mëtejshme.

Nuk e dimë saktësisht se kur e veshi petkun e murgut, por hamendësojmë se duhet të ketë qenë pas klasës së katërt, kur ishte kthyer sërish në Hvar në klasën e pestë dhe të gjashtë.Kur  veshi teshat françeskane, mori emrin Fulgencije në kujtim të bashkëbanorit të tij murg, atë Fulgencije Bakotić (+1790), një françeskan i shenjtë dhe gdhendës i famshëm  kryqesh.

Murgu (rregulltari) i ri, atë Fulgencije nuk hyri në rreshtari (noviciat) menjëherë pas veshjes, sepse nuk kishte moshën e duhur, që kërkohej atëherë nga autoritetet

shtetërore për të hyrë në rreshtari. Kështu që vazhdoi klasën e pestë dhe të gjashtë në Hvar, e më pas edhe klasën e shtatë dhe të tetë, pjesërisht në Split e pjesërisht në Zarë.

Pas mbarimit të shkollës së mesme, duhej të shkonte në Koshlun (në Krk) në rreshtari (noviciat), por për shkak të disa pengesave,  ndodhi që atë vit të mos kishte rreshtari (noviciat) në Koshlun, kështu që e dërguan përsëri në Hvar për ta përfunduar  atje vitin e sprovës fetare. Kjo ndodhi në vitin 1848.

Nëpërmjet rreshtarisë (noviciatit), atë Fulgencije e njohu edhe më mirë jetën fetare si dhe të gjitha virtytet që i duheshin një rregulltari, për të punuar sa më suksesshëm për përmirësimin individual si dhe për shpëtimin shpirtëror të të afërmit të tij. Ai i nguli thellë në zemrën e tij këto virtyte, sepse  ato do të ishin themeli i veprimeve të tij të mëvonshme në nder e në lavdi të Zotit dhe të së mirës së të gjithë atyre me të cilët pati të bënte. Atë Fulgencije Carev i kreu betimet solemne, më 28 janar,  të vitit 1850.

 

Meshtar

Pas rreshtarisë (noviciatit), ndërsa priste lejen për të dhënë kushtet, atë Fulgencije filloi të studionte teologji në seminarin qëndror në Zarë. Më 21 mars, të vitit 1850, provinciali i kërkoi ministrisë, nëpërmjet ordinariatit të arqipeshkvisë, leje për shugurimin e hershëm të atë Fulgencijes. Leja erdhi dhe frati Fulgencije u shugurua si prift më 25 mars,  të vitit 1850.

I  lumtur dhe i bekuar, meshën e  parë të shenjtë e kremtoi në kuvendin e tij të dashur në Hvar të Kroacisë,  në altarin e të zënët pa mëkat të shën Marisë Virgjër, Zojës së Papërlyer, më 14 prill,  të vitit 1850. Pas kësaj, vazhdoi në mënyrë të rregullt shërbesën, si dhe kreu studimet teologjike në Zarë.

Si klerik, frati Fulgencije ishte shembullor në çdo gjë; ishte i bindur dhe besnik ndaj eprorëve dhe mësuesve; ishte i sjellshëm e i butë me kolegët e  tij, të cilët pikërisht për këtë sjellje e donin dhe e respektonin gjithnjë e më shumë. Kur u bë meshtar, numri i adhuruesve të tij u rrit gjithnjë e më tepër, sepse ishte në kontakt me një numër më të madh besimtarësh. Të gjithë panë tek ai një njeri që i uronte, që ua donte të mirën dhe që ishte i gatshëm të bënte çdo lloj sakrifice, kur e kërkonte nevoja, për të mirën e tyre shpirtërore.

Predikonte thjesht dhe me gjuhë popullore, kështu që njerëzit ishin të lumtur kur e dëgjonin. Ishte i palodhur në rrëfime, prandaj shumë njerëz vinin nga larg për të kërkuar paqe shpirtërore dhe inkurajim prej tij.

 

Epror i kuvendit dhe i provincës  

Pas përfundimit të studimeve, atë Fulgencije u caktua në kuvend në Badija, afër Korçulit. Aty qëndroi për pesë muaj, dhe më pas e dërguan në Kopar si zëvendës epror. Edhe pse ishte ende i ri, u emërua epror i kuvendit. Si i tillë, bëri gjithçka për të riparuar manastirin e vjetër që ishte rrënuar. Kujdesin më të madh ia kushtoi kishës. Përmirësoi pamjen e saj të brendshme, solli përshpirtëri të reja, ndërsa ato ekzistueset i përmirësoi për t’i bërë sa më tërheqëse për besimtarët. Në atë kohë në kishë përdorej vetëm gjuha italiane, kështu që për raste të tilla si: për majin, për nëntëditëshin e festës së shën Antonit si dhe për festën e Zojës së Papërlyer,  ftonte predikues të famshëm nga Italia.

Gjithë kujdesi dhe përpjekjet e tij natyrisht që dhanë frutet e tyre, kështu,  kisha e shën Anës (shën Prenës) u bë më e vizituara në qytet, jo vetëm për popullsinë italiane, por edhe për rrethinën sllovene, nga ku vinin kryesisht njerëzit për rrëfim. Atë Fulgencije kujdesej që secili të rrëfehej në gjuhën e vet. Ai kalonte orë të tëra vetëm në rrëfim, sidomos në prag të festave dhe të të kremteve.

Megjithatë, nuk duhet të mendojmë se atë Fulgencije nuk hasi në pengesa dhe në vështirësi të ndryshme gjatë shërbesës së tij. Duhet thënë se ai ishte plot besim në Zotin, kështu që nuk lejoi që të ndikohej nga asgjë. Për shkak se kisha e shën Anës (shën Prenës) u bë një pikë qëndrore e jetës shpirtërore në komunitet, liberalët e asaj kohe nisën të ushqenin zili e xhelozi, kështu që nisën të kërkonin mundësi për t’a penguar këtë punë shpirtërore, madje edhe duke ndërmjetësuar për të mirën e kishës. Kështu, filluan të punonin sesi t’i shpërngulnin françeskanët diku tjetër, me qëllim që kuvendin së bashku me një kopsht të bukur ta përdornin për seminarin teologjik të dioqezës Triestë – Kopar. Atë Fulgencije e raportoi çdo gjë në kohën e duhur te eprori i tij provincial, dhe e bindi që ai vetë personalisht, të shkonte te perandori në Vjenë për t’i ndaluar synimet e liberalëve, si edhe të naivëve të kishës, që ranë pre e dredhive. Provinciali, atë Zoilo Monti, shkoi te perandori Franc Jozef i I dhe i shpjegoi të gjithë komplotin, kështu perandori përmes një prej letrave të tij, i dha fund  të gjithë komplotit, e njëkohësisht shprehu  një vlerësim të dukshëm për françeskanët në Koper për punën e tyre shpirtërore. Në kuadër të këtij vlerësimi  ai dha edhe një kontribut domethënës për riparimin e manastirit. Ky kontribut u përjetësua nga vendosja e një pllake përkujtimore në manastir.

Si epror, atë Fulgencije Carev kujdesej me ndërgjegje për të gjithë anëtarët e kuvendit. Ishte një shembull i përsosur për ta, si në punën për Zotin dhe të afërmin, ashtu edhe në përpjekjet për zhvillimin e tyre fetar. Prandaj edhe një herë, për kënaqësinë dhe gëzimin e të gjithëve, u emërua si epror i kuvendit.

Në vitin 1866, u zgjodh njëzëri si epror provincial, kështu që i duhej që të jetonte në Zarë; ndërsa në përfundim të shërbimit trevjeçar si provincial, u kthye në Kopar si epror i kuvendit.

Në vitin 1877, me vullnetin e eprorëve, atë Fulgencije Carev u shpërngul në Zarë për të drejtuar kuvendin më të lashtë që ishte edhe më i madhi. Për shumë njerëz, e veçanërisht për ata të cilët e kishin  udhëheqësin e tyre shpirtëror,  vendimi për transferimin e atë Fulgencijes nga Kopër për në Zarë, ishte i vështirë. Ai i’u drejtua atyre me një letër ku u thoshte se nuk duhej të pikëlloheshin, por duhej të shkonin tek këmbët e Jezusit, të Marisë dhe të Jozefit, pasi ata do të ishin gjithmonë aty, së bashku me ta.

 

Shugurimi ipeshkvnor

Atë Fulgencije ishte i njohur në Romë. Ai e vizitoi qytetin e përjetshëm në vitin 1876, dhe me atë rast  njohu shumë njerëz dhe admirues. Me prezantimin dhe sjelljen e tij, la përshtypje të mira tek të gjithë ata që e njohën e u takuan me të. Në 16 shkurt, të vitit 1876, vizitoi edhe papa Piun e IX   i cili e pranoi në audiencë. Nga ky takim me papën, ai mori prej tij një fotografi të bukur të nënës së Zotit, të cilën më pas e mbante gjithmonë me vete.

Pas kthimit nga Roma, siç treguam më sipër, ai u transferua në Zarë, ku qëndroi tre vjet, për t’u kthyer më pas në Kopar, në fillim të vitit 1879.

Nga mesi i shkurtit të vitit 1879, mori një ftesë nga eprori i tij i përgjithshëm për të shkuar në Romë. Arsyen e kësaj ftese nuk e dinte. Në 16 shkurt të vitit 1879, ai raportoi në Kopar se kishte arritur me sukses në Romë nëpërmjet Padovës, Bolonjës, Loretos dhe Asizit. Kur arriti atje, gjenerali i urdhrit e njoftoi se papa dëshironte që ta emëronte arqipeshkëv të Shkupit. Duke e konsideruar veten të padenjë dhe të papërshtatshëm për atë shërbim, ai bëri gjithçka për t’u çliruar, por ishte e kot. Në 14 mars, të vitit 1879, njoftoi mikun e tij Luj Pola në Kopar se ishte emëruar arqipeshkëv i Shkupit. Ai theksonte frikën e tij, sepse siç e përmendëm më sipër, mendonte se nuk ishte as i denjë dhe as i aftë për atë pozicion. Ai tregonte se sigurisht që e kishte mbrojtur këtë qëndrim të tijin, por pa sukses. Mirëpo, premtonte se do të bënte edhe  një përpjekje të fundit para papës kur të ishte i ftuar në një audiencë; por nëse papa do t’i qëndronte vendimit të tij, ai nuk do të kishte  zgjidhje tjetër veçse të ulte kokën, dhe le të bëhej vullneti i Zotit.

Në letrën e tij të datës 31 mars, të vitit 1879, njoftonte miqtë  e tij në Kopar se më 26 mars kishte qenë me papa Leon e XIII nga ora shtatë e mëngjesit e deri në orën tetë të mbrëmjes. Ai tregonte se nuk kishte fjalë për t’a përshkruar mirësinë me të cilën papa e kishte pritur dhe se i ishte dhënë autoriteti për të ndarë faljen e plotë të bekimit apostolik në të gjitha famullitë ku do të kalonte. Në të njëjtën kohë, ai shpalli edhe  shugurimin e tij ipeshkvnor, i cili do të bëhej më 27 prill, të dielën e dytë pas pashkës, që  ishte e diela e bariut të mirë, kur ai kremtoi edhe meshën e tij të parë në Hvar 29 vjet më parë.

Shugurimi u bë në ditën e shpallur nga kardinali Rampolla. Të pranishëm ishin françeskan të shumtë me në krye gjeneralin e urdhërit françeskan, atë Bernardino da Porto Romatino, shumë françeskan të tjerë, si dhe disa miq nga Kopari. Pas shugurimit, arqipeshkëv Fulgencije qëndroi edhe për një kohë në Romë për të marrë palliumin (mantelin ipeshkvnor) si dhe për të rregulluar disa çështje të arqipeshkvisë së tij të Shkupit, e më pas u kthye në Kopar, ku u prit me ngrohtësi nga kleri dhe populli që e përcollën deri në manastir. Në festën e shën Antonit të Padovës mbajti pontifikalin e parë solemn në kishën e manastirit, dhe pak ditë më vonë, në festën e korpit të Krishtit, edhe në kishën qëndrore. Me atë rast ndau edhe sakramentin e përforcimit. Në të dy pontifikalet, kishat ishin të mbushura përplot me besimtar.

Pas kthimit nga Roma, arqipeshkvi qëndroi në Kopar për më shumë se tre muaj, fal lejes që  kishte marrë nga Roma. Gjatë asaj kohe, bleu për vete por kryesisht edhe kërkoi e lypi shumë gjëra që do t’i duheshin për kishat, shërbesat fetare, dhe për adhurim. Me lejen e provincialit, mori me vete nga kuvendi i Koparit fratin (sivllain e tij) Aleksandër së bashku me udhëpërcjellësin Josefin. Ata qëndruan me të deri në vdekjen e tij në Hvar.

Më 23 tetor, u nis me avullore, nga Triestja për në Selanik. Me atë rast erdhën në Triestë shumë njerëz nga Kopari. Kur vapori filloi të largohej nga bregu, pati brohoritje të mëdha në gjuhën italiane, “Rrnoftë atë Fulgencije! Rrnoftë arqipeshkvi i Shkupit!” Turma i tundi për një kohë të gjatë shamitë që mbante në duar, ndërsa disa nga njerëzit që ndodheshin atje  edhe u përlotën.

 

Ardhja në arqipeshkvi

Pas dhjetë ditësh udhëtimi jashtëzakonisht të qetë, anija u ankorua në Selanik më 02 nëntor. Të informuar për arritjen e tij, arqipeshkvin e pritën: një prift i kryedioqezës, famullitari i qytetit, si dhe konsulli austriak së bashku me disa laik (besimtar) katolik. Për të kryer disa formalitete me autoritetet shtetërore, arqipeshkvi qëndroi për disa ditë në Selanik bashkë me një shoqërues. Gjatë atyre ditëve, u vizitua nga disa njerëz të shquar të qytetit, përfshirë këtu edhe nga vet pashai dhe administratori i qytetit. Konsulli austriak u kujdes për bagazhin, ku u  numëruan gati 60 kuti, të gjitha të mbushura me gjëra të nevojshme për kishën.

Më 08 nëntor, të vitit 1879, arqipeshkvi u nis me tren nga Selaniku, dhe në orën 18.00, pra  në mbrëmje arriti në Shkup. Këtu, arqipeshkvi u prit nga disa katolik të qytetit dhe më pas u përcoll për në një bujtinë. Ndonëse Shkupi që nga kohërat e lashta kishte qenë selia e arqipeshkvisë, aty nuk kishte as kishë e as shtëpi për ipeshkvin,  (në atë kohë arqipeshkvi  i Shkupit jetonte në Prizren.) Të nesërmen, më 10 nëntor, arqipeshkvi kremtoi meshën me meshtarët e tij që i kishte në përcjellje, në dhomën më të madhe të bujtinës. Mandej vazhdoi rrugën me tren për në Ferizaj, prej nga duheshin bërë 14 orë ecje në këmbë për në Prizren.

Në një letër që ua shkroi të njohurve të tij në Kopar, më 19 nëntor, arqipeshkvi rrëfente:

“…Arritëm në stacionin e Ferizajt në orën 12 të mesditës. Hëngrëm diçka dhe pastaj me disa kuaj dhe me dy pako me plaçka, pra  me bagazhet tona  u nisëm për në Prizren. Pas tre orësh na zuri nata dhe na u desh të ndalonim në fshatin Shtimlje, ku na prisnin sërish dy priftërinj nga arqipeshkvia bashkë me disa katolik të mirë, dhe me famullitarët e tyre, që ishin që të gjithë mbi kuaj. Së bashku shkuam në një bujtinë për të kaluar natën. Aty na dhanë dhomën më të vogël që ndodhej në katin përdhes. Dyshemeja ishte e mbuluar me kashtë dhe vendi ku më duhej të flija, ishte i shtruar  me një qilim të thurur. Dhoma ishte e ngrohtë dhe e qetë. Më pas, sollëm bagazhin, u lutëm, hëngrëm pak ushqim, biseduam për pak kohë të gëzuar dhe pastaj secili rregulloi vendin e vet me aq sa kishte mundësi dhe ramë në gjumë pranë njëritjetrit. Në mëngjes u ngritëm të gjithë të lumtur, pimë kafe dhe u nisëm për në Prizren në orën 7, bashkë me dhjetë kuaj dhe me dy karroca. Pas dy orësh e gjysmë udhëtim, takuam dhjetë nga katolikët më të respektuar nga Prizreni, që po udhëtonin edhe ata me kuaj, të cilët erdhën të na takonin. Pasi shkëmbyem përshëndetjet, vazhduam të këndonim këngë të hareshme. Në mesditë arritëm në fshatin Surekë (Suharekë, v.i sot Therandë), që ishte tre orë e gjysmë larg Prizrenit. Aty pushuam për një orë e gjysmë dhe njëkohësisht hëngrëm diçka. Ndërkohë, ndodhi që, disa katolik të tjerë nga Prizreni arritën me kuaj, me dëshirën  për të na përcjell më tej. Rrugës takonim gjithmonë njerëz të rinj, aq sa në fund të udhëtimit ishte krijuar një regjiment i bukur kalorësie. Gjithçka rrotull nesh ishte në një gjendje lumturie.

Në një distancë prej një orë e gjysmë nga Prizreni, na priti administratori i arqipeshkvisë me një numër të madh katolikësh, nga të cilët disa ishin mbi kuaj, e të tjerët ecnin në këmbë. Aty më sollën një sorrë (me siguri mendohej që të ishte pëllumb) të zbukuruar, ndërkohë që më duhej të zbrisja nga karroca për të hipur mbi kalë. Kështu, për habinë e madhe të osmanëve,  që shikonin nga dritaret dhe rrugët ku po kalonim, hymë në qytet.

Më në fund arritëm në sheshin përballë kishës, që ishte plot me katolik por dhe me osman bashkë. Këmbanat ranë në kishë, jo në këmbanore, pasi paraardhësi im (Dario Bucciarelli, op.

a.) nuk kishte mundur që të merrte leje nga autoritetet osmane për t’i vendosur këmbanat në këmbanore. Kur arrita te dera e kishës famullitare, vesha rrobat pontifikale dhe pasi këndova himnin, “Të lavdërojmë Zot” [Te Deum], hyra në kishë duke i bekuar njerëzit. Pas lutjeve të përcaktuara, klerikët më puthën unazën,  ndërsa unë i ndava popullit bekimin. Pastaj shkova në banesën e ipeshkvit, që ishte e përshtatshme për një misionar françeskan, madje edhe nëse ai do të ishte ipeshkëv.

Katolikët ishin jashtëzakonisht të lumtur që po shihnin arqipeshkvin e tyre dhe shumë prej tyre erdhën për të më vizituar. Të gjithë jemi mirë dhe tashmë jemi mësuar edhe me njerëzit, me ajrin e me ujin, që është shumë i mirë. Shtëpia është e mirë, kuptohet sa mund të jetë e mirë një shtëpi në këto anë. Këtu gjetëm një popull të mirë dhe besnik. Mirëpo, e gjithë kjo nuk mjafton. Duhet të mendojmë se besimi ynë i shenjtë katolik duhet të arrij të vetën, pra  duhet të arrij lirinë e plotë, në mënyrë që ta përqafojnë të gjithë ata që banojnë në këtë vend….”

Ardhja në Prizren u realizua  më 11. XI. 1879,  në orën katër e gjysmë (16:30) të pasdites.

 

Kalimi nga arqipeshkvia e Shkupit në ipeshkvinë e Hvarit

Arqipeshkvi Fulgenicje Carev u përpoq që ta organizonte arqipeshkvinë, sa më mirë të ishte e mundur shpirtërisht. Janë pikërisht qarkoret e tij që na e zbulojnë këtë me detaje. Për këtë arsye, udhëtonte shpesh në Selanik, ku j’u lutej për ndihmë si katolikëve ashtu edhe miqve të tij atje. Por përfaqësuesi francez i shihte të gjitha këto me një sy tjetër, pasi deklaronte se Fulgenie Carev dëshironte që t’i zgjeronte kufijtë e arqipeshkvisë së tij deri në Selanik. Ai e quante “prelat austro-hungarez,” duke e qortuar se gjatë katër viteve të administrimit të arqipeshkvisë, nuk kishte mësuar asnjë fjalë shqip. Kurse arqipeshkvi nga ana e tij, donte etërit dhe motrat Lazariste të shën Vinçenc Paulit, të cilëve do t’u besonte edhe drejtimin e seminarit.[1]

Arqipeshkvi Fulgenicje Carev e pranoi administrimin e arqipeshkvisë së Shkupit, i bindur se këtë e dëshironte Zoti përmes vullnetit të papës. Edhe pse e kishte vështirë, përsëri nuk kërkoi lehtësim, duke qëndruar kështu në vendin e tij deri në vdekje. Nga letrat e tij, kuptohet se të njohur dhe miq të tij, veçanërisht ata nga Kopari, e kishin ftuar disa herë që të shkonte për t’i vizituar. Ai ishte i gatshëm që t’jua plotësonte dëshirën, por me kusht që rrethanat t’ja lejonin vizitën si dhe të kishte edhe lejen e papës. Nuk e dimë nëse arqipeshkvi i vizitoi ndonjëherë miqtë e tij në Kopar.

Ndërkohë miqtë e tij në Romë morën vesh se shëndeti i tij po dobësohej dita – ditës. Puna e madhe, jeta pendestare, vështirësitë, mundimet e ndryshme, si dhe reumatizmi, filluan që t’ia gërryenin fuqinë fizike. Së fundi, disa bashkëpunëtor filluan t’i krijonin vështirësi të tjera, pasi i kërkonin ndihmë materiale, ndërkohë që ai duke qenë i varfër nuk mundej që  t’i ndihmonte. Gjithçka u zgjidh kur miqtë e tij, pa dijeninë dhe pëlqimin e tij, i nisën një kërkesë selisë së shenjtë përmes së cilës i kërkonin që arqipeshkvi të transferohej në një dioqezë me më pak punë e përgjegjësi, me qëllim që t’i  përmirësohej edhe shëndeti i përkeqësuar.

Papa Leo i XIII e njihte mirë arqipeshkvin Fulgencije Carev, e njihte aq mirë sa një herë për të tha, “Arqipeshkvi Fulgencije Carev është njeri i shenjtë.” Kështu papa Leo i XIII i pranoi të gjitha arsyet e miqve të arqipeshkvit dhe e liroi atë nga drejtimi i arqipeshkvisë së Shkupit duke i besuar dioqezën (ipeshkvinë) e Hvarit.

Kështu arqipeshkvi Carev u largua nga arqipeshkvia e tij e Shkupit. Besimtarët u mërzitën, sepse po humbnin një arqipeshkëv të shenjtë dhe një atë të mirë; ndërsa ky i fundit në gjithçka shihte vullnetin e Zotit, dhe ishte i vetëdijshëm se kishte bërë gjithçka që kishte mundur për të shpëtuar shpirtrat që i ishin besuar.

E gjithë kjo ndodhi në mesin e vitit 1888; ai u zëvendësua nga arqipeshkëv Andrija Logorezzi (Andre Logoreci). Ndërsa po  përshëndetej me besimtarët e tij, u rekomandoi disa lutje kurse për veten tha, “nuk kërkoj gjë tjetër veçse lavdinë e  emrit të shenjtë të Zotit, kërkoj gjithashtu edhe zellin e të gjithë priftërinjve të mi për të kryer shërbimin e shenjtë, rritjen e tyre me ndihmën e punëtorëve ungjillor, si edhe mjetet e  nevojshme për mësimin fetar dhe për edukimin e këtij populli. Nuk dua asgjë më shumë sesa heqjen e zakoneve dhe dokeve të këqija; kërkoj paqe dhe dashuri vëllazërore, në mënyrë që hiri i Jezu Krishtit të mbretëroj mbi rrënojat e krimeve dhe mbi shkaqet e tyre, në mënyrë që të gjitha zemrat të magjepsen nga mbretëria e Tij, me dashuri dhe ëmbëlsi.”

Ish-arqipeshkvi i Shkupit, atë Fulgencije Carev, ndërroi jetë si ipeshkëv i Hvarit më 09 korrik, të vitit 1901 në Hvar. Ai u varros në varrin e ipeshkve të Hvarit, që ndodhet në kapelën e sakramentit të bekuar në anën e ungjillit.[2] /drita.info

 

————————————

[1] Gaspër GJINI, Skopsko – Prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, (1986), f. 192; Gaspër GJINI, Ipeshkvia Shkup –  Prizren nëpër shekuj, Drita, Prizren,  (2011), f. 201.

[2] Teofil dr. Velnić,  O. Fulgencije Carev, nadbiskup, Pazin, (1961), f. 7 – 33, 54.

Shpëndaje: