Nga Evalda Paci
Akademia e Shkencave e Shqipërisë
Të veçosh dy prej françeskanëve të mëdhenj në synimin për t’i përfshirë në një qasje sintezë, që nuk lë jashtë vëmendjes dhe madhështinë e profilit gjegjës të secilit përbën një sprovë që do të kërkojë dhe reflektime të mëtejme mbi analiza tekstesh autoriale e burimesh dokumentare.
Emri i Át Gjergj Fishtës O.F.M. lidhet pashmangshmërisht me përurimin e gjuhës shqipe si institucion i kulturës dhe i identitetit kombëtar, fakt që lexohet qartë edhe në kujtimet e Át Zef Pllumit O.F.M., i cili u përkujtua rishtas në Kuvendin Françeskan të lagjes Gjuhadol, në Shkodër.
“Që në vitin 1903, kur Fishta si drejtor i shkollave françeskane vuni të detyrueme gjûhën shqipe ndër të gjitha mësimet, Kuvendi Françeskan u bâ pothuej qendra mâ aktive e nacionalizmit shqiptár, rreth të cilit u bashkuen mjaft patriotë të asaj kohe, dikush përreth Fishtës për letrat e artet e kush tjetër për doke, kanun e folklor rreth Shtjefën Gjeçovit. Mâ vonë, po me ato synime, u formuen edhe studentët e rij françeskanë, të cilët nën drejtimin e mësuesve të tyne përbanë qendrën mâ të randësishme intelektuale në vendin tonë. Ishte nji akademi e vërtetë që pregatiste intelektualët e rij të Shqipnisë me ndjenjat patriotike, kulturë, art e shkencë.”[1]
Të pranëvendosun në evokimet më të ndjera të Át Zef Pllumit O.F.M. (1924-2007), të dy prelatët e historisë sonë të gjysmës së parë të shekullit të kaluar cilësohen për atribute të çmuara, falë të cilave kujtohen dhe sot e kësaj dite:
“Françeskanët punuen pa u lodhë me nji program të caktuem për formimin e nji kulture me individualitet të veçantë kombëtar shqiptár. Shtjefën Gjeçovi mblodhi dhe ruejti visaret mâ të çmueshme të tokës e të nëntokës,: nji figurë poliedrike shkencore: folklorist, antropolog e historian, jurist e arkeolog. Themeloi të parin muzeum historik në Shqipní.
Gjergj Fishta i madh, Mësuesi dhe Poeti i kombit këndoi, kjau e mësoi shqip, veproi vetëm për Shqipninë. Kje i luftuem gjatë jetës prej anmiqve të kombit e aq mâ tepër mbas vdekjes. Kryesoi Kongresin e Manastirit në 1908, ku u vendos alfabeti i shqipes që përdorim sot. Për realizimin e programit kryesor të kulturës shqiptare, Át Fishta themeloi në vitin 1913, revistën e përmendun “Hylli i Dritës”, e cila edhe sot mbas 90 vjetësh âsht aktuale. Mund të tham pa frikë se në ditët tona asnji revistë tjetër nuk iu avit autoritetit të saj. Listën emnore të françeskanëve nuk po e vazhdojmë kësaj here, por po tregojmë punën.”[2]
Pak vite më parë pata marrë ftesën për të shoqëruar apo introduktuar me një parathënie analitike botimin më të fundit të një pjese themelore të krijimtarisë lirike të Át Gjergj Fishtës O.F.M.(1871-1940), e cila ndër vite, dhe në kohën kur ishte gjallë poeti, ishte ridimensionuar më se një herë. Nuk ishte aspak e thjeshtë të përbashkoje në brendinë e një parathënieje përshtypje dhe interpretime disadimensionale të një krijimtarie që sigurisht nuk u përvijua në një hark të shkurtër kohor, ndërkohë që jo pak faktorë kanë qenë ndikues në profilizimin e saj si të tillë, duke nënkuptuar këtu dhe zhvillime në kulturën e shtypshkrimit që përfshinë natyrshëm dhe krijimet e etërve françeskanë të Provincës “Zoja Nunciatë”, si dhe prirje për të reflektuar po në këtë kuadër dhe përpilimet më të njohura të autorëve të letërsisë së huaj.
Një pjesë e kolanës me krijimtarinë e Át Gjergj Fishtës O.F.M. doli në dritë të shtypit në një vit jubilar që përkoi dhe me rrethana të tjera të izolimit tonë në kushtet e një pandemie që u shfaq me gjithë të papriturat e veta në kontekstin tonë, duke qenë kushtëzuese për ritmet e punës, për ndërkëmbimet institucionale, për disa prej nesh dhe favorizuese në kohën që do t’i kushtonim punës kërkimore dhe qëndrimit pas një tavoline pune, duke kursyer minutat që në kushte të tjera do t’i shpenzonim me mjetet urbane për të arritur në ambientin e punës apo në bibliotekat përkatëse.
Biblioteka Françeskane “Át Gjergj Fishta” në lagjen Giuhadol në qytetin e Shkodrës dhe në këto kushte mbeti një strehëz mikpritëse që duke qenë dhe e konceptuar në një hapësirë të bollshme, mund ta vizitoje për të përmbushur disa nevoja të hulumtimeve të përditshme.
Kujtoj këtu dhe bashkëngjitjen me vëllimet e krijimtarisë lirike të Gjergj Fishtës O.F.M. të melodramit Shna Ndou i Padues, 1927, që u bë shtysë së fundmi dhe që të propozoja për një auditor si i sotmi një qasje të ardhur natyrshëm mes dy monumenteve të kulturës kombëtare: Fishta dhe Gjeçovi. Këtij të fundit në një jubile domethënës që përkon me 150-vjetorin e lindjes dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë) i rezervoi një veprimtari shkencore serioze dhe njëherësh dinjitoze, duke bërë të jenë të pranishëm studiues të disa fushave të studimeve albanologjike, përfshirë arkeologjinë e numizmatikën, studimet mbi të drejtën zakonore, studimet mbi antropologjinë e së drejtës, studimet e krahasuara mbi kanunin dhe ardhjen e tij në disa gjuhë të huaja, studimet mbi sprovat në fushë të agjiografisë së krishterë që sërish mund t’i përafrojnë të dy autorët në një pespektivë të mundshme analitike dhe përbashkuese.
Shtjefën Gjeçov O.F.M. (1874-1929) pikërisht në variantin e vitit 1912 të Shna Ndout të Padues, dalë nga shtypshkronja Nikaj në Shkodër reflekton në një mënyrë origjinale njohjen e krijimtarisë lirike të Gjergj Fishtës, duke pajisur pothuaj shumicën e krerëve të këtij përpilimi me tekste introduktive nga Pika voeset, 1909 dhe Vjersha t’pershpirtshme, 1906. Të dy këto vëllime kanë qenë shtysë për vetë autorin e tyre t’i rikthehet krijimtarisë lirike, në të cilën dhe bashkëkohësit e tij, në veçanti Viktor Volaj O.F.M. ka qenë i mendimit të ishin pjesë dhe shqipërime të autorëve të lidhur me kristianitetin dhe motivet themelore të festiviteteve të krishtera. Dimensioni i Fishtës si shqipërues jo vetëm nuk ndahet lehtë nga krijimtaria e tij me tematikë kushtimet, apo celebrimet e vlerave të shkrimtarisë së autorëve bashkëkohës të tij, po me shumë mundësi, siç dhe nënvizohet nga kujdesuesit e veprave të tij, ndikimet e tij nga letërsia evropiane mund të vihen re në më shumë se një rast.
Do t’i gjejmë të tilla motive si te Mrizi i Zanavet, ashtu dhe te Vallja e Parrizit, të dyja përmendore të pasqyrimit të krijimtarisë lirike të Át Gjergj Fishtës O.F.M.
Fishta pikërisht në këtë lamije të lëvrimit të shkrimtarisë dhe të prirjeve për përkthimtari reflekton një dimension të pandarë të profilit të tij intelektual, duke qenë njohës i letërsisë së shkruar tej kufijve të vendit të tij, duke qenë përzgjedhës i autorëve madhështorë të letërsisë italiane, të cilët jo vetëm i kishte të brendësuar në qelizat intime të shkrimtarisë së tyre, por i sillte mjeshtërisht të përkthyer në gjuhën shqipe. Mbi krijimtarinë lirike të Fishtës përmendim tipologjizime (S.Hamiti, Albanizma, Botime ASHAK, Prishtinë, 2009) që bëjnë të mundur të dallojmë dy prirje kryesore në këtë të fundit: dy dimensione që dhe ai vetë i ndërthur, po aq sa dhe i diferencon në disa prej teksteve të veta:
“Duke u kushtëzuar nga qëndrimi autorial, nga gjykimi i tij për ngjarjet dhe për fenomenet, urimi apo mallkimi lindin këngën apo vajtimin. Në rendin poetik të Fishtës në lirikë, këto e ndjekin njëra-tjetrën: nëse urimet shqiptare lidhen me një idealitet dhe përhershmëri, mallkimet lidhen me një realitet e konkretësi jetësore. Pavarësia e Shqipërisë nuk solli Shqipëri etnike, por gjysmë Shqipëri politike, të cilën frymëzimi i këtij shqiptari e pranoi si një plagë pa shërim. Të këtij disponimi janë këngët e dëshpërimit, që me fuqinë e tyre ua kalojnë këngëve të lavdërimit, për të dëshmuar se edhe në artin e Fishtës, aty ku shpërthen emocioni, realja del përmbi idealen.”[3]
Pas vdekjes së tij do të dalin nga shtypi ribotime të tyre të pajisura me komente e shënime shpjeguese që falë kompetencës filologjike, por dhe njohjes të afërt me autorin e tyre Viktor Volaj do t’i paraqiste si komponente të introduktimit të veprave të tij.Falë Át Viktor Volajt O.F.M. bëhet i njohur dhe iteri që kanë përshkuar në pikëpamje të përvijimit të plotë dhe më tej njohjes nga lexuesi i krijimeve me natyrë lirike të Gjergj Fishtës.
Mrizi i Zanavet (Shtypshkroja “Át Gjergj Fishta”, Shkodër, 1941) në veçanti do të shoqërohet a introduktohet nga një parathënie që mban autorësinë e Viktor Volajt O.F.M. e që në të vërtetë përbën dhe një premisë të domosdoshme për të pasur të qartë ecurinë e përpilimit dhe të përmbylljes së një rrugëtimi që nuk ndalet me ndarjen nga jeta të një prej monumenteve madhështore të historisë së letërsisë sonë.
Parathënia dhe shënimet e Viktor Volajt janë një udhërrëfyes ndjeshmërie, por dhe reflektim i besnikërisë ndaj një vepre komplekse që dhe falë një aparati kritik të mirëmenduar do të bëhej më e afërt për lexuesit e dashamirësit e saj, duke mbetur e tillë dhe pas kaq vitesh, edhe tashti që e shohim me vend që Gjergj Fishtës t’i kushtohet një pasdite poetike dhe bashkëndarjeje me kolegë e miq të letërsisë sonë.
Gjergj Fishta shkëlqeu hershëm në lëvrimin e disa gjinive letrare, duke u bërë i dëgjuar për krijime lirike, epiko-lirike, melodramatike, por dhe për satirën. Si shkrimtar, njohës i sprovuar i gjuhës amtare dhe i vlerave përkatëse, i apasionuar pas shqipërimit të teksteve të këngëve festive të botës së krishterë, i teksteve dedikatore ndaj figurave themelore të besimit të krishterë, psalmeve e himneve, profili i tij është më se kompleks, duke bërë të mund të parashtrohen dhe përqasje mes përpilimeve të tij dhe të bashkëvëllezërve të vet, me të cilët e bashkonte një qëllimshmëri sublime që lidhej natyrshëm me fe e atdhe, përkthyer në gjuhën latine me moton e njohur pro aris et focis. Ndër tekstet dedikatore të përpiluara prej tij jo pak figura dhe të historisë sonë rikthehen me anë tiparesh që Fishta jo vetëm i njihte, por i celebronte në një mënyrë ose tjetër. Të përpiluara në një kronologji që lejon të nënkuptohen dhe momentet historike në të cilat kanë qenë realizuar, tekstet poetike janë rimarrë e sistemuar në vëllime që kanë parë disa herë dritën e shtypit, në ndonjë rasë dhe pa shënime shpjeguese, në raste të tjera të pajisura plotësisht me aparat kritik dhe sqarime të natyrës së mirëfilltë filologjike.
Si një ndër figurat më të njohura të historisë së urdhrit françeskan shqiptar të dekadave të fundit të shekullit XIX e dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX, Fishta dallon ndjeshëm për përfshirjen në disa procese të rëndësishme që mbi të gjitha kanë të bëjnë me ngritjen kulturore e vetëdijësimin identitar të bashkatdhetarëve të tij, por dhe me synime që dija e kultura të ishin medium përfaqësues për dishepujt më të rinj të këtij urdhri.
Biografia e Át Gjergj Fishtës gjurmohet në enciklopedi dhe fjalorë biobibliografikë evropianë, ndër të cilat dhe Treccani, në të cilën profili i tij gjindet i pasqyruar që në dekadat e para të shekullit të kaluar. Pikërisht, te Enciklopedia Treccani, një trajtesë e datuar në vitin 1932 (tetë vjet para se autori ynë të ndahej nga jeta), mban autorësinë e Paolo Emilio Pavolini-t (1864-1942), indianist, profesor i sankritishtes në Universitetin e Firenze-s, akademik e përmban të nënvizuara aspekte qenësore të perosnalitetit të tij kompleks.
Në lidhje me çdo krijim të natyrës lirike të Át Gjergj Fishtës mund të gjindet një “parahistori” e përveçme që lidhet me rrethanat e përpilimit, me rrugën e ruajtjes nëse teksti ka mbetur në gjendje dorëshkrimi për vite me radhë, për vetë motivacionin e ngjizjes së tij.
Edhe në krijimin me titull “Mbi vorr t’A.Anton M.Zannonit S.J.”,[4] që daton në pikëpamje të procesit të krijimit në periudhën shkurt-mars të vitit 1915, notat e celebrimit, të nderimit të thellë për klerikun që ndahet nga jeta në një moshë në të cilën mund të jepte akoma fryte të një prodhimtarie intelektuale e shpirtërore receptohen ndjeshëm, bashkë me shpjegimet e shumta që rinënvizojnë krejt trishtimin e poetit Fishta, që përshkruan një sërë madhështish të botës tokësore, të reflektuara dhe në monumente unike, por që koha i dobëson si një faktor i pashmangshëm. Dhe ky krijim është ndër ato raste në të cilat dhe intelekti i kujdesuesit të veprës është në sintoni të plotë me prirjet e autorit, duke i zgjeruar me një aparat shënimesh që përafrojnë lexuesin me çdo rresht të këtij krijimi.
Duke lexuar e rilexuar këtë karm, ndërsa përmenden në seri fuqitë e kohës antike (Sparta, Kartagjena, Roma), të evokuara dhe me emërtimet që gjejmë në harta të historisë së kohës, të vjen në mend dhe shprehja latine “sic transit gloria mundi”, ndërkohë që mbetet vetëdija që dhe në këtë vështrim poeti, narratori, autori ka një mision të përjetësimit të tyre në një tjetër medium, nëpërmjet shkrimtarisë dhe modeleve gjinore. Nuk është rastësi që kanë jetuar a mbijetuar aq gjatë autorët antikë, të cilët dhe Zannoni, ashtu si Fishta i kishte fort për zemër, aq sa dhe sprovohej në përkthimin e tyre në vargje.
Homeri enè nder né
Gjallon, e sod, edhè, na vjen[5] se e shohim
Ke[6], i verbtë s’ dy sŷsh59, derë m’ derë neper Meone59
Shkon59 bukë tue lypun me lahutë nen stjetull
E kashatat e mykta[7], me të cillat
Sheklli gjithmonë ushqei burrnín e díjen,…
Me ato kangë i perligjë61, qi mort61 nuk shohin:61
E prá, sá stina[8] mbí vorr t’ tij âsht shndrrue![9]
Në kaq vargje do të nënvizonim që ndihet një filozofi e tërë e vështrimit të jetëgjatësisë së të kënduarit të bëmave e të ngjarjeve heroike që kanë ushqyer për sa shekuj fortësinë e brezave e vetëmohimin e jeronjve. Homeri rijeton e ripërsëritet në portrete të pasardhësve, të cilët pasqyrohen në të endurit e tyre në dyert e dëgjuesve a të këndonjësve të tyre.
“A.Anton Zannonit S.J.”, në të vërtetë është një tjetër rast i ngjashëm, duke qenë se vetë introduktimi që i bën leximit të saj Viktor Volaj O.F.M. dëshmon për rrugëtimin që teksti në fjalë duhet të ketë përshkuar ndërkohë që do ta shohë dritën e botimit disa vite pasi është përpiluar. Teksti paraprijës i Volajt në të vërtetë sqaron dhe natyrën e ndërtimit të strofave e të modeleve që ishin reflektuar në këtë krijim fort të frymëzuar, por dhe të karakterizuar nga nota të forta nxitjeje, esortacioni. Në notat e sipërcituara të Viktor Volajt O.F.M. do të mund të gjinden dhe saktësimet e duhura për lexuesin:
“Dorëshkrimi i derguem Zannonit ka daten 2 Qershuer, 1908. Auktori vetë nuk e botoi: kje qitë në dritë mâ së parit prej së perkohëshmes „Leka“, Qershuer, 1931; e tash së vonit prej „H. i Dr.“ 3~5, 1941, mbas njij dorëshkrimi (jo prej dorës së Poetit) së pa datë. Në mes të njanit e tjetrit hetohen disá ndryshime të lehta. Mbas gjith gjase ai i pari âsht i mâvonëshem e mâ i qortuem. Perveç ndonji ndryshimi fare të vogel (mbas të dytit), ndoqa atê të derguem Zannonit.”
Zgjedhja e kujdesuesit të veprës lirike të Fishtës reflektohet pikërisht në variantin e botuar në Mrizi i Zanavet, Shkodër, 1941.
Ndërkohë, përmbajtja e këtij krijimi që i drejtohet Zannonit transmeton një ndjeshmëri të pastër ndaj veprave të klasikëve të letërsisë romake, në veçanti detajeve të njërës prej përpilimeve më në zë të Virgjilit, Bukolikave.
Fishta paraqitet i drejtpërdrejtë në evokimin e elementeve të Bukolikave, duke ndërmendur personazhet kryesore të tyre, bashkë me hollësi që na lidhin drejtpërdrejt me një kontekst baritor e blegtor, të cilin Zannoni duhet ta reflektojë në përkthimin e tij, me gjasë të papërfunduar. Në të vërtetë, çdo sprovë për ta sjellë në një gjuhë tjetër veprën e autorit të periudhës së Augustit, qoftë dhe në gjuhën shqipe të përball me jo pak vështirësi, të cilat nuk rrjedhin fort nga leksiku, sa nga çështje të adaptimit metrik e ritmik të mënyrës së përpilimit të saj.
Motive të ngjashme me çka gjejmë të shprehun në krijimin post mortem që i kushtohet Zannonit S.J. ndeshen dhe në karmin me titull “Nji lule vjeshtet”, të cilën sërish e introdukton Viktor Volaj O.F.M. dhe që gjindet i renditur i fundit në radhën e krijimeve me të cilat “Mrizi i Zânavet” paraqitet në botimin e vitit 1941. Në shënimet e zgjeruara të Volajt ky krijim pasqyron një botë të tërë ndjesish të Poetit, i cili dhe këtu shënohet me shkronjë të parë të madhe. Trajtimi në rang analize i këngës “Nji lule vjeshtet” natyrshëm e shtyn studiuesin të gjejë analogji me krijime paraardhëse, por dhe me elemente shprehësie apo poeticiteti në autorë të tjerë të botës evropiane, të cilët i gjejmë të cituar në footnotat e botimit të sipërcituar. Siç shprehet dhe vetë Volaj, para se t’i lërë radhë lexuesit t’i shtrohet i vetëm leximit të tekstit poetik, “Në ketë lirikë ndihet ndikimi i leximit të poetvet të ndryshem, sidomos italjanë.”[10]
Më tej, në proces të konsultimit të interpretimit të notave të tij, të lidhura përpikmërisht me përmbajtjen e vargjeve, do të shihet se vijohet me shtrimin e krahasimit mes motivit të parashtruar nga Fishta (një evokim i drejtpërdrejtë i imazhit të vdekjes që asnjanëson gjendjen fizike të personit, bashkë me tipare dhe karakteristika dalluese) dhe pranisë së të njëjtit (motiv) në autorë të letërsisë evropiane (Leopardi në veçanti, por dhe autorë të letërsisë angleze të cilët Volaj i ndërlidh me të quajturën “poezi të vorrevet”, me përfaqësues Edvard Young, Thomas Gray, James Hervey, bartur në Itali nga Pindemonti dhe Foscolo). Ka një sërë analogjish në vargjet e këtij krijimi, apo dhe rimarrje që evokojnë thënie të njohura latine, ndër të cilat dhe një shprehje e gjurmueshme në veprën poetike të Horacit, që do të reflektohet e formuluar në këtë mënyrë: Pallida mors aequo pulsat pede pauperum tabernas/ regumque turres (Hor.lib.I, carm.IV, varg.13-14): “deka, qi baras m’der t’pellazvet trakllon, si m’trinë t’kolibavet,”, ku i vorfni me lot njomë buken……[11]
Me këtë krijim do të përmbyllet dhe botimi i vitit 1941 i Mrizit, dhe në të njëjtin vit do të shohë dritën e botimit dhe një variant (sipas Volajt botimi II) i Valles së Parrizit, në parathënien e të cilit Volaj do të rinjoftojë se disa krijime janë bërë tashmë pjesë e Mrizit, në variantin më të fundit, ndërkohë që dy melodrame fetare (Barit e Betlemit e Shen Françesku i Asizit) do të rigjejnë hapësirë me kohë në pjesën e dramatikës. Në vëllimin me titull “Vallja e Parrizit” rimerren dhe përkthime që më herët ishin botuar në përmbledhjen me titull “Vjerrshat e pershpirtshme”, e tashmë me nevojën e lexuesit për t’i parë të ribotuara. “Vallja e Parrizit” hapet me krijimin me titull “Të kryqëzuemit”, një përpilim sa dramatik, aq dhe lirik, që evokon elemente të Pasionës që përmbahet dhe në librin e Gjon Buzukut.[12]
Krijimet dedikatore që përmbahen në vëllimin Vallja e Parrizit janë dhe një dëshmi e përjetimeve të autorit.[13] Janë një sërë të përkohshmesh në të cilat roli i Gjergj Fishtës O.F.M. dëshmohet qartë: me shkrime të thukëta, me analiza mbi çështje të gjuhës letrare e standardizimit të saj në disa vende të Evropës, mbi rolin e shkrimtarit në lëvrimin e gjuhës e edukimin e brezave, mbi pasurimin e gjuhës përmes botimeve të teksteve letrare. Historia e gjuhëve më të rëndësishme të kontinentit evropian dhe vijimësia e tyre në gjuhë me status standardi, analizohet në një rend të arsyetuar në disa numra të së përkohshmes “Posta e Shqypniës”, në vitin 1918.
Siç shprehet vetë Fishta, “Kam dà me shkrue disà artikuj mbi burim të gjuhvet letrare të kombevet tjera të gjytetnuem të Europës, me hî në çështje të gjûhës letrare shqype. Prej artikujve të mi të shkurtë, por tanë palc, ka me mujtë me pâ gjithkush si jânë trajtue gjûhët letrare të komeve të para të sodshme e se me ç’mndorje janë zhdrìvillue.[14]
Paraqet mjaft interes trajtimi i polemikës mes lëvruesve par excellence të gjuhës së Toskanës në arealin italik dhe diskutimi i përkatësisë së arsenalit gjuhësor e letrar të reflektuar në veprën e Dante Alighierit, i njohur dhe si autor i opuscolit me titull De vulgari eloquentia. Këto trajtesa mbi historinë e dialekteve që më tej do të përfaqësojnë dhe një nivel të standardizimit të gjuhëve të caktuara në Evropë janë në të vërtetë shtjellime magjistrale mbi historinë e gjuhëve të Evropës, të cilat për nga rrugëtimi dhe përkimet apo dallimet mes arealeve më të ngushta shërbejnë dhe si model për një përshtatje të ngjashme në kontekstin tonë.
Është me interes dhe itinerari i idiomave të trajtuara, në përngjasim të një perkursi gjeokulturor që njëherësh dëshmon formimin dhe qëllimshërinë e trajtimit gjeolinguistik nga ana e autorit.
“Literaturë shqype”, me statusin e një rubrike të posaçme mbetet një shkrim sintetik që i botuar te “Posta e Shqypniës”, n.54, f.3, e që mban datën 22 qershor 1918, është dhe një model recensioni i njërës prej veprave më të njohura të Dom Ndre Mjedjes, autor i përmbledhjes me titull “Juvenilia”. Do të citojmë në veçanti një rimarrje të çështjes së gjuhës letrare pikërisht në këtë shkrim që i dedikohet daljes në dritë të shtypit të veprës mjediane:
Në ato kângë nuk jânë shartue molla me morriza, as lilat me hitha, si me thanë se ajo gjuhë nuk asht e përbame me fjalë të tillueme mas qejfit e me hamendje; por asht e ujdisme me shije estetike e e xjerrme prej gurret të vet të gjallë, qi asht goja e popullit, prej visarit të komit qi asht literature e përbâme me mund e me kohë. Prej ktij libër shihet kjarisht sesa arsye kan ata qi thonë se gjuhën letrare e bân pupla e letrarëve e jo pallavrat e thata. Prandaj na jua porosisim ket liber gjith dashamiresve të literaturës kombëtare e sidomos mësuesve e zânsave të shkollave si fillestare, si të mesme. E shpresojmë se shqyptarët kan me iu përgjegjë ksaj porosie t’onën, pse kujtojmë qi ata e dijnë, se, kur na flasim mbi Shqypní a lavdojmë ndonji vepër shqyptare në fletorë t’onë, atëherë e kemi përnjimend e jo për me shkarravitë letër.[15]
Një aspekt pekuliar i personalitetit shumëdimensional të Át Gjergj Fishtës do të dalë në pah dhe në krerët dhe artikulimin e arsyetuar të parathanies (Parathânes) me të cilën u zgjodh të introduktohej botimi i vitit 1933 i Kanunit të Lekë Dukagjinit, pak vjet pas vdekjes së Át Shtjefën Gjeçov O.F.M., bashkëvëlla i tij dhe fort i çmuar për kontributet në disa lamije të dijes e të kulturës. Do të jenë aktorë dhe mbështetës të këtij botimi vetë Fishta, Át Pashko Bardhi O.F.M., Át Benedikt Dema O.F.M., të gjithë të përfshirë në një argument me interes më se ndërdisiplinor dhe paranjoftues të këtij botimi të shumëpritur në revistat e të përkohshmet të cilat bartnin impaktin e përshpirtnisë françeskane.[16] Në fund të vitit 1929 Fishta do të përmbyllte dhe një shkrim komemorativ e analitik mbi figurën dhe personalitetin e Shtjefën Gjeçov, duke e portretizuar atë në disa pamje të profilit të vet intelektual: me dëshirën që shkollimin e marrë në kolegjet françeskane ta vinte në shërbim të shqiptarësisë, që të zgjonte ndër shqiptarë pasionin për antikitetin dhe pasuritë arkeologjike të vendit tonë, me talentin në të quajturin ars scribendi, të cilin ai do ta ushtrojë dhe në një lamije të veçantë që ka të bëjë me jetëshkrimin e shenjtorëve të historisë së krishtërimit. Kontributet e tij në fushë të letrarësisë (Agimi i Gjytetnis, 1910; Shna Ndou i Padues; Atil Reguli, 1912; Joana d’Ark, 1916) analizohen në mënyrë të shtjelluar nga Át Fishta, madje në një trajtesë që i ngjet mirëfilli një përpilimi kritik e historiografik në të njëjtën kohë. Shkrimtarisë së Gjeçovit Fishta i ka kushtuar disa paragrafe, duke nënvizuar dhe prirjen e intencionuar të tij për pastërti të përdorimeve gjuhësore, fakt që e konstaton kushdo që u qaset dhe shqipërimeve të cituara më sipër e të cilat janë dhe sot e kësaj dite dëshmi e këtij aspekti të të shkruarit të tij.
“Stili i Át Gjeçovit âsht i fortë e nuk ka at njomsi t’ambel e harmonike, qi kishte m’u dishrue; ka por veti tjera të bukura e fort me vlerë. Ma së pari shkrimet e tij janë thjeshtë në gjuhë shqipe, pa u ba rob i asnji gjuhe të huej, ma teper shkrimet e tij janë plot me pasuni fjalësh e mënyra së thanuni të rralla e të bukura shka si në kte âsht vështirë me gjetë nder shkrimtarë të gjuhës shqype. Pergjithsisht mund të thohet se shkrimet e Át Shtjefnit kanë dy parime kryekreje: theksimin sa mâ të lartë e shqyp e pasunín e gjuhës. Tue u mundue perherë me i përdorë ktò dy parime verte të vështira, stili i tij nuk ka nomsi të madhe poetike kahë përherë qet në punë, tue perdorë shpesh edhe sinonime fjalësh qi ndien e mblodh prej gojës së popullit. Ma teper do pasë parasysh se Át Gjeçovi âsht nder mâ të parët qi nisi periudhen e re letrare të gjuhës shqype të cillën nuk e xuni nder banka të shkollës, por prej gojës së popullit tuj u endë nepër male e fusha të Shqypnis ku fjala âsht fjalë e fortë e pa eufemizma, si karakteri i popullit qi e flet, e ky tue pasë per ideal me shkrue si flet populli e n’ate menyre si aj e shprehë, stilin e vet nuk e limon, po e len njashtu të fortë e të ambel si fjalët e argumenti qi trajtoi e qi muer prej popullit. Shifet kjartas në çdo fletë të shkrimeve të At Shtjefnit se qellimi i tij nuk asht stili i bukur dhe poetik sa asht sidomos shumica e fjalëve të reja per shum kend të harrueme prej letrarëve qi mundohet me i shti ne perdorim të popullit e të shkrimtarëve. Mundet me u thanë se Át Shtjefen Gjeçov asht nji nder mâ të mëdhajt purista të gjuhës shqipe.”[17]
Me të quajturën “Parathâne” të botimit të sipërcituar të Kanunit, Fishta realizon kësisoj një homazh të ndjerë duke reflektuar njëherësh dhe një ndihmesë konkrete mbi çështjen e njohjes së Kanunit në kulturën tonë, mbi konceptet që gjurmohen në sythet e tij, mbi përkimet jo të pakëta me të tjera kode zakonore që bëjnë të mendosh për një sërë toposesh dhe ndërkëmbimesh mes popujsh e kulturash në arealin ballkanik e më gjerë.
Qëllimshmëria e një sprove të tillë që parathuhet në titullin simbolik “Parathâne”, në hyrje të botimit të sipërcituar shtjellohet gradualisht, krye pas kreu, ndërkohë që janë disa shqetësimet dhe trajtesat që Át Fishta synon të shpjegojë e të përkufizojë. Falë një terminologjie specialistike, por dhe fjalish të ndërtuara rrjedhshëm, jo pak përveçime bien në sy, ndërkohë që në këtë introduktim parathënës do të mund të lexohen me radhë: Randsija e folklorës komtare; Randsija e të mledhunit të ligjvet dokesore; Kanuni i Lekë Dukagjinit; Kanuni i Lekë Dukagjinit në pikpamje juridike; Kanuni në sy të kulturës e të gjytetnis; Shkallët e ndryshme të kulturës e të gjytetnis së popujvet; Shkalla e kulturës e popullsis nën kanû të Lekë Dukagjinit.
Në këtë trajtesë të shtjelluar mirë e qartë nuk do të mungojnë burimet referenciale, me një vlerë të mirëfilltë bibliografike, prej të cilave deduktohet që dhe Át Fishta konsideronte rëndësinë e përmendjes së ekzistencës së statuteve municipale mbi qytetet tona në autorë të mëhershëm, por dhe bashkëkohës të tij (p.sh., M.Šufflay (1879-1931): Paska pasë, pra aso kohe statute të shkrueme në Shqypní.[18]
Çka vjen për t’u nënvizuar dhe në këtë trajtesë tonën sintetike, vlefshmëria në pikëpamje ligjore e Kanunit, vënia në një plan kronologjik në raport me momente kohëzgjatjeje në historinë tonë (pushtimi otoman në veçanti), përqasja me të tjera kode zakonore e më tej, konsiderimi në vështrime jo përherë pozitive i kanunit prej të huajve rimerren në rendin e titujve të sipërcituar, duke e bërë homazhin ndaj bashkëvëllait të vet Shtjefën Gjeçov O.F.M. të ndarë nga jeta prej pak vitesh një vepër konkrete, me parashtresa, shpjegime terminologjike, shtjellime që përafrojnë dhe brendësimin e sytheve të të tij.
Në përmbyllje të kësaj trajtese të gjerë që i përngjet për nga dimensionet dhe vijimësia në argumente një punimi të plotë studimor shprehet po aq qartë nderimi i thellë për përpiluesin e kësaj lëndë të artikuluar në kapituj e dekrete, i cilësuar si auktor, pikërisht Át Shtjefën Gjeçov O.F.M.
Trajtesat e sipërcituara e të sistemuara në kuadër të një parathënieje janë pjesë të një punimi të plotë studimor, në të cilin aspekti didaktik e i njohjes shkencore bashkërendohen natyrshëm, duke dëshmuar një prej pamjeve të profilit të Gjergj Fishtës O.F.M., ndjeshmëria e të cilit ndaj të tilla çështjesh është po aq e receptueshme dhe në këngët e Lahutës së Malcís, veprës që qysh në gjallje të tij ishte pjesë e natyrshme e edukimit të të rinjve shqiptarë në shkolla.
Át Shtjefën Gjeçov O.F.M. ndërkohë u qaset dijeve albanologjike përmes një sërë kontributesh, ndër të cilat nuk duhet lënë pa u nënvizuar si karakterizuese dhe shtjellimi i biografive të shenjtorëve të historisë së kishës, me të cilat ai lë gjurmë të një përkushtimi jo vetëm në pikëpamje të rendimit tematik, por dhe të një njohjeje gjuhësore e letrare shembullore. Me shtjellimin e biografisë së shenjtores Lucia, cilësuar si pajtore e Durrësit që në hyrje të vepërzës përkatëse, dalë nga shtypi në vitin 1904 nga një shtypshkronjë tipike për traditën e shtypjes së ekzemplarëve të tillë, Gjeçovi shfaqet si shkrues, ndërkohë që përpilimi gjuhësor e figuracioni letrar, kujdesimi ndaj lutjeve të lidhura me shenjtoren e sipërcituar dëshmojnë për më tepër për një përgatitje të botimit nga ana e tij.
Vepërza rezulton e shtypur me tipare grafike që evokojnë qartë elemente të alfabetit të autorëve të letërsisë së mëhershme shqipe, pikërisht autorëve që lidhen me letërsinë ekleziastike dhe karakteristika të një tradite shtypshkrimi të trajtuar e shtjelluar dhe në studime të posaçme të filologëve të tekstit e të historisë së shkrimeve të shenjta të përpiluara në disa gjuhë të Evropës. Pak vite më vonë, shtypur në shtypshkronjën Nikaj (Shkodër) do të shohë dritën e botimit “Shna Ndou i Padues”, një tjetër përpilim që mbart të qartë dorën e shqipëruesit me prirje dhe autoriale, fakt që dëshmohet falë shënimeve të pamunguara, apo intermexove në përmbajtjen e tekstit, autor i të cilit shënohet të jetë një tjetër françeskan, Át N.Dal-Gal, një prej biografëve më të njohur të shenjtorit të Padovas.
Dhe në shënimet biografike të Át Pashko Bardhit O.F.M. (në botimin e Kanunit të vitit 1933), Át Shtjefën Gjeçov cilësohet për vlerat letrare e gjuhësore të përpilimeve të tij, duke u shërbyer dhe autorëve të mëvonë me përftesat e tij e modelet e formimit të fjalëve që mund të gjurmohen në paragrafet e tyre. Bien në sy dhe ndërtime perifrastike të cilat dhe përforcojnë aspektin inovator të shkrimtarisë së tij, që shtjellohet jo më pak dhe në botimet që janë cilësuar dhe prej tij si shqipërime.
Pranëvënia e dy përmendoreve të traditës së përshpirtnisë françeskane në viset shqiptare përbën dhe një memo për studiuesit e humusit që ushqeu prelatët e kishës shqiptare, të përkushtuar ndaj ruajtjes së vlerave identitare, ndër të cilat gjuha, kultura, lashtësia, trashëgimia zakonore janë disa prej objektivave të ndjekura në shumë mënyra dhe orientime, të konkretizuara në vepra madhore, por dhe në dorëshkrime që dhe së fundi kanë qenë e mbeten pjesë e punës së studiuesve të albanologjisë./drita.info
(Ligjëratë e mbajtur në Bibliotekën “Ernest Koliqi” në Prishtinë, më 30 tetor 2024, në kuadër të Takimve kulturore “Pena e Dritës”.)
——————————————————————-
[1] A.Z.Pllumi O.F.M., Françeskanët e mëdhaj, PARATHANIE, Shkodër, 2017, f.2.
[2] A.Z.Pllumi O.F.M., Françeskanët e mëdhaj, f.
[3] S.Hamiti, Albanizma, Botime ASHAK, Prishtinë, 2009, f.98-99.
[4] Mbi vorr t’A.Anton M. Zannonit S.J., botim i cituar, f.145: Me 16 Fruer 1915 diste A. Zannoni. Kumi i zí prekë thellsisht zemren e Fishtës, i cilli me ketë karm shprehë pikllimin e vet per deken e mikut letrár. Kje fillue me 22 të njajtit e botue në Perparimi, Marc, 1915.
Shi kur Shqypnija prîtte me uzdajë mâ të gjallë ndihmen, Zannoni vorfnon vllazent, miqt e atdhén. Dekes nuk mund t’i brishtë kurrgjâ. Kúr mâ i ngjethët çilë lili, rrexet zhiguese e thájn; e kúr mâ ambel bylbyli i nderlikon jonet, bjen cangull në tokë. Sado të mundohet njeriu, nuk mund t’i shpëtojë dekes, as ai as veprat e tij. Sparta e Kartago u zhduken. Me tëzi do rrenime na flasin per Romen e herëshme. – Por deka s’ka pushtet mbí emen të njatij burri, qi la nám në fis të vet. Homeri, mbas shndrrimit të sa stinve, enè gjallon. As ti, Zannon, per né s’ké dekun. Ti kjé, qi i lype edhe i gjete mshehtësít e gjuhës shqŷpe, e raven çile per me stolisun fjalen e shllimet; e nëper tejza lyret dijte me xjerrun jone t’ ambla. Shqypníja s’ka per të harrue emnin, e cilla, edhe sot, pret së naltit ndihmë prej teje per ketë dhé, ku derdhet kot sa lodja e gjaku.
[5]58. na vjen: na bâhet, na duket.
[6]59. ke … shkon: kah shkon, tue shkuem, – i verbtë s’ dy sŷsh: ablativus limitationis në të cillin ndeshemi shpesh nder shkrimtarë të vjeter e qi ndihet edhe sot në Verí, – neper Meone etj.: Per Homerin, mbretin e poezís epike (Shih k. VII, v. 71; k. XX, str. 7) nuk dihet kurrgjâ me sigurí. Legenda na e paraqet si nji plak të verbtë së dy sŷsh, qi endej nëper Meone (emen i vjeter i Lidís), tue i rá lahutës per të fituem nji kashtatë bukë.
[7]61. E kashatat e mykta … Me ato kangë i perligjë, qi mort nuk shohin: Rendo: e i perligjë (i shperblen) kashatat e mykta… me ato kangë qi mort… (të padekëshme).
[8]64. E prá, sá stina… Janë gati trí mijë vjetë!
[9] Mrizi i Zânavet, po aty, botim i cituar, Shkodër, 2020, f.148-149.
[10] XXVI. – Nji lule vjeshtet, po aty, botim i cituar, f.152.
[11] XXVI. – Nji lule vjeshtet, po aty, botim i cituar, f.154.
[12] TË KRYQZUEMIT, 1913, Vallja e Parrizit, Botime Françeskane, Shkodër, 2020, f.
[13] Në ditë t’emnit të nji françeskani shqyptar (A.V.Prennushit, O.F.M.), 1909, në Vallja e Parrizit, botim i cituar, f.237; Fuqia e fjalës së Tenzot (në rasë të dekës së A.Engell Serreqit, S.J., 1929; po aty, botim i cituar, f.241-245.
[14] Permbi burim të gjuhvet letrare, në Posta e Shqypniës, n.55, f.4, 26 qershor 1918.
[15] Literaturë shqype, në Posta e Shqypniës, n.54, f.3, 22 qershuer 1918.
[16] Shih në veçanti dhe shkrimin me titull Át Shtjefën Gjeçov O.F.M., përpiluar në Romë më 24.12.1929, botuar në Hylli i Dritës, kallnduer, n.1, f.51-56, 1930.
[17] Shih sërish shkrimin me titull Át Shtjefën Gjeçov O.F.M., përpiluar në Romë më 24.12.1929, botuar në Hylli i Dritës, kallnduer, n.1, f.51-56, 1930.
[18] Át Gjergj Fishta O.F.M., Parathâne, në Kanuni i Lekë Dukagjinit, Botime Françeskane, Shkodër, 2010, f.XXVII.