Të dashur miq e dashamirë të veprës së madhe të kolosit tonë kulturor dhe letrar, tashmë të ndjerit Ismail Kadare,
Sot me dhembje dhe pikëllim të madh në shpirt dhe në zemër mora lajmin për kalimin në amshim të krijuesit të madh, Ismail Kadaresë.
Njohuria, takimet, bisedimet dhe komunikimet e shumta që pata me Të, për mua ishin frymëzim dhe motivim për jetë, shërbim tim meshtarak Zotit, Popullit, çdo njeriut, duke kërkuar gjithnjë vetëm një gjë: të mirën tonë të përbashkët, gëzimin, harenë, lumturinë, mbi të gjitha Dashurinë, si shtyllë jete dhe veprimtarie.
Falënderoj Zotin për jetën, veprimtarinë, krijimtarinë e Tij të madhe, të thellë, shqiptare dhe gjithnjerëzore. Ai nëpërmjet botimeve dhe romaneve e ka “rishkruar” historinë tonë të copëtuar dhe të dëmtuar, të lashtë dhe të stërvuajtur, martire, ilire, arbërore dhe shqiptare, duke na paraqitur me shumë dinjitet dhe personalitet në Evropë dhe në botë, duke na kthye në dinjitetin e dikurshëm…
Shpresoj dhe uroj që brezi ynë i ri, si dhe gjeneratat e ndryshme në botë, do të na njohin dhe çmojnë për atë çka ishim, jemi dhe duam – duhet të jemi, nëpërmjet krijuesin dhe kolosit tonë gjenial, Ismail Kadaresë.
Me mendje i kalova vitet e tëra të takimeve, afrimeve dhe bashkëpunimeve tona që nga vitet e 80 – ta, duke zbuluar “nektarin apo mjaltën”, thesare të çmuara dhe të paharruar te njohurisë, bashkëveprimeve dhe bashkëpunimeve tona.
Ndonëse nuk jam i fushës për të çmuar dhe vlerësuar anën krijuese dhe letrare, peshën e tij madhore në artin e shkrimeve, në paraqitjen e dinjitetshme në skenën botërore, por me shpirt dhe me zemër dua të them: të falënderoj që shkove dhe krijove, që ke lënë në trashëgimi thesare dhe xhevahire që ndriçojnë shtigjet, begatojnë mendjen, pasurojnë dhe kënaqin zemrën, hapin shtigje të reja kah ideali ynë i përbashkët: që të jemi vetvetja për t’ua mundësuar edhe tjerëve që të jenë vetvetja.
Tash pusho në paqe dhe shijoje amshimin e lumtur, veçanërisht me dy figura që i ke çmuar, përfaqësuar dhe dashur shumë: Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe Shën Nënën tonë Tereze, si dhe me shumë të tjerë që tashmë janë në amshim.
Bashkëshortes Helenës, si dhe dy bijave, ngushëllime, me nderime, falënderime, urate, shpresë dhe dashuri!
Pushoftë në paqe në amshimin e lumtur!
Prishtinë, më 1 korrik 2024
Don Lush Gjergji