Matej KRASNIQI, argjipeshkëv i Shkupit ( 1816 – 1829)

Nga Don Frok Zefi

 

Mateu, i biri i Antonit, nga fisi i Krasniqëve, (prej nga erdhën të parët e tij, dhe prej nga rrjedh tani mbiemri i tyre),  lindi në vitin 1765, në Prizren.

 

I vendosur qysh herët në thirrjen e tij meshtarake, mësimet e  para të gramatikës latine i mori në vendlindje. Në moshën trembëdhjetë vjeçare, u dërgua nga ish-argjipeshkvi i Shkupit, Tomë Tomiçiq (i lindur në Dubrovnik të Dalmacisë), në kolegjin piçeniko-ilirik në Loreto, për arsimim dhe studim. Atje, studioi shkencat laike dhe ato të shenjta, e më tej, pas shugurimit meshtarak, mbrojti edhe  doktoraturën në filozofi dhe në teologji.

Pasi u kthye në vendlindje, shërbeu për 26 vjet, thuajse në të gjitha famullitë e argjipeshkvisë së Shkupit. Ai punoi gjithmonë, për të mirën e besimtarëve katolikë. Pas vdekjes së argjipeshkëv Matej Mazarekut, i cili pasoi Tomë Tomiçiqin, në vitin 1816, Kongregata e emëroi atë argjipeshkëv të Shkupit; e fill pas kësaj u shugurua duke iu dorëzuar manteli (pallium) nga ipeshkvi i Shkodrës, Antun Dodmassei, në Shkodër, në Shqipëri, e cila asokohe administrohej nga perandoria osmane.

Gjatë drejtimit të argjipeshkvisë, që zgjati për 12 vjet, ai duroi me qetësi shumë mundime dhe vuajtje, derisa u sëmur nga paraliza që i preku gjithë trupin, e veçanërisht duart; kështu ndërroi jetë i rraskapitur nga sëmundja, në vitin 1828.  Matej Krasniqi u varros në Prizren, në kishën e Zonjës, nën altar;  varri i tij është i vetmi në atë kishë; duhet pohuar se ai e kishte  përcaktuar vetë vendvarrimin e tij, qysh kur ishte gjallë.

Në vitin 1817, pjesërisht me paratë e tij dhe pjesërisht me paratë e marra nga besimtarët, argjipeshkvi Krasniqi e rindërtoi nga themeli shtëpinë e vjetër të argjipeshkvit, e cila ishte afër kishës. Ndërsa argjipeshkvi Urban Bogdanoviq, ndërtoi rreth varrezave, një mur me tulla dhe në krahun e djathtë të shtëpisë shtoi edhe një sallon tetë herë më të madh se ai i vjetri, i cili ishte ndërtuar në vitin 1856. Përveç kësaj, ai vendosi një portë të madhe, që të çonte në rrugën kryesore të qytetit. Duhet kujtuar se më parë, rezidenca (selia) e argjipeshkvit ishte në Shkup, ku edhe mbeti  deri në vitin 1785.

Kur pllakosi murtaja, atje humbën jetën një numër i madh katolikësh, kurse të tjerët që mbetën gjallë, shkuan në Janjevë bashkë me argjipeshkvin Mazarekun. Disa nga besimtarët që ikën, nuk u kthyen më. Në këtë kohë, rezidenca (selia) ishte në Prizren, ku ndodhej edhe administrata shtetërore e krahinës së Shkupit. Për besimtarët katolikë, ishte e rëndësishme që argjipeshkvi ta kishte selinë në Prizren, sepse prej atje, ai mund t’i mbronte ata më lehtë.

Viti 1822 e gjeti argjipeshkvin Krasniqi të sëmurë, e megjithatë ai miratoi zgjerimin e kishës së vogël në Prizren, dhe populli dha parà që zgjerimi i kishës të përfundohej. Punimet u kryen nën kujdesin dhe me përpjekjet e Petar Shalës, në atë kohë, vikar  i  përgjithshëm. Adhurimi ende kryhet në atë kishë, dhe do të vazhdoj të kryhet derisa Zoti ta mundësoj, ndërtimin e një kishe më të madhe dhe më të bukur. Ne duhet t’i lutemi Zotit, që kjo të ndodh, sa më shpejt të jetë e mundur.[1] /drita.info

 

————–

[1] ASCPF, SC, SERVIA,  Vol 5, f. 22-26r.

Shpëndaje: